Marketingu në celularë

Autor: Skender Mustafi

Hyrje
Zhvillimi i teknologjisë në përgjithësi dhe përmirësimi i teknologjisë celulare me ç’rast u paraqit epoka e celularëve të mençur të ashtuquajtur “SmartPhones” (shqiptimi: Smartfons) ka ndikuar jo vetëm në përmirësimin e elementeve të komunikimit, por edhe në elemente tjera si në jetën shoqërore ashtu edhe në sferën e biznesit. Tanimë përmes celularëve të mençur të cilët janë të lidhur me rrjetet dhe strukturat teknologjike, mund të realizohen transaksione ekonomike, të transferohen të holla, të kontrollohen të hyrat/të dalat në kontot bankare etj.

Një nga sferat në të cilat ka ndikuar ky zhvillim i hovshëm i celularëve të mençur është marketingu. Në të vërtetë, në këtë hapësirë kompani të mëdha janë duke zhvilluar luftë të ashpër për të përvetësuar tregun. Vetëm në vitin 2010 Google me sistemin për marketing në celularë të njohur si AdMod realizoi mbi 1 miliardë Dollarë Amerikan të hyra vetëm përmes promocionit në celularë dhe kjo shumë parashihet të rritet në 42.6 miliardë Dollarë Amerikan në vitin 2015 (Mobilemarket 2010)

Kuptimi i marketingut në celularë
Marketingu celular në përgjithësi nënkupton implementimin e elementeve të marketingu në celularë. Ky definim i përgjithshëm nuk nënkupton që veprimi i kalimit të marketingut nga ai elektronik i internetit në celular është i thjeshtë, ashtu siç nuk është i thjeshtë kalimi nga ai tradicional në atë të internetit.
Një nga sqarimet më të kuptueshme të kësaj situatë është bërë nga Steve Jobs (2010) i cili thotë: “Më aparatet celulare, kërkimi nuk është aty ku është, jo sikur në kompjuter. Ata (përdoruesit) kalojnë gjithë kohën në aplikacione – ata i përdorin aplikacionet për të arritur deri tek të dhënat në internet, jo duke përdorur kërkim të përgjithshëm”. Nga kjo mund të kuptojmë se qasja e kompanisë për të ofruar elemente marketingu për përdorues celulari duhet bazuar në sjelljet e përdoruesve të celularëve në konsumimin e ofertave të marketingut në të.

Kuptimi i celularit në aspektin e marketingut
Ajo që duhet pasur parasysh është se celulari nuk është kompjuter. Celulari si i tillë është mjet më privat se kompjuteri. Përdoruesit të cilët posedojnë celularë dhe kompjuterë, celularin e tyre e llogarisin si sferë më të ndjeshme në të cilën grumbullojnë dhe ruajnë të dhënat të cilat për ata/ato janë më të ndjeshme.
Në anën tjetër vetë madhësia e celularëve ndryshon nga ajo e kompjuterëve dhe kjo ndikon drejtpërdrejtë në mundësinë për të implementuar elementet e marketingut nga kompjuterët në celularë.
Kjo situatë nxitë kompanitë drejt përpilimit të strategjive të cilat mundësojnë transformimin e elementeve të marketingut nga ai kompjuterik si dhe krijimin e mjeteve të reja të cilat i përkasin vetëm marketingut celularë. I gjithë ky angazhim bëhet për të përmbushur nevojat e konsumatorit dhe njëkohësisht për të vënë në dijeni atë se asgjë nuk veprohet kundër të drejtës dhe nevojave të tij për privatësi.

Pjesëmarrësit në biznes
Zhvillimi i marketingut në celularë nuk është një akti i thjesht, siç është në shumë raste në marketingun në kompjuter. Zhvillimi i këtij lloj marketingu është i lidhur ngushtë në njërën anë me ofruesit e celularëve dhe sistemeve operative për celularë dhe në anën tjetër me individët ose kompanitë të cilat ofrojnë aplikacione për celularë në të cilat ekzistojnë hapësira për veprime marketing. Funksioni më i zhvilluar i marketingut në celularë është promocioni me të gjitha mjetet e promovimit.
Qasja e kompanive për të ofruar hapësira dhe shërbime për promocion është shumë e vështirë dhe kërkon investime të mëdha. Shkak për këtë është fakti se kompanitë ofruese të celularëve dhe platformave për celularë si Google ose Apple në njërën anë ofrojnë platforma të cilat mbështesin të gjitha rrjedhat në këtë veprimtari dhe në anën tjetër ato shpalosin SDK të cilat kufizojnë veprimet si të programueseve të aplikacioneve po ashtu edhe të kompanive të treta të cilat tentojnë të depërtojnë me platformat e tyre. Në një kohë që hyrja e kompanive në këtë lloj biznesi është shumë e vështirë, kompanitë ose individët të cilët ofrojnë aplikacione shumë lehtë mund të kalojnë nga njëra në platformën tjetër.
Konkretisht, me paraqitjen e celularëve të mençur të kompanisë Apple, iPhone, dhe platformës për veprim, kompania Google nisi depërtimin tek konsumatorët e celularit iPhone me platformën për reklamim AdMob. Ndërkohë, kompania Apple zhvilloi platformën e cila mbështetë të gjitha veprimet marketing të njohur si iAd dhe njëkohësisht ndërroi SDK duke bllokuar të gjitha aplikacionet të cilat në vete përmbanin reklama nga Google. Ndërkohë edhe pse bllokimi i AdMob nuk është i tërësishëm kufizimet janë të mëdha dhe me çdo ndërrim të sistemit operativ të aparateve të Apple si iPhone, iPod ose iPad krijojnë probleme për aplikacionet përmbajtëse të reklamave nga AdMob (iPadWeek 2010) .
Nga ky ambient biznesi mund të vërejmë se depërtimi i kompanive të treta është shumë i kufizuar dhe i përcjellë me probleme të vazhdueshme dhe vështirëson zgjerimin e tyre në treg dhe arritjen e një shkalle të lartë të zotërimit të tregut dhe njohjes nga ana e konsumatorëve. Kompanitë janë të detyruara që njëkohësisht jo vetëm të ofrojnë sisteme marketingu, por duhet ofruar edhe sisteme mbështetëse dhe nëse synojnë zgjerim në treg atëherë duhet zhvilluar edhe sistem operativ për celularë si dhe vetë celularë. Kështu shitja e sistemeve operative për celularë dhe vetë celularëve në një mënyrë përcakton një pjesë të madhe të konsumatorëve të marketingut të ofruar në to.

Marketingu në celularë
Duke pasur parasysh situatën në treg, celularin si mjet dhe sjelljen e konsumatorëve me këtë mjetë vlerësohen tri mënyra të ofrimit të marketingut në celularë:
1. Ofrimi i sistemit për marketing dhe njëkohësisht ofrimi i celularëve dhe sistemeve sistemit operativ – është qasja më sigurt e kompanisë pasi që kompania kontrollon rrjedhën e tërë të veprimeve marketing, rregullon politikat për zhvillimin e aplikacioneve si dhe politikat e bashkëngjitjes së hapësirave për marketing, por është edhe më e shtrenjta pasi që kërkon investime me rreziqe në të gjitha sferat e veprimit si konkurrimi me kompanitë për prodhimin e celularëve, me të tjerat për prodhimin e sistemeve operative dhe me ato të ofrimit të sistemeve për marketing.
2. Ofrimi i sistemeve për marketing si ofrues i tretë – është qasje që funksionon rrjedhshëm dhe me investime mesatare por që suksesi varet nga politikat e kompanive të cilat ofrojnë celularë dhe sisteme operative.
3. Ofrimi i reklamave si lidhje përmes internetit – kjo është qasja më e lirë dhe pa rreziqe, por më e pa përshtatshmja pasi që reklamat e përshtatura për celularë lidhen nga interneti dhe ndërveprimi i tyre me drejtimin e konsumatorëve pas shtypjes së tyre nuk është automatike si në dy qasjet e para.

Suksesi i marketingut në celularë

Figura 1: Cikli i veprimeve të faktorëve në promocionin në celularë. (Jost et al. 2010)

Ndjeshmëria e hapësirës dhe vetë celularëve ndikon dukshëm në zhvillimin e marketingut në ato. Veprimet marketing duhet të jenë shumë të matura me përshtatshmërinë dhe efikasitetin e tyre në celularë. Efektet dhe mjetet e promovimit në celularë duhet të jenë shumë të përshtatshme në njërën anë duke qenë të qarta dhe ndikuese dhe në anën tjetër duke qenë jo penguese për përdoruesin e celularit.
Ndikimi mes elementeve me njëri tjetrin në këtë rast është shumë i madh.

Siç mund të shohim në figurën 1, Dizajnimi i një sistemi të mirë operativ për celularë tërheq konsumatorët të cilët ndikojnë në rritjen e numrit të mjeteve të shitura. Shitja e mjeteve (celularëve) ndikon në rritjen më mundësisë për ofrimin e reklamave në to, kjo ndikon në rritjen e të interesuarve për të programuar aplikacione dhe për të ofruar hapësirë për paraqitjen e reklamave në ato aplikacione. Paraqitja e sa më shumë aplikacioneve për një sistem operativ ndikon në rritjen e atraktivitetit ndaj atij sistemi operativ si dhe ndikon në rritjen e dëshirës për të përdorur sa më shumë hapësirë për reklamim. Nëse elementi i fundit, përdorimi i hapësirës për zhvillim të reklamave nuk përdoret me maturi atëherë kjo ndikon në gjithë elementet tjera të ciklit duke humbur tërheqjen e konsumatorëve.

Ndikimi i marketingut në celularë
Marketingu në celularë për shumë kompani nuk është një sferë e cila është vetëm pjesë interesante-fitimprurëse, por një derë e rrezikshme nga e cila mund të hynë konkurrentët dhe të prishin tërë “rehatinë” e biznesit në rrjet (onlin). Hyrja agresive e kompanive Google, Apple, Microsoft në këtë hapësirë është për shkak  lidhshmërisë së marketingut në internet dhe sistemeve të tij më tërë sistemin e marketingut në internet. Të gjitha këto kompani tentojnë të formojnë rrjete “perfekte” ku përdoruesit mund të shëtisin pa brenga. Bazat e të dhënave dhe shërbimet gjithnjë e më shumë ofrohen të standardizuara tek konsumatorët, kështu që rreziku është i madh që nëse konsumatori është përdorues i një celulari dhe ai celularë është atraktiv dhe i “rehatshëm” për të, ai konsumator  leht mund të ndërrojë qëndrimin e ndaj përdorimit të sistemeve kompjuterike. Mos marrja pjesë ose mossuksesi i gjigantëve si Microsoft, Google ose Apple ndikon jo vetëm në biznesin e shitjes së celularëve, por edhe në tërë biznesin me mjete elektronike dhe me sisteme  interneti. Për shembull, për Microsoft është shumë rrezik i madh paraqitja e suksesëshme e sistemit operativ të paralajmëruar nga Google. Kjo nuk është vetëm si shkak i paraqitjes së atij sistemi, por se Google ofron dhjetra shërbime falas si në internet ashtu edhe në celularë të cilat janë thuajse të gjitha të centralizuara dhe shumë lehtë do të mundej që përmes këtij sistemi operativ këto shërbime të jenë edhe më efikase, efikasitet i cili mund që edhe të e zhdukë kompaninë Microsoft nga tregu.

Përfundim
Marketingu në celularë viteve të ardhshme do të jetë një ndër fushat më atraktive të marketingut ku kompani të mëdha do të konkurrojnë në një treg miliarda dollarësh të madh. Lëvizjet drejt tërheqjes së konsumatorëve përmes shërbimeve të ndryshme në të gjitha drejtimet do të jetë shumë e madhe. Kompanitë e mëdha me çdo kusht do të mbështeten në inovacione për të mbajtur dhe zgjeruar pjesën e tregut. Përdorimi i taktikave të ndryshme, si ajo e kompanisë Google që është ofrimi i shërbimeve falas për të fituar nga marketingu, do të ndikojnë në ndërrimin e pozitave për konkurrim si dhe në ndërrimin e taktikave të shtrënguara të disa kompanive si Apple ose të çmimeve të produkteve si Microsoft.
E gjithë patjetërsueshmëria e kompanive të mëdha për të marrë pjesë në ofrimin e shërbimeve celulare si dhe i gjithë angazhimi për të rritur atraktivitetin e tyre do të ndikojnë në paraqitjen e një përmbajtje të pa parë për telefoninë celulare si në aplikacione ashtu edhe në qendra shërbimesh. I gjithë ky angazhim do të vijë “falas” dhe në një formë “të përkryer” tek konsumatori. Konsumatorët gjithnjë e më shumë do të përqëndrohen në mjete të njejta si kompjuterike ashtu edhe telefonike pasi që kompanitë do të ofrojnë shëbime të centralizuara të cilat mund të përdoren nga të gjitha mjetet e tyre.

Referencat
– Jobs, Steve (2010), Steve Jobs Says ‘Most Mobile Advertising Really Sucks,’ So Apple Is Introducing the iAd Read more: http://www.businessinsider.com/steve-jobs-says-most-of-this-mobile-advertising-really-sucks-so-apple-is-introducing-the-iad-2010-4#ixzz1FBDAhq2L
, http://www.businessinsider.com/steve-jobs-says-most-of-this-mobile-advertising-really-sucks-so-apple-is-introducing-the-iad-2010-4, Së fundi vizituar më 27 Shkurt 2011.
– Mobilemarket (2010), $1B mobile ad revenue may mean shot at top for Google, http://www.mobilemarketer.com/cms/news/advertising/7772.html, Së fundi vizituar më 27 Shkkurt, 2011.
– iPadWeek (2010), iOS 4.0 Breaking Existing AdMob-Enabled iPhone Apps., http://www.ipadweek.ly/2010/06/ios-4-0-breaking-existing-admob-enabled-iphone-apps/, Së fundi vizituar më 27 Shkurt 2011
– Jost, Lionel, Nguyen, Tuan & Mustafi, Skender (2010), Google as Advertising Service Provider, FHWN.

Po këto i keni lexuar?