Profili në internet: të kuptuarit, të mirat, rreziqet dhe keqpërdorimi

0

Autor: Skender Mustafi

Ambienti

dora tekstRëndësia e të dhënave është e njohur që kur mund të gjenden dëshmi me shkrim të lëna mbi shoqëritë, madje edhe më herët. Nga ajo që njohim përmes të dhënave që kemi mbi shoqëritë dhe mbi zhvillimin e rrjedhave të marrëdhënieve shoqërore del në pah fakti se për të arritur deri tek të dhënat/informacionet njerëzit kanë shkuar tek burimi i të dhënave, qoftë përmes rrugëve legale apo përmes atyre ilegale. Me paraqitjen dhe zhvillimin e teknologjive informative kjo qasje tradicionale ka ndryshuar. Tani, „mbledhësit e të dhënave“ zhvillojnë mjete të cilat ndihmojnë në mbledhjen e tyre qoftë përmes instalimit të tyre, qoftë përmes shfrytëzimit të tyre për të nxitur njerëzit, kompanitë, institucionet për të shpërndarë të dhëna.

Në këtë hulumtim kam vendosur t’i qasem çështjes së ndërtimit të profilit virtual përmes të dhënave të një individi duke lënë anash rolin e informacioneve rreth formësimit të subjekteve tjera.

Të dhënat, që moti, mblidhen në mënyrë të organizuar nga ana e institucioneve shtetërore që nga lindja e individit. Pra ditëlindja, vendlindja, gjinia, kombësia, prindërit, adresa e të tjerë. Këto të dhëna edhe pse të pakta ndihmojnë në nxjerrjen e informacioneve, madje edhe në përpilimin e parashikimeve mbi të ardhmen e individëve të caktuar. Kjo është zanafilla  nga e cila fillon çështja e ndërtimit të profilit dhe baza mbi të cilën ngrihet i tërë profili i një njeriut. Patjetër duhet të potencoj se kur flasim për mbledhjen e të dhënave, si veprim, teknologjitë informative ose/dhe teknologjitë tjera ndihmëse nuk janë faktorë të drejtpërdrejtë dhe të vetëm të cilët ndikojnë në ndërtimin e një profili, këto janë vetëm mjete të cilat mundësojnë vëzhgimin dhe evidentimin dhe të cilat në parim nuk duhet të kenë asnjë lloj ndikimi në ndryshimin e sjelljes së njerëzve qoftë si individ qoftë si pjesë e një shoqërie. Përkundër kësaj, në këtë pikë është gabim që këto mjete të vlerësohen tërësisht si jo faktorë meqë ndikimi i tyre është evident, por që ndryshon nga individi në individ dhe nga shoqëria në shoqëri. Pra, sa më i kujdesshëm të jetë individi rreth personalitetit të tij publik, aq më shumë përzgjedh të dhënat të cilat dëshiron t’i sajojë masës së gjerë dhe subjekteve tjera të cilat shfrytëzojnë këto të dhëna për interesat e tyre. Gjithashtu, sa më shumë ligje të cilat mbrojnë dhe ruajnë të dhënat të ketë definuar një shtet aq më e madhe është siguria që këto të dhëna të mos keqpërdoren gjë që ka ndikim tek vendimmarrja e individëve për të shpërndarë të dhënat e tyre. Në këtë mënyrë mund të shohim rolin e këtyre mjeteve, si faktorë, në marrjen e vendimeve nga ana e individëve për të publikuar të dhënat e tyre qoftë në një sistem të caktuar qoftë dhe vetëm për një mjet të caktuar për interesa personale.

Profili

Të dhënat bazë të një individi nuk janë të dhënat e vetme të cilat ndërtojnë profilin e tij të  ngritur mbi informacione, por edhe shkrimet personale nëpër faqe të ndryshme e nëpër rrjetet sociale, shpalosja e interesave gjatë plotësimit të formularëve të ndryshëm, shpërndarja e shkrimeve të cilat kanë të bëjnë për të tjerët, telefonatat e komunikimet përmes shërbimeve të internetit, e të tjera. Të gjitha këto kategori të të dhënave si dhe kategoritë tjera janë shtyllat e ndërtimit të kullës së profilit personal. Kjo nuk do të thotë se në mos ekzistimin e teknologjive moderne profili i tillë i ndërtuar përmes informacioneve nuk ekziston, por se një profil i tillë është i njohur për një grup të vogël njerëzish, dhe se një grup më i madh njerëzish mund të njohin ndonjë ose disa nga pjesët e këtij profilit, kurse të huajt nuk e njohin aspak këtë profil. Për më shumë, ky profil virtual, i ndërtuar përmes të dhënave të një individi të thjeshtë, është bazë për të kulluar informacione të cilat ndihmojnë subjektet e ndryshme shtetërore e jo shtetërore për të marrë vendime në arritjen e qëllimeve të tyre. Triku dhe përparësia, për subjektet mbledhëse të të dhënave, e kësaj mënyre të të vepruarit dhe e meta, për individët, është ngritja e pyetjeve të duhura për të marrë përgjigjet e duhura. Nga një profil i caktuar mund të nxirren informacione të cilat u përgjigjen pyetjeve për të cilat as vetë individi nuk është në dijeni për përgjigjen e tyre. Pra, ai/ajo u përgjigjet këtyre pyetjeve, gjatë gjithë kohës, me veprimet e veta, por që nuk ka dijeni mbi këtë dhe njëkohësisht nuk ka përgjigje konkrete për të cilën ka të akumuluar një të kuptuar domethënëse. Pa dyshim se analiza e një profili për të ndërtuar një tërësi informative kërkon njohuri të fushave të ndryshme, dije dhe intuitë njerëzore ku njeriu është ai i cili e ka fjalën e fundit.

Të mirat

E mira si e tillë duhet definuar nga secili në mënyrë që ajo të përjetohet në tërësi sipas interesit dhe dëshirës personale. Duke u mbështetur në këtë shtjellim duhet pranuar që e mira e shpërndarjes së të dhënave varet nga pritjet e secilit nga përdoruesit e teknologjive informative në mënyrë që në këmbim të asaj të mire të ofrohen të dhënat të cilat mendohet të jenë vlerë e pa tepruar e këtij shkëmbimi. Nëse hapja e një llogarie në një shërbim në internet kërkon emrin, mbiemrin, vendbanimi dhe numrin e telefonit, atëherë secili nga përdoruesit vendosë bazuar në vlerësimin e rëndësisë së të dhënave të tij dhe vlerës së shërbimit. Nëse për një shërbim të caktuar ofrimi i disa të dhënave personale vlerësohet të jetë një „tregtim“ personal i mirë, atëherë hapja e llogarisë vije me përfitime nga të dy palët. Në mënyrë më të qartë, të mirat e shpërndarjes së të dhënave në internet mund t‘i shohim përmes llogarive të ndryshme që kemi të hapura ku konsumojmë shërbime të llojeve të ndryshme të cilat janë „një shkëmbim i mirë dhe i pranueshëm“ për atë që konsumojmë.

Shembull konkret i të mirave në shkëmbim të ofrimit të të dhënave të matura mirë në një shërbim të caktuar është mundësia e përfitimit të drejtpërdrejtë nga shërbimi. Një akt i tillë mund të jetë hapja e një llogarie tek amazon.com dhe realizimi i veprimeve të shitblerjes. Ofrim i të dhënave në këtë rast përfshinë, që në fillim, të gjitha të dhënat personale të domosdoshme për hapjen e llogarisë, shkrimi i komenteve për produktet e ndryshme, vënia në pah e interesave personale, si dhe vetë blerja dhe shitja e produkteve. Mekanizmat e zhvilluara nga kjo kompani mundësojnë analizën e të dhënave, nxjerrjen e informacioneve nga ato dhe shfrytëzimin e atyre informacioneve për të sugjeruar produkte që përputhen me interesat e konsumatorit. Kjo është një e mirë e cila lehtëson vëzhgimin dhe gjetjen e produkteve që përshtaten me interesat personale dhe gjithashtu shpalosë më në detaje interesat për të cilat ndoshta konsumatori nuk është fare në dijeni. Një rezultat logjik si pasojë e gjenerimit të informacioneve mbi parametra të strukturave logjike.

Për më shumë, në internet mund të gjinden shërbime të pa numër të cilat kërkojë të dhëna të ndryshme në mënyrë që të mund tu ofrojnë të mira të ndryshme. Shembull tjetër i të mirave është edhe teknologjia për ruajtjen e të dhënave në re. Të gjitha materialet mund ti ruani në një hapësirë/shërbim të ofruar nga ndonjë kompani si Google, DropBox etj, dhe të keni qasje nga të gjitha llojet e mjeteve elektronike dhe nga cilido vend në botë pa asnjë frikë se mund të humbni të dhënat tuaja.

Rreziqet dhe keqpërdorimet

Vetëm mjeti elektronik i pa kyçur në internet ose në ndonjë lloj tjetër të rrjetit është i sigurt nga shpërndarja e të dhënave. Me tu kyçur në internet, madje edhe pa dhënë vullnetarisht asnjë të dhënë, ekziston rreziku i qasjes së pa lejuar, për të kopjuar të dhënat, në kompjuterin tuaj.

Sidoqoftë, meqë e kemi fjalën për veprimet pas qasjes në internet, atëherë do të trajtojmë grupet kryesore të rreziqeve të cilat përcjellin veprimet tona.

  1. Rreziku i ofrimit të më shumë të dhënave se sa ka nevojë. Ky lloj rreziku mund të shpie drejt cenimit jo vetëm të privatësisë së individit por edhe të jetës së tij/saj. Në këtë lloj rreziku e shpiem ne vetë veten tonë. Shumica e formularëve për regjistrim falas ose/edhe me pagesë, për shërbimet e ndryshme në internet, përveç fushave të domosdoshme përmbajnë edhe fusha tjera të cilat nuk janë të domosdoshme për plotësim. Mbushja e këtyre fushave pa pasur kujdes është një veprim i mosrespektimit të privatësisë personale gjë që mund të jetë në dëm personal. Tre nga veprimet më të rrezikshme ku përdoruesit pothuajse nuk tregojnë fare kujdes janë:
    1. instalimi i programeve falas pa u informuar fare rreth programit të caktuar dhe pa përcjellë fare hapat e instalimit, vetëm duke shtypur „vazhdo“, ku shumë kompani ose/dhe grupe shfrytëzojnë rastin për të instaluar programe ose shtojca shtesë të cilat mundësojnë vjedhjen e të dhënave të shfrytëzuesve
    2. nga përtacia për të mbushur formularë nëpër faqe për regjistrim shumica e përdoruesve, thjeshtë, kyçen përmes llogarive të tyre shumë të rëndësishme ku kanë shumë të dhëna personale si Google ose Facebook gjë që, varësisht nga ofruesit e shërbimeve, me këtë akt jepet e drejta për qasjen dhe kopjimin e të dhënave të ndryshme nga profili personal
    3. dhënia e lejes për qasje në llogarinë tuaj qoftë në Facebook, Google ose llogaritë tjera për të pasur mundësi shkarkimi të ndonjë aplikacioni për kompjuter apo celularë të mençur lejon ofruesit e këtyre shtesave që me lejen e përdoruesit t’i qasen dhe të kopjojnë të dhënat personale.
  2. Rreziku nga të tjerët. Rrjetet sociale dhe bazat për ruajtjen e të dhënave nëpër re janë shembull të mrekullueshëm për të ilustruar këtë lloj rreziku. Në rrjetet sociale, të gjithë shokët në listën tuaj kanë qasje tek të dhënat tuaja, kuptohet gjithçka varet nga privilegjet që ju u keni dhënë, por në fund dikush më pak e dikush më shumë mund t’i qaset disa të dhënave. Në rast pakujdesie të njërit nga „shokët“ në listë dhe dhënia dhe lejes, nga ana e tij/saj, së një aplikacioni për t’iu qasur kontos së tij/saj, njëkohësisht mundëson jo vetëm mbledhjen e informacioneve të tij/saj, por edhe të të dhënave tuaja për të cilat „shoku“ ka mundësi qasjeje. Në anën tjetër meqë shërbimet në re janë shërbime globale me qasje të mrekullueshme, me shpenzime të ulëta për kompanitë e vogla dhe të mesme, shumë nga kompanitë e vogla dhe të mesme kanë kaluar në re duke iu shmangur instalimit të serverëve dhe strukturave personale për ruajtjen e të dhënave. Një kompani e tillë mund të jetë ajo e mjekut personal ku janë të regjistruara të dhënat të cilat ruhen në bazat e të dhënave në internet.
  3. Rreziku i keqpërdorimit të të dhënave nga ana e vetë kompanisë e cila ofron shërbimin. Ky lloj i rrezikut është shumë i përhapur madje edhe ndër kompanitë e njohura në botë si për shembull Facebook [1] ku kompania nuk gris të dhënat tuaja edhe pasi të keni grisur profilin për publik. Të dhënat tuaja mbeten „përgjithmonë“ në bazat e të dhënave të kësaj kompanie dhe shfrytëzohen për interesa të ndryshme të kompanisë. Për më shumë, të gjitha kompanitë të cilat „jetojnë“ nga të dhënat e konsumatorëve përveç që përmes mekanizmave të tyre ofrojnë sugjerime për shfrytëzimin më efikas të shërbimit/shërbimeve, bëjnë edhe nxitje në shitjen e produkteve të tyre edhe atë duke nxitur në blerjen e atyre shërbimeve/produkteve të cilat përputhen me dëshirat tuaj. Ky lloj veprimi paraqet një shpëlarje truri që vije si pasojë e ngjashmërisë së interesave të përdoruesit me ofertën e përpiluar në bazë të një paraplanifikimi. Lloj tjetër i rrezikut nga kompanitë është shitja e të dhënave qoftë përmes aktit të fshehtë, qoftë përmes aktit të hapur. Në këtë rast shitja përmes aktit të hapur është një shitje e lejuar ligjshëm por që mund të mos përputhet me interesat e shfrytëzuesit. Ky lloj rreziku paraqitet në raste kur kompanitë e ndryshme të vogla e të mesme blihen nga kompanitë tjera më të mëdha dhe të dhënat blihen si pjesë e paketës së ofruar edhe atë pa konsultuar konsumatorët dhe pa u dhënë mundësi që konsumatori fillimisht të ketë mundësi për të grisur të dhënat personale.
  4. Rreziku nga pala e tretë. Interneti është një ambient i hapur i cili gjithmonë ka vrima përmes së cilave mund të depërtojnë të gjithë. Shpeshherë këtë mundësi e shfrytëzojnë njerëzit e ndryshëm për të kopjuar të dhënat nga kompanitë e ndryshme. Pra, edhe akti i shpërndarjes së të dhënave tek kompanitë e besueshme paraqet rrezik meqë edhe ato mund të sulmohen nga palët e treta dhe të humbin të dhënat. Raste të tilla ndodhin vazhdimisht ku shërbime të ndryshme në internet ose edhe nga ato që ofrojnë qasje të ndryshme pësojnë sulme dhe ndeshen me humbje të privatësisë së të dhënave të konsumatorëve të tyre. Raste më të njohura të paraqitura kohëve të fundit janë: rasti i kompanisë Sony [2], kompania për mbështetje rezerve të të dhënave Carbonite [3], e të tjera [4].
  5. Rreziku i shfrytëzimit të të dhënave për të ndërtuar „profile të nevojshme“ ose „profile të mundshme“. Ky lloj veprimi realizohet si nga persona privat po ashtu edhe nga kompani të ndryshme, organizata e madje edhe nga shtete në botë. „Profile të mundshme” zakonisht vlerësohen ato profile të cilat përmbajnë të dhëna nga të cilat mund të gjenerohen informacione të cilat mundësojnë vlerësimin e personit si të rrezikshëm ose/dhe ndonjë lloj tjetër tipi. Ky lloj ngatërrimi zakonisht vije si pasojë e mundësisë së interpretimit të ndryshëm të të dhënave [5]. „Profile të nevojshme“ janë ato profile të cilat përmbajnë të dhënat të cilat „plotësojnë kushtet“ që palët e treta të arrin qëllimin e caktuar qoftë për vjedhje identiteti ose për akuzime të ndryshme.[6]

Përmbledhje

Të dhënat personale të të gjithë njerëzve të cilët jetojnë në vendet e zhvilluara dhe në zhvillim gjenden në një pike të cilës mund t’i qasemi ne dhe të tjerët nga së largu. Kjo qasje mund të jetë e lejuar apo edhe e pa lejuar. Edhe ai i cili ndoshta asnjëherë nuk është ulur para kompjuterit ka një profil i cili ruhet në bazat e teknologjive informative qoftë nga spitali ku ka lindur, qoftë nga vet shteti i cili ruan të dhënat bazë. Kësaj nuk mundemi t’i shmangemi asnjëri ne sepse ky veprim realizohet nga palët tjera të autorizuara. Madje këto pale janë të autorizuara “ku t’i teket” t’i ruajnë të dhënat mbi ne. Sidoqoftë, kjo i përfshinë të gjithë kështu që nuk duhet ta kemi dert meqë nuk jemi të vetmit. Ajo për të cilën duhet të mendojmë më shumë janë aktivitetet tona të cilat i realizojmë çdo ditë ose disa here në javë në kompjuter me qasje në botën virtuale. Ikja nga ndërtimi i një profili në internet thuajse është e pa mundur, kuptohet nëse duam të jemi aktiv. Madje edhe nëse qasemi nga kompjuterë të ndryshëm të huaj vetë rutina jonë, regjistrimet dhe shkrimet tona na tradhtojnë dhe mundësojnë ndërtimin e profilit tonë. Pra, të jesh aktiv do të thotë të jesh profil virtual i kapshëm nga shumë pale.

E vetmja gjë që na mbetet ne është kujdesi mbi veten tone. Kujdesi mbi shëndetin e profilit tonë virtual. Ne duhet të jemi gjatë gjithë kohës vigjilentë për të dhënat tona dhe për përhapjen e tyre në hapësirën e pa fund me qasje thuajse të pa kufizuar nga persona të pa njohur dhe me qëllime të ndryshme. Kështu që sa më pak informacione ofrojmë aq më mire është për ne. Nëse ndonjë shërbim mund të arrihet përmes mundit personal, atëherë më e pranueshme është që të shfrytëzohet mundi personal për të konsumuar shërbimin se sa shkëmbimi i tij me të dhënat personale.

Referencat

[1] Dennis O’Reilly (28 Mars 2011), Privacy: Facebook’s Achilles heel, së fundi vizituar më 15 Maj 2014 tek nyja: http://www.cnet.com/news/privacy-facebooks-achilles-heel/
[2] BBC (11 Maj, 2011), Sony warns of almost 25 million extra user detail theft, së fundi vizituar më 15 Maj 2014 tek nyja: http://www.bbc.com/news/technology-13256817
[3] Robin Wauters (23 Maj 2009), Online Backup Company Carbonite Loses Customers’ Data, Blames And Sues Suppliers (Updated), së fundi vizituar më 15 Maj 2014 tek nyja: http://techcrunch.com/2009/03/23/online-backup-company-carbonite-loses-customers-data-blames-and-sues-suppliers/
[4] Mary Helen Miller (04 Maj 2011), Data theft: Top 5 most expensive data breaches, së fundi vizituar më 16 Maj 2014 tek nyja: http://www.csmonitor.com/Business/2011/0504/Data-theft-Top-5-most-expensive-data-breaches/5.-US-Veterans-Affairs-25-30-million
[5] Mike Riggs (1 Gusht 2013), Innocent Couple Visited by Feds Cops After Google Searching for Backpacks and Pressure Cookers (Now With Updates!), së fundi vizituar më 16 Maj 2014 tek nyja: http://reason.com/blog/2013/08/01/innocent-couple-gets-visited-by-feds-aft
[6] Mark Sweney (20 Mars, 2013),Facebook users risk identity theft, says famous ex-conman, së fundi vizituar më 16 Maj 2014 tek nyja: http://www.theguardian.com/media/2013/mar/20/facebook-risks-identity-theft-frank-abagnale

Komentet nga Facebook:

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *