Ndalo pakë të lutem mos fluturo me presh

Skender Mustafi

Shkruan: Skender Mustafi

Le të mos hezitojmë që përmes këngës të këmbëngulim se mund të bëjmë arritjen e fitores qoftë morale apo të asaj e cila zakonisht kërkon fundja edhe gjak. Le të mos hezitojmë me mendimin se përmes fjalëve të shfrenuara e përmes mendjes së dehur e me pëllitje gomarësh, qoftë në këngë, poezi e madje edhe shkrime analitike, mund të arrijmë të çlirohemi nga era e pistë që shpërndahet nga morrat e pulave që kishim, e që s’i kemi as ato sot, më parë. Nuk kam kohë të ndaj për ledhatime, andaj dhe kështu me ngulim po flas në një vijë të drejtë, sepse fundja edhe fjalët e tërthorta ngërthejnë në vete të njëjtën porosi. Tanimë jemi mbushur me erë e cila kundron rëndë e që nuk vije si rezultat i papastërtisë, por i gjumit të rëndë të përcjellë me gazra çlirues pa fije turpi, madje me kënaqësi dhe arsyetim të qetësimit të brendshëm. Ti mund të më shkruash sa të duash mendime e ide, por ato nuk mund t’i pranoj meqë vetë fakti që po fle i tëri përveç gojës dhe dëshirës për tu shprehur, i bën ato të kundrinë një erë aq të rëndë të paditurisë sa që edhe po t’i marr si zbërthej dot.

Nuk është përplasja e buzëve që e ka bërë luftëtarin të njihet në nahi, e as autorin e librave, e as profesorin. Është përpjekja për të përvetësuar njohuritë e duhura dhe vullneti, fillimisht, për të marrë iniciativën e pastaj për të investuar mund e kohë që ajo që ka zënë vend në kokë të zë vend në tokë, qoftë edhe në një qoshe pas dere.

Asnjë derë e mbyllur me dry nuk është hapur vetë. Ato i kanë hapur njerëzit, herë me çelës e herë madje edhe me shqelma. I kanë hapur, Janë ngritur dhe kanë marrë iniciativë dhe nuk kanë pëllitur shesheve duke shitur kopalla në një kohë kur këmbët u kanë dalë deri mbi gjunjë jashtë nga jorgani. Nuk ka nevojë që të shpërndajnë ide ata që asnjëherë nuk janë lodhur duke studiuar ndonjë çështje. Fundja ne nuk kemi nevojë për filozof, edhe nga ata të cilët janë shkolluar në drejtime të ndryshme, hundët e të cilëve mund t’i gjesh në çdo pjatë duke tjerrë çdo qime të qenë e të pa qenë. Ne na duhen njerëz të cilët punojnë, bashkëpunojnë, jo vetëm për para për të mbushur gushën, por edhe për shoqërinë sepse investimet sot në vlerat shoqërore i konsumojmë nesër në forma tjera.

Më duket që shumë i kemi dhënë hapësirë artit e dëfrimit për atë dhe s’i gjejmë dot fijen punës.

Po këto i keni lexuar?