Platformat multidimensionale të modelit të biznesit në sferën e reklamimit

Autor: Skender Mustafi

Modelet e biznesit të kompanive të marketingut në sferën e reklamimit zakonisht, e që nuk përjashtohen rastet specifike, janë platforma multidimensionale. Në këtë mënyrë kompania e cila ofron shërbimet e reklamimit qëndron në mes dhe anash janë të lidhur të gjithë pjesëmarrësit tjerë.  Platforma është e përpiluar në atë mënyrë që në njërën anë përmes shërbimeve, produkteve dhe përmbajtjes falas tërhiqen përdoruesit dhe në anën tjetër të ardhurat gjenerohen në atë mënyrë që kompanive u ndahet hapësirë për reklamim. 

Platformat në internet kohëve të fundit kanë arritur shumë sukses në krahasim me bizneset tradicionale të cila po përballen me rreziqe të shumta të cilat i kanë shtyrë drejt përpilimit të strategjive dhe modeleve të reja të biznesit.

Pra, ndërlidhja e ngushtë e të gjitha palëve në rrjet mundëson realizimin e suksesshëm të synimeve të kompanive reklamuese. Për të sqaruar këtë lloj modeli të biznesit do të marrim si shembull modelin e biznesit të kompanisë Google Inc., modeli i biznesit i së cilës bazohet komplet në krijimin e vlerës përmes reklamimit.

Platforma e Google Inc. është shumë anëse sepse në vete ndërlidhë shumë palë të cilat mund të grupohen në tri kategori kryesore:

1. Përdoruesit e shërbimeve falas janë vizitorët, personat privat ose kompanitë të cilët përdorin motorin e kërkimit ose shërbimet tjera që Google ofron.
2. Përfituesit në aspektin financiar nga shërbimet janë persona privat ose kompani të cilët duke përdorur shërbimet e marketingut që Google ofron përfitojnë financiarisht. Shërbimi i tillë është i njohur “AdSense” ku përdoruesit integrojnë veglat e reklamimit që Google ofron, qoftë në faqet e tyre ose në aplikacionet e tyre, dhe nga vizitat që u bëhen përfitojnë nga fitimi që Google realizon.
3. Konsumatorët e shërbimeve janë persona privat ose kompani të cilat shfrytëzojnë shërbimet e reklamimit të cilat kompania ofron dhe për ato shërbime, ata paguajnë sasi të caktuar parash. Ky është grupi nga i cili zhvillohen të hyrat, grupet tjera janë vetëm nxitës të cilët tërheqin konsumatorët e këtij lloji dhe shtojnë të hyrat.

Tek platformat multidimensionale  kompanitë ndeshen me më shumë probleme në krahasim me kompanitë të cilat modelin e tyre të biznesit e ngritin mbi platforma një dimensional. Kështu, duke pasur parasysh grupe të ndryshme të palëve të cilat ndërlidhen,  dhe nevojat dhe interesat e tyre të ndryshme, kompania duhet përcaktuar për llojin e modelit të biznesit që mund të jetë i bazuar në strategjinë:
1. falas – ku një ose disa nga palët përfitojnë nga shërbimet falas, kurse të tjerat marrin pjesë në gjenerimin e profitit të kompanisë
2. parësorë– ku një ose më shumë palë kanë prioritet më shumë se të tjerat dhe përqendrimi i kompanisë është i shkallëzuar varësisht nga prioriteti i caktuar mbi palën pjesëmarrëse
3. i përqendruar – ku të gjitha palët trajtohen njësoj dhe vlera e tyre thuajse është e njëjtë në arritjen e synimeve të kompanisë.

Le të përmbledhim. Modelet e biznesit të bazuara në platforma multidimensionale përmes shumë shembujve tek bizneset e suksesshme kanë dëshmuar vlerën për sukses megjithatë çdo model i biznesit është adekuat për çdo kompani meqë secila nga kompanitë ka qëllimet, metodat dhe strategjitë e ndryshme për arritjet e planifikuara. Ndërlidhja e palëve në këtë rast bazohet po në përcaktimin e synimeve dhe në identifikimin e mundësive që kompania ka. Përzgjedhja e modelit adekuat të biznesit është sfidë për kompanitë moderne pasi që zhvillimet e reja teknologjike kanë ndikuar në evoluimin permanent të kompanive dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në dinamizmin e modeleve të biznesit të tyre.

Po këto i keni lexuar?