Padrejtësia e të “ drejtit “

0

Autor: Faton Azizi

Të bartësh flakadanin e drejtësisë në një shoqëri ose një mes në të cilin profesion primar është padrejtësia është mision i cili kërkon përkushtim, kërkon sa përgatitje shpirtërore aq dhe fizike. Dy komponenta këto të cilët kumulohen përgjat luftës dhe përpjekjes së lodhshme, dhe janë rezultat i një angazhimi serioz  dhe parasegjithash fisnik, angazhim ky i cili nën ndikim të piksynimit të sinqert pastron dhe përforcon qëllimin dhe parapërgatitjen fillestare.

Mendoj që drejtësia si cilësi e njëriut është komponent shpirtërore e cila i imponohet mendjes nëpërmjet ushtrimit të përditshëm të kësaj cilësie. Ushtrim ky i cili i imponohet mendjes dhe shpirtit falë vetdijes për mirqenien e përgjithshme të shoqërisë. Është shpatë me dy tehe e gjithë kjo sidomos në procesin e interpretimit edhe atë nga prirjet personale e egoiste. Po të shikohet nga këndvështrimi i të drejtit drejtësia definohet ose përshkruhet si mjet me të cilin normalizohet jeta në shoqërinë normale, mjet i cili mbjell siguri dhe i cili garanton ardhmëri të sigurt, përkundër këtij pikvështrimi i padrejti drejtësinë e sheh si pengesë për mbijetesën e tij dhe njëkohësisht për realizimin e aspiratave të tija.  Këto dy pikpamje paraqesin dy skajet të cilët udhëhiqen nga mendjet ekstreme të njollosura secila në drejtimin e saj. Kuptohet që në mes tyre patjetër të egzistojë shtresa e cila veprimin e saj shpesh e njollos me pikvështrimin e grupit të parë ose atij të dytë, është shtresë jostabile, dhe fatkeqesisht është dominuese thuajse në çdo shoqëri ekzistuese. Drejtësia si proces e njëkohësisht si tërësi normash rrezikon të jetë subjektive, sidomos në rrethana ku burim i saj është mendja njerzore (nëse mund të quhet drejtësi, gjithnjë me fjalorin dhe në kuptimin njerëzorë).

Portreti mbi drejtësinë detyrimisht do të duhej të ndërtohej duke pasur parasysh më shumë komponenta të cilët luajnë rol kyç në këtë drejtim respektivisht komponenta që  mund të jenë aktive ose mund të jenë pasive, komponenta që mund të jenë të dukshme por shpesh mund të jenë dhe të pavërejtshme respektivisht të padukshme në syrin e njëriut të rëndomtë.

Mozaiku i drejtësisë fillimisht fillon të projektohet në letër edhe atë në formë të normave të shkruara të cilët domosdoshmërisht në raport më qëllimin e sajimit do të duhet të arsyetojnë dhe përmbajtjen e tyre. Kështu drejtësia si tërësi e normave të shkruara të cilët si të tilla janë të proektuara për të normuar jetën në një shoqëri domosdoshmërisht në përmbajtjen e tyre ta kenë parasysh elementin human, këshillues e emancipues. Në këtë fazë është e domosdoshme që ligjvënësi ta ketë parasysh që respekti ndaj normës do të mund të arriheshte edhe nëpërmjet tërheqjes së vërejtjes respektivisht duke u rezervuar nga implementimi sanksionimit ekstrem. E patjetërsueshme është që norma fillimisht t’i nënshtrohet analizës paraprake lidhur me qëllimin e saj. Është shoqëria ajo e cila korrë frytet e normave të drejta, apo e kundërta është shoqëria ajo e cila pëson nga padrejtësia dhe nga johumaniteti i normës së padrejtë (jo mjaft e analizuar dhe e kulluar).

Stadi i dytë përfshin bartjen e normës në terrën, respektivisht jetësimin e saj në jetën reale, fazë kjo e cila njihet si ekzekutim i normës respektivisht ekzekutim i dispozicionit të saj. Implementimi në këtë drejtim paraqet  komponent mjaft të rëndësishme dhe që shpesh vet mënyra e ekzekutimit mbjell dhe krijon përshtypje për vet normën. Kështu ekzekutimi është proces, është veprim , nuk është vetë norma, nuk është dispozicioni i normës , por është mënyra se si norma implementohet, si ajo jetësohet dhe si ajo përditësohet nga ana e organeve kompetente në jetën reale, si vendoset që ajo të bashkëjetoj me shoqërinë dhe instalohet ajo në të njejtën shoqëri. Është fazë tejet komplekse dhe fazë e cila kërkon përkushtim si nga hartuesi ashtu edhe nga interpretuesi/implementuesi i saj. Pothuajse në çdo kushtetutë qëndron maksima që qytetarët janë të barabart para ligjit. Është ky parimi i cili domosdoshmërisht të merret parasysh gjat procesit të materializimit të normës , edhe atë barazia si motiv fillimisht të merret në konsiderat gjat përzgjedhjes së nomrës që do të implementohet ose e cila do të merret si bazë mbi të cilën më pas do të ngritet gjykimi, e më pas barazia ideore respekvivisht të merret barazia në interpretim , kjo e fundit nënkupton që e njejta normë të intepretohet brenda margjinave të saja mirpo për secilin qytetar në mënyrë të njejtë dhe në mënyrë të drejtë. Çdonjeri nga ne është i vetdijshëm për skajet e normës (ai minimal dhe ai maksimal) , kështu ligjvënësi detyrimisht të merr parasysh gjith faktorët që ndikojnë në përzgjedhjen e një cilido nivel që mbërthen në vete norma e tillë e jo në mënyrë selektive të bëhet intepretimi respektivisht materializimi i normës juridike.

Shtjellim konkret :

Këtë analizë tentoj ta zbres tek normat penale dhe njëkohësisht rrezikoj të mos kuptohem drejt dhe qartë nga ata që nuk kanë shumë njohuri në sferen e drejtësisë mirpo sidoqoft uroj që qëllimi të ndjehet dhe nga masa e gjërë intelektuale.

Në teori faji konsiderohet si raport (lidhje, link) në mes kryerësit të ndonjë vepre , vet veprës dhe pasojave të saja (qofshin ato materiale ose jomateriale).  Faji më pas deshifrohet në faj me dashje dhe faj nga pakujdesia. Faji me dashje nënkupton kur personi i dëshiron pasojat e veprës së kryer, dmth është i vetdijshëm që me veprim ose me mosveprim të tij mund të vijë deri tek shkaktimi i veprës , dhe nën gjith këtë ai i dëshiron pasojat, thjesht shpreh tendencë , qellim dhe ka vetdije që vepra të kryhet, me një fjalë është i pajtimit për gjithë këtë. E gjith kjo është qartë dhe lëht e dëshmueshme, në një formë kryersi i veprës është ai i cili nuk mohon veprën, i dëshiron pasojat e saja dhe me këtë i qëndron besnik qëllimit dhe veprimeve të tij. Situata ndryshon tek lloji tjetër i fajit , faji nga pakujdesia. Kështu, ky lloj faji paraqet raport në mes kryersit të veprës dhe pasojave të saja e njëkohësisht përfshin dhe mundësinë e parashikimit të kryersit të veprës. Faji i shkaktuar nga pakujdesia definohet si faj i kryersit për faktin që kryersi ka qenë i vetdijshëm ose ka mund që të jetë i vetdijshëm që me veprim ose me mosveprim të tij mund të vijë deri tek kryerja e veprës, megjithatë mendjelehtësisht ka menduar që mund ta parandalojë veprën. Këtu nxjerrim disa elemente të cilët në të shumtën e rasteve keqpërdoren nga implementuesi i drejtësisë, elementi i parë si mundësi për keqmenaxhim është pjesa e normës ku thuhet që kryerësi nuk i dëshiron pasojat e veprës (që paraqet thelbin e amnestisë së shpeshtë të kryerësit), elementi i dytë i mundshëm për manipulim paraqet pjesën e normës ku thuhet që kryerësi ka mundur ta parashikojë që me veprim ose mosveprim mund të kryhet vepra. Në këto dy elemente në masë të madhe vjen ne shprehje manipulimi i gjithë rasteve, respektivisht mosdëshira e pasojave të veprës respektivisht mosekzistimi i qëllimit dhe tendencës se kryersit që vepra të kryhet dhe mundësia/pamundësia që kryerësi ta parashikojë situatën që me veprim ose me mosveprim do të mund të vije deri tek kryerja e veprës. Janë këto dy momente që i japin fushëveprim autokton gjykatësit. Kthehemi në pjesën e parë të tekstit për ti dhënë epilogun gjith analizës, nëse implementuesi i drejtësisë (së shkruar dhe normës konkrete) është i pozicionuar në anën e drejtësisë respektivisht nëse karakteri i tij është i frymëzuar të luaj rolin e të drejtit skajshmërisht atëher i gjith kjo mundësi interpretohet në mënyrën që nëpërmjet ekspertizës të përcaktohet lidhja dhe tendenca e kryerësit dhe veprës/pasojave të saja, respektivisht në mënyrë reale vlerësohet aspekti psikologjik i raportit të dëhsirës dhe gatishmërisë së kryerësit dhe vet veprës.

Është tejet komplekse çështja e definimit ose e përcaktimit të së drejtës. I gjith ky proces i analizimit, detektimit, i klasifikimit të rastit (qoft penal, civil, administrativ, tregtar ose ngjajshëm) dhe i gjykimit të drejtë është sintezë e komponentës shpirtërore ,  komponentës intelektuale e shkencore dhe i elementit të përgjegjësisë respektivisht të moralit të lartë. Vetëm një kombinim i tillë me gjithë këto komponenta ofron dhe garanton implementim dhe materializim të drejtë të drejtësisë, në të kundërtën mungesa e cilit do element rrezikon tërë procesin, e rrënon ate dhe rrezikon implementimin jo të drejtë të normës. Secila komponent e përmendur ka rol të veçant në këtë drejtim respektivisht tërësia e kompoentave mundësojnë funksionim real të së drejtës si kusht i pakompromis drejt qëllimit të  funksionimit të shoqërisë së shëndoshë.

Kështu struktura që ka marrë mbi vete amanetin e udhëheqjes me shoqërinë respektivisht me procesin e menaxhimit të shoqërisë domosdoshmërisht të jetë e informuar me mësimet e këtilla me qëllim të materializimit të të njejtave, ngaqë vetëm në këtë formë arrihet sundimi i së drejtës dhe funksionimi i një shteti ideal në plotkuptimin e fjalës, në të kundërtën fatkeqësia aktuale sa vjen e akomodohet në këtë rrafsh gjeografik e në një fazë të caktuar rrezikojmë të humbim edhe idenë se si duket drejtësia.

Komentet nga Facebook:

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *