Arti Islam: Historia e artit Islam

0

Punoi: Skender Mustafi

Duke marrë parasysh shtrirjen e shpejtë të territoreve Islame, ndeshjen me kulturat tjera tek popujt tjerë si dhe duke marrë parasysh kohën e realizimit të këtyre ndryshimeve arti Islam gjatë historisë mund të ndahet në disa periudha.

Periudha Muavijane
Gjatë periudhë Muavijane u zhvillua arkitektura e qytetëruar pasi që u futën koncepte dhe plane të reja në praktikë. Kështu erdhi në shprehje “plani arab”, me oborre dhe xhami të mëdha me stil të ri. Kjo lloj arkitekture u bë e njohur me ndërtimin e xhamisë së madhe të Damaskut e cila u përfundua në vitin 715 gjatë kalifatit të Al-Walidit I)[56]. Kjo ndërtesë u mor si pikë referimi për ndërtues dhe historian të artit.

Kubeja e Gurit në Jerusalem është një nga ndërtesat më të rëndësishme të artit Islam e cila në vete përmban mozaik, frazë epigrafie e shumë elemente të tjera të pastra Islame. Pallatet e shkretëtirës në Jordani dhe Siri, Mshatta, Qasr Amra dhe Khirbat al-Mafjar, shërbyen për kalifët si vende për jetesë, halla për pritje, banja publike dhe ishin të dekoruara që të shprehnin një nivel udhëheqës.

Gjatë kësaj periudhe prodhimi i produkteve të qeramikës akoma ishte në fazën fillestare, objekte të pa lustruara deri në këtë periudhë. Nga kjo kohë ka vetëm disa objekte metali që kanë mbijetuar, por është e vështirë të bëhet ndarja e objekteve Islame nga ato të para islames.

‘Abd al-Malik paraqiti monedha standarde të cilat kishin mbishkrime arabe. Zhvillimi i shpejtë i monedhës në hapësirë lokale gjatë kohës së ndërtimit të Kubes së Gurit demonstron ndryshim të hovshëm të kulturës në kohën e Muavijes. Kjo periudhë paraqet gjenezën e pjesërishme të artit Islam.

Periudha Abaside (VIII – XIII)
Në kohën e kalifatit Abasid (750 – 1258[57]) që pasoi pas kalifatit të Muavijes (661–750[58]), pika kryesore politike e kulturore Islame kaloi nga Siria në Irak ku në vitin 762 Bagdadi, qyteti qarkullues i paqes (madinat al-salam), u themelua si kryeqendër e re. Në dy shekujt e parë të periudhës Abaside u pa një shfaqje dhe përhapje e stilit të ri të artit Islam ku shfaqën forma dhe teknika të pasta Islame.[58]

Na shumë lloje të artit që u zhvilluan gjatë kohës Abaside, arti i përpunimit të tekstilit luajti një rol shumë të rëndësishëm në shoqëri, art që vazhdoi të zhvillohej edhe në periudhat pasuese. Tekstilet ishin të gjithë pranishme në tokat Islame duke shërbyer si veshje, tekstile shtëpiake dhe arkitekturë portative. Prodhimi dhe tregtia me tekstile ishte industri shumë e sofistikuar dhe profitabile. Tekstilet shpesh bëheshin edhe me materiale me vlerë të lartë si mëndafsh, ari e argjend si dhe dekoroheshin me dizajnë të ndryshme komplekse, kështu paraqisnin të mira luksoze duke shprehur pasuri dhe statut social. Tekstili Islam i njohur për përmbajtjen artistike e kualitative në masë të madhe u shit dhe në Perëndim, ku rëndësia e tyre ndikoi në gjuhët evropiane.

Gjatë kësaj kohe u zhvillua edhe prodhimi i qeramikës së lustruar e cila kërkonte kohë dhe precizitet për tu realizuar kështu që llogaritej ndër gjërat me vlerë dhe luksoze. Në këtë sferë të artit u bënë dy inovacione të mëdha: inovacioni i punimeve fajence dhe qeramikës ose porcelanit të lustruar me metal. Pasi që Islami, përmes haditheve të Muhammedit, i ndalon përdorimin e arit dhe argjendit për zbukurim të objekteve artistët përdorën përzierje të squfurit dhe metaleve okside zbukuruar objekteve që tanimë ishin të lustruar. Kërkonte precizitet dhe kohë, kështu që produktin e bënte luksoz dhe të kushtueshëm dhe të dallueshëm nga prodhimet e qeramikës së lustruar në kulturat tjera.[59].

Kaligrafia filloi të përdorej për shkrimin e faqeve Kur’anore dhe letrave të ndryshme deri në atë masë sa humbte të gjeturit e menjëhershëm të asaj që ishte shkruar.[60].

Gjatë viteve 836-892 në vend të Bagdadit, kryeqendër ishte Samarra, qytet në veri të Bagdadit e që është pjesërisht domethënës për të kuptuar artin dhe arkitekturën e periudhës Abaside. Në këtë qendër u zhvillua stil i ri i mbulimit të sipërfaqeve, stil i quajtur i pjerrët, si dhe u bë dekorim i ri me dizajno me figura gjeometrike të përsëritura dhe me pseudo forma të bimëve që më vonë në perëndim u bënë të njohura si “arabeska”.[58]

Periudha Fatimide X – XII
Kalifati Fatimid, emri i të cilit rrjedh nga emri i vajzës së Muhammedit (të dërguarit të fundit në Islam) Fatimes, erdhi në pushtet më 9 gusht të vitit 969[61] me hyrjen e gjeneralit Gauhar në Fustat-Misr dhe përfundoi në vitin 1171[62] dhe gjatë kësaj periudhe territoret Islame u zgjeruan duke përfshirë hapësirën ku sot gjenden Algjeria, Tunizi, Sicilia, Egjipti e Siria.

Gjatë kësaj periudhe u zhvillua arti i përpunimit të zbukurimeve nga ari, dizajnimit të kristaleve shkëlqyese e transparente, përpunimit të kuarcit pa ngjyrë, gjithashtu edhe përpunimi i qelqit ishte art i zhvilluar në nivel të lartë. Qendra udhëheqëse u bë afër Kairos së Vjetër në vendin e quajtur al-Fustat ku dhe ishte qendra e prodhimeve të qeramikës, qelqit, metaleve, shkëmbinjve zbukurues dhe përpunimit të drurit. Qendra prodhimi të artizanateve u hapën edhe në pjesë të tjera të Egjiptit. Përpunimi i qeramikës së ilustruar ishte në një nivel shumë të lartë. Disa prej prodhimeve që kanë mbijetuar gjer në kohën e sotme mbajnë dhe mbishkrimin e prodhuesve të vetë. Gjithashtu edhe përpunimi i veglave dhe zbukurimeve të drurit e arit kishte arritur nivel të lartë artistik. Artistët e asaj kohe krijuan motive të reja dekorative dhe shfrytëzuan shumë format figurative si njerëzore ashtu edhe shtazore.[58]

Vepra e parë madhore artistikë-arkitekturale ishte dizajnimi qarkorë i qendrës së parë të tyre, qytetit al-Mansuriya, në vitin 947, që mund të vlerësohet si sfidë e qëllimshme ndaj qytetit Abasid, Badadit që njihej si “qyteti i paqes (madinat al-salam).[63]

Ky kalifat themeloi qytetin e Kairos (al-Qahira, që don të thotë “triumfuesi”) në vitin 973 dhe e bënë qendër të tyre që shumë shpejtë u bë rival i Bagdadit. Në këtë qytetë me hov të madhë dhe me stil të jashtëzakonshëm u zhvilluan artet dekorative që e bënë qendër kulturore të botës Islame.

Ata zhvilluan edhe arkitekturën duke iu përmbajtur teknikës Tulunide dhe përdorëm materiale të ngjashme, por gjithashtu bënë dhe prodhime të veta specifike. Në Kairo s’bashku me themelimin e qyteti u ndërtua edhe xhamia e parë madhështore al-Azhar (969–73), ku u themelua njëkohësisht edhe instituti i edukimit të lartë, ku sot është universiteti i njohur i Al-Azharit. Xhamia al-Hakim (996–1013) është një shembull i rëndësishëm i arkitekturës dekorative të periudhës Fatimide. Objekte tjera që kanë mbijetuar nga kjo periudhë janë xhamia al-Aqmar (1125) dhe portat hyrëse të qytetit të Kairos të ndërtuara nga veziri Badr al-Jamali (1073–94).[63]

Xhami tjera të ndërtuara gjatë kësaj periudhe ishin: Al-Juyushi (1085) që njihet edhe me emra tjerë[64][65], Sayyida Ruqayya Mashhad (1133) që njihet edhe me emra tjerë[66][65], Vizier al-Salih Tala’i (1160)[67] dhe mauzoleu Yahya al-Shabihi (1150).[68]

Periudha Seljuke 1071-1299
Periudha e Seljuke filloi në vitin 1071 pas përmbysjes së perandorit bizantin Romanos Diogenes nga udhëheqësi Seljuk Alparslan në Malazgirt.[70]

Periudha Seljuke në historinë e artit dhe arkitekturës zgjati për rreth dy shekujsh , gjersa u themelua dinastia Ilkhan në vitin 1299[70]. Gjatë kësaj periudhe bota Islame kaloi nga territoret arabe në qendrat Seljuke, në qytetet si Merv, Nishapur, Rayy dhe Isfahan.[69] Pavarësisht nga pushtimet turke kjo periudhë e ringjalljes persiane filloi me publikimin e Firdausit, “Shah-namah”, që përbën për Persin një periudhë me zhvillime intensive të artit kreativ. Produktiviteti i dukshëm i këtyre shekujve në artet vizuale në krahasim me shekujt e mëparshëm paraqet hedhe të një hapi të madh përpara.

Gjatë periudhës seljuke artistët nuk inkurajuan vetëm nga sulltanët, por gjithashtu edhe nga nga emirët lokal si dhe nga familjet e pasura të vendit. Kështu që intensivisht dhe në nivel të lartë u zhvillua arti dekorativ ku kujdes të veçantë iu kushtua përpunimit dhe zbukurimit të drurit, përpunimit të zbukurimeve nga guri, përpunimit të metalit, përpunimit dhe ilustrimit të qeramikës, përpunimit të qelqit di dhe prodhimet e tekstilit dhe prodhimi i qilimëve.[71] Enët për përdorim të përditshëm u dekoruan me gravura e zbukurime tjera, në anën tjetër gjersa të gjitha metalet e tjera zbukuruese përdoreshin për zbukurim të enëve dhe objekteve, ari dhe argjendi përdoreshin vetëm për stoli grash.

Inovacioni më i rëndësishëm në periudhën seljuke ishte përpunimi i metalit, posaçërisht arti i zbukurimit të prodhimeve nga bronzi me ari dhe argjend. Kjo teknikë u zhvillua në Herat dhe Nishapur në rajonin Khorasan dhe përfshinte përdorimin e figurave gjeometrike dhe bimore në zbukurimin e gjësendeve. Qendra më e rëndësishme e prodhimeve metalike ishte Konya që përfshinte stilin iranian, dhe shumë prodhues në Artukid punonin në stilin Mosul.[72]

Inovacionet e paraqitura nga arkitektët iranian gjatë kësaj periudhe kishin jehonë dukshëm më të madhe se sa në Indi e në Azinë e Vogël. Në shumë raste artistët seljuk konsolidonin dhe perfeksionin format dhe idetë që njiheshin shumë kohë më parë. Këtë e dëshmon ndërtimi i minares së xhamisë në Damgan, Iran. Efektet dekorative të arritura duke përdorur tulla me vrima duke formuar ritëm dhe forma gjeometrike origjinale të nivelit të lartë.[69]

Miniaturat seljuke, nga të cilat vetëm disa kan mbetur për shkak të shkatërrimit të madh gjatë pushtimit mongol, ishin shumë të zbukuruara. Qendra kryesore për shtypjen e librave gjatë shekujve XII dhe XIII ishte Iraku, por në këtë shtyp ndikim kryesor kishte ndikim të madh Iranian. Sa për ilustrim të kujdesit në dizajn dhe ilustrim kanë mbijetuar disa shembuj të Kur’anëve sejlukian ku rol kryesorë merr shkrimi kufik.[69]

Periudha Seljuke pa dyshim ishte njëra nga periudhat më kreative në historinë e botës Islame, paraqiti arritje madhështore në të gjitha fushat artistike me ndryshime të dukshme në kontekst, nga regjionet tjera.

Arti në Andaluzi
Kalifati i parë i cili u vendos në al-Andalus, (Andaluzi, Spanjë), ishte ai Muavijan. Pas rënies së këtij kalifati në krye të vendit erdhën mbretëri të ndryshme, por arti nuk kishte ndryshime të dukshme. Kah fundi i shekullit XI dy fise berbere, Almoravidët dhe Almohadët pushtuan qendrën e Magrebit dhe Spanjës, duke sjell me sukses ndikimet artistike magrebiane. Nga një seri e luftimeve të krishtere zvogëluan pushtetin Islam në spanjë duke i kthyer kufijtë në Grenadë në shekullin e XIV. Territori ishte nën udhëheqjen Nasiride, të cilët arritën të mbaheshin gjer në vitin 1492.

al-Andalus ishte qendra më e madhe kulturore në Evropë në Mesjetë. Përkrah sjelljes së ndryshimeve pozitive në edukim me hapjen e universiteteve, ku ligjëroheshin shkencat dhe nga ku merrnin dituri edhe evropianët jo myslimanë, të cilët ishin të pa njohur për krishterët (siç ishte universiteti Averroes), vendi ishte njësoj jetësorë edhe për zhvillimin e artit.

Një nga pikat kyçe të shpirtit artistik në këtë kohë ishte arkitektura. Gjatë qëndrimit të myslimanëve në al-Andalus u bënë shumë ndërtime arkitekturale të llojeve të ndryshme duke përfshirë kështjella, ndërtesa ushtarake të llojeve të ndryshme e ndërtime tjera. Nga 4000[73] objekte arkitekturale që akoma mbijetojnë si Xhamia e Madhe e Kordobës, e njohur për vlerat e larta arkitekturale e artistike, pastaj monumentet tjera si Bab Mardum në Toledo, Spanjë, ose qyteti i kalifatit Medina Azahara, kompleksi arkitektural Alhambra në Grenadë etj. tregojnë vlerat e larta artistike të asaj kohe, ku në ndërtimin e këtyre objekteve u përdorën shumë teknika.

Fildishi u përdor shumë për prodhimin e arkave dhe arkivoleve. Në sferën e artit me përpunim të metalit u ndërtuan skulptura të mëdha të cilat shërbenin për fontana ose akumulim të ujit. Prodhimet tekstile të cilat ishin me vlera të mëdha artistike ishin kërkesë e madhe në Evropë, shumë tekstile janë gjetur në pasuritë e kishave të Botës së Krishtere ku shërbenin si mbulesa për të shenjtërit. Gjatë kësaj kohe edhe pse me intensitet më të vogël, prapë se prapë u zhvillua edhe arti i përpunimit dhe ilustrimit të drurit.

Jeta Islame në al-Andalus, Spanjën e sotme, la gjurmë të pashlyeshme si në jetën e përditshme të banorëve të prapambetur të asaj kohe ashtu dhe në zhvillimin e artit, nivel dhe vlera të cilat asnjëherë më vonë nuk arritën të zhvillohen. Ky zhvillim edukativ, kulturorë e artistik pati ndikim të madh edhe në pjesë tjera të Evropës posaçërisht në aspektin shkencorë, me përkthimin e veprave të ndryshme shkencore nga arabishtja në latinisht.

Arti në Egjip dhe Siri
Fillimisht në Egjipt Islami u shtri në kohën e kalifatit Fatimid (909-1171). Edhe për kundër dallimeve të mëdha në formën dhe vlerat e besimit në mes egjiptianëve të asaj kohe dhe myslimanëve, prapë se prapë sunduesit Islam nuk shkatërruan asgjë nga kultura e lashtë egjiptiane, por ata zhvilluan vlerat e reja artistike të bazuara në ligjet dhe rregullat Islame, të njohura përmes Kur’anit dhe hadithit.

Gjatë periudhës së qëndrimit të udhëheqjes Islame në Egjipt në nivel të dukshëm u zhvillua arti në këtë vend, ku u paraqitën disa stile dhe teknika të reja artistike.

Në të njëjtën kohë në Siri në fuqi ishte kalifati Seljuk. Në vitin 117 Saladini zgjeroi territoret e kalifatit fatimid nga Egjipti dhe kalimthi vuri në pushtet udhëheqësin Ajubide. Edhe pse nuk u bënë zhvillime të jashtëzakonshme në arkitekturë përsëri vërehen dukshëm vlerat artistike të kësaj kohe në ndërtimin e objekteve luksoze. Prodhimtaria e prodhimeve qeramike dhe metalike vazhdoi të zhvillohej pa ndërprerë, qelqi i emaluar u bë gjithashtu fuqi në vete

Në vitin 1250, Mamlukët zgjeruan territoret e tyre, kështu që në vitin 1261 arritën të zgjerohen edhe në Siri. Malukët në këto territore qëndruan për tre shekuj, gjer në vitin 1517. Mijëra objekte arkitekturale u ndërtuan gjatë kësaj periudhe. Shembull është Baptisteria në Saint Louis, që ishte që nga objektet më të famshme Islame. Sa i përket arteve luksoze, përpunimi i metalit dhe qelqit ishin primarë.

Referencat
56. Hillenbrand, Robert. Islamic Art and Architecture, Thames & Hudson World of Art series; 1999, London. ISBN 978050020305
57. Gruber, World of Art
58. Salaam.co.uk
59. Hillenbrand (1999), p.54
60. Hillenbrand (1999), p.58
61. Ismaili.net – ang.
62. Touregypt.net – ang.
63. Metmuseum.org – ang.
64. Mashhad of al-Juyushi, Badr al-Jamali, Badr al-Gamali, Mashhad of Badr al Jamali, Mosque of al-Guyushi, Mosque of al-Juyyushi, shrine of al-Juyyushi, Mosque of al Juyushi
65. ‘Abd al-Wahhab, Hasan. 1940. Al-‘Asr al-Fatimi. Majallat al-‘Imara 2, 5-6:310-24.
66. Mashhad of Sayyidah Ruqayyah, Muhammad al-Ja’fari Mashhad, Muhammad al-Jaafari Mashhad, Muhammad al- Ja’fari Mashhad, Mausolea of Ahl al-Bayt (‘Alid Saints)
67. Berchem, Max van. 1978. Notes d’archéologie arabe I. Monuments et inscriptions fatimites, and II. Toulounides et fatimites. Opera Minora I. Geneva: Editions Slatkine. 78-201.
68. Archnet.org – ang.
69. Efektet dekorative të arritura me tullat e radhitura në gjeometri dhe me ritëm janë karakteristikë e artit persian të shekullit XI.Art-arena.com
70. Cappadociaguide.wordpress.com – ang.
71. Turkishhan.org
72. Sadberkhanimmuzesi.org.tr – ang. dhe turqisht.
73. Time.com

Përkthyer për projektin Wikipedia në gjuhën shqipe.
Përktheu: Skender Mustafi

Komentet nga Facebook:

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakArti Islam: Muzika
Artikulli tjetërArti Islam: Në vende të ndryshme
Themelues dhe mirëmbajtës i portalit “Fjalaime.ch”. BSc. i Administrimit të Biznesit dhe MSc. i Sistemeve Informative të Biznesit. Me punë dhe qendrim të përkohshëm në Zvicër, Winterthur. Studimet e mia qoftë akademike, qoftë private pasojnë sferën e ekonomsë me përqëndrim në drejtimet e menaxhimit dhe marketingut dhe teknologjisë informative me përqëndrim në shfrytëzimin e teknologjisë informative për zhvillim të biznesit..

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *