Zoti Ekziston

0

Shkroi: Sefer Emini

Po ti hedhim një vështrim gjendjes në të cilën ndodhet rinia jonë, me siguri çdo njëri prej nesh do konstatonte se vërtet rinia jonë  ndodhet në një gjendje tepër të vështirë. E themi këtë duke pasur në konsideratë vetit e shëmtuara të cilat i hasim te të rinjtë tanë siç janë: konsumimi i drogës ku një numër i madh i të rinjve tanë janë të varur nga “Murtaja e bardhë” siç quhet ndryshe, pastaj veti tjetër të cilën askush nuk do t’ia dëshironte një rinie është pa dyshim edhe konsumimi i alkoolit si dhe një numër i madh vesesh të tjera të cilat na japin të kuptojmë se vërtet rinia jonë ndodhet në një gjendje alarmuese. Kohën e fundit po bëhen përpjekje nga më të ndryshmet që vetëm e vetëm rinia jonë tu largohet këtyre rrugëve të cilat nuk çojnë asgjëkund veçse në një shkatërrim total të rinisë e me këtë edhe të shoqërisë në përgjithësi.

Por, si duket asnjërit nuk po i shkon ndërmend se të gjitha këto përpjekje janë pa efekt nëse rinisë sonë i mungon elementi kryesor i cili është:  Besimi në ekzistimin e Zotit Një, element i  cili si duket te të rinjtë tanë veç ka rënë në shkallën më të ulët për të mos thënë se nuk ekziston fare.

Pasi Besimi në ekzistimin e Zotit është elementi kryesor të cilin duhet ta posedojnë të rinjtë tanë dhe kështu të mundin ti braktisin të gjitha ato vese të shëmtuara të cilat i përmendëm më lartë atëherë në vazhdim duke pasur parasysh parimin se: “E vërteta njihet në baze të argumenteve”, ne do të mundohemi ti ofrojmë rinisë disa argumente për ti bindur se vërtet Zoti ekziston.

Argumentet të cilët vërtetojnë ekzistencën e Zotit janë të shumta ne do të përmendim vetëm disa prej tyre.

Argumenti i parë që na bindë në ekzistencën e Zotit është argumenti i kongjenitalitetit i cili nuk është jashtë natyrës së njeriut, por është vet ai dhe natyra e tij e pastër në të cilën Zoti e ka udhëzuar, ndodhë që, njeriu ndonjëherë duke qenë i dhënë pas kësaj bote, të harroj ekzistencën e Zotit mirëpo po sa të ndodhet në vështirësi ai papritmas i kthehet Zotit të tij me përulje. Pra ky argument ka të bëjë me logjikën e shëndoshë të njeriut dhe për ta sqaruar më qartë këtë argument po japim një rast si vijon:

Kur një njeri e ka pyetur Xhafer Es-Sadikun [radijall-llahu anhu] për çështjen e Zotit se a thua ai ekziston? Ai i ja ktheu me një pyetje duke i thënë: A ke hipur ndonjëherë në anije? Po, si jo i tha ai. Atëherë po të pyes a ka ndodhur ndonjëherë të fryjnë erëra të forta dhe tu lëkundet anija? Po na ka ndodhur u përgjigj prapë ai. Në ato momente a e ke humbur shpresën se shpëtimtarët dhe mjetet që gjenden në anije nuk mundë të ju shpëtojnë? Po, ka ngjarë edhe kjo tha ai. A të ka shkuar në mendje se përsëri ka dikush që mundë t’ju shpëtojë poqëse dëshiron? Pa dyshim se po, prapë u përgjigj ai. Xhaferi iu drejtua duke i thënë: “Ai për të cilin ke shpresuar se të shpëton  është Zoti i Madhëruar?”

Në lidhje me atë se logjika e pastër e njeriut e pranon ekzistencën e Zotit flet edhe filozofi botëror Rene Dekart i cili këtë ndjenjë kongjenitale e shpreh kështu: ”Unë me tërë qenien time edhe pse nuk jam i përkryer, në të njëjtën kohë ndjej për Atë se ekziston një Qenie e Përkryer , me ç’rast jam i detyruar të besoj se këto ndjenja  thellë të zhytura në qenien time i ka shkaktuar mu ajo qenie e Përkryer me vetit e Tij të Përsosura – Zoti”.

Argumenti tjetër që na  e vërteton ekzistencën e Zotit është argumenti kozmologjik. Njeriu po të meditojë sipërfaqet tokësore dhe pastaj duke e ngritur kokën të vështroj qiellin pa dyshim se do arrije në përfundim se vërtet ato janë të krijuara dhe mbikëqyren nga dikush e ai është  All-llahu i Madhëruar. All-llahu i Madhëruar në shumë versete Kuranore si;<strong>”…A nuk logjikoni?”[</strong>El-Enam:32],”A nuk janë duke parë ( e të kuptojnë)?”[Es-Sexhde:27] bën thirrje që njerëzit të logjikojnë dhe të studiojnë gjithësinë sepse nëpërmjet  të logjikuarit dhe të studiuarit ata do arrijnë në përfundim se vërtet Zoti ekziston, është Krijues dhe Sundues i gjithçkaje.

Me fjalën krijim nënkuptojmë të shfaqurit e një gjësendi nga asgjëja në një diçka që ekziston, siç kemi shembullin e njeriut si krijesë që posedon logjikë, pasi ai nuk ishte fare në ekzistencë dhe ai u paraqit në të dhe po ashtu shembulli i krijimit të qiellit dhe tokës që janë edhe më madhështore.. Zoti i Madhëruar në shumë versete Kuranore na tregon për krijimin e qiellit dhe dhe tokës dhe  gjithçkaje që ndodhet në mes tyre, po përmendim vetëm dy prej tyre:<strong>”Lexo në emër të Zotit tënd, I cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës)”.</strong>[el-Alek:1-2],<strong> “S'ka dyshim, All-llahu është zbërthyes i farës (I kores së saj) dhe i bërthamës (së pemës).Ai nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe Ai është nxjerrës i të vdekurit nga i gjalli. Ky është All-llahu, e si atëherë shmangeni (nga besimi)?” </strong>[El Enam:95]. E kush është Ai që krijoi këto?

Te argumenti i krijimit vlen të përmendim se gjithçka që ka krijuar Zoti i Madhëruar është e përsosur, precize dhe në masë “Ai që përsosi krijimin e çdo sendi…”[Es-Sexhde], “Ne çdo send kemi krijuar me masë të caktuar.”[El-Kamer:49], të cilat po ashtu paraqesin edhe argument për ekzistencën e Tij.

Argumentin e fundit të cilin po e paraqesim këtu është ai historik i cili na tregon se gjatë gjithë epokave të historisë njerëzore pa marrë parasysh racën, nacionalitetin dhe vendndodhjen e tyre ata kanë pasur dijeni për Zotin. Nga kjo vijmë në përfundim se vërtet gjithë gjinia njerzore nuk ka mundur të besoj në diçka që nuk ekziston. Në lidhje me këtë argument historiani Plutark thotë: ”Asnjëherë nuk është gjetur gjatë tërë historisë qytet pa faltore edhe pse në të kundërtën janë hasur në qytete pa kala, pa ndërtesa apo fortifikata të mëdha.”

Këto pra ishin vetëm disa nga argumentet e ekzistencës së Zotit të Madhëruar.

Komentet nga Facebook:

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakmikut të agonisë
Artikulli tjetërRregulli Politik dhe Rrënimi Politik
Themelues dhe mirëmbajtës i portalit “Fjalaime.ch”. BSc. i Administrimit të Biznesit dhe MSc. i Sistemeve Informative të Biznesit. Me punë dhe qendrim të përkohshëm në Zvicër, Winterthur. Studimet e mia qoftë akademike, qoftë private pasojnë sferën e ekonomsë me përqëndrim në drejtimet e menaxhimit dhe marketingut dhe teknologjisë informative me përqëndrim në shfrytëzimin e teknologjisë informative për zhvillim të biznesit..

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *