Trendet e marketingut

Koha nevojshme për ta lexuar shkrimin, rreth 4 minuta

Autor: MSc. Skender Mustafi

Njohja me trendet

Në përgjithësi prirjet ose trendet (nga anglishtja) paraqesin ecje ose zhvillime në drejtime të përgjithshme në të cilin gjërat e caktuara lëvizin. Pra, një prirje/drejtim i caktuar paraqet ecje ose zhvillim në një drejtim në të cilin gjërat lëvizin. Rrjedhimisht, trendet e marketingut janë ecje ose zhvillime i marketingut, funksioneve, instrumenteve dhe i vlerave të tij në një drejtim të caktuar.

Shembull i një trendi të marketingut është shfrytëzimi i rrjeteve sociale për të promovuar ndërmarrjen, produktet ose shërbimet e saja.

Marketingu dhe trendet

Marketingu, meqë është shkencë dhe art i cili mbulon të gjitha fushat e jetës dhe mund të aplikohet si nga ndërmarrjet dhe individët (Mustafi, 2018) ndjenë më së shumti dhe më së shpejti çdo ndryshim në ambientin e biznesit.

prirjet e marketingut 2019
Trendet e marketingut 2019

Andaj, çdo ndryshim i ambientit kërkon, detyrimisht, ndryshimin e ‘lojës së marketingut’.

Marketingu është duke u zhvilluar me shpejtësinë e ‘dritës’. Sapo ndërmarrja të ketë zhvilluar një strategji të caktuar dhe të jetë rehatuar mbi të, papritmas ndodh një zhvillim i ri teknologjik, elektronik, ose paraqitet një produkt a shërbim i ri i cili ndikon tregun ndërkombëtarë, gjithçka është rrënuar.

Patjetër duhet të nxitojmë dhe të nisim nga fillimi…

Sidoqoftë, gjithë këtë ‘rrëmujë’ mund të vërehen se kur grumbullojmë zhvillimet e përgjithshme të tregut, në fushën e marketingut (dhe në fushat tjera), mund të identifikojmë rrjedha të dukshme të cilat mund padyshim t’i njohim si trende.

Ajo që duhet të bëjmë është të futemi në këto rrjedha. Kjo do të thotë identifikimi dhe njohja e tyre. Pastaj, identifikimi i mundësive që ato ofrojnë dhe mundësive të cilat ndërmarrja ka që të ngërthejë të njëjtat. Së fundi, ‘hyrja në valle’.

Andaj, të futesh në një trend dhe të notosh me të është aktivitet i pamjaftueshëm (Decker, 2018). Kjo do të thotë që ndërmarrja duhet të përcjellë dhe identifikojë trendet me kohë që të jetë e para ose ndër të parat në treg që u përgjigjet me strategji, taktika dhe aktivitete marketingu. Madje, ndër veprimet kulmore në kushte të tilla është provokimi dhe zhvillimi i ndryshimit të sjelljeve në tregun e caktuar përmes trendeve të cilat zhvillon vetë ndërmarrja.

Nëse në treg vije një element i cili ndikon në paraqitjen e sjelljeve të reja të konsumatorit kundrejt konsumimit të produktit, shërbimit, ose informacionit, atëherë ndërmarrja duhet të përgjigjet me pamje dhe ofertë e cila përputhet me këtë sjellje.

Nëse ndërmarrja ka kapacitete, le të ndikojë në ndryshimin e sjelljes së konsumatorit. Ndryshim në të mirë.

Çfarë nuk janë trendet e marketingut

Së fundi, trendet e marketingut nuk janë lojë e as erë e cila fryn rreth nesh. Ato nuk janë as modë e cila shihet në TV dhe pritet të vijë në dyqanin tonë. Trendet e marketingut, të shpërfillura, janë kulturë e cila na zhdukë nga tregu sikur të mos ishim asnjëherë në të.

Duke qenë në dijeni mbi këtë, studiues të shumtë merren me hulumtimin e vazhdueshëm të tregut dhe vazhdimisht paraqesin lista të ndryshme të trendeve të cilat ia vlen të merren parasysh dhe të hulumtohen.

Një listë trendesh për vitin 2019

Shembull i tillë është një listë e trendeve e përpiluar nga Peter Boyd (2018) në të cilën trajton gjashtë trende të marketingut të përmbajtjes:

  1. Përmbajtja e formatit të gjatë – do të jetë shumë e përhapur për këtë vit pasi që motorët e kërkimit vlerësojnë më shumë shkrimet me përmbajtje më të gjatë gjatë renditjes së faqeve të internetit në listën e kërkimeve.
  2. Ligjëratat, prezantimet, seminaret përmes paraqitjeve të drejtpërdrejta në internet – Sipas Boyd (2018) hulumtimet nxjerrin në pah se 64% e konsumatorëve përfundojnë në blerje pasi të kenë parë një video-reklamë në Facebook. Për më shumë Aberdeen Group (Moravick, 2015) bazuar në hulumtimin e tyre theksojnë se ndërmarrjet të cilat shfrytëzojnë video rrisin të hyrat e tyre 49% më shumë se ato të cilat nuk shfrytëzojnë.
  3.  Kërkimi me zë – sipas NRP dhe Edison Research (Sanders, 2017) 42% e amerikanëve e llogarisin kërkimin me zë si funksion thelbësorë gjatë kërkimit në internet. Ky lloj perceptimi pretendohet të nxitë që gjatë vitit 2019 ndërmarrjet të paraqesin më shumë audio përmbajtje në hapësirat e tyre në internet në mënyrë që t’i përgjigjen dëshirave dhe kërkesave të konsumatorëve.
  4. Robotët e komunikimit – ndërmarrjet gjithnjë e më shumë po shfrytëzojnë robot të komunikimit të cilët në vete ngërthejnë një bazë të madhe informacionesh dhe një logjikë të pranueshme komunikimi e që u përgjigjen konsumatorëve gjatë problemeve të tyre ose gjatë nevojave për informim. Në këtë mënyrë ndërmarrjet jo vetëm që ulin shpenzimet e mbështetjes së konsumatorëve përmes të punësuarve për informim, gjithashtu ngritin tërheqjen në informim duke mënjanuar nevojën e konsumatorit për të shfletuar faqe të tëra informimi.
  5. Mediat sociale – mediet sociale si Facebook, Twitter, Pinterest e të tjera më të vogla, jo vetëm që për momentin janë atraktive, por gjithashtu sipas Pew Research edhe si vende të dëshiruara si për konsumatorët ashtu edhe për ndërmarrjet (Smith, 2018). Ato shihen si vende takimi për bashkëveprim dhe zhvillim të marrëdhënieve të biznesit.
  6. Vërtetësia – pas gjithë informimit dhe dëshirës, në fund të procesit, konsumatori gjithmonë para shtypjes së pullës për pagesë dhe blerje, i beson ndërmarrjes tek e cila kryen porosinë ose nga e cila blenë produktin ose shërbimin. Konsumatorët, madje, sipas Cohn & Wolfe (Richards, 2017) jo vetëm që duan të vërtetojnë besueshmërinë dhe t’i besojnë asaj, por gjithashtu 91% e tyre janë të gatshëm dhe dëshirojnë që të ‘shpërblejnë’ atë me shpërndarje të këtij vlerësimi në mënyrë publike për konsumatorët tjerë.

Referencat

Komentet nga Facebook:

Po këto keni lexuar?!!

One Thought to “Trendet e marketingut”

  1. […] Trendet industriale – është pjesë e cila paraqet pozitën e ndërmarrjes në industri. Njëkohësisht përshkruhet situata në industri dhe trendet të cilat zotërojnë. Ndikimi i tyre ndaj ndërmarrjes. Si dhe aftësitë e ndërmarrjes për të zhvilluar vetë trende. […]

Leave a Comment