Çka është propozimi për biznes?

1

Autor: Skender Mustafi
Freskuar më 18 Shtator, 2013

Propozimi për biznes flet pak mbi ju dhe më shumë mbi atë çfarë i intereson konsumatorit tuaj. Pra, që në fillim le të sqarojmë që propozimi për biznes nuk është plan biznesi i cili më shumë flet mbi ju se sa mbi atë çfarë i intereson konsumatorit.

Definicioni më i thjesht është: Propozimi për biznes është një dokument i shkruar të cilin shitësi i ofron blerësit. Ju i ofroni konsumatorit. “Ju” në këtë rast nuk nënkupton vetëm një kompani e cila i ofron propozimin për produktin/shërbimin një kompanie tjetër, por edhe një person i cili i ofron propozimin për idenë, produktin ose shërbimin e vetë, një kompanie. Me fjalë tjera, përmes këtij dokumenti i propozohet konsumatorit që të bëj biznes me ju, kështu që ky zakonisht është hapi i parë i një procesi më të komplikuar i shitjes së një produkti/shërbimi.

propozimi i biznesit

Ndarja e propozimeve të biznesit

Nëse flasim nga perspektiva e një ndërmarrjeje propozimet e biznesit mund të jenë katër lloje të ndara në dy kategori:

  1. Të brendshme – janë propozime të iniciuara nga brendia e kompanisë.
    • Të kërkuara – janë propozime të cilat bëhen nga një rol ose një departament i një kompanie si përgjigje ndaj kërkesës së kompanisë ose të ndonjë departamenti. Në këtë rast fillimisht kompania/departamenti i caktuar studion situatën duke analizuar dhe vlerësuar aktivitetet/proceset të cilat duhet përmirësuar dhe si rezultat sjell një dokument i cili përshkruar në saktësi nevojat e kompanisë/departamentit. Bazuar në dokumentin e përpiluar, zakonisht, kompania angazhon një (grup) ekspert/ësht të cilët studiojnë zgjedhjet e mundshme të problemit të parashtruar. Ky grup si rezultat nxjerr një propozim për situatën përkatëse.
    • Të pa kërkuara – janë ndër propozimet më interesante për të punësuarit meqë këto propozime mund të sjellin sukses në karrierë. Këto propozime bëhen nga ana e të punësuarve të ndërmarrjes qoftë individ ose repart i caktuar. Nëse është individ, atëherë varësisht nga pesha e propozimit i propozon repartit ose menaxhmentit, kurse nëse është repart atëherë i propozon një reparti tjetër ose menaxhmentit. Në këtë rast propozimi bëhet si rrjedhojë e një analize të pa iniciuar nga ndërmarrja ku i punësuari/reparti vlerëson që zgjedhja e përpiluar është me vlerë dhe fitimprurëse për ndërmarrjen. Kjo zakonisht ndodhë si rezultat i përkushtimit të individit/repartit ndaj proceseve në ndërmarrje, ose edhe si rezultat i një ideje të cilën ndërmarrja nuk e ka pasur për të përmirësuar një proces të caktuar. Shumë me rëndësi, në këtë rast, është që para fillimit të përgatitjes së propozimit të analizohet gjendja e kompanisë dhe mundësitë se ndoshta këtë zgjidhje e ka parasysh, por për shkaqe të ndryshme nuk e vë në funksion.
  2. Të jashtme – mund të jenë propozime të iniciuara nga brenda ndërmarrjes ose nga jashtë saj.
    • Të kërkuara – janë propozimet të cilat janë të iniciuara nga vetë ndërmarrja bazuar në nevojat e veta. Në këtë rast ndërmarrja në vend që të merret me zgjidhjen e problemit/problemeve duke shfrytëzuar resurset e brendshme merr vendim që të angazhojë një partner të jashtëm. Me rëndësi është të theksohet që tek ky lloj propozimesh fillimisht ndërmarrja paraqet kërkesat e veta në mënyrë të sqaruar mirë dhe si përgjigje ndaj këtyre kërkesave individët, ndërmarrjet ofrojnë propozimet e tyre. Kjo është një garë e hapur mes ndërmarrjeve, tek ne e njohur si tender, ku ndërmarrja paracakton kushtet të cilat duhet plotësuar nga propozuesit dhe paracakton kriteret të cilat janë të rëndësishme për ndërmarrje për të përzgjedhur propozuesin.
    • Të pa kërkuara – janë propozime që bëhen nga ndërmarrjet/individë nga jashtë kompania. Në këtë lloj përfshihen jo vetëm ndërmarrjet/individët të cilët ofrojnë produkte/shërbime, por edhe ndërmarrjet të cilat propozojnë bashkim të ndërmarrjeve mes vete. Shembull, ndërmarrja A vlerëson që produkti i vetë është shumë më i mirë dhe më fitimprurës si për vetë kompaninë A ashtu edhe për kompaninë B nëse bëhet bashkim me resurset e kompanisë B. Kështu, kompania A i propozon, pa i kërkuar kompani B, kompanisë B që të bashkëveprojnë. Të këtij lloji janë veprimet e shumë individëve të cilët u propozojnë kompanive ide për përmirësime në procese ose për produkte/shërbime të reja.

Ekziston edhe një lloj tjetër i ndarjes së propozimeve i cili gjithashtu është i rëndësishëm për të kuptuar pozicionimin tuaj kundrejt konsumatorit tuaj, pra ndërmarrjes së cilës i ofroni propozimin. Ky lloj i ndarjes bëhet nga këndi i vlerësimit të propozimit ku mund të gjejmë disa lloje të propozimeve:

  1. Kam një ide” – është lloj i propozimit ku ju realizoni të gjithë punën kreative. Shumë me rëndësi është që të mos shfaqet ideja si e tillë, e thatë, por t’i ofrohet mundësia konsumatorit që të kuptojë atë dhe të njohë vlerat që ajo ide i ofron. Duhet të shfrytëzoni rastin që të gjitha mundësitë t’i keni në dispozicion që pa ngurrim të sqaroni idenë tuaj ku do të vlerësoheni si kërkues dhe si person kreativ dhe natyrisht një paraqitje e qartë dhe bindëse kurorëzohet me pranim të idesë nga konsumatori.
  2. Çmimi dhe termini” – është nga propozimet e thjeshta për ofruesin e propozimit meqë konsumatori veç më ka analizuar situatën e vetë dhe ka paraqitur një dokument me të gjitha specifikat dhe nevojat. Në këtë rast bëhet një kërkesë ku ju përmes një letre të thjeshtë propozoni çmimin tuaj dhe afatin e realizimit të ofertës.
  3. Le të kuptohemi mes vete” – është propozim i para-udhëhequr me konsultime me konsumatorin i cili në këto raste është zakonisht një kompani e vogël me pak ekspertizë në sferën në të cilën ju veproni. Në këso raste është nevoja që konsumatorit t’i sqarohen të gjitha mundësitë që ju ofroni duke e bindur atë në më shumë rritje të vlerës se ajo që konsumatori ka përllogaritur me kapacitetet e brendshme (interne). Ajo që nuk duhet ngurruar në qasje të tillë është paraqitja e vlerave në tërësi meqë kështu mund t’i tregohet konsumatorit angazhimi juaj për të hulumtuar çështjen dhe ekspertiza juaj për të sjellë rezultate.
  4. “Projekti më takon mua” – është situatë specifike ku suksesi është shumë afër, por nuk nënkupton se propozimi juaj është pranua akoma pa dorëzuar atë. Ju duhet bërë detyrat e shtëpisë për të ofruar propozim bindës. Këso projekte vjen në shprehje atëherë kur prapavija juaj e mbushur me njohuri dhe përvojë profesionale përputhet me kërkesat e konsumatorit. Në këtë rast ju jeni udhëheqës në tre me produktin/shërbimin tuaj, dhe nuk nënkupton se patjetër duhet të keni ide unike, mjafton të keni ekspertizë mbi konkurrentët ose njohuri kyçe që tu bëjnë juve udhëheqës në treg.
  5. “Nuk e dua këtë projekt” – është propozim i dorëzuar për të mos fituar. Për kompanitë të cilat janë në rritje e sipër me një konsum të mirë është me vlerë që emri i tyre të sillet nëpër kokat e biznesit. Kjo arrihet duke qenë prezent nëpër oferta të ndryshme për bashkëpunim. Juve ndoshta mund të mos u interesojë një projekt, por pjesëmarrja juaj përmes një propozimi bën që të ndjehet prezenca juaj në treg. Kjo nuk nënkupton që ju duhet të ofroni çfarëdo propozimi meqë keni emër për të ruajtur, kjo është një detyrë jo aq e lehtë ku duhet plotësuar dy elemente kyçe: të realizohen shpenzime minimale për përgatitjen dhe dorëzimin e propozimit, të shkruhet propozim i cili mbron emrin e mirë të kompanisë, por që nuk është patjetër i thelluar për të fituar.

 

Le të përmbyllim

Tek cilido rast që përmendëm më sipër elementi më i rëndësishëm është suksesi. Gjatë përpilimit të planit për dokumentin e propozimit, gjatë analizës së ndërmarrjeve, gjatë përpilimit të propozimit e deri tek faza e dorëzimit të tij, gjithnjë duhet pasur parasysh se shumë me rëndësi është që të përqendrohemi tek përpilimi i një propozimi të tillë i cili jo vetëm që tërheq vëmendjen e konsumatorit, por edhe nxitë interesin për të pranuar ofertën për biznes.

Pra, propozimi i suksesshëm përfundon me shitje, ose pranim të ofertës në nëse propozohet biznes i përbashkët ku nga konsumatori kërkohet investim.

Komentet nga Facebook:

1 Koment

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *