Modele Biznesi në fushat e Qytetit të Mençur

0

Autor: Skender Mustafi

Modeli i biznesit paraqet një strukturë të dizajnuar mirë për të paraqitur në mënyrë sa më të qartë veprimin e biznesit të planifikuar. Si i tillë, modeli i biznesit, zhvillon elementet deri në kufirin e marrjes së vendimeve strategjike, dhe aty ndalon. Kështu, gjatë gjenerimit të një modeli të biznesit trajtohen të gjithë palët e mundshme të interesuara për të përfituar nga vlera krijuar. Gjenerohen informacione dhe paraqiten ndërlidhjet e faktorëve të cilët ndikojnë në krijimin e vlerës.

Qyteti i mençur është qyteti i cili ulë shpenzimet dhe dëmet në nivel minimal dhe rrit vlerën e krijuar në nivel maksimal. Veprimet në qytetin e mençur realizohen në bazë të aktiviteteve të koordinuara në mënyrë optimale. “Qyteti i mençur” është vetëm një nocion i cili ndërlidh në vete disa fusha të studimit dhe implementimit të “mençurisë” në jetë. Është, thjeshtë, e pa mundur që një qytet si tërësi e vetme të bëhet i “mençur”, por “qyteti” si nocion paraqet një figurë e cila përbëhet nga pjesët e ndryshme.

Fushat më të rëndësishme dhe më të studiuara të qytetit të mençur, bashkimi i të cilëve plotësojnë qytetit si të tillë janë:

1. Uji i mençur

Uji i mençur përfshinë të gjitha modelet e biznesit të cilat përpilojnë strategji për të trajtuar konsumimin e ujit dhe problemet me të. Me konsumim në këtë rast nuk nënkuptohet vetëm konsumimi nga gjallesat, por të gjitha llojet e konsumimit të ujit duke filluar nga personat privat e deri tek shfrytëzimi i ujit për nevoja të ndryshme në biznes. Modelet e mençura të biznesit të cilat ngritin menaxhimin e çështjeve të ujit si mungesa, kualiteti, problematikat e transferimit, problematikat e konsumimit të tepruar e të tjera shfrytëzojnë të dhënat e mbledhura përmes mjeteve të mençura për të tejkaluar problemet me ujin të cilat sa vijnë e shtohen, posaçërisht në qytete të mëdha ku konsumi është shumë i lartë dhe menaxhimi i shfrytëzimit të ujit është shumë i ultë.

IBM Smart Planet
IBM Smart Planet

Sfidat më të mëdha në këtë fushë, si në të gjitha fushat tjera, është implementimi i teknologjisë informative tek pikat konsumuese, teknologji kjo e cila ndihmon në mbledhjen e të dhënave të cilat do të nxjerrin informacione me vlerë të cilat jo vetëm që ndihmojnë konsumatorin për të ulur shpenzimet, por edhe rrisin vlerat e krijuara nga menaxhimi i shfrytëzimit të ujit. Zgjidhjet e mençura në këtë fushë do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e ndjeshmërisë ndaj ujit të pa ndërprerë dhe të kualitetit të tij.

2. Siguria e mençur publike

Siguria e mençur publike është një nga fushat bazë të qyteti të mençur. Siguria publike është thelbi i ekzistimit të shoqërisë së shëndoshë. Sfida për të arritur jetë sa më të sigurt posaçërisht në shoqëritë urbane është shumë e lartë. Modelet e biznesit në këtë fushë si dhe qeveritë e vendeve të zhvilluara, kanë realizuar investime të mëdha për të zhvilluar strategji inovative dhe për të implementuar ato në baza të profileve shoqërore në mënyrë që të zvogëlohet krimi dhe të rritet efikasiteti në përgjigje ndaj rasteve urgjente.

Synimi i sigurisë së mençur publike është që përmes implementimit të teknologjisë inovative informative, të cilat tanimë shfrytëzohen në forma të ndryshme nëpër biznese, të bëhen sistemet e sigurisë publike më të mençura që të mund të rritet niveli i sigurisë publike. Kështu, këto teknologji përfshijnë aftësitë për përgjigje automatike, analizë të të dhënave, vizualizim dhe modelim kompjuterik.

3. Trafiku i mençur

Sistemi i transportit është arteria e ndërlidhjes mes njerëzve dhe të gjitha veprimeve të tyre, transportimi i të mirave,  dhe realizimit të shërbimeve në cilëndo shoqëri.  Kështu, niveli i zhvillimit të këtij sistemi ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e vet shoqërisë së caktuar.  Sidoqoftë, trafiku nuk nënkupton vetëm menaxhimin e rrugëve në mënyrë që mjetet e transportit të lëvizin lirshëm, por kjo paraqet një varg problemesh siç është menaxhimi i orareve në njërën anë, konsumimi i vajrave, ndotja e ajrit, harxhimi i kotë i energjisë e të tjera.

Qasja tradicionale për të zgjedhur këtë problem duke ndërtuar më shumë rrugë, më shumë ura e më shumë tunele, siç duket tanimë ka filluar të humb efektin dhe vlerësohet të mos jetë zgjidhje e mirë për problemet e transportit modern. Kështu, ka nevojë për një zgjidhje të mençur e cila do të ofrojë zgjidhje më të përshtatshme për shfrytëzimin e infrastrukturës ekzistuese dhe do të rrisë vlerën duke ofruar transport më të sigurt, më të pastër, më të lirë e më efektiv. Për më tepër, një trafik i mençur do t’i japë rol kyç transportit publik duke shfrytëzuar përparësitë e teknologjisë moderne për të mbledhur të dhëna për strukturat e trafikut urban dhe të ndryshueshëm. Më tej, këto të dhëna do tu japin mundësi qendrave për menaxhimin e trafikut të analizojnë situatën dhe të mund të marrin vendime më të mira lidhur me menaxhimin e rrjeteve të llojeve të ndryshme të transportit. Përfundimisht, një sistem i mençur do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë pozitiv në zinxhirin e tërë  të efekteve siç është siguria, shfrytëzimi i panevojshëm, rritja e kënaqësisë së konsumatorëve e të tjera.

4. Ndërtesat e mençuria

Ndërtesat janë “mundësia” më e madhe për të përmirësuar gjendjen e tanishme, ose fusha më e madhe ku mund të implementohet mençuria. Atraktivitetit në këtë drejtim ndërtesat e rrisin jo vetëm përmes shumëllojshmërisë së tyre, por edhe përmes shtrirjes së tyre të madhe dhe funksionalitetit të tyre të ndryshëm. E gjithë kjo laramani e ndërtesave shkakton një kokëçarje të madhe në implementimin e strategjive të reja të cilat mundësojnë zvogëlimin ose edhe minimizimin e humbjeve. Ndërtesat, duke filluar nda vendbanimet e thjeshta si shtëpitë ose banesat, janë të udhëhequra nga individë të ndryshëm të cilët i menaxhojnë ato në mënyra të ndryshme, ku në të shumtën e rasteve menaxhimi nuk është i nivelit të duhur. Kjo vije si rezultat i mosnjohjes së mundësive për përmirësim të gjendjes ose si rezultat i mosinteresimit.

Ndërtesat, ndër të tjera, janë konsumues të mëdhenj të elektricitetit.  Ky konsum në të shumtën e rasteve bëhet në mënyrë të pa organizuar dhe me shpenzime të mëdha. Në vitin 2010 në SHBA u konsumua 13,394.92 kWh (U.S. Department of Energy, 2011) elektricitet nga të cilat 41.3% ishte konsum i ndërtesave ku rreth 50% ishte shpenzim i humbur ( EIA, www.eia.gov/electricity). Ky është vetëm një shembull  i shpenzimeve në ndërtesa të cilat shpien në rritje të kostove.

Për të përmirësuar këtë gjendje, ndërtesat duhet reformuar në rolin dhe gjendjen e tyre. Ato duhet kaluar nga një objekt pasiv në një objekt aktiv. Elementet e ndërtesave duhet “vetëdijesuar” që ato të mund të përcjellin informacione tek pronari i ndërtesës që të mund ai të analizojë ato të dhëna për të nxjerrë informacione dhe për të marrë vendime. Madje disa nga mjetet mund të mençurohen deri më atë nivel sa që të mund të reagojnë në mënyrë automatike në raste të duhura në të mirë të përmirësimit të gjendjes së përgjithshme e që e gjithë kjo shpie në ulje të shpenzimeve. Për më shumë, sistemet e mençura të ndërtesave ndërveprojnë mes vete duke mbledhur informacione nga secila pikë e mençur për t’i mbledhur ato dhe për të gjeneruar informacione të cilat ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të ndërtesës dhe jo vetëm një pjese të saj. Kjo qasje i bën ndërtesat e mençura, për dallim nga ato tradicionalet, të jenë të gjalla.

5. Rryma e mençur

Produkti më problematik dhe më i ndërlidhur me të gjitha produktet tjera dhe vetë jetën e njerëzve është rryma. Prodhimi i rrymës, në anën tjetër, është bërë problemi më i madh në botën e zhvilluar. Ky produkt, për të realizuar prodhimin, ka shpjerë vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim në atë gjendje sa të marrin vendime për të realizuar procese shumë të rrezikshme në mënyrë që të mund të përmbushin nevojat e konsumatorëve.

Shkalla e rritjes së shpenzimit të rrymës elektrike nuk sheh ndalje. Thuajse çdo gjë është e lidhur dhe varet nga rryma. Edhe ato pak gjëra teknike e teknologjike të cilat veprojnë pa rrymë, tanimë janë në fazën e migrimit elektrik-elektronik. Strategjitë e shtimit të prodhimit të energjisë elektrike janë treguar të pa suksesshme në afat të gjatë. Rruga e vetme e përmirësimit të kësaj gjendje është implementimi i strategjive të reja të cilat përmirësojnë mënyrën e shpenzimit të energjisë elektrike.

Rryma e mençur është një sistem i përbërë nga një rrjet i ngarkuar me sensorë të llojeve të ndryshme të cilët mundësojnë grumbullimin e të dhënave jo vetëm në fushën e rrymës së mençur por edhe në të gjitha fushat tjera të qytetit të mençur. Madje kjo fushë është e vetmja e cila tejkalon qytetin e mençur duke ndërlidhur atë me qytetet tjera në formimin e shtetit të mençur, kontinentit të mençur e deri në formimin e globit të mençur. Rryma e mençur e implementuar në teknologjitë e reja elektronike ka ofruar llojet e ndryshme të mundësive të mbledhjes, ruajtjes e përpunimit të të dhënave si në nivel lokal ashtu edhe në nivel global. Përmes informacioneve dhe përvojave të kumuluara, në shumë raste, është arritur marrja e vendimeve në të mirë rë përmirësimit të gjendjes. Kuptohet, i gjithë ky proces nuk mund të kalojë pa diskutime dhe pa përfshirë edhe qytetarin si individ sepse nuk është një strategji e cila mund të realizohet në nivel korporativ edhe pse duhet të planifikohet, zhvillohet e implementohet në atë nivel.

Implementimi praktik i një modeli të biznesit

Implementimi praktik i një modeli të biznesit në kuadër të qytetit të mençur është i varur nga shumë faktorë. Faktorët mund të jenë që nga ato të natyrave të njohura të biznesit, ku krijimi i vlerës nuk mund të arsyetojë shpenzimet e deri tek ndikimi i shoqërisë në realizimin e tyre për shkak të çështjeve të ndryshme të lidhura me privatësinë. Me rëndësi në këtë pikë është të kuptohet se praktikisht nuk mund të realizohet një model biznesi i cili vepron në kuadër të një qyteti si tërësi. Kjo pamundësi vije si rezultat i madhësisë së qytetit dhe kompleksitetit të fushave. Madje, një model i suksesshëm i biznesit mund të veprojë vetëm në një fushë në nivelin e duhur dhe me sukses të optimuar, por asnjëherë duke mos shkëputur atë nga tërësia. Modeli i biznesit duhet përqendruar në një fushë, por si pjesë e tërësisë duke mundësuar dhe ndihmuar  ndërlidhjen efikase të fushës së caktuar me fushat tjera të qytetit të mençur.

Nga faktorët kryesorë të cilët ndikojnë drejtpërdrejtë në implementimin praktik të një modeli të biznesit në një fushë të caktuar të qytetit të mençur janë:

  • Njohja e problematikës së fushës së caktuar – vetëm përmes njohjes së problemit në nivel të duhur mund të zhvillohen strategji përkatëse për përmirësimin e gjendjes.
  • Kompleksiteti i zgjedhjes – një zgjidhje komplekse për problemin e identifikuar i ngjason një zgjidhjeje të keqe. Zgjidhjet komplekse zakonisht janë faktorë për hapjen e problemeve tjera dhe rritjen e shpenzimeve të realizimit dhe mirëmbajtjes së sistemit të ri.
  • Ndërveprimi modelit të biznesit me fushën së cilës i përket dhe fushave tjera – një projekt i mirëfilltë, i mençur, nuk mund të veprojë në mënyrë të pavarur, por është në ndërveprim, në një formë ose tjetër, me elementet tjera të fushës së cilës i përket ose me fushat tjera. Implementimi praktik i një projekti të vetëm në një vend ku nuk ka projekte tjera të cilat ndihmojnë realizimin e tij, nënkupton investime të mëdha për të adoptuar ambientin dhe për të mundësuar gjenerimin adekuat të modelit. Nga kjo pikëpamje, sa më i pavarur të jetë modeli i biznesit, aq më lehtë është për tu implementuar praktikisht.
  • Fitimi – Modeli i biznesit duhet të gjenerojë vlerë për të gjithë palët e përfshira përndryshe është i pa realizueshëm. Fitimi është shtytësi kryesorë i bizneseve të rëndësishme e të mëdha.
  • Privatësia – modelet e mençura të biznesit, të cilësdo fushë të qytetit, ngrihen mbi informacione. Këto modele jo vetëm që duhet implementuar me sukses, por edhe duhet vepruar me sukses në drejtim të mbledhjes së informacioneve. Vlera më e madhe në implementimin e teknologjive të reja nuk është në perfeksionimin e tyre, por në mundësinë e shfrytëzimit të informacioneve që ato gjenerojnë. Mjeti përmirëson gjendjen në nivel minimal, kurse njeriu përmes vendimeve të tija realizon përmirësimin e duhur, përmirësim i cili gjeneron vlerën e vërtetë. E gjithë kjo ka të bëjë me prekjen e pjesës më me vlerë të jetës së njeriut, pra privatësisë. Sistemi si i tillë nuk është i dëmshëm, por njeriu dhe qëllimet e tija janë treguar në shumë raste si të dëmshme dhe shkatërruese. Kështu që realizimi praktik i një modeli të biznesit varet shumë nga thellësia e prekjes së privatësisë së individëve.

Modele ekzistuese të biznesit

Kompani të mëdha në një ose formë tjetër janë përfshirë në realizimin e qyteteve të mençura. Disa nga ato kanë arritur të realizojnë modele të suksesshme e disa nga ato si Google e Microsoft, thjeshtë kanë dështuar. Në vijim do të paraqes një listë të shkurtër të modeleve momentale të biznesit të cilët janë të realizuar në fushat e ndryshme të qytetit të mençur:

  • Opower – model i biznesit në fushën e rrymës së mençur.
  • IBM Smart Planet – IBM me projekte të ndryshme në fusha të ndryshme të qytetit të mençur. IBM në të vërtetë ofron shërbime dhe ekspertizë në realizimin e modeleve të biznesit, por nuk ka të realizuar vetë për nevojat e veta ndonjë nga ato.
  • Amsterdam Smart City – Përfshirje e udhëheqjes së qytetit të Amsterdamit dhe kompanive të mëdha botërore për të realizuar projekte të mençura për të bërë Amsterdamin qytet të mençur.
  • Cisco Smart Connected Communities – shërbime në fusha të ndryshme të qytetit të mençur.
  • Waternet – projekte në ujërat e mençura
  • Smart Buildings –  model i biznesit në fushën e ndërtesave të mençura

Komentet nga Facebook:

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *