Llojet e shërbimeve në Re (Cloud Computing)

0

Autor: Skender Mustafi

Kompanitë të cilat kanë të zhvilluar teknologjinë e Kompjuterizimit në Re ofrojnë shërbimet e tyre për konsumatorët bazuar në shumë modele nga të cilat fillimisht tre ishin janë kryesore. Ato ofrojnë:
–   1. Infrastrukturën si Shërbim
–   2. Platformën si Shërbim
–   3. Softuerin si Shërbim
–   Modelet tjera të shërbimeve lidhur me këtë teknologji janë të njohura me shkurtesë të përgjithshme XaaS që do të thotë X si shërbim e që janë: Strategjia si Shërbim, Bashkëveprimi si Shërbim, Procesi i Biznesit si Shërbim, Baza e të dhënave si Shërbim e të tjerë [1].
–   Rrjeti si Shërbim (anglisht: network as a service, shkurtesa NaaS) dhe Komunikimi si Shërbim (anglisht: communication as a service, shkurtesa CaaS) u futën në grupin e shërbimeve bazë në vitin 2012 nga ana e Bashkimit Ndërkombëtarë të Komunikimit [2].

  • Shërbimet bazë të Kompjuterizimit në Re [2]
    Shërbimet bazë të Kompjuterizimit në Re [3]
    Infrastruktura si Shërbim (anglisht: Infrastructure as a service, shkurtesa IaaS) – është modeli bazë i shërbimeve në teknologjinë e Kompjuterizimit në Re. Ky model përfshinë teknologjinë fizike pa të cilën nuk mund të ngrihet ky model dhe të gjitha modelet tjera. Madje edhe kompanitë të cilat ofrojnë të gjitha modelet e shërbimeve tjera këtë lloj të shërbimit kanë për bazë për të zhvilluar biznesin e vetë. Kompanitë përkatëse, ofruese të këtij modeli shërbimesh, ofrojnë një mori të shërbimeve nga teknologjia e tyre e zhvilluar për lloje të ndryshme të konsumatorëve siç janë teknologjia virtual dhe burimet tjera të nevojshme. Kompanitë të cilat ofrojnë IaaS shpesh here ofrojnë burime shtesë për kompanitë tjera në nevojë si hapësirë për ruajtjen e të dhënave, mbrojtës të ndryshëm të rrjeteve, ekuilibrues të rrjedhave të të dhënave, rrjete lokale virtual (VLAN), IP adresa, kombinacione softuerësh e të tjerë. Shembuj të kompanive që ofrojnë modelin IaaS janë: Google Compute Engine, Oracle Infrastructure as a Service, Amazon EC2, Azure Services Platform, DynDNS, HP Cloud, e të tjera.
  • Platforma si Shërbim (anglisht: Platform as a service, shkurtesa PaaS) – është model ku ofrohen platformë kompjuterike si shërbim e që përfshijnë sistemet operative, ambiente për vënien në funksion të gjuhëve të ndryshme të programimit, baza të ndryshme të të dhënave, ueb serverë të ndryshëm e të tjerë. Në këtë mënyrë zhvilluesit e ndryshëm të softuerëve, qoftë persona apo kompani të ndryshme mund të përcaktohen të shfrytëzojnë PaaS në mënyrë që të mund të shfrytëzojnë ambientin e huazuar si shërbim për të vënë në funksion softuerët e tyre në Re pa mos pasur nevojë që të investojnë në teknologji të tyren dhe në aktivitetet tjera të përshtatjes mes harduerëve dhe softuerëve. Shembuj të kompanive që ofrojnë PaaS si shërbim janë: ueb shërbimi nga Amazon.com për realizimin e aplikacioneve AWS Elastic Beanstalk, Force.com, OpenShift, Google App Engine, Windows Azure Cloud Services, OrangeScape, e të tjera.
  • Softveri si Shërbim (anglisht: Software as a service, shkurtesa SaaS) – është model ku kompanitë e ndryshme instalojnë softuerë në Re dhe i ofrojnë ato si shërbim të cilave konsumatorët u qasen përmes aplikacioneve të shfrytëzuesit të fundit si shfletuesit e internetit apo aplikacionet tjera të vogla. Në këtë mënyrë, për dallim nga modelet e mësipërme ku shfrytëzuesit e Kompjuterizimit në Re shfrytëzonin një model dhe mbi të zhvillojnë një model tjetër, ata kanë ambientin e gatshëm për të realizuar veprimet e tyre qoftë për nevoja personale apo për nevoja biznesi. Të gjitha shpenzimet e instalimit të teknologjisë dhe softuerëve, të mirëmbajtjes  dhe përditësimit të tyre eliminohen duke i mbetur si barrë kompanisë ose kompanive që ofrojnë shërbimet në Re. Për më tepër atraktiviteti i këtij modeli për dallim nga zhvillimi i aktiviteteve të njëjta në zgjidhje të zhvilluar vetë është fakti i klonimit të funksioneve duke mundësuar veprime të pjesëmarrësve të shumtë në realizimin e aktiviteteve të njëjta dhe duke ruajtur të dhënat në një bazë të përbashkët me qasje të përnjëhershme.Shembuj të kompanive që ofrojnë SaaS janë: Aplikacionet të ofruara nga Google, Microsoft Office 365, TradeCard, Abiquo, AccelOps, Akamai, Intacct  e të tjerë.
  • Rrjeti si Shërbim (anglisht: Network as a service, shkurtesa NaaS) [4] – nënkupton dhënien e rrjetit të teknologjisë së Kompjuterizimit në Re si shërbim. Meqë shtrirja fizike e pjesës harduerike është e domosdoshme për të siguruar një funksionim efikas të teknologjisë në përgjithësi, ndërlidhja e tyre në një rrjet efikas, të ndryshueshëm sipas nevojës, të sigurt është jetësore. Kompanitë të cilat arrijnë të realizojnë një rrjet të tillë dhe përqendrohen në specializim të këtij lloj biznesi, ofrojnë rrjetin e tyre si shërbim për kompanitë tjera të cilat mbi këtë rrjet zhvillojnë modelet tjera të kësaj teknologjie. Shembuj të kompanive që ofrojnë NaaS janë: NSP Inc., Cisco, Citrix, e të tjera.
  • Komunikimi si Shërbim (anglisht: Communication as a service, shkurtesa CaaS) – është model i teknologjisë i cili mund të shfrytëzohet nga një ose më shumë konsumator. Zhvillimi i këtij modeli ka një ecuri të ngjashme me modelin Softueri si Shërbim duke marr parasysh që edhe tek ky model kemi softuerin për komunikim jepet si shërbim, por që pjesë jetësore e këtij modeli është edhe hardueri për komunikim si dhe garantimi i kualitetit të shërbimeve. Pra, ky model është i bazuar në një përqendrim specifik në zhvillimin e kushteve për komunikim në një ambient efikas. Komunikimet në këtë model mund të zhvillohen të bazuara në IP (VoIP ose telefonim përmes internetit), dërgimi i porosive në moment (anglisht: instant messaging [5]), aplikacionet për ndërveprim dhe video-audio konferenca e të tjera. Këto lloj komunikimesh mund të realizohen duke shfrytëzuar kompjuterin personal, celularët ose tabletët. Në këtë mënyrë meqë ofruesi i shërbimit është përgjegjës për mirëmbajtjen e softuerit dhe harduerit, shfrytëzuesi i tij mund të realizojë përzgjedhjen e mjeteve të komunikimit dhe mënyrën e ndërlidhjes së tyre duke paguar në bazë të shfrytëzimit të shërbimit. Shembuj të modeleve të komunikimit si shërbim janë: IBM Smarter Communications, HP Unified Communications, MITEL cloud communications, Parallels, Pan Terra Networks e të tjera.

Referencat

[1]  Hamdaqa M., Livogiannis T. and Tahvildari L. (2011), A REFERENCE MODEL FOR DEVELOPING CLOUD APPLICATIONS., In Proceedings of the 1st Internationa, Së fundi vizituar më 1 Prill, 2013 tek nyja http://www.stargroup.uwaterloo.ca/~mhamdaqa/publications/A%20REFERENCEMODELFORDEVELOPINGCLOUD%20APPLICATIONS.pdf
[2]  ITU (2012), Cloud Computing and standardization: Technical Reports published, Së fundi vizituar më 1 Prill, 2013 tek nyja http://www.itu.int/ITU-T/newslog/Cloud+Computing+And+Standardization+Technical+Reports+Published.aspx
[3]  Reiter S.,  ASCENS Project Blo, Dreaming of fluffy clouds, Së fundi vizituar më 3 Prill, 2013 tek nyja http://blog.ascens-ist.eu/2011/03/dreaming-of-fluffy-clouds/
[4]  Costa C., Migliavacca M., Pietzuch P., L. Wolf A., NaaS (2012), Network-as-a-Service in the Cloud, Imperial College London &University of Kent,
[5]  Tyson J., & Cooper A. (2012), How Instant Messaging Works, Së fundi vizituar më 3 Prill tek nyja http://computer.howstuffworks.com/e-mail-messaging/instant-messaging.htm

Komentet nga Facebook:

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *