Përgatiti: Skender Mustafi
Adobe PDF Reader tanimë, së paku mua personalisht, më shqetëson për faktin se është bërë i rëndë në veprim dhe në çdo version është gjithnjë e më i madh. Tani ka gati 50MB.
Sidoqoftë, unë ka ca kohë që më nuk shfrytëzoj këtë softuer për të lexuar PDF dokumente, ose madje edhe për të vepruar në to. Më poshtë do u paraqes një listë softuerësh të cilët posedojnë karakteristika të rëndësishme për leximin e PDF dokumenteve dhe për përpunimin e tyre. Meqë ju tanimë e njihni Adobe PDF Reader, dhe po e përmendim shumë, nuk po e fus fare në listë.
- Foxit Reader (14.92 mb) – mundëson leximin e PDF dokumenteve, veprimin përbrenda dokumenteve duke lejuar nënvizimin, hijezimin, e ngjyrosjen e tekstit, si dhe vendosjen e shënimeve sipas dëshirës edhe atë në formë teksti ose përmes intervenimeve të ndryshme manuale. Për më tepër, mundëson shkëputjen e pjesëve të dokumenteve, psh diagrameve ose fotove ose edhe teksteve përmes mjetit të fotografimit dhe hedhjen e këtyre shkëputjeve në dokumente tjera.
- SumatraDPF (4.21mb) – softueri hapet shumë shpejtë dhe vije me një prapavijë të pastër. Ky softuer është vetëm për të lexuar PDF dokumentet me mundësi për zmadhimin e tyre dhe asnjë mundësi tjetër shtesë. Mos harroni, ky është softuer me kod të hapur dhe nëse keni dituri rreth programimit, mund të merrni pjesë në përmirësimin e tij. :)
- Evince (31.5mb) – është gjithashtu softuer me kod të hapur dhe mundëson leximin e disa llojeve të dokumenteve njëherësh edhe atë PDF , Postscript, djvu, tiff, dvi, XPS dhe SyncTex.
- SlimPDF (1.43mb) – nga softuerët me madhësi më të vogël për leximin e PDF skedave dhe më i shpejti në veprim. Për më tepër ky softuer lexon edhe skedat MOB dhe ePub.
- Nuance Reader (18.14 mb) – mundëson jo vetëm leximin e PDF dokumenteve por edhe përmes ndërveprimit me nuancepdf.com mundëson konvertimin e pdf dokumenteve në Word, Excel, RTF ose WordPerfect.
- Nitro Reader(22.62mb) – është nga softuerët e kompletuar të cilët mundësojnë më shumë se vetëm leximin e PDF dokumenteve, por edhe manipulimin me to.