Gjenerimi i Modelit të Biznesiz: Burimet Kyçe

Shkroi: Skender Mustafi

 Një nga komponentët më të rëndësishëm për përcaktimin e vlerës së krijuar në gjenerimin e modelit të biznesit është përcaktimi i burimeve kyçe të cilat ndikojnë në krijimin e vlerës. Çdo model i biznesit duhet trajtuar burimet kyçe. Resurset u mundësojnë kompanive që të mund të krijojnë dhe ofrojnë vlerë, të arrijnë segmente të caktuara të tregjeve ose tregje në tërësi, të mirëmbajnë marrëdhëniet me segmentet e definuara të konsumatorëve si dhe marrëdhëniet me partnerët e furnizuesit, dhe gjithashtu të krijojnë të hyra/fitim.

Llojin e burimeve kyçe e përcakton lloji i modelit të biznesit, struktura dhe nevojat që ai lloj përcakton. Shembull, një model i biznesit që ofron shërbime telefonike në masë të madhe kërkon mbështetje teknologjike si dhe burime njerëzore për aktivitetet që kërkojnë dituri intensive (në anglisht të njohura si knowledge-intensive activities).

Sido që të jetë, gjatë gjenerimit të modelit të biznesit, posaçërisht gjatë analizës dhe përcaktimit të burimeve kyçe duhet pasur parasysh analizën përzgjedhjen e tyre sipas rëndësisë, në mënyrë që më pas të përcaktohet sasia e kapitalit e cila duhet ndarë për secilin lloj të përzgjedhur të burimeve kyçe. Në literaturë mund të gjenden ndarje të ndryshme sipas perspektivave të ndryshme të studiuesve, por unë këtu do të sjell vetëm ato më të rëndësishmet ose/dhe më shpesh të përhapurat në të gjitha industritë. Duhet të keni parasysh që kësaj liste duhet t’i shtoni burimet kyçe të cilat janë specifike për modelin që ju gjeneroni (nëse ka nevojë), si dhe burimet kyçe të paraqitura në listë mund të jenë të kombinuara dhe të privilegjuara varësisht nga lloji i modelit të biznesit.

  • Burimet fizike – kjo kategori përfshinë mjetet fizike, siç janë objektet e prodhimit, ndërtesat, mjetet e transportit, teknologjia, sisteme e prodhimit, sistemet e pikave të shitjes, si dhe rrjetet e shpërndarjes. Burimet fizike zakonisht janë burime që kërkojnë investim të madh në kapital (në anglisht lloje të tilla njihen si capital-intensive resources). Shembuj të kompanive të cilat mbështeten shumë në burimet fizike janë Amazon Inc. që mbështetet në një rrjet të madh të teknologjisë informative (anglisht: IT technology), depo si dhe strukturë mjaftë të zgjeruar të logjistikës. Të tilla janë edhe kompanitë tradicionalisht të njohura për prodhimin e produkteve të ndryshme për konsum të gjerë. Këto kompani kanë investime të mëdha në ndërtesa, teknologji prodhimi, rrjetet e logjistikës e të tjera.
  • Burimet intelektuale – kjo kategori përfshinë burimet intelektuale siç janë marka, patentat, të drejtat e autorit, partneritetet, si dhe kohëve të fundit bazat e të dhënave me të dhëna mbi konsumatorët është duke u bërë një element shumë i rëndësishëm për zhvillimin e modeleve të biznesit. Burimet intelektuale është shumë vështirë të zhvillohen dhe krijohen, megjithatë nëse njëherë arrihet që të realizohen atëherë mundësojnë krijimin e vlerave shumë të mëdha. Kompanitë e prodhimit të të mirave materiale si Adidas, Nike, Sony, Coca-Cola e të tjera mbështeten shumë në burimet intelektuale si burime kyçe. Në anën tjetër Microsoft, SAP, Oracle, Adobe e të tjera mbështeten në të drejtat e autorit dhe format e tjera të burimeve intelektuale si burime kyçe.
  • Burimet njerëzore – Çdo kompani ka nevojë për burime njerëzore, megjithatë njerëzit kanë më shumë vlerë në tek disa kompani dhe më pakë tek kompanitë tjera. Kështu, njerëzit kanë vlerë të madhe tek modelet e biznesit të cilat mbështeten mbi dituri dhe kreativitet. Kompanitë e prodhimeve farmaceutike, kompanitë e marketingut, dizajnit e të tjera, janë të mbështetura në burimet njerëzore meqë vetëm fuqia e mendimit njerëzorë mund të përcaktohet për vendimet e duhura lidhur me zhvillimin e produkteve të ndryshme, përcaktimin e strukturave të ndryshme të prodhimit e shpërndarjes, si dhe përcaktimit të marrëdhënieve me konsumatorët.
  • Burimet financiare – Kompanitë të cilat si kryesore kanë burimet financiare janë bankat dhe kompanitë e tjera financiare, megjithatë edhe kompanitë e tjera si Ericsson janë të njohura për angazhimin e tyre në sferën financiare duke i bërë burimet financiare si burime kyçe të kompanisë.

Analiza e burimeve kyçe në gjenerimin e modelit të biznesit

Në pikëpamjen e gjenerimit të modelit të biznesit dhe analizën e komponentëve për biznesin e caktuar, burimet kyçe siç pamë më sipër luajn rol shumë të rëndësishëm duke pasur ndikim dhe në komponentët e tjera të modelit të biznesit.

Të kuptuarit dhe analizuarit e burimeve kyçe për një model të biznesit të caktuar duhet parashtruar pyetjet , përgjigjet e të cilave sigurojnë ngërthim të çështjes në tërësi. Nga pyetjet më të shpeshta dhe më të përgjithshme janë:

  • Çfarë Burime Kyçe kërkon Propozimi i Vlerave në biznesin tuaj?
  • Çfarë Burime Kyçe kërkojnë Kanalet e Shpërndarjes?
  • Çfarë Burime Kyçe kërkojnë Marrëdhëniet me Konsumatorët?
  • Çfarë Burime Kyçe kërkojnë  Rrjedhat e të hyrave?
  • Çfarë Burime Kyçe kërkojnë  ruajtja dhe menaxhimi i marrëdhënieve me partnerët dhe furnizuesit?
  • Në cilat pika duhet shqyrtuar burimet ekzistuese kyçe të kompanisë suaj?
  • A është me vlerë ndryshimi i strukturës dhe prioriteteve të burimeve kyçe duke promovuar burimet e reja përkundër atyre ekzistuese?

Lista e pyetjeve duhet shqyrtuar varësisht nga lloji i biznesit që analizoni, si dhe duhet shtuar pyetjet të cilat kanë të bëjnë me atë lloj biznesit me qëllim të trajtimit të çështjes në tërësi duke mundësuar që kjo pjesë modelit të biznesit të jetë e integrueshme me pjesët tjera të modelit të biznesit.

Po këto i keni lexuar?