Mbivlerësimi dhe sundimi i mençurisë

Autor: Skender Mustafi

Koment ndaj shkrimit: “Qyteti i mençur dhe shtëpitë që mendojnë për energjinë” tek  Deutsche Welle

qyteti i mençur

Ideja e implementimit të teknologjive të mençura të prodhimit të energjisë elektrike nuk është e re. Kjo ide nisë që nga vetë Nikolla Teslla dhe ngërthehet nga shkencëtarë të ndryshëm. Ajo që vihet në pah nga ana e hulumtuesve të ndryshëm të zhvillimeve politiko-socialo-ekonomike, është fakti se kjo mençuri sundohet nga duar të forta. Këto duar nuk shohin interes në implementimin e kësaj teknologjie. Si pasojë e kësaj force të jashtëzakonshme e cila shtyhet nga interesi ekonomik, asnjë nga projektet për furnizim dinamik me rrymë elektrike nuk ka parë dritën. Të gjitha projektet janë shuar me kohë.

Temë bazë për hulumtim për diplomën Mastër kam pasur gjenerimin e një modeli të biznesit në qytetin e mençur, me përqendrim në rrymën e mençur. Ky hulumtim, për mua, nuk ka qenë i rëndësishëm vetëm për faktin se kam pasur mundësi të studioj sistemin i cili mbështet rrymën e mençur, por që kam pasur mundësi të shoh ambientin që rrethon atë, motivimin që shtytë atë.

Ideja bazë e “Qytetit të mençur”, sipas studimeve të tanishme, është zhvillimi i modeleve të biznesit të mbështetura nga teknologjia elektronike, e cila grumbullon të dhëna të cilat shfrytëzohen për të gjeneruar informacione të cilat përfundimisht shfrytëzohen për të marrë vendime. Siç mund të shohim, qëllimi kryesorë është mbledhja efikase e informacioneve, gjë që sipas grupeve të ndryshme paraqet një fuqi e cila përmirëson jo vetëm mënyrën e shfrytëzimit të energjisë elektrike, por edhe jetën e njeriut në përgjithësi. Kjo mënyrë e qasjes ndaj problemi me energjinë elektrike nuk shuan biznese, por hap biznese të reja të cilat merren me prodhimin e teknologjisë përkatëse për mbledhje dhe grumbullim të të dhënave, biznese të cilat merren me analizën e të dhënave e të tjera.

Në anën tjetër, qasja e problemit përmes mini-prodhuesve shuan biznese të tëra të cilat ngrihen mbi “rrymë”. Një zhvillim i tillë shuan kompanitë të cilat merren me prodhimin e infrastrukturës, mirëmbajtjen e infrastrukturës, kompani që merren me shitblerje të rrymës si në ambiente kombëtare ashtu edhe në ambiente ndërkombëtare, kompani që merren me deponim të rrymës e të tjera. Thjeshtë, qasja përmes mini-prodhuesve jo vetëm që ndryshon mënyrën e furnizimit me energji elektrike, por ndryshon biznesin në tërësi, tund biznesin. Kështu mund secili të i vë një prodhues Tokës dhe të e lëvizë atë sipas dëshirës veriake. Kjo nuk pëlqehet nga zotëruesit momental të këtij biznesi.

Le të përfundoj, duke marr parasysh që bota e zhvilluar “nuk ka fuqi” të merr hapa vendimtarë ndaj lobeve madje shumë më të vogla si lobi i armëve në Shtetet e Bashkuara, atëherë unë jam shumë i dyshimtë se mund të merren hapa konkret të cilët shpien zhvillimin në drejtim të kundërt me fuqinë momentale zotëruese të “jetës elektrike”. Fatkeqësisht, një zhvillim në drejtim të “prodhimit sipas nevojës” nuk është i mundur për shkaqe politike dhe interesi, e jo për shkaqe shkencore. Shkenca tanimë ka kohë që ka parakushtet për tu zhvilluar me sukses në këtë drejtim.

Po këto i keni lexuar?