Interneti në shtëpi

Shkroi: Skender Mustafi

small1Nëse ju jeni përdorues i internetit dhe në familjen tuaj keni vetëm edhe një person që përdor internetin dhe që të dy mesatarisht harxhoni 50 cent në dit për internet atëherë ju patjetër duhet të kyçni internetin në shtëpinë tuaj.

Lejimi që fëmijët të shërbehen me internet duke përdorur “internet caffe-të” është një hap i gabuar, ndoshta një pikë qëndrim shumë i ashpër, por shpeshherë edhe për të rriturin “internet caffe-të” janë vend i gabuar.
Nga përvoja pesë vjeçare me “internet caffe” dhe nga përvoja rreth 5 vjeçare me internet në shtëpi kam arritur të shoh qartë të mirat e përdorimit të internetit në shtëpi dhe të metat e vizitës së “internet caffe-ve” për të përdorur internetin. Pa keq kuptime, përdorimi i “internet caffe-ve” në raste nevoje për qëllime profesionale ose informative me një qëndrim kohë shkurtër nuk ndikon në paraqitjen e efekteve që do t’i përmendim në vijim.

Nga elementet të cilat janë të rëndësishme gjatë përdorimit të kompjuterit dhe internetit janë:
1. Identiteti – gjatë përdorimit të kompjuterit personal dhe internetit në shtëpi personi krijon identitetin e vet “elektronik” duke kompletuar si në kompjuter ashtu edhe në internet mozaikun e tij personal. Ky identitet formohet nga elementet më të thjeshta: si programet kompjuterike bazë, shfletuesi i parazgjedhur i interneti e duke vazhduar deri tek elementet edhe më “intime” të cilat janë pjesë kryesore për tu identifikuar si person në vete.  Këto elemente nuk i mundësojnë “internet caffe-të”, ato janë publike dhe nuk mund të personalizohen.

interneti në shtëpi2. Privatësia –  formimi i strukturës private i organizimit të të dhënave sipas vullnetit të lirë personal, krijimi i strukturës personale të  “komunikimit me kompjuterin dhe internetin”, manipulimi me “identitetin elektronik” janë elemente që i takojnë privatësisë së një personi i cili e arrin këtë duke qenë i lidhur me një kompjuter i cili është pasqyrë identifikimi e tija.  Kjo pasqyrë identifikimi i mundëson lirshëm, personit në fjalë, që të shpalos veten e tij duke qen i mbrojtur nga bërja publike e mënyrës së tij “të të jetuarit virtual”.  Pa asnjë dyshim, në këtë pikëpamje personi nuk mund të arrijë as shkallën minimale të privatësisë gjatë tentimit të krijimit të një pseudo identiteti në “internet caffe”.

3. Siguria – në këtë rast mund të shihet nga dy këndvështrime edhe atë si siguri e kompjuterit nga sulme të ndryshme si dhe siguria e të dhënave personale dhe ruajtja e tyre nga shpërndarja e pa dëshiruar.  Që të dy këndvështrimet janë të arritshme në një kompjuter personal edhe atë qoftë përmes aplikacioneve që ofrohen falas, qoftë përmes aplikacioneve profesionale të cilat ofrojnë siguri të garantuar. Në një “internet caffe” ndoshta për ju nuk është me rëndësi sigurimi i kompjuterëve nga sulmet e ndryshme, por duhet të dini se ky sulm për të cilin ju nuk brengoseni fare ka për qëllim mbledhjen e të dhënave tuaja personale dhe shpërndarjen e tyre. Pra ashtu sikur që juve nuk ju intereson rreth sulmeve mbi kompjuterët e huaj ashtu “të huajve” nuk u intereson mbi të dhënat tuaja.

4. Kontrolli – është gjithashtu me dy këndvështrime, pra të kontrollosh dhe të jesh i kontrolluar. Të kontrollosh kompjuterin personal, të dhënat në të, përmbajtjet në të dhe në internet, të kontrollosh fëmijët përmes aplikacioneve të ndryshme, t’i mbrosh ata nga dashakeqët dhe njëkohësisht të mos jesh i kontrolluar, por i lirë në veprim janë përparësi të pa diskutueshme të lidhjes në shtëpi. “Internet caffe-të” janë burimi më i rrezikshëm i elementeve jashtë kontrolluese. Vizita e “internet caffe-ve irriton jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit e ndërgjegjshëm. Kjo, pasi në po të njëjtët vende në kohë të ndryshme qëndrojnë të rritur të pa ndërgjegjshëm dhe “prodhojnë” vlera po ashtu të pa ndërgjegjshme që janë të gatshme për “konsumim” nga ana e fëmijëve. Në anën tjetër takimet me personat e pa ndërgjegjshëm dhe me persona tjerë të ndryshëm me orientime të ndryshme në internet, bëjnë që fëmija ose vetë i rrituri të takohet me vlerat e tyre elektronike dhe me pikëpamjet e tyre të ndryshme mbi vlerat e internetit. Pra, në vend që personi të kanalizohet në një drejtim të caktuar përmes njohurive, ai “çoroditet” nga informatat e ndryshme dhe nuk thellohet në asnjë nga ato.

Këto elemente janë vetëm disa nga shumë elemente që mund të merren si vlerësues të këtyre dy “vend takimeve”. Fundja, secili përqendrohet në mbrojtje të ideologjisë së vetë, por sugjerimet dhe shpërndarja e vlerave dhe përvojave të ndryshme janë gjithashtu matës dhe vlerësues të ideologjisë sonë në këtë drejtim kështu që duhet t’i kemi parasysh fundja për të mbrojtur vlerat tona. Pra, marrë parasysh të dhënat e elaboruara, përdorimi i internetit në shtëpi është zgjidhja (ndoshta) e vetme e përshtatshme e përdorimit të internetit në tërësi.

Po këto i keni lexuar?