Përgatiti: Skender Mustafi

Mos mendoni se keni përfunduar me punimin kërkimor. E di që kjo tingëllon vrazhdë megjithatë ju akoma nuk jeni në një gjendje për tu kënaqur me “frytin” tuaj. Mentorët shpesh janë të çuditshëm sa i përket punimeve kërkimore. Ju mund të e keni takuar mentorin tuaj disa herë për konsultime gjatë realizimit të punimit kërkimor, megjithatë mos mendoni se jeni mirëkuptuar tërësisht. Pra, ju duhet të jepni tani maksimumin tuaj që tërë mundin që keni dhënë për realizimin e punimit të e bëni me vlerë. Thjeshtë, kjo është sikur ju prodhoni një çokollatë shumë të shijshme, përfundimi i punimit tuaj është mbështjellësi i cili ka funksion mbrojtës dhe reklamues. Nëse ju nuk arrini të e realizoni këtë pjesë me shumë kujdes dhe me shumë respekt atëherë tregtimi i produktit tuaj ka dështuar. Ju keni dështuar.

Merreni me seriozitet përfundimin e punimit tuaj. Mentorët shpesh janë të koklavitur nga përshkrimet tuaja rreth asaj se çfarë jeni duke bërë me “temën e tij” kështu që ata “lodhen” nga sqarimet tuaja dhe presin përfundimin për të kuptuar se keni vajtur ju. Mos keni merak rreth rezultateve sepse ato mund të jenë të ndryshme nga ato që i pret mentori, megjithatë ajo nuk është me rëndësi sepse ju keni realizuar kërkim shkencor dhe të arriturat bazohen në argumente të cilat as mentori nuk mund të i mposhtë. Me pak fjalë, përfundimi është kajmaku i punës suaj nga i cili mund të përfitoni shumë.

Kur ta shkruaj?
Përfundimi shkruhet në fund. Një përfundim, varësisht nga lloji i kërkimit, mund të shkruhet edhe në fillim të punës kërkimore megjithatë në ndërkohë duhet të shqyrtohet dhe përshtatet varësisht nga nevoja. Punimet për të cilat mund të shkruhet një përfundim i cili u nevojitet si udhërrëfyes janë punimet të cilat testojnë vërtetësinë e një problematike të caktuar.

Sa të shkruaj?
Nëse punimi është i shkurtër 6-7 faqesh, atëherë përfundimi kaplon diku 1/3 deri më gjysmë faqe. Nëse punimi është në përmasa më të mëdha siç janë punimet e diplomës me rreth 80-120 faqe, atëherë përfundimi mund të jetë një deri në dy faqe i gjatë. Ndodh që mentori të u kërkojë një gjatësi të caktuar (për arsye të ndryshme), ju duhet të keni kujdes që në këtë rast të mos bini preh e tentimit për të shkruar përfundim të gjatë duke harruar synimin e përfundimit. Pra, përqendrohuni në të shkruarit e përfundimit dhe pasi që të keni shkruar atë sipas sugjerimeve të ndryshme dhe duke përfshirë të gjithë elementet atëherë mund të e rishqyrtoni dhe të e zgjeroni në një masë të caktuar duke mos i humbur shkëlqimin dhe qartësinë.

Si ta shkruaj?
Përfundimi i punimit tuaj duhet të luaj rolin e një udhërrëfyesi i cili përmbledh atë që është shkruar në punim dhe e lidh atë me realitetin, kështu lexuesi i cili tanimë ka lexuar punimin dhe arrin tek përfundimi mund që me pak fjalë të i rikthehet punimit dhe njëkohësisht të shohë vlerën e tij në jetën reale. Madje punimi juaj duhet të e nxis lexuesin të mendojë rreth të arriturave tuaja në punim të cilat shtynë kërkime tjera në fushën e caktuar kërkimore. Njëkohësisht përfundimi duhet të jetë i qartë që për një profesionist në temën që ju trajtoni të jetë e mundshme që përmes përfundimit të kuptojë vlerën e punimit dhe të nxitet që të lexojë punimin për të kuptuar detajet rreth mënyrës së realizimit të kërkimit dhe grumbullimin e ndërlidhjen e të arriturave tuaja.

Çfarë duhet të përmbajë dhe çfarë jo përfundimi?
Më poshtë po u sugjeroj elementet kryesore pa të cilat përfundimi i punimit do të ishte i gjymtë. Radhitja, ndërlidhja dhe ndikimi i elementeve varet plotësisht nga mënyra ruaj e të shkruarit dhe nga tema që keni trajtuar.

  1. Paraqisni tezën tuaj
  2. Paraqisni të arriturat në problematikën e caktuar
  3. Realizoni një sintezë të asaj që keni shkruar në punim. Kini kujdes që të mos realizoni një përmbledhje duke kaluar në pikat kyçe dhe duke përsëritur ato.
  4. Mos shtoni argumente të reja të cilat nuk i keni trajtuar në temë – pavarësisht sa atraktive janë ato.
  5. Flisni mbi ndikimin e kërkimit tuaj në jetën e përditshme, në teknologjinë ose biznesin varësisht nga tema juaj.
  6. Paraqisni idetë tuaja rreth zhvillimeve në të ardhmen lidhur me temën e trajtuar.
  7. Mos shfrytëzoni referenca ose citate sepse ato u marrin hapësirë dhe përfundimi është fjala juaj dhe jo e të tjerëve. Në këtë pjesë ju keni mundësi të shpreheni (duke u bazuar nga ajo që keni mësuar gjatë realizimit të kërkimit), të shpalosni idetë tuaja rreth çështjes së trajtuar.
  8. Për të shqyrtuar nëse  argumentet i keni radhitur qartë luani lojën “E çka?”. Pra për çdo fjali pyesni veten “E çka?” dhe shihni nëse u jeni përgjigjur fjalive në një rrjedhë të pranueshme dhe të bazuar në argumentet e trajtuara në punim.

Suksese!

(Artikulli është lexuar 14210 herë…)

Komentet nga Facebook:

Komento