Nga Windows 3.11 deri tek Windows 8 (të cilin mund të e shkarkoni sot për testim)

Përgaiti: Skender Mustafi

Kohëve të fundit me shumë entuziazëm po flitet si ndër përdoruesit e kompjuteri, mediet dhe vlerësuesit e sistemit operativ Windows, ashtu edhe nga vetë Microsoft rreth versionit më të ri të Windows-it. Thuhet të jetë i mrekullueshëm, revolucionar, me mbështetje të reja të përmirësuara.

Mua personalisht nuk me duket diç revolucionare në këtë version, së paku testues që tani mund të e shkarkoni. Mos të keqkuptohemi, versioni duket atraktiv dhe me mundësi të reja të cilat lehtësojnë punën tonë, megjithatë ndryshimet tani më i kemi shfrytëzuar në mjete tjera elektronike nga sisteme tjera operative ose nga softuerë të cilët kanë plotësuar nevojat që tani Windows plotëson. E mira e kësaj është se i kemi të gjitha në një vend siç thonë anglisht folësit “all in one”.

Unë e mbaj mend në vitin 1996 kur baba ma solli kompjuterin e parë me Windows 3.11, 128mb RAM dhe rreth 800MB HDD (hapsirë disku). Pastaj kalova në Windows 95 dhe 98 me të njëjtin kompjuter dhe më u mbush kupa e kapacitetit të tij. Më vonë u bëra me një kompjuter të ri me Windows XP (duke kërcyer disa versione në mes, e që siç duket nga ato që kam lexuar mesi i Win ’98 dhe Win XP ishte dështim), pastaj në Windows Vista dhe tani që nga paraqitja e Wondows 7, po e shfrytëzoj atë.

Nga e gjithë përvojë me lloje të ndryshme të Windowsit kam vërejtur që versionet e fundit të këtij sistemi operativ nuk janë aspak më të shpejta se versionet e mëparshme përkundër kompjuterëve të fortë. Paraqitja grafike është shumë më e mirë, më e lezetshme, megjithatë shpesh herë kur Windows ose softuerët e ndryshëm bllokohen në PC time dëshiroj që të kem mundësi të shfrytëzoj MS Office të versionit 3.11 sepse për funksionet bazë thuajse nuk ka ndryshuar fare. Tani sapo të kemi instaluar versionin e ri të Windows-it duhet të e freskojmë (update), thuajse kush e di çfarë ka ndodhur. Kuptohet kjo është për shkaqe sigurie dhe të përmirësimit të performancës, megjithatë veprim jo serioz dhe bezdisës. Kohëve të fundit kisha një telefonatë nga një mik i cili pati problem me instalimin e versionit të ri të MSN Messengere dhe nuk mundej në një kohë kur CD e Windowsit ishte origjinal dhe gjithçka ishte në rregull. Pyetja e tij (një konsumator i thjeshtë) ishte: Përse më duhen 32 instalime të reja në një kohë që dua të instaloj vetëm një version të ri të një softueri?

– Miku im, pyete Microsoft!

Jo, nuk po them të e largoni sistemin e tanishëm operativ dhe të kaloni në Win 3.11 ose Win ’95 ose Win ’98, megjithatë, unë dhe shumë të tjerë janë të pa kënaqur me këto ndryshimet e fundit edhe pse atraktive. Ajo që po e prish SO Windows është marketingu. Përqëndrimi në zbukurimin e tij thuajse më shumë se në përqendrimin për përmirësimin e funskioneve dhe mundësive të tij e ka bërë që në shumë kompjuterë të ri qoftë edhe të markave të njohura të shfaqen probleme. Madje nëse në këto kompjuterë (kam vërejtur gjatë tani gjatë studimeve, pasi që të pasurit e një kompjuteri personal ka qen obligim) instalohet një program profesional i programuar në Java ose ndonjë program simulimi ose ndonjë program tjetër për përllogaritje matematiko-statistike, atëherë një SONY Vaio për shembull zhurmon si ndonjë aeroplan nga mundi për të përballuar shtypjen e SO Windows dhe programit përkatës. Marramendëse.

Sidoqoftë, unë së paku për një kohë deri sa të paraqiten vlerësimet e vërteta për të mirat e Windows 8 nuk do të kaloj në të. Fillimisht instalimi i tij shkakton probleme në kompjuter duke zëvendësuar versionin e tanishëm, ose duhet që të instalojmë dy versione të sistemit operativ në dy pjesë të diskut ose në një pjesë virtuale. Thjeshtë, po më bezdis kjo sjellje ndaj meje si konsumator duke më shtyre “me forcë” të e blej këtë ose produktet e ngjashme. Ajo që mund të bëj që të e shijoj Windows 8 pa e instaluar fare është që të informohem për mundësitë që ky version ofron për dallim për versionin që tani kam në kompjuter dhe për këto dallime të kërkoj programe kompjuterike në internet. Në të shumtën e rasteve kam arritur të gjejë programe të cilat mbushin vrimat e versioneve të vjetra, madje ndonjëherë programet e tilla kanë ofruar funksionalitet edhe më të pasur.

Mirë pra, suksese më versionin e ri për ata që tanimë janë entuziast të e provojnë.

Sugjerim: Instaloni në një pjesë virtuale, nëse dëshironi të e provoni dhe mos e zëvendësoni versionin e tanishëm sepse do të humbni gjithçka që tani keni dhe nëse nuk u pëlqen versioni i ri atëherë keni mbetur me gishta në gojë.

Po këto i keni lexuar?