Përshëndetje të nderuar ju dhe ne

Skender Mustafi

Autor: Skender Mustafi

Opinion mbi vetë shkrimin “Emri Zot, një flluskë përball emrit Allah” dhe komentet e tij tek llojani.info.

Përshëndetje të nderuar ju dhe ne,

po filloj me problemin e qasjes në temë, gjë e cila është e përhapur ndër shkruesit në gjuhën shqipe të cilët akoma nuk kanë mësuar mire nga shkruesit në gjuhën angleze ose gjermane (gjuhët tjera të mëdha nuk i kuptoj që të mund shkrimet t’i krahasoj.)

Problemi bazë i shkronjësit shqiptar është shkrirja e mendimeve dhe qëndrimeve personale me faktet dhe mendimet, shkrimet, idetë e të tjerëve duke lënë anash referimin dhe shtjellimin e qëndrimeve. Një qasje e tillë farkon një thikë me dy tehe e cila shndërron lexuesit në shkrues. Njëra anë e thikës pretë shkruesin i cili shtjellon temën të bazuar mbi fakte të pa shtjelluara dhe të “fshehura” dhe në anën tjetër pretë të vërtetën e cila në raste të tilla identifikohet me shkruesin dhe jo me faktet.

Problematika tjetër është qasja e verbër ndaj një teme, marrja e një teme në mënyrë të verbër dhe citimi ose diskutimi I sajë, pasimi I një personi në mënyrë të verbër dhe ndjekja, citimi ose/dhe përmbajtja e tij.

Të dy qasjet e mësipërme çojnë në njërin nga dy drejtimet: drejt një përleshje e cila përfundon vetëm nëse sillen argumente, ose drejt hiçit (ky është përfundim i zakonshëm tek shkronjësit e mirëfilltë në anglisht ose gjermanisht). Pra, nëse një shkrim nuk bazohet në fakte të cituara dhe të shtjelluara ose/dhe bazohet në një fakt të vetëm i cili është i shkëputur ose i pa kuptim atëherë shkrimi është pothuajse një hiç, sa i përket aspektit çështjes së diskutimit dhe debatit.

Po filloj konkretisht me të nderuarin Idrizi i cili sjell një argument të vetëm. Argumenti juaj i nderuar është i cunguar, i vobektë, një trung i hollë në një tokë të rrashtë para një fryme të madhe. Në gjuhën e debatit është po thuajse një hiç. Në këndvështrimin horizontal, tema e “rrahur” në artikullin që keni kopjuar nga enciklopedia e lire “Wikipedia” (ku kam mbi 40 000 redaktime dhe e di mire se kush ka postuar dhe me çfarë pretendime) është problematikë e cila duhet shtjelluar ndër më shumë se një autor sepse vetë historia e Shqipërisë dhe shqiptarëve është shtjelluar ndryshe nga vetë udhëheqësit shqiptarë duke dredhur dhe përdredhur çështjet për një ose interes tjetër. Në këndvështrimin vertikal tema “Shqipëria nën sundimin osman” është pjesë e temës “Historia e Shqipërisë” dhe si e tillë i qaset vetëm periudhës pas hyrjes së Perandorisë Osmane në Shqipëri dhe jo edhe më pare. Një kufizim i tillë kohorë në një artikull të tillë nuk i jep askujt të drejtën që të paragjykojë se Islami ka ardhur me osmanët, kjo vije si rrjedhojë e vetë faktit se tema është e kufizuar në kohë.

I nderuari Salihu si nxitës i temës në artikullin e tij ka sjellë dhe shtjelluar më shumë fakte të cilat nuk lidhen me asnjë burim për atë dhe tema më hapë mua dhe të tjerëve gojën që të flasim. Fundja, ju na e dhënat këtë të drejtë.

Le ti shtjellojmë një argument që ju shtjelluat më sipër në pikëpamje argumentuese. Rosemary Pennington (2010) nga Indiana University, SHBA në shkrimin e sajë “Islami në Balkan: A mund njeriu të jetë Evropian dhe Muslima?” vë në pas dy fakte: muslimanët në Ballkan dihet të jenë para viteve 1300 dhe ve deri në fillim të shekullit XIX shumica e popullsisë në Ballkan ishin muslimanë.  Për më tepër Norris (Norris, H.T. 1993) në librin e tij “Islami në Ballkan: religjioni dhe shoqëria mes Evropës dhe botës arabe”, në faqen 46 thekson se në Ballkan ndër shqiptarët dhe boshnjakët islami nuk ishte i pa njohur edhe para hyrjes së Perandorisë Osmane. Këtë edhe më mire e shtjellon Nexhat Ibrahimi në shkrimin e tij “Si hapi rrugë civilizimi islam në Gadishullin Ballkanik” argumenton shtjellimet e H. T. Norris duke theksuar se iliro-shqiptarët kishin ndërtuar marrëdhënie tregtare mes osmanëve dhe arabëve që në kohërat shumë më të hershme se ardhja e osmanëve në Ballkan, argument rrjedh mbi të dhënat e viteve 688-750, për më tepër këtë e argumentojnë dhe faktet e gjetura në Mostar.

Të nderuar ju dhe ne, modernizimi qorrazi është një hap i gabuar të cilin fillimisht e morën disa nga prindërit tone të cilët veç kacisë dhe pyetjes “a kombi a feja” nuk dinin tjetër. Pastaj, ata fat keq e përcollën tek disa nga fëmijët e tyre, sepse disa nga fëmijët nuk mund të e gjejnë dot derën për në shtëpi e lere më derën drejt të logjikuari dhe të menduarit e shëndoshë. Këta prindër që kaluan kaq tortura nëpër kohë ndërrimit të ideologjive të ndryshme dhe udhëheqësve të ndryshëm, si dhe që kaluan aq kohë në tokat modern perëndimore nuk arritën të shohin më larg kanalit i cili jo që nuk u la kohë të merren me vendin, gjuhën dhe popullin ku jetonin dhe jetojnë, por as që u la kohë të merren me veten e tyre, jetën dhe vdekjen e tyre, e as me fëmijët e tyre. Ata prindër nuk arritën të shohin se perëndimi në vend të pare vë besimin fetar, të fshehur nën pendlat një demokracie dhe politike propaganduese.

Për fund një argument banal, tani po dëgjoj se prindërit shqiptarë nuk mund të nisen në shtëpitë e tyre drejt vendlindjes së paku një ditë më pare shkaku se shkollat kanë festat e krishtlindjes dhe të festuarit është I patjetërsueshëm, përndryshe pason ndëshkimi.

Ua përkujtoj një thënie banale për të përmbyllur: “ O Muharrem Marku, xhamin se deshe e kishës s’ia dite rendin, e ku k… pe do venin?”

Referencat
– Pennington, Rosemary (2010), “Islam In The Balkans: Can One be European And be Muslim?”, Së fundi vizituar më 17 Dhjetor 2011, http://muslimvoices.org/islam-balkans-european-muslim/
– Norris, H.T. (1993), Islam in the Balkans: religion and society between Europe and the Arab world”, University of South California Press, Columbia, South California
– Ibrahimi, Nexhat (2009), “How Islamic civilization made ways into the Balkan Peninsula“, Së fundi vizituar më 17 Dhjetor 2011, http://english.islammessage.com/articledetails.aspx?articleId=815

Po këto i keni lexuar?