HTML5 Hap Pas Hapi: Hyrje

0

Autor: Skender Mustafi

Ky artikull është i pari i një serie artikujsh titulluar “HTML5 Hap Pas Hapi” të cilët do të flasin mbi Html5, mënyrën e punimit me të dhe shfrytëzimin e HTML5 për të programuar faqen tuaj. Në këtë seri artikujsh do të zbërthejmë elementet e HTML5 dhe në një masë të caktuar do të kombinojmë ato për të nxjerrë rezultate të caktuara. E gjithë kjo sillet rreth të kuptuarit të funksionit të elementeve dhe aspak drejt realizimit të aktiviteteve të dizajnimit të një faqeje. Natyrisht që ju mund të shfrytëzoni këto dituri drejtpërdrejtë për të realizuar idenë tuaj. Ajo që duhet të kuptoni është se dizajnimi i një faqeje interneti nënkupton përpilimin e strategjisë ose strategjive të ndryshme të kombinimit të elementeve të ndryshme qoftë HTML apo edhe të gjuhëve tjera të programimit të faqeve si PHP, ASP, JavaScritp e të tjera për të ndërtuar një faqe interneti, kurse këtu flasim vetëm mbi HTML.
HTML5
Shkurtesa HTML5 rrjedh nga anglishtja ku HTML është akronim nga Hyper Text Markup Language, kurse numri 5 paraqet versionin e kësaj gjuhe programimi. Siç mund të shohim vetë emrin mund të e ndajmë në tri pjesë, duke anashkaluar versionin:
1. Hypertext nënkupton një tekst të cilin mund të e shtypësh për të kaluar nga një dokument në një tjetër. Kjo nënkupton mundësinë që kemi për të shfletuar materialet në një faqe interneti përmes nyjeve që ajo përmbanë.
2. Markup ngërthen në vete etiketat (në anglisht tags) të cilat mundësojnë rregullimin dhe programimin e pjesëve të faqes sipas një plani të caktuar, ose/dhe të dëshiruar nga programuesi. Në të vërtetë teksti i thjeshtë është i etiketuar nga etiketat për tu bërë interaktiv.
3. Language i referohet faktit që HTML konsiderohet një gjuhë programimi.

HTML për herë të parë u paraqit në vitin 1991 për të evoluuar në HTML5 në vitin 2012. Mes këtyre versioneve njihen dhe versione tjera si HTML+ (1993), HTML 2.0 (1995), HTML 3.2 (1997), HTML 4.0 (1999), XHTML 1.0 (2000) dhe XHML5 (2013).

Është e zakonshme që njerëzit kur mendojnë për një gjuhë programuese kanë në mendje që ajo është e përpiluar (nga anglishjta compiled), por HTML në të vërtetë është gjuhë e interpretuar, pra ashtu siç shkruhet po ashtu lexohet nga njeriu dhe kompjuteri. Programimi në HTML mund të bëhet përmes një programi të thjeshtë siç është Notepad nga Microsoft ose nga ndonjë program tjetër që ofron më shumë mundësi për veprim vizual. Sido që të jetë pas gjithë veprimeve fshihet kod i realizuar përmes numrave, shkronjave e shenjave.

Ajo që ju duhet të keni për të vazhduar me mësimet në vazhdim është një program të ngjashëm si Notepad ose madje asgjë më shumë se Notepad. Edhe pse, unë u kisha sugjeruar të shkarkoni softuerin falas Notepad++ i cili ngjyros rreshtat e kodit varësisht nga funksioni dhe roli i tyre. Kjo do tu mundësonte juve që më lehtë të kuptonit kodin dhe strukturën e tij.

Sa i përket softuerëve që mundësojnë realizim të funksioneve më të përbëra, do të flasim në artikujt e fundit të kësaj serie.

Komentet nga Facebook:

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakMicrosoft Windows programe falas
Artikulli tjetërHTML5 Hap Pas Hapi: Etiketat (tags)
Themelues dhe mirëmbajtës i portalit “Fjalaime.ch”. BSc. i Administrimit të Biznesit dhe MSc. i Sistemeve Informative të Biznesit. Me punë dhe qendrim të përkohshëm në Zvicër, Winterthur. Studimet e mia qoftë akademike, qoftë private pasojnë sferën e ekonomsë me përqëndrim në drejtimet e menaxhimit dhe marketingut dhe teknologjisë informative me përqëndrim në shfrytëzimin e teknologjisë informative për zhvillim të biznesit..

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *