Po mundohem të flas, por me kë

0

Shkruar nga Zenel Latifi

Se fjalët e mia janë të pambarueshme si burimet e pashtershme, atë e din vetëm mendja ime. Ky laps që po i nxjerr fjalët e mia nga thellësia e shpirtit tim, nuk do të mjaftonte që t’i shkruaj gjitha ato që po i ndjej.

Gjithmonë, atë që e ke barrë mbi supe të duket gjëja më e rëndë në botë, duke t’u kujtuar ndoshta edhe për mëkatet që ndonjëherë i ke bërë e Zoti yt vazhdoi të t’i falë ato pa të ndëshkuar.

Njeriu ndonjëherë e ngrit veten shumë lartë dhe mendon se është më i fuqishmi e më i madhi, por harron se është një krijesë shumë e dobët, e varur nga Krijuesi i tij. Mendjemadhësia e tij nuk i bën fare dobi, por vetëm dëm që s’e pastron pendimi i vonuar.

Derisa dikush po zotëron një pasuri të madhe me shoqërinë e vet rreth tij dhe po dëfrehet e shfrenohet me injorancën e pashërueshme, unë në këtë “qeli” po jetoj ditët më të vështira të jetës duke vuajtur në errësirën e shkaktuar nga muret e errëta, që nuk i lejon rrezet e Diellit të depërtojnë në dhomë dhe të më ngushëllojnë me ngrohtësinë e tyre.

Kënaqësinë më të madhe e arrij atë ditë kur nuk bëj asnjë mëkat dhe ajo ditë për mua është ditë feste, sepse arrita të kaloj një pengesë të jetës sime dhe të arrij një shkallë më lartë, e të afrohem drejt asaj që jam nisur.

Një gjë do ta them deri në sekondat e fundit të jetës. Nëse më burgosin, atëherë do të jetë mundësi për t’u veçuar me Zotin tim dhe për ta adhuruar atë. Nëse më internojnë jashtë atdheut, atëherë do të jetë mundësi për mua që të vizitoj dhe të shoh mrekullitë e krijuara nga Përsosësi në krijim. E nëse do të më mbysin, atëherë do të shkoj shehid (dëshmor) tek Zoti im Mëshirëplotë, e do të shijoj xhennetin përgjithmonë.

Shikoj majtas, shoh murin. Shikoj djathtas shoh murin. Aty ku qëndroj unë, dominon një heshtje, nga e cila i mundësohet trurit tim t’i përsëriten këto fjalë sikur një jehonë në një tunel të ngushtë.

Po mundohem të flas, por me kë?! Me murin? Jo, s’kam as me kë të ndërroj dy-tri fjalë. Shoku im në këto çaste është kjo copë letre, kurse shpresat e vetme i kam tek I Madhi Zot, nga i cili asnjëherë nuk zhgënjehem.

Mirëpo, vetmia e bën të veten. Ajo tani është bërë miku im. Qëndroj i vetëm duke mos synuar gjërat e së ardhmes. Cilës të ardhme?! Të ardhmes, që nuk dihet a do të vijë, apo jo, por edhe nëse vjen ajo do të shndërrohet në një të kaluar e pastaj të mbetet vetëm në kujtimet tona, e që dalëngadalë gjurmët e saja të fshihen nga koha! Jo, asaj s’i thuhet e ardhme!

Tani kam frikën se do të fillojnë të më rrjedhin lotët nga sytë që janë verbuar për dritën, e do ta fshijnë atë që e shkrova. Prandaj, po e mbyll këtë shkrim, e ta mbaj këtë letër afër zemrës sime, që po dridhet nga frika e së ardhmes, me vetminë në shoqërim, mirëpo që po e gjen shpresën vetëm tek Zoti I tij.

Komentet nga Facebook:

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakPërshëndetje të nderuar ju dhe ne (ri reagim i fundit)
Artikulli tjetërSi të përpiloj kalendar në MS Word?
Themelues dhe mirëmbajtës i portalit “Fjalaime.ch”. BSc. i Administrimit të Biznesit dhe MSc. i Sistemeve Informative të Biznesit. Me punë dhe qendrim të përkohshëm në Zvicër, Winterthur. Studimet e mia qoftë akademike, qoftë private pasojnë sferën e ekonomsë me përqëndrim në drejtimet e menaxhimit dhe marketingut dhe teknologjisë informative me përqëndrim në shfrytëzimin e teknologjisë informative për zhvillim të biznesit..

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *