Autor: Jusuf ZIMERI
Nisur nga fakti se me arritjen e çdo lloji të kontratës e edhe kontratës së shitblerjes, vetvetiu nënkuptohet se pasojnë edhe detyrime. Mirëpo kur jemi te kontrata e shitblerjes me këste, nënkuptojmë se pagesa me automatizëm shndërrohet në borxh të blerësit ndaj shitësit. Në raste të tilla, është krejt normale dhe e drejtë që shitësi të ngre shqetësimin e tij për pagesën, respektivisht mos pagesën e borxhit.Mundësitë praktike për sigurimin e borxhit si detyrime kontrata duhet të jenë mekanizma ligjore për t’i siguruar borxh dhënësit se do të marrë të drejtën e tij dhe se borxh marrësi do të kryej detyrimin e tij komfor marrëveshjes . Në çështje nuk ka shumë me rëndësi se borxhi është si pasojë e shitblerjes, apo si pasojë e drejtpërdrejtë e dhënies borxh. Pikërisht për këtë, e drejta islame ka ligjësuar disa veprime si mekanizma mbrojtës me të cilat ruhet kontrata nga shtrembërimi apo edhe mohimi dhe, si të tilla ndikojnë që transaksionet të jenë më aktive dhe të miratuara me kohë. Këto mekanizma apo metoda që do ti shtjellojmë në vazhdim, disa nga juristët islamë i konsiderojnë si të preferuar, kurse disa edhe si detyruese. Mekanizmat juridike apo metodat që Juristët islam i kanë përcaktuar për ruajtjen dhe sigurimin e kontratës nga shtrembërimi apo edhe kundërshtimi janë:
- Shkrimi- regjistrimi i kontratës. Një prej metodave më të sigurta për ruajtjen e informatave ekzakte si dhe për mbrojtjen e tyre nga devijimi apo edhe kontestimi i tyre i pjesërishëm apo edhe tërësishëm është shkrimi, apo regjistrimi i informatave. Kjo formë e ruajtjes së informatave pavarësisht për çfarë lloj të informatave bëhet fjalë është një metodë e vjetër në shoqërinë njerëzore. Nëse hulumtojmë në argumentet autentike islame gjejmë këtë formë të sigurisë së informacionit islami jo që nuk e ndaloi, por përkundrazi e stimuloi dhe e preferoi, kurse sipas mendimit të disa juristëve islamë edhe e detyroi. Në kontekst të kësaj në Kur’anin fisnik gjejmë se mesazhin se çështja e borxhit është çështje mjaft prekëse sepse ekzistojnë edhe njerëz që me pakësimin e besimit dhe moralit të tyre jo rrallë herë edhe kontestojnë një borxh apo ndonjë element të marrëveshjes. Pikërisht për këtë arsye për të mos ardhur deri te ndonjë kontekst që nuk do të kemi zgjidhje apo verdikt të drejtë juridik, porosia Kur’anore përmes ajetit më të gjatë në Kur’an thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ إِذَا تَدَايَنتُم بِدَيْنٍ إِلَى أَجَلٍ مُّسَمًّى فَاكْتُبُوهُ وَلْيَكْتُب بَّيْنَكُمْ كَاتِبٌ بِالْعَدْلِ وَلاَ يَأْبَ كَاتِبٌ أَنْ يَكْتُبَ كَمَا عَلَّمَهُ اللَّهُ فَلْيَكْتُبْ وَلْيُمْلِلِ الَّذِي عَلَيْهِ الْحَقُّ وَلْيَتَّقِ اللَّهَ رَبَّهُ وَلاَ يَبْخَسْ مِنْهُ شَيْئًا فَإِن كَانَ الَّذِي عَلَيْهِ الْحَقُّ سَفِيهًا أَوْ ضَعِيفًا أَوْ لاَ يَسْتَطِيعُ أَن يُمِلَّ هُوَ فَلْيُمْلِلْ وَلِيُّهُ بِالْعَدْلِ
“O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë. Dhe nga gjiu juaj le të shkruajë një shkrues i drejtë dhe të mos ngurrojë nga të shkruarit ashtu siç e ka mësuar All-llahu. Le të shkruajë, e atij le t’i diktojë ai që pranon borxhin, le t’i frikësohet All-llahut, Zotit të tij e të mos lëre mangut asnjë send nga ai. E në qoftë se ai që ngarkohet me borxh është i paaftë mentalisht, është i mitur ose nuk është në gjendje të diktojë, atëherë le të diktojë drejt kujdestari i tij.[1]
- Dëshmia. Një nga metodat e preferuar për sigurimin e çdo lloj marrëveshje, e edhe në marrëveshjen e shitblerjes, gjegjësisht të borxhit dëshmia konsiderohet si mekanizëm mbrojte për mos shtrembërimin e kontratës. Kjo vërtetohet me ajtin kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:
وَاسْتَشْهِدُواْ شَهِيدَيْنِ مِن رِّجَالِكُمْ فَإِن لَّمْ يَكُونَا رَجُلَيْنِ فَرَجُلٌ وَامْرَأَتَانِ مِمَّن تَرْضَوْنَ مِنَ الشُّهَدَاء أَن تَضِلَّ إِحْدَاهُمَا فَتُذَكِّرَ إِحْدَاهُمَا الأُخْرَى وَلاَ يَأْبَ الشُّهَدَاء إِذَا مَا دُعُواْ
“Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj, e në qoftë se nuk janë dy burra, atëherë një burrë e dy gra, nga dëshmitarët që i pëlqeni. (Dy gra në vend të një burri) Për atë se nëse njëra prej tyre gabon, t’ia përkujtojë tjetra. Dëshmitarët të mos refuzojnë kur të thirren”.[2]
- Sigurimi i kontratës nga pala e tretë –Dorëzania (el kefale). Nga kjo nënkuptohet se shitësi, që në këtë rast është në pozicionin e huadhënësit ka të drejtë që nga huamarrësi gjegjësisht borxhliu të kërkojë që garancë e realizimit të kësaj kontrate të jetë dikush nga pala e tretë, e që quhet dorëzanë. Kjo vërtetohet me ajetin kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:
قَالُواْ نَفْقِدُ صُوَاعَ الْمَلِكِ وَلِمَن جَاءَ بِهِ حِمْلُ بَعِيرٍ وَأَنَاْ بِهِ زَعِيمٌ
“(shërbëtorët e sundimtarit) Thanë: “Kemi humbur tasin e sunduesit, e kush e sjell atë (tasin), ka (shpërblim) një barrë deveje (drith). Unë vetë jam për këtë garantues!”[3] Meqë në literaturën islame gjejmë se dorëzania është kontratë e veçantë e kushte dhe runke të veçanta, më gjërësisht do të flasim për të te kontrata mbi dorëzaninë.
- Hipoteka – Peng marrja. Hipoteka është lënie e një pasurie në dorën e borxhëdhënësit, në rastin konkret të shitësit, si garanci për kërkesë pagese. Hipoteka mund të quhet edhe peng marrje, sepse sendi i lënë në hipotekë nuk guxon të shfrytëzohet nga personi që i është lënë në hipotekë. Për këtë më gjerësisht për këtë do të flasim te kontrata mbi huadhënien.
- Sigurimi i borxhit përmes kambialit. Kambiali është dokument financiar që detyron dikë të shlyej brenda një afati të caktuar një shumë parash që duhet të paguaj për mallrat e blera. Nga kjo nënkuptohet kur blerësi ven firmën e tij (nënshkrimin) mbi dokumentin financiar në të cilin është regjistruar se i ka borxh tjetrit, dhe me këtë detyrohet të bëjë pagesën e caktuar në interval kohorë të caktuar. Kjo fletëdëshmi financiare e nënshkruar quhet kambial, kurse intervali kohorë që duhet ta plotësoj detyrimin- pagesën quhet koha e maturimit.
Sigurimi-garancia e borxhit përmes kambialit në parim është veprim i lejuar sipas jurisprudencës islame, bile edhe veprim i preferuar.[4] Kjo mbështetet në ajetin kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ إِذَا تَدَايَنتُم بِدَيْنٍ إِلَى أَجَلٍ مُّسَمًّى فَاكْتُبُوهُ
“O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë..[5]
Kambiali si fletëdëshmi për borxhin qëndron te shitësi që në këtë rast është borxhdhënësi, e jo te blerësi i cili duhet të bëjë transaksionin e borxhit. Mirëpo problemi i vlefshmërisë së kambialit gjithnjë e më shumë për shkak të keqëpërdorimit të tij është bërë një dokument e negocueshëm mes juristëve islamë. Arsyeja e negocimit të kambiales qëndron në faktin se pronari i vërtetë i kambiales, pra shitësi kur dëshiron që të marrë sa më parë pagesën, shkon te personi tjetër, e në të shumtën e rasteve në bankë e shetë atë me çmim më të ulët se sa janë të regjistruara në të dhe me këtë rast bëhet zhvlerësimi i kambialit. Banka në këtë rast pasi të ketë bërë indosimin (verifikimin) e kambiales pranon që ti dorëzojë shumën e parave me një zbritje të përcaktuar në marrëveshje.
Vlenë të theksohet se zhvlerësimi dhe shitja e kambiales në këtë formë është i pa lejuar sipas jurisprudencës islame, nga arsyeja se në këtë rast bëhet fjalë për shitje të monedhave me monedha me çmim të ndryshuar, e kjo bie në llojin e kamatës el fadl.
Referencat
[1] Suretu el Bekare : 282
[2] Suretu el Bekare : 282
[3] Suretu Jusuf : 72
[4] Muhamed Tekij el Uthmanim buhuthun fi kadaja fikhije muasire, bot tretë f. 24.
[5] Suretu el Bekare : 282