Autor: Skender Mustafi
Përditësuar më 03 Shkurt 2014
Fillimisht publikuar më 10 Shkurt 2011
SWOT është shkurtesë nga katër fjalët në gjuhën angleze: Strengths (Fuqitë), Weaknesses (Dobësitë), Opportunities (Mundësitë) dhe Threats (Rreziqet). Këto fjalë janë faktorë të cilat përbëjnë ambientin e brendshëm dhe të jashtëm të një organizate. Pra, SWOT është një kornizë e cila mundëson në mënyrë të organizuar analizën e grupeve të faktorëve të sipërpërmendur nga prizmi i një organizate në raport me konkurrentët dhe me segmentin/tet e tregut ose me tregun në përgjithësi.
Për më shumë, faktorët e sipërpërmendur mund të organizohen në mënyrë të qartë për të formuar një kornizë e cila në si e tillë bazuar në paraplanifikim mundëson trajtimin e tyre për të vlerësuar gjendjen faktike të një organizate të caktuar në një periudhë caktuar, pse jo edhe në një treg të caktuar ose në një segment të caktuar të tregut.
Faktorët në përgjithësi mund të kenë ndikim pozitiv ose negativ në ndërmarrje. Bazuar nga ndikimi i tyre, nga prizmi i një ndërmarrjeje, faktorët ndahen në të brendshëm ose/dhe të jashtëm. Faktorët e brendshëm të cilët kanë ndikim pozitiv në biznesin e ndërmarrjes krijojnë fuqi për të, kurse ato të cilat kanë ndikim negativ krijojnë dobësi për të në krahasim me konkurrentët ose efektshmërinë e tregut. Shembull të pasurit e ERP sistemit në kompani nënkupton fuqi për të, kurse mos ekzistimi i modeleve standarde të biznesit nënkupton dobësi për të.
Faktorët, siç janë zhvillimet teknologjike, të cilat ndikojnë në ndryshimin e kushteve të tregut dhe të marrëdhënieve të ndërmarrjes me konkurrentët krijojnë mundësi ose rreziqe për ndërmarrjen. Mundësitë, nga kjo pikëpamje, janë ato ndryshime në ambientin e jashtëm, tek të cilat ndërmarrja nuk ka ndikim, të cilat hapin rrugët e zhvillimit të suksesshëm të biznesit të një organizate. Në anën tjetër ndryshimet të cilat hapin rrugët e zhvillimit të biznesit të suksesshëm për konkurrentët llogariten si rreziqe.
Ajo që duhet të kihet parasysh gjatë gjithë kohës është fakti se faktorët në thelb nuk janë me vlerë ndihmues ose pengues për organizatë, ato vetëm pas vlerësimit marrin njërën nga pozitat. Për këtë, një faktor i caktuar mund të jetë i vlerësuar pozitivisht në një situatë të caktuar dhe negativisht në një tjetër situatë po në të njëjtën ndërmarrje. Po ashtu mund të ekzistojnë disa faktorë të cilët shihen si mundësi për një ndërmarrje, kurse si rreziqe në një tjetër dhe anasjelltas. Për më tepër, faktorët nuk mund të qëndrojnë si mjete të pavarura vlerësuese, por duhet trajtuar gjithnjë në kombinim me organizatën si të tillë, periudhën kohore gjatë së cilës bëhet analiza e tyre si dhe tregu dhe pozita e ndërmarrjes në të.