Shitblerja me këste nga aspekti shkencor Islam

1

Autor: Jusuf ZIMERI

jusufKontrata e shitblerjes më këste është një ndër kontratat e shitblerjes thuajse më të përhapura në kohën bashkëkohore. Kjo vjen si rezultat i konkurrencës së tregut në njërën anë, dhe ndoshta si rezultat i rënies së faktorit blerës në anën tjetër. Kjo kontratë në kohën bashkëkohore trajtohet si në nivelin e individual, ashtu edhe në nivel të kompanive, ngase këtë formë të shitblerjes shumë kompani e konsiderojnë si mjet për të bërë përfitime dhe si i tillë konsiderohet një mjet i fuqishëm i financës moderne.

Në kontratën e shitblerjes me këste ekzistojnë dobi të dy palëve, ngase shitësi shtonë nivelin e shitjes edhe në momentin kur blerësi nuk posedon mjete për ta blerë për momentin, atëherë e shet përmes kontratës ku pagesa rregullohet me këste, kurse blerësi përmes kësaj kontrate arrin që të blejë një send edhe në rastet kur të ardhurat e tij mujore nuk ia mundësojnë blerjen e sendit me pagesë kesh.

Kontrata e shitblerjes me këste që sot edhe në literaturën islame njihet me nocionin “bej’u et-teksit” në të kaluarën, te fukahat e vjetër nuk njihet me këtë terminologji në literaturën e jurisprudencës islame, mirëpo njihej me termin “shitblerja me afat-bej’ul axhal”.

Megjithatë nëse bëjmë një studim më të hollësishëm në terminologjinë e këtyre dy termave, “bej’ul axhalshitblerja me afat të caktuar dhe termit “bej’u et-teksitshitblerja me këste, vërejmë shitblerja me këste është pjesë e shitblerjes me afat të caktuar, që nënkupton se kjo kontratë te dijetarët e mëhershëm islamë është më gjithëpërfshirëse se sa kontrata me këste. Te kontrata e shitblerjes me afat të caktuar bëhet fjalë kur shitësi shet sendit, kurse blerësi duhet të bëjë pagesën në një afat të caktuar, porse pagesa bëhet tërësishme, kurse te kontrata e shitblerjes me këste, pagesa bëhet përmes kësteve pavarësisht nga koha e kufizuar e kësteve dhe numri i tyre, gjithashtu nuk ka rëndësi se a janë të gjitha këstet të barabarta në sasi apo jo.

Me nocionin “teksit – këste” në terminologjinë e juristëve islamë nënkuptojmë: ndarjen e borxhit në pjesë të caktuara e të njohura që të paguhen në kohë të njohur dhe të kufizuar. Për këtë arsye në shpjegimin e mexhele el adlije gjejmë se nocioni “et-teksit-këst” definohet: Shtyrja e pagesës së borxhit e ndarë në pjesë që do të paguhet në intervale kohore përcaktuar dhe të njohura”[1] , kurse shitblerja me këste definohet: Kontratë e shitblerjes (që sendi i shitur dorëzohet menjëherë), kurse pagesa bëhet me vonesë, e ndarë në këste në caktuara dhe në kohë të caktuar”[2]

Qëndrimi i juristëve islam rreth shitblerjes me këste

Në esencë shitblerja me pagesë të afatizuar apo siç njihet në opinionin tonë me pritje është kontratë e lejuar. Edhe te kjo kontratë kushtëzohet po ato kushte që kushtëzohen te kontrata e shitblerjes së rëndomtë, por ajo që duhet pasur parasysh gjithnjë te kontrata e shitblerjes me afat të caktuar apo me këste është që nga ajo kontratë të largohet mundësia e kamatës- fajdes, sepse ky veprim është i ndaluar.

Argument për lejimin e shitblerjes me afat, është ajërti kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ إِذَا تَدَايَنتُم بِدَيْنٍ إِلَى أَجَلٍ مُّسَمًّى فَاكْتُبُوهُ

“O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë.”[3] Me qenë se shitblerja me afat, nënkuptonë marrjen e sendit të blerë, kurse pagesa të bëhet me vonesë, dhe si e tillë ngelë borxh për blerësin, e borxhi është i lejuar me këtë argument, atëherë konstatojmë se shitblerja me afat është e lejuar. Në anën tjetër, Allahu xh.sh. në një ajetin tjetër thotë:

وَأَحَلَّ اللَّهُ الْبَيْعَ وَحَرَّمَ الرِّبَا

“Allahu e ka lejuar shitblerjen dhe e ka ndaluar kamatën.”[4] Ky ajet është gjithëpërfshirës që nënkupton se i përfshinë të gjitha llojet e shitblerjeve, përveç atyre që janë të ndaluara me argument, e kjo qartë tregon se shitblerja me afat është veprim i lejuar ngase nuk kemi argument të qartë që përjashton këtë lloj të shitblerjes nga universalja e ajetit.

