Gjenerimi i modelit të biznesit: Struktura e shpenzimeve

0

Autor: Skender Mustafi

Meqë shpenzimet përcaktohen nga të gjitha elementet e një biznesit, atëherë kjo komponentë e modelit të biznesit duhet lënë e fundit në trajtim. Gjatë analizës së komponentëve tjera të modelit të biznesit kërkuesit përcaktojnë role të ndryshme të cilat i takojnë biznesit për të cilin është duke u gjeneruar modeli ose për partnerët e tij. Madje përveç roleve është e patjetërsueshme të hulumtohen edhe faktorët në mënyrë që shpërndarja e burimeve dhe aktiviteteve të bëhet në mënyrë optimale duke mundësuar që biznesi të veprojë me fitim maksimal në tregun e caktuar, përballë konkurrencës së identifikuar. Përfundimisht, shpërndarja e aktiviteteve dhe burimeve bëhet në bazë të indikatorëve të gjeneruar nga analiza e shpenzimeve për burimet dhe aktivitetet në veçanti dhe të biznesit në përgjithësi.

Në strukturën e modelimit të biznesit të propozuar nga Osterwalder dhe Pigneur (2010) analiza e shpërndarjes së shpenzimeve të modelit të studiuar të biznesit jo rastësisht përmbyllë analizën e komponentëve të modelit të biznesit, pavarësisht nëse fjala është për një model të biznesit i cili zgjeron modelin ekzistues, ndryshon atë, ose është model i biznesit për një kompani të re. Në këtë pikëpamje blloku i analizës së strukturës së shpenzimeve përshkruan të gjitha shpenzimet që bëjnë që një model i caktuar i biznesit të funksionojë. Kjo pjesë përshkruan shpenzimet më të rëndësishme të paraqitura gjatë veprimit të një modeli të caktuar të biznesit. Aktivitetet si krijimi dhe shpërndarja e vlerës, ndërtimi dhe mirëmbajtja e marrëdhënieve me konsumatorët, gjenerimi i të hyrave e të tjera, të gjitha këto shkaktojnë shpenzime. Këto shpenzime mund të identifikohen relativisht lehtë pasi të jenë analizuar dhe përcaktuar Burimet Kyçe, Aktivitetet Kyçe dhe Partnerët Kyç.

Ajo që mund të vërehet gjatë analizës dhe gjenerimit të modeleve të biznesit për lloje të ndryshme të bizneseve është se disa modele të biznesit janë më shumë të bazuara në shpenzime se sa të tjerat, disa modele janë më shumë të shtyra drejt minimizimit të shpenzimeve. Sidoqoftë, shpenzimet duhet minimizuar në cilindo lloj të modelit të biznesit. Por struktura e shpenzimeve të ulëta është më e rëndësishme në disa lloje të biznesit se sa në të tjerat. Nga kjo pikëpamje studiuesit ndajnë dy kategori të gjëra të strukturave të shpenzimeve të modeleve të biznesit:

  1. Modelet e biznesit të-shtyra-nga-shpenzimet (në literaturën e biznesit në anglisht të njohura si “cost-driven business models”). Këto modele të biznesit përqendrohen në minimizimin e shpenzimeve kudo që është e mundur. Për më tepër, përmes kësaj qasjeje tentohet të arrihet struktura më e ulët e shpenzimeve përmes përqendrimit në propozimin e vlerës me çmim të ulët, rritjen e automatizimit të proceseve dhe shtrirjen drejt angazhimit të burimeve të jashtme të shërbimeve ose produkteve (në anglisht njohur si “outsourcing”). Në këtë kategori mund të numërohen bizneset e prodhimit të gjerë në industrinë ushqimore, kompanitë e telekomunikimit e të tjerë.
  2. Modelet e biznesit të-shtyra-nga-vlera (në anglisht të njohur si “value-driven business models”) janë modele të cilat kompanitë i shfrytëzojnë për të zhvilluar strategji të cilat janë më pakë të përqendruara në minimizimin e kostove dhe më shumë në rritjen e vlerës së krijuar dhe të shpërndarë. Të tilla janë modelet të cilat konsumatorëve të caktuar u ofrojnë vlera premi (në anglisht njihet si “Premium Value Proposition”) ose madje shërbime dhe produkte të personalizuara. Në këtë mënyrë bizneset përqendrohen në shpërndarje të vlerës së lartë drejt konsumatorëve të tyre përmes ofrimit të produkteve/shërbimeve specifike me karakteristika posaçërisht të përshtatshme për secilin nga konsumatorët ose grupet e konsumatorëve të tyre. Të tilla janë kompanitë e industrisë së lartë të cilat ofrojnë produkte dhe/ose shërbime për biznese tjera, madje në shumë raste numri i konsumatorëve të këtyre kompanive sillet nga 1 deri 5 konsumatorë. Në konsumin e përgjithshëm (B2C) mund të veçohet ofrimi i shërbimeve premi siç janë hotelet luksoze, udhëtimet e përzgjedhura, produktet e shtrenjta me dizajne specifike e të tjera.

Në këtë komponentë të modelit të biznesit, gjithashtu, duhet trajtuar edhe karakteristikat e ndryshme të Strukturës së Shpenzimeve në mënyrë që gjatë implementimit të modelit të gjeneruar të mund të merren vendimet rreth shpërndarjes së Burimeve Kyçe dhe Aktiviteteve Kyçe. nga karakteristikat më të rëndësishme mund të veçohen:

  • Shpenzimet fikse – që paraqesin shpenzimet të cilat mbeten të njëjta pavarësisht të sasisë së produkteve ose shërbimeve të prodhuara. Të tilla janë shpenzimet për pagat, objektet e prodhimit e të tjera. Për më tepër, disa industri si ato të prodhimit janë të karakterizuara me shpenzime të larta fikse.
  • Shpenzimet variabile – janë shpenzimet të cilat rriten me rritjen e prodhimit të të mirave ose shërbimeve dhe anasjelltas.
  • Ekonomia e shkallës – nënkupton përparësitë që biznesi i caktuar arrijnë përmes rritjes së prodhimeve. Në këtë rast kompanitë të cilat prodhojnë sasi të mëdha të të mirave ose/dhe shërbimeve mund të furnizohen me të hyra më lirë se konkurrentët e vegjël, gjithashtu mund të arrijnë dobi tjera si në marketing, shpërndarje e të tjera. Këto dhe faktorë të tjerë ndikojnë në uljen e shpenzimeve për prodhimin e të mirave ose/dhe shërbimeve.
  • Ekonomia e shtrirjes – paraqet përfitimet që biznesi mund të i arrijë përmes prodhimit të produkteve/shërbimeve të ndryshme duke shfrytëzuar burimet e njëjta si në materiale ashtu edhe në fuqi punëtore. Kompanitë e tilla mund të shfrytëzojnë teknologjinë ose diturinë e tyre për prodhimin e produkteve të ngjashme, kanalet e njëjta të shpërndarjes për të arritur grupe të ndryshme të konsumatorëve e të tjerë.
Për në fund, gjatë gjenerimit të kësaj pjese të modelit të biznesit e që nuk do të thotë që pjesët tjera nuk duhet rishqyrtuar për të kompletuar modelin e tërë të biznesit ju duhet trajtuar dhe përgjigjur pyetjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me industrinë në përgjithësi dhe llojin e biznesit në veçanti. Nga pyetjet e përgjithshme që shpesh herë mund të hasen në literaturë e që trajtojnë strukturën e shpenzimeve janë:
    •  Cilat janë shpenzimet më të rëndësishme të modelit ekzistues të biznesit?
    • Cilat Burime Kyçe janë më të shtrenjtat?
    • Cilat Aktivitete Kyçe janë më të shtrenjtat?
    • Cilat Segmentet të Konsumatorëve kërkojnë më shumë shpenzime për t’i menaxhuar?
    • Cilat Kanale të Shpërndarjes janë më të shtrenjtat?
    • Cilët Partnerë Kyç janë më të shtrenjtët?
Të gjitha këto pyetje më pas, gjatë vendimeve strategjie, duhet përgjigjur duke marrë vendime për të përzgjedhur mundësitë më të mira për implementimin e modelit të gjeneruar të biznesit.

Referencat

  •  Osterwalder, A. & Pignuer, Y (2010), Business Model Generation: A Handbook for Visionaries, Game Changers, and Challengers, John Wiley & Sons, Inc., Hoboken, New Jersey

Komentet nga Facebook:

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *