Gjenerimi i Modelit të Biznesit: Struktura e propozuar nga Osterwalder dhe Pigneur

Përgatiti: Skender Mustafi

Siç e dimë, modeli i biznesit përshkruan mënyrën, rrugën, taktikat, se si një organizatë krijon, shpërndanë dhe zë vlerë. Pra, duke shqyrtuar komponentë të ndryshëm, modelet e biznesit përshkruajnë dhe qartësojnë ndërlidhjen e komponentëve të ndryshme të kompanisë në mënyrë që krijimi i vlerës të qartësohet që më pastaj nga ajo vlerë të përcaktohet pjesa e cila u shpërndahet konsumatorëve dhe “të tjerëve” dhe pjesa e cila mbetet për organizatën. Studiues të ndryshëm në veprat e tyre sugjerojnë struktura të ndryshme për përpilimin e modeleve të biznesit, por ne në këtë seri artikujsh do të shqyrtojmë në detaje strukturën e modelit të biznesit të propozuar nga Osterwalder dhe Pignuer (Osterwalder, Pigneur 2010)

Në trajtimin e modelit të biznesit autorët marrin parasysh kontributin e rreth 470 studiuesve nga rreth 40 shtete të botës. Struktura e propozuar është e lehtë për tu kuptuar dhe mundëson studimin vetjak si dhe ndërveprimin në grupe si në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtu edhe përmes mjeteve elektronike. Madje, kohëve të fundit ndërveprimi ka arritur shkallë të lartë përmes softuerëve për mjete të mençura si celularët dhe tabletëve elektronik1. I rëndësishme është, gjithashtu, fakti se kompani të mëdha si IBM janë përdorues të kësaj strukture dhe reagimi i përdoruesve është pozitiv. Mua më është propozuar si strukturë për gjenerimin e një modeli të biznesit gjatë hulumtimit të temës së diplomës në programin studimor master. Kontributi i hulumtuesit në rast të përdorimit të kësaj strukture është i qartë. Struktura vërtetë është tërheqëse dhe premton rezultate të qarta në fund qofshin ato pozitive apo negative.

Zhvilloni falas modelin tuaj të biznesit përmes mjetit tonë online: Klikoni këtu

Çfarë trajton struktura?
Struktura e modelit të biznesit (shih figurën) nga Osterwalder dhe Pigneur trajton nëntë çështje të kompanisë të shpërndara në komponentë të modelit të biznesit. Definimi i komponentëve është i qartë megjithatë këto komponentë nuk janë të shkëputura nga njëra tjetra. Me rëndësi është të kuptohet që komponenti “Propozimi i vlerave” është disi në qendër të modelit pasi që synimi është përcaktimi i vlerave të cilat organizata mund të i krijojë, shpërndaj dhe zë. Për më tepër, varësisht nga lloji i biznesit, faktorët të cilët ndikojnë në përcaktimin e planit të tij zhvillimor ashtu edhe ndërlidhja e komponentëve dhe forca e tyre tërheqëse ndryshon. Kështu që nuk mund të thuhet (si gjykim i përgjithshëm) që ndonjë komponentë me ndonjë tjetër ka ndërlidhje më të fortë se me të tjerat.

Komponentët (çështjet) të cilat kjo strukturë trajton janë:

  1. Segmentet e konsumatorëve – trajton grupet e ndryshme të njerëzve ose organizatave të cilat kompania tenton të i arrijë.
  2. Propozimi i vlerave – përshkruan ndërlidhjen e produkteve/shërbimeve të cilat krijojnë vlerë për një segment të caktuar të konsumatorëve.
  3. Kanalet – trajton kanalet, mënyrën se si kompania komunikon dhe/ose i arrin segmentet e caktuara të konsumatorëve në mënyrë që të shpërndajë vlerën adekuate tek grupi i caktuar i konsumatorëve.
  4. Marrëdhëniet e konsumatorëve – përshkruan llojin e marrëdhënieve që kompania ka ose/dhe krijon me secilin segment të konsumatorëve.
  5. Rrjedhat e të hyrave – paraqet të hyrat të cilat kompania i gjeneron nga secili segment e konsumatorëve.
  6. Burimet kyçe – është pasuria (aktivi) më e rëndësishme e cila kërkohet që kompania të e posedojë në mënyrë që të bëjë që modeli i biznesit të mund të funksionojë me sukses.
  7. Aktivitetet kyçe – janë veprimet më të rëndësishme të cilat kompania duhet të i ndërmarrë në mënyrë që modeli i biznesit të funksionojë me sukses.
  8. Partnerët kyç – përshkruan ndërlidhjen e kompanisë me partnerët, shpërndarjen e aktiviteteve dhe shpërndarjen e përgjegjësive të cilat mundësojnë realizimin e modelit të biznesit.
  9. Struktura e kostove – paraqet të gjitha kostot të cilat shfaqen për të vepruar biznesi i caktuar.

Një hap prapa…
Një nga çështjet me rëndësi të cilat autorët trajtojnë para trajtimit të modelit të biznesit është trajtimi i llojeve të platformave të modeleve të biznesit. Kështu identifikimin i platformës ose/dhe platformave të përshtatshme për llojin e biznesit të caktuar lehtëson të kuptuarit e gjendjes dhe pozitës së biznesit në ambientin e tregtimit si dhe ndërlidhjen e komponentëve të modelit të biznesit.

Përdorimi…
Struktura e modelit të biznesit mund të shfrytëzohet në dy mënyra para shqyrtimit të komponentëve në detaje. Vetë struktura mundëson vendosjen e ideve në fushat e caktuara në formë të shënimeve. Kjo lehtëson strukturimin e ideve të hulumtuesit, si dhe lehtësimin e komunikimit të ideve mes ekipit i cili vepron në realizimin e modelit të biznesit. Shtypja e strukturës në përmasa të mëdha në mënyrë që mund të varet në mure ka treguar suksese të dukshme të kompanitë e ndryshme të cilat përdorin këtë strukturë të modelit të biznesit.

Formë tjetër e ndërveprimit është përdorimi i mjeteve elektronike dhe ndërveprimi përmes softuerit të zhvilluar nga vetë kompania2. Ndërveprimi përmes mjeteve elektronike përkundër gjymtimit të komunikimit direkt mes hulumtuesve të modelit të biznesit, mundëson ruajtjen e ideve, ripërpunimin e tyre, shpërndarjen e tyre tek pjesëtarët tjerë të ekipit dhe ripërpunimin nga të tjerët.

Strukturën e modelit të biznesit të punuar në Power Point mund të e shkarkoni:

Referencat
– Osterwalder, A., & Pigneur, Y. (2010). Business Model Generation: A Handbook for Visionaries, Game Changers, and Challengers. (T. Clark, Ed.) (p. 288). John Wiley and Sons.


1. http://itunes.apple.com/us/app/business-model-toolbox/id431605371
2. http://www.businessmodelgeneration.com/downloads/business_model_canvas_poster.pdf

Po këto i keni lexuar?