 Argument nga sunneti i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme për lejimin e shitblerjes me afat, kemi transmetimin nga Aisheja r.a. e cila ka thënë: “I Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme nga një çifut kishte blerë ushqim me afat, e për këtë peng kishte lënë mburojën e tij”[5]

Juristët islamë në bazë të kësaj janë të mendimit se pagesa e cila bëhet me afat, mund edhe të ndahet në këste, për ta lehtësuar mënyrën e pagesës. Në këtë rast nuk ka rëndësi se pagesa bëhet me këste apo e menjëhershme, ngase ajo që është me rëndësi është që afati i pagesës të jetë i ditur si dhe sasia e pagesës. Pra, nëse pagesa ndahet në këste, atëherë duhet të përcaktohet edhe sasia e pagesës edhe afati i këstit për tu paguar.

Rritja e çmimit në pagesën me këste

Çështja e shitblerjes me këste me shtim të vlerës, është një çështje që dijetarët islamë e kanë shkoqitur si në të kaluarën ashtu edhe te dijetarët bashkëkohorë. Në hulumtimin për qëndrimet e tyre ndaj kësaj kontrate, gjejmë se ata janë të ndarë në dy mendime[6], në rastin kur në shitblerjen me këste bëhet edhe rritja e çmimit, ky veprim a është i lejuar sipas normave islame apo jo.

Mendimi i parë:

Ky mendim përfaqësohet nga disa dijetarë nga medhhebi shafij, nga një transmetim nga medhhebi hanbelij dhe disa të tjerë, që janë të mendimit se shtimi i çmimit në rastin e lidhjes së kontratës së shitblerjes me këste është veprim i ndaluar. Këta dijetarë janë të mendimit se rritja e çmimin në krahasim me kohën, është kamatë (interes), ose më e pakta që mund të thuhet se ka ngjashëm me kamatën.

Argument ku mbështet ky mendim është transmetimi se nga Ebu Hurejrete se Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka ndaluar të bëhen dy shitblerje në një shitblerje[7] Këtë hadith dijetarët në fjalë e komentuan duke thënë se bëhet fjalë për shitje të një sendi me dy çmime, kur thuhet: po ta shes këtë send me para kesh dhjetë 100 Lekë, kurse me pritje 150 Lekë. Këtu ka paqartësi dhe rrezik, për shkak të mos definimit të çmimit që mund të shpije drejt mosmarrëveshjeve.

Imam Neveviju në sqarimin e këtij hadithi thotë: disa dijetarë janë të mendimit se kuptimi i hadihit të transmetuar nga Ebu Hurejre ku thuhet “dy shitblerje në një shitblerje” e kanë kuptuar se bëhet fjalë për rastin kur shitësi i thotë blerësit: ta shes këtë send për 10 Lekë me lekë në dorë, e për 20 me pritje, me këste, e ai nuk përcaktohet për njërën ofertë, atëherë shitblerja është e pavlefshme, e nëse përcaktohet për njërën ofertë, atëherë s’ka kurrfarë të keqe, dhe kontrata zbatohet sipas marrëveshjes.[8]

Dijetarët e mendimit të dytë kishin parasysh këtë hadith në fjalë, dhe për këtë dhanë përgjigje duke thënë se hadithi i lartpërmendur ku “ndalon dy shitblerje me një shitblerje me shitblerjen me këste përputhet vetëm në formën kur thotë: Ky send kushton kaq me afat, dhe kaq kushton me pagesë të menjëhershme – kesh. Mirëpo në këtë rast nuk donë të thotë se kemi dy kontrata, por kemi vetëm dy oferta, e blerësi përcaktohet për njërën, e në momentin kur përcaktohet, ai përcaktohet për njërën formë të ofertës e jo për të dy format, që nënkupton se edhe për rreth faktit se kemi dy oferta, kemi vetëm një kontratë

Mendimi i dytë:

Mendimi i dytë i përfaqësuar nga shumica dërmuese e juristëve islam (xhumhuri) nga medhhebi hanefij[9], malikij[10], shafiij dhe hanbelij,[11], nga shumica e muhadithinëve si dhe nga shumica dërmuese e dijetarëve bashkëkohorë[12] islamë janë të mendimit se, lejohet rritja e çmimit në rastin e lidhjes së kontratë së shitblerjes me këste, nëse palët kontraktu-ese në kontratën e tyre kanë përcaktuar sasinë e këstit dhe kanë kufizuar kohën e pagesës[13].

Argumentet ku mbështet mendimi i dijetarëve që lejojnë shitblerjen me këste me rritje të çmimin, në krahasim me atë nëse çmimi bëhet i menjëhershëm, janë; Nga Kur’ani Famëlartë mbështeten në ajetin kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:

وَأَحَلَّ اللَّهُ الْبَيْعَ وَحَرَّمَ الرِّبَا

“Allahu e ka lejuar shitblerjen dhe e ka ndaluar kamatën.”[14] Nga ajeti nënkuptohet se Allahu xh.sh. e ka lejuar shitblerjen në formë të përgjithshme, pavarësisht se pagesa bëhet kesh, apo me afat apo me këste.

Imam Taberiu në tefsirin e tij[15], shpjegon se ky ajet ka zbritur si përgjigje ndaj atyre që thanë se shitblerja me afat është një lloj si kamata, andaj është e palogjikshme që të ndalohet kamata e të lejohet shitblerja me afat.

Imam Taberiu thotë, përmes këtij ajeti nënkuptohet qartë se All-llahu xh.sh. e ka lejuar fitimin në tregti në shitje dhe blerje, por e ka ndaluar kamatën, që nënkupton shtimin e kushtëzuar në kontratën e shitblerjes si gjobë për shkak të vonesës së pagesës. Të dy shtimet, shtimi i çmimit dhe shtimi i kamatës në këtë rast nuk janë njëlloj, Allahu xh.sh. ka ndaluar atë shtim që bëhet për shkak të vonesës si gjobë, e që quhet kamatë, dhe e ka lejuar shtimin në shitblerjen me afat.[16]

Me këtë interpretim që e bënë imam Taberiu, sqaron dallimin mes dy çështjeve që është se shitblerja është realizim i nevojës, kurse kamata është e pa nevojshme, krim dhe fitim i pasurisë pa mundi.[17]

Argument nga suneti i pejgamberit Alejhis-selam për lejimin e shitblerjes me këste me çmim të rritur, është edhe transmetimi nga Abdullah b. Amr b. Asi të cilin i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme e kishte urdhëruar që ta përgatisë ushtrinë për në luftë, e atij nuk i dilnin devetë, andaj blinte një deve për ti kthyer dy sosh në afatin e caktuar.[18] Nga ky hadith qartë nënkuptohet dhe argumentohet lejimi i shitblerjes me afat me shtim të pagesës, për dallim nga pagesa e cila bëhet kesh- e menjëhershme.

Nga kjo nënkuptohet se nëse dikush e blenë një makinë, apo ndonjë kafshë, ose diçka nga orenditë shtëpiake, që pagesën ta bëjë me vonesë për gjashtë muaj ose një vit p.sh. kjo kontratë është e lejuar, pikërisht duke u mbështetur në hadithin e Aishes r.a.: “I Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme nga një çifut kishte blerë ushqim me afat, e për këtë peng kishte lënë mburojën e tij”[19]

Shikuar nga aspekti racional, kjo kontratë është e dobishme për të dy palët, e dobishme për shitësin ngase në të ka fitim, e për blerësin sepse për të ka një lehtësim, saqë po të mos ishte ky lehtësim, ai nuk do të arrinte të blejë sendet e nevojshme me para kesh[20]. Andaj ndalimi i kësaj kontrate shpien në vështirësi njerëzit, që është në kundërshtim me parimet e legjislaturës islame.

Ky lloj i shitblerjes nuk është i ndaluar pavarësisht se pagesa me vonesë bëhet me shtim apo pa shtim të çmimit, ngase shprehja është e përgjithshme (mutlaka) dhe ajo nuk mund të kushtëzohet derisa nuk ekziston argument për ta kushtëzuar.[21]

Në kontratën e shitblerjes me këste me çmim të shtuar nuk mund të themi se ekziston kamatë, sepse në këtë lloj të kontratës bëhet fjalë për këmbim të dy mallrave të ndryshëm mes veti, sepse kamat zakonisht realizohet në këmbimin e dy mallrave nga i njëjti lloj.[22]

Argument nga analogjia (kijasi) ku mbështet ky mendim është analogjia e shitblerjes me këste me rritje të çmimit, me kontratën e shitblerjes me parapagim edhe pse në këtë rast është e kundërta e kontratës së shitblerjes me parapagim.

Kontrata e shitblerjes me këste me çmim të shtuar nuk është pa këmbim, por është në këmbim të sendit të shitur dhe çmimi është përfundimisht i përcaktuar sepse ai nuk shtohet me shtimin e kohës, andaj edhe nuk konsiderohet kamatë.

Është interesant mendimi i një studiuesi islam bashkëkohor Tekij Uthmani[23] që është njohës shumë i mirë i kësaj çështjeje, i cili në punimin e tij që e paraqiti në konferencën e gjashtë të Akademisë së Fikhut në Xhede, i cili gjatë elaborimit të kësaj çështjeje, përveç tjerash thotë: Nga studimi që kemi bërë në këtë lëmi nuk kemi hasur në ndonjë pengesë që ndalon faktin se shitësi ka paraqitur dy oferta, sikur të ketë thënë: Ta shita këtë send për 8 (tetë) Euro, nëse e paguan në dorë, e nëse e paguan me kësta ta shita 10 (dhjetë) Euro. Mirëpo ky parashtron edhe një formë tjetër kur thotë: A lejohet që shitësi të parashtroj më shumë se dy oferta, sikur të thotë: Ta shes këtë send për tetë Euro, nëse e paguan kesh, ta shes për dhjetë Euro nëse e paguan për tre muaj, ta shes dymbëdhjetë Euro nëse e paguan për gjashtë muaj.

Ky dijetar është i mendimit se edhe pse kjo formë nuk është trajtuar nga fukahat e mëparshëm, mendon se edhe kjo formë e paraqitjes së ofertës është e lejuar. Mendimin e tij e ngritë mbi faktin se, nëse lejohen ndryshime në çmim me pagesën kesh dhe në pagesën me këste, atëherë lejohet edhe dallimi me përcaktimin e kësteve, sepse rastet janë të njëjta.[24]

Në fetvanë e akademisë së fetvave në Egjipt thuhet: lejohet kontrata e shitblerjes me këste me çmim më të lartë në krahasim me çmimin që paguhet kesh, sepse marrja e pagesës kesh jep mundësi shitësit që ti shfrytëzojë menjëherë në tregti, andaj lejohet shitblerja me këste dhe rritja e çmimit në proporcion me kohën e ditur, sepse këtu qëndron edhe fitimi. Ky lloj i kontratës konsiderohet nga kontratat e shitblerjes së lejuar sipas islamit, sepse realisht edhe nëse koha nuk është pasuri drejtpërdrejtë, ajo konsiderohet element ku bëhet fitimi.[25]

Është me rëndësi të potencohet edhe fakti se juristët islamë që kanë lejuar këtë lloj të shitblerjes me këste, nuk lanë pa theksuar faktin se shitësi me këste, me çmim të rritur nuk është mirë që ta keqpërdorë këtë lloj shitje duke rritur çmimin pa masë, sepse një veprim i tillë është i urryer.  Ngritja e çmimit të tepruar jo vetëm që konsumatorët i hedh në vështirësi, por edhe vetë akti i blerjes e humbë bereqetin dhe mirësinë e saj, sepse bereqeti në shitblerje fshehët në rastin kur edhe shitësi është i kënaqur por edhe blerësi.

Referencat

[1] Durerul hukam sherh mexhel-letul ahkam 1/280, f.280, Neni 188.
[2] Po aty.
[3] Suretu el Bekare : 282
[4] Suretu el bekare : 275
[5] Buhari Muslim.
[6] Shkaku i mospajtimit të dijetarëve mes veti në këtë çështje qëndron në faktin se rritja e çmimit në kontratën e shitblerjes me këste, a konsiderohet kamatë apo jo. Pra, kjo rritje e çmimit për shkak të afatit të pagesës a është një lloj sikur rritje e çmimit të borxhit, apo nuk është e njëjtë. Ata që konsiderojnë se është e njëjtë sikur rritje e çmimi të borxhit e kanë ndaluar këtë kontratë të shitblerjes, kurse ata që janë të mendimit se kjo rritje nuk është e njëjtë sikur rritja e çmimi të borxhit, e kanë lejuar këtë kontratë.
[7] Termidhiu, Nisaiju dhe Bejhekiu
[8] Xhamiu el Imam Et-Termidhi,, kitabul buju,  hadithi 1331,- Muhamed Tekij el Uthmanim buhuthun fi kadaja fikhije muasire, bot tretë f. 12.
[9] Sherh Fet’hul Kadir 7/7 bedaiu senai 5/187.
[10] El muvafekat 3/88 – bidajetul muxhtehid 2/154
[11] Dr. Vehbe Zuhejli, el muamelat el malijetu el muasire, f.316
[12] Dijetarët eminent bashkëkohorë që lejuan këtë lloj të kontratës së shitblerjes siç janë: Slih Fevzani, Dr. Alij Es-Salusi,  Dr. Vehjbe Zuhejli, Dr. Alij Karahdagi,, Shej Muhamed Safvet Nurudin, e shumë të tjerë.
[13] Muhamed Tekij el Uthmanim, buhuthun fi kadaja fikhije muasire, bot tretë f. 12, – Darul ifta el misrije, hukmu bej’i taksit mea zijadeti eth-themen.
[14] Suretu el bekare : 275
[15] Xhamilu bejan an Te’vili aje el Kur’an, Et-Taberiu.
[16] Taberiu, Xhamiul Bejan fi tefsiril Kur’an, 6/14.
[17] Dr. Vehbe Zuhejli, el muamelat el malijetu el muasire, f.322
[18] Ebu Davudi.
[19] Buhari Muslim.
[20] Sead b. Turki el Hathlani, fikhul muamelat el malijetu el muasire, f.106.
[21] Dr. Vehbe Zuhejli, el muamelat el malijetu el muasire, f.317
[22] Po aty, f. 318
[23] Shejh Muhamed Tekij Uthman ka lindur në Indi, në një fshat të quajtur Djuben në vitin 1943. Rrjedhte nga një familje dijetarësh të mëdhenj, ishte djali i muftiut Muhamed Shefi ibn Muhamed Jasin.Kur prindi i tij Muhamed Shefi, ishte nisur në mbrojtje të atdheut në Pakistan, me veti e kishte marrë edhe birin e tij Muhamed Tekij Uthmanin që ishte në moshën 5 vjeçare. Mësimet e para i kishte marrë në vendlindje, pastaj kishte vazhduar studimin e  akides, tefsirit, fikhut, usuli fikhut,dhe letërsisë arabe. Më pas kishte studjuar shkencat ekonomike dhe politike ku ishte pajisur me diplomë magjistrature nga Universiteti i Karaçes. Tekij Uthmani, krahas shumë funksioneve të larta që ushtronte, kishte arritur të shkruaj dhe botojë mbi 50 vepra. Ai shkruan në tri gjuhë, arabisht, urdisht dhe anglisht.
[24]Muhamed Tekij el Uthmanim buhuthun fi kadaja fikhije muasire, bot tretë f. 14.
[25] http://www.dar-alifta.org

Komentet nga Facebook:

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakRealizimi i të kuptuarit [video]
Artikulli tjetërMonopoli nga aspekti shkencor Islam
Themelues dhe mirëmbajtës i portalit “Fjalaime.ch”. BSc. i Administrimit të Biznesit dhe MSc. i Sistemeve Informative të Biznesit. Me punë dhe qendrim të përkohshëm në Zvicër, Winterthur. Studimet e mia qoftë akademike, qoftë private pasojnë sferën e ekonomsë me përqëndrim në drejtimet e menaxhimit dhe marketingut dhe teknologjisë informative me përqëndrim në shfrytëzimin e teknologjisë informative për zhvillim të biznesit..

1 Koment

  1. falemenderit per informatat por nuk e theksunit ceshtejen e marjes e parave kesh (kreditet bankare)te cilen e kthejn me kste dhe me shum me te lart nese ka MUNDESI SFARIM EDHE PER KETO RASTE TE CILAT JAN TE SHPESHTA NE RETHIN TON JU FALEMENDERIT PER MIRKUPTIM

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *