RECENSIM I LIBRIT “MARKENTINGU – qasje shkencore islame” nga autor Mr. Skender Mustafi

Shkruan: Jusuf ZIMERI

“Dijetari mes të pa diturve, është si i gjalli mes të vdekurve” Muhamedi a.s., kurse në një rast tjetër thoshte: “Lidhne diturinë, përmes shkrimit”. Muhamedi a.s.

“Kush shkruan, përfiton më shumë se ata që lexojnë” thoshte Sami Bej Frashëri ynë, kurse “Një dhomë pa libra është si një trup pa shpirt”, do të thoshte Ciceroni. Në një studim të bërë në vendet e huaja kam rastisur të lexoj se “Leximi, është Ilaçi më efikas dhe më efektiv kundër depresionit (sëmundje bashkëkohore nga e cila po vuan bota) se sa të gjitha medikamentet antidepresiv tjerë.

Të nderuar të pranishëm,

Kam nderin dhe ndihem i privilegjuar që sot më është dhënë rasti që para jush të them disa fjali rreth vlerësimit të librit “Marketingu – qasje shkencore islame” e autorit Mr. Skender Mustafi.

 Të nderuar të pranishëm,

Fillimisht më duhet patjetër të paraqesë zgjuarsinë e autorit, i cili me shkathtësi  të veçantë kishte vrojtuar zbrazëtirën e kësaj fushe shkencore, ai ishte i motivuar që me profesionalizmin e tij të kontribuoj në këtë lëmi, edhe pse ishte i vetëdijshëm se do të ballafaqohet me peripeci dhe sfida këmbëngulësia e tij ngadhënjeu dhe nxori në dritë një vepër si kjo, që ishte nevojë imanente e lexuesit shqipfolës.

Gjithashtu jam i mendimit se ky punim u paraqit në skenë pikërisht në kohën dhe momentin e duhur, sepse po të ishte azhurnuar më tutje, sigurisht se do të zbehej edhe autenticiteti i materies që përfshinë kjo vepër.

Të nderuar të pranishëm

Nëse bëjmë një vështrim më preciz të këtij punimi, shohim se autori përmes kësaj vepre në mënyrë eksplicite konkretizon, aktualizon dhe afirmon dimensionin kozmopolit të islamit si sistem hyjnor i sistemuar nga All-llahut xh. sh.

Në rastin konkret përmes këtij punimi autori promovon parime të përgjithshme shkencore të marketingut dhe, poashtu duke i bërë  edhe një qasje shkencore islame në mënyrë komplementare e jo provokative, autori nxjerr në pah edhe dimensionin pragmatik të jurisprudencës islame, që trajton fushën e marketingut, e që aq pak është i njohur në trevat tona për mos të thënë aspak.

Mendoj se kjo vepër do të zgjojë interes  dhe të motivoj të gjithë lexuesit e përgjithshëm por, enkas do të motivoj studiuesit e shkencave ekonomike, marketingut, biznesit etj.

Vlerësoj kështu, ngase autori përmes argumenteve që i paraqet në këtë vepër, thyen stereotipat se vlefshmëria e islamit është e kufizuar në kohë dhe hapësirë, prandaj jam shumë thellë i bindur se leximi me vëmendje dhe me koncentrim të plotë të kësaj vepre, shkarkon dhe flakë lexuesin nga çdo lloj paragjykimi çfarëdo lloji qoftë ai, dhe e kthen në botën e realitetit.

Andaj, lexuesi shqipfolës në këtë vepër nga lëmi i marketingut, jo vetëm që do të pajiset me njohuri bazore, ngase përmes kësaj vepre autori sikur që në mënyrë të tërthortë hap shtigjet dhe njëkohësisht nxitë dhe inkurajon edhe studiuesit tjerë të kësaj lëmie që t’i qasen me seriozitet kësaj pune, ngase kjo është një fushë e gjerë e studimit ku ka pozicion për të gjithë studiuesit. Autori për asnjë moment nuk ka përdorur pikën, si shenjë përfundimit të studimit, por gjithnjë ka lënë hapur këtë fushë për studime.

Të nderuar të pranishëm

Autori Skender Mustafi në këtë punim shkencore, parqet edhe përkufizimet e dijetarëve më eminent të kësaj fushe, që marketingun e përkufizuan duke thënë “marketingu identifikon nevoja dhe dëshira të pa plotësuara të konsumatorëve, definon, matë dhe vlerëson madhësinë e tregut të identifikuar dhe potencialin e përfitimit të ndërmarrjeve” (Filip Kotler), mirëpo autori nuk ndalet në këtë, ai me studimet e tij argumenton dhe dëshmon se qasja shkencore e islamit, respektivisht Kur’ani si burim hyjnor jo vetëm që lejon marketingun por e nxitë zhvillimin e marketingut dhe biznesit.

Qasja islame ndaj marketingun nuk është në kundërshtim me idenë e maksimizimit të vlerës dhe zhvillimit inovativ të biznesit, përkundrazi islami nxitë në maksimizimin e vlerës, si në interes të ndërmarrjes ashtu edhe në interes të konsumatorit dhe shoqërisë në përgjithësi, siç thekson edhe vetë autori, por detyrimisht veprimtaria duhet të jetë brena kufijve të drejtësisë, barazisë dhe vlerave etike.

Qëllimi i marketingut në islam nuk është vetëm shfrytëzimi maksimal i interesit material të jetës së kësaj bote, sepse besimtari islam veprimtarinë e tij, përfshirë këtu edhe biznesin e ngritë mbi bazën e përgjithësisë së dyfishtë, përgjegjësisë në jetën e kësaj bote dhe të botës tjetër. Prandaj, mashtrimi, gënjeshtra, nuk guxojnë të jenë pjesë e veprimtarisë së një besimtari islam. Ata që mashtrimin, gënjeshtrën, padrejtësinë etj, e përdorin në veprimtarin e tyre për interesa mediokre materiale të jetës së kësaj bote, mësuesi i njerëzisë Muhamedi a.s. i trajtoi si njerëz që duhet izoluar nga shoqëria e shëndoshë duke thënë: Ai që na mashtron, nuk është me ne”.

Koncepti i veprimtarisë së myslimanit në të gjitha poret e jetës, e edhe në fushën e marketingut dhe biznesit ndërtohet mbi bazën e hulumtimit të së pastrës, shëndetshmes, që në terminologjinë islame e quajmë Hallall. Prandaj të nderuar të pranishëm, autori tërë këto problematika me një mjeshtri dhe urtësi të lartë dhe profesionalizëm të mirëfilltë i shtjellon në veprën e tij duke i mbështetur me argumente shkencore, islame dhe racionale.

 Të nderuar të pranishëm,

Autori përmes shpjegimeve të tij që i bënë në këtë libër nxitë edhe ndërmarrjet tona që të jenë më kreativ me veprimtarinë e tyre për një ngritje të ndershme ekonomike, sepse këtë e sheh edhe si pasuri kombëtare e fetare, por në spikamë gjithnjë ka interesin konsumatorit i cili pak a shumë është i pa mbrojtur dhe më i ekspozuar ndaj rreziqeve dhe dëmeve.  Në vazhdimësi nxitë edhe ndërmarrje edhe konsumatorin për një proces të drejtë, të ndershëm, moral me vlera të shumëfishta për zhvillimin e biznesit komfor vlerave  morale.

Kjo vërtetohet me faktin se autori në punimin e tij, flet për disa ndërmarrje tregtare shqiptare, por në anën tjetër flet edhe për rëndësinë dhe vlerat e kontrollimit dhe inspektimit të tregut. Në këtë fushë autori si rast studimor fletë për agjensionin për standandart Hallall në kuadër të BFI-së, e cila është edhe anëtare e organizatës botërore GIMDESH me seli në Turqi, ku përshkruan rolin e kësaj organizate në ruajtjen e vlerave fetare dhe shëndetësore të konsumatorit dhe prodhuesit.

 Të nderuar të pranishëm,

Mos të harroj të theksoj edhe një kriter tjetër që autori nuk e ka anashkaluar për asnjë moment, e që është se autori nuk ka mbushur faqet e librit vetëm me teori dhe shpjegime retorike, porse të gjitha teoritë me një mjeshtri të lartë i paraqet dhe shpjegon përmes skemave figurative, të cilat dëshmojnë për vepër bashkëkohore me kritere moderne. Përmes këtyre skemave autori përveç se thyen monotoninë  e lexuesit, ai bënë edhe sqarime shumë të qarta që ndihmojnë lexuesin në kuptimin e asaj që është thënë.

Për në fund të nderuar të pranishëm, sado që të mundohem të vlerësoj këtë vepër, sërish fjalët janë të mangëta sepse autori paraqet profesionalizëm andaj ju ftoj ta lexoni me vëmendje dhe koncentrik dhe të  kemi dobi prej tij. Le të jetë kjo një vepër nxitëse dhe motivuese edhe për studiuesit tjerë, kurse ne ju falënderojmë juve për prezencën tuaj, për kohën e shtrenjtë që na e dhuruat, e autorit i dëshirojmë suksese shëndet dhe të mira në jetën e kësaj bote dhe botës tjetër.

Po e  përfundoj me bindjen se librat janë mrekulli në vete,  të lejojnë të udhëtosh nëpër botë pa e lëvizur këmbën”.

Prandaj, mendja e një kombi është arsimi, zemra e tij, morali i përgjithshëm.

Ju falënderim për vëmendjen dhe respektin që treguat, Zoti ju bekoftë

We selamu alejkum.

Jusuf Zimeri.

Po këto i keni lexuar?