Libri që ia vlen të lexohet, ia vlen të blihet

2

Autor: MSc. Skender Mustafi

“Libri që ia vlen të lexohet, ia vlen të blihet” – John Ruskin
Libri “Fikhu Islam – Dispozita nga Namazi, Agjërimi, Zeqati dhe Haxhxhi” ia vlen të blihet dhe lexohet.

Dekadën e fundit jemi fundosur nga më të shumtat informacione të fabrikuara, të pa fabrikuara, të forta, të dobëta, të mesme, e të shumë llojeve tjera. Përkundër që kemi paketuar informacionet sipas forcës, fatkeqësisht akoma nuk kemi instrumente për të matur atë (forcën). Se si është realizuar matja dhe si është bërë paketimi, mos më pyesni.

Shpesh herë jo vetëm që kam pranuar libra koti si dhuratë (përveç librave tjerë) por edhe i kam blerë ato. Për më shumë, këtë dekadë, falë internetit jam fëlliqur duke lexuar libra koti. Kjo sharra ime në gozhdë nuk ngec si shkak i mosangazhimit tim paraprak për tu informuar drejtë rreth librave, por si pasojë e mos ekzistimit të një hapësire, mediumi, institucioni i cili vlerëson librat, kritikon ato, e sugjeron ato. Nuk e kam fjalën për romanet e dashurisë meqë nuk po flas për shije supe. E tërë gërhitja është për librat shkencorë, libra këto që vendosin mbi jetën dhe vdekjen, siç do të thoshte “brumi” ynë.

Fatkeqësisht, meqë nuk kemi barometër për matjen e shtypjes së fakteve në libra, lexuesi në mënyrë të përsëritur ndeshet me libra që bartin lloj-lloj argumentime që janë nga më të mirat e deri tek ato mashtrueset e devijueset. Një dukuri e tillë është e përhapur në të gjitha llojet e librave, por më e prekshme, këtë dekadë, është treguar në pjesën më të prekshme të edukimit bazë të shoqërisë sonë, në atë të edukimit islam. Në këtë pikë thuajse kemi humbur fijet ku mund të kapemi për të shpëtuar nga shkatërrimi i vetes dhe i shoqërisë sonë. Shpeshherë shihet qartë që kemi harruar detyrimet dhe kemi kapur sugjerimet, kemi harruar urdhrat dhe jemi kapur për këshilla.

Tek konsumatorët e edukimit islam (ata që dëgjojnë, shohin e lexojnë materiale islame) duket sikur çdo kush, përveç asaj që duhet, mund të depërtojë. Jemi gati të debatojmë me orë, e madje edhe me ditë, të tëra mbi çështje të ndryshme që vërtetë janë prekëse, por që nuk i takojnë profesionit tonë dhe në asnjë moment të mos lëshojmë pe ndaj njëri tjetrit duke pretenduar se e kemi në të drejtë. Për më shumë, jemi në gjendje t’i thyejmë sikur arra institucionet islame dhe personalitetet e ndryshme që janë treguar me dijen e dinjitetin e tyre dhe të mos ndjejmë jo përgjegjësi, por as frikë ndaj Krijuesit për paditurinë që kemi dhe forcën që marrim drejt këtij muri të cilit nuk ja njohim derën.

Në fund, jemi edukuar aq shumë sa që kemi kapur frerët e kalit dhe ngasim karrocën islame aq shpejtë dhe marrin frymë aq lirë sa që duket sikur na gulçon zemra nga e arritura, por harrojmë që në momentin kur të ndalim vrapin do të na mbys pluhuri që kemi ngritur në këtë vrapim e që po e lëmë vazhdë në pistë. A nuk është ky një akt vetëvrasës?  A nuk është tani koha e fundit që t’i marrim punët tona në duar tona (i kënaqëm drejtimet që kemi studiuar e na ka mbet t’i drejtomë drejtimet tjera) dhe t’i lëmë punët e profesionistëve në duart e tyre? A nuk është koha që t’u vëmë duart në fyt atyre që kanë përgjegjësi që të kryejnë punën e tyre dhe kështu duke kryer secili nga ne punët e veta të dalim nga ky ankth? Apo ndoshta nuk e kemi në qejf të merremi me punë të vërteta?!

Fikhu IslamNatyrisht, dalja nga ankthi që jemi, kërkon angazhim personal i cili nxit dhe arrin organizim kolektiv. Kjo arrihet me edukim. Ky edukim duhet bërë hap pas hapi nga burime të sigurta, të besueshme, burime që nuk i tremben argumentit dhe nuk i shmangen së vërtetës. Dhe ky argument assesi nuk e do përçarjen mes vëllezërve që e duan atë, por i bashkon ata rreth diturisë, i nxit ata të edukohen lehtë e mirë. Një punë të tillë e bën libri “Fikhu Islam – Dispozita nga Namazi, Agjërimi, Zeqati dhe Haxhxhi” i autorit Jusuf Zimeri. Ky libër ia vlen të lexohet, për këtë edhe duhet blerë që të jetë në një vend të dukshëm në dhomën e ndejës. Ky libër është një këshillues i llojit të vetë, i domosdoshëm në bibliotekën tonë, jo për ta lexuar e për tu kënaqur me të që më vonë të e harrojmë, por për ta “pyetur” çdo herë që kemi nevojë rreth asaj që na duhet çdo ditë. Libër që sqaron kthjellët të gjitha mbajtëset të cilat na mbajnë në këmbë e me trup të drejtuar e të forcuar mirë. Fundja, është një libër që nuk të merr në studime islame, në “kacafytje dijetarësh”, në trajtime të thella të cilat edhe ashtu nuk jemi, aspak, duke i kuptuar drejtë, madje edhe nëse mendojmë se i kuptojmë e kemi të drejtën e heshtjes, por është libër që të ndritë rrugën e aktiviteteve të përditshme përmes qasjes së matur shkencore islame. Është libër që të mbush zemrën me siguri, largon hamendjen rreth fjalëve dhe fjalëzave që dëgjojmë çdo dit, e lidh përgjegjësinë me përgjegjësin dhe definon qartë rolin e pasuesit dhe qetëson zemrën e tij me diturinë e duhur.

Kuptohet, për të arritur qetësinë tonë të plotë duhet bërë atë që sugjeron ish presidenti amerikan Abraham Lincoln ku thotë: “Merr libra, ulu ndokund, dhe fillo t’i lexosh vetë”. Që më pas të veprojmë ashtu siç flet poeti e shkrimtari amerikan Henri David Thoreau “Çfarë kamë filluar me lexim duhet të mbaroj me veprim.”

Jam i mërzitur që disa libra nuk kam pasur kohën t’i lexoj më herët, por jam i kënaqur që së paku kam pasur mundësinë t’i lexoj. Dhe disi po ndjehem i turpëruar që duhet të mësoj nga jomuslimanët se si duhet të veproj me edukimin përkundër urdhrit të qartë nga Krijuesi i gjithësisë: “lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka)” (Kur’an, 96:1).

Sidoqoftë, le të lexojmë libra.

Komentet nga Facebook:

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakDhija e gomari
Artikulli tjetër150+ thënie mbi librin dhe leximin
Themelues dhe mirëmbajtës i portalit “Fjalaime.ch”. BSc. i Administrimit të Biznesit dhe MSc. i Sistemeve Informative të Biznesit. Me punë dhe qendrim të përkohshëm në Zvicër, Winterthur. Studimet e mia qoftë akademike, qoftë private pasojnë sferën e ekonomsë me përqëndrim në drejtimet e menaxhimit dhe marketingut dhe teknologjisë informative me përqëndrim në shfrytëzimin e teknologjisë informative për zhvillim të biznesit..

2 Komentet

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *