Google dhe Apple Cloud Computing

1

Autor: Skender Mustafi

Ndërtimi i bazave për ruajtjen e të gjitha llojeve të të dhënave në Internet është një hap i zakonshëm për kompanitë e mëdha botërore si Microsoft, Google, IBM, Apple e të tjera. Kompjuterizimi në re(në gjuhën origjinale (anglisht) Cloud Computing) është hapi në të cilin e gjithë bota informatike dhe ajo e biznesit po tenton të kalojë. Përkundër të metave dhe dobësive që ky lloj kompjuterizimi po shfaq, të mirat dhe përparësitë janë shumë më të mëdha kështu që tërheqja e konsumatorëve në këtë drejtim është shumë e lartë.

Si shembull, në vazhdim do të sqarojmë bazat e dy ndër konkurrentët më të mëdhenj në botë, Google Inc. dhe Apple Inc., dhe gjithashtu do t’i shfaqim dhe dallimet mes aplikacioneve për “kompjuterizim në re” që dy kompanitë ofrojnë.

Google Cloud (Google Kompjuterizimi në Re)
Strategjia dhe qasja e Google Inc. në ndërtimin e bazës për kompjuterizim në re është bazë e së ardhmes së kompanisë që do të zëvendësojë qasjen e tanishme, që është në Internet. Në këtë pikëpamje, Google përfytyron një botë të së ardhmes ku shërbimet realizohen dhe ofrohen me kosto më të ulët nga ato që janë sotëm, Interneti është i gjithëparnishëm, si dhe rrjete të shpejta për celularë që mundësojnë qasje të rrjedhshme në botën virtuale në gjithë botën. Kështu që kompania konceptin e kompjuterizimit është duke e zhvilluar për një botë të zhvilluar të së ardhmes. Si pasojë Google është në përpjekje e sipër për zhvillimin e strukturave dhe aplikacioneve të nevojshme për ndërtimin e këtij rrjeti, që do të mundësonin veprimin pa pengesa në të. Ky akt është i patjetërsueshëm sepse aplikacionet që ofrohen nga Google janë të varura nga lidhja e Internetit, shpejtësia, qëndrueshmëria dhe siguria e sajë. Një shembull i tillë është ndërveprimi i pjesëmarrësve të ndryshëm në përpunimin e një dokumenti në Google Docs, aplikacion që është i ngarkuar “në re” në serverin e kompanisë.

Edhe pse unë personalisht e pëlqej entuziazmin që ka Google, mendoj se realizimi i një “ëndrre” të tillë për gjithë botën është thuaje i pa mundshëm, së paku 100 vitet e ardhshme. Këtë e them nga fakti se në pjesën më të madhe të botës ose nuk ka lidhje të Internetit ose ajo lidhje është aq e dobët sa që përdoruesit asnjëherë nuk kanë vizituar Google Docs nga kompjuteri e lere më nga celularët ose nga kompjuterët tabletë. Megjithatë, duhet të them se në mënyrë që Google të realizojë këtë synim duhet që në treg të paraqiten më shumë konkurrues në këtë lloj biznesi me qëllim që të nxitet zhvillimi dhe instalimi i rrjeteve në vendet ku ky zhvillim nuk ekziston.

Apple Cloud (Apple Kompjuterizimi në Re)
Projekti i Apple Inc. për kompjuterizim në re dallon nga ai të cilin Google realizon. Apple nuk ka nevojë që gjithçka të veprojë në Internet, megjithatë kjo lloj qasje i mundëson që të kontrollojë veprimet që realizohen mes qendrave që kompania posedon  dhe mes konsumatorëve , kështu mund të vrojtojë realizimin e veprimeve pa ngecje dhe ngatërrime. Në anën tjetër, iCloud është bazë e cila përkundër që kontrollon situatën që veprimet e konsumatorëve të realizohen pa pengesa, gjithashtu mundëson koordinimin dhe jo kontrollimin e informatave. Kjo bazë është një depo e cila ruan aplikacionet, skedat muzikore, dokumentet e përdoruesve, porositë, fotot, mbështetjet e materialeve dhe parapëlqimeve e të tjera. Kjo lloj qasje një dekadë më parë ka qenë sferë e diskutimeve mes Microsoft dhe Apple, megjithatë sot iCloud është një sistem i tillë që mbështet vetëm Apple.

Kalimi në veprim në rrjet që nënkupton realizimin e të gjitha veprimeve në rrjet, pra kompjuterizimi në re është qasje mbi të cilën investohet intensivisht. Këtë mbështeste me gjithë bindje dhe ish CEO i Apple Inc., Steve Jobs, me deklaratën e tij: ” Ne do ta ç’vlerësojmë kompjuterin duke e bërë vetëm mjet”. Kjo nënkupton të bërit e kompjuterit vetëm urë lidhëse mes përdoruesit dhe rrjetit kur të gjitha dokumentet dhe veprimet do të realizohen në re.

Nëse shohim mirë këtë që Apple ofron do të kuptojmë se i ngjan shërbimit të njëjtë të cilin DropBox ofron. Pra, u mundëson përdoruesve që të mund të sinkronizojnë të dhënat e tyre në mes të gjitha mjeteve të tyre elektronike qoftë kompjuterëve, kompjuterëve tabletë, celularëve e të tjerë në një shkallë të lartë të mundësisë për individualizim. Ky lloj shërbimi funksionon në atë mënyrë që të gjitha të dhënat mblidhen në një qendër në “re” të ofruar nga Apple dhe pastaj të dhënat e reja të futura nga cili do mjet elektronik (kuptohet paraprakisht i kyçur me llogarinë përkatëse) në atë qendër freskohen tek të gjithë mjetet tjera të kyçur në po të njëjtën llogari. Kjo lehtëson dukshëm menaxhimin e të dhënave dhe transferimin  e tyre në mjete të caktuara si dhe ruajtjen e tyre në “re” në rast të shkatërrimit të mjetit personal elektronik ose humbjes së pa pritur të të dhënave në të.

Unë personalisht pëlqej një qasje të tillë, pasi që të dhënat e mia i kam kudo që jam dhe fundja nuk kam nevojë as për USB, por vetëm për qasje në Internet. Sidoqoftë, a nuk duhet të kemi qasje në Internet nëse duam të veprojmë diçka në Internet? Shërbime të tilla pëlqejnë edhe kompanitë pasi ndërveprimi në to është shumë i përshtatshëm dhe harxhimet janë minimale. Në kompaninë e fundit përdornim DropBox si shërbim për ndërveprim dhe për shkak të shpejtësisë së veprimit, madhësisë së hapësirës, lehtësisë së ndërlidhjes  me bashkëpunëtorët si dhe më e rëndësishmja nga këto sinkronizimi i përkryer dhe ruajtja e historisë së dosjeve të ndryshuara shpesh herë, e kishim mjet primar të ndërveprimit mes strukturave të ndryshme në kompani.

Le të përmbledhim
Kompjuterizimi në re që mundësohet në re është më i përshtatshëm për ditët e sodit në mënyrën që Apple ofron, thjesht, efikas dhe me sa më pak probleme, si dhe nëse këto probleme paraqiten mundësia për përmirësim të shpejtë është shumë e madhe. Në anën tjetër Google ofron një tërësi të plotë veprimesh, aplikacionesh virtuale dhe ndërveprimesh që thjeshtë mund të shndërrohen në një kompjuter personal.

Pra thjeshtë dhe qartë, për Google Toka rrotullohet rreth Internetit, kurse për Apple Toka rrotullohet rreth mjetit elektronik dhe ju blini, pra “iGjithçka”.

Njëra apo tjetra kanë të drejtë në qasje?

Kjo varet nga ne dhe shija që ne kemi. Kjo varet nga ajo nëse ne duam që të dhënat t’i kemi diku afër vetes (në mjetin elektronik që kemi blerë vetë). Ne i besojmë kompanive si Google ose Zoho dhe mundësive që ato ofrojnë apo jo?

Unë vlerësoj se në të ardhmen edhe PC-të do të jepen falas. Vetë kompanitë si Google do t’i ofrojnë falas pasi që në to nuk do të ketë asgjë veç kartelës për kyçje në Internet dhe mundësisë për ndërveprim. E tërë pjesa tjetër, së bashku me zhurmën e procesorit do të gjendet në re tek kompania që ia kemi dhënë besimin që të “ruaj” fshehtësitë tona.

Komentet nga Facebook:

1 Koment

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *