Autor: Skender Mustafi
Në librin e tij „Teach Your Child How to Think“[1] (shqip: E mësoni fëmijën tuaj si të mendojë) autori i librit Edvard de Bono (në origjinal Edward de Bono) i përkushton një pjesë të madhe mënyrës specifike të të zhvilluarit të të menduarit përmes qasjes sistematike të emëruar nga vetë autori si „Gjashtë kapelat e të menduarit“. Edvard De Bono (1933, Maltë) është mjek, autor, novator dhe konsulent. E arritura më e madhe e tij është futja në përdorim e terminit mendim lateral, i cili do të thotë proces strukturor kreativ. Edvard De Bono është shkolluar në Maltë dhe në Britaninë e Madhe. Ka doktoruar për mjekësi në Kembrixh, drejtësi në Skoci dhe dizajn në Melburn. Ka punuar si profesor në universitetet në Maltë, Pretori, Arizonë dhe në Anglinë Qendrore. Ai është themelues dhe udhëheqës shumëvjeçar në Qendrën për Hulumtime Njohëse, ndërsa në Vitin Evropian të Kreativitetit (2009) është emëruar për Ambasador Evropian për Mendim. Ka shkruar 82 libra, të cilat janë përkthyer në 41 gjuhë. [2]
Gjashtë kapelat e të menduarit janë vetëm qasje, dhe assesi grupe, të të menduarit të cilat mundësojnë në njërën anë shmangien e konflikteve gjatë të shprehurit të mendimeve të ndryshme gjatë diskutimeve në grupe dhe në anën tjetër përfshirjen e të gjitha elementeve të cilat mbështjellin një problematikë të caktuar. Kjo metodë e qasjes së strukturuar, gjithashtu, nxitë drejt automatizimit të të menduarit të qëllