Banka e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë përfaqëson Shtetin Shqiptar në të gjitha marrëdhëniet dhe veprimtaritë bankare me shtetet, me bankat dhe me institucionet e huaja. Në këtë funksion, nëpërmjet llogarive të Qeverisë, Banka e Shqipërisë shërben si ndërmjetës për lëvrimin e financimeve të huaja dhe për pagimin e borxheve të maturuara. Si pjesë e këtij shërbimi, Banka e Shqipërisë shet dhe shlyen, për llogari të Qeverisë, letra me vlerë të saj (që aktualisht janë vetëm bonot e thesarit). Banka e Shqipërisë, gjithashtu, emeton kartëmonedha dhe prerje metalike të saj, të cilat i shpërndan në bankat dhe në institucionet financiare të vendit. Në mënyrë periodike, paraja futet përsëri në Bankën e Shqipërisë ku numërohet, kontrollohet dhe rihidhet në qarkullim apo del nga kanalet e qarkullimit kur ajo është e dëmtuar dhe zëvendësohet. Gjithashtu, ajo sekuestron paratë e falsifikuara. Megjithëse i shërben Qeverisë, Banka e Shqipërisë nuk i jep asaj kredi direkte të pakufizuara. Një gjë e tillë është përcaktuar edhe në ligjin ‘Për Bankën e Shqipërisë’ dhe synimi i saj është që të kufizojë Qeverinë në marrjen e kredive në nivele të tilla të larta, që do të krijonte probleme për ekuilibrat e zhvillimit të ekonomisë. Kufiri i financimit që Banka i ofron Qeverisë ose i kredisë së saj është 5 deri në 8 për qind të të ardhurave mesatare që buxheti i shtetit ka realizuar në tre vitet e fundit. Veç kësaj, këto kredi janë gjithmonë të garantuara nga ana e Qeverisë me anë të letrave me vlerë që emeton ajo.

Po këto keni lexuar?!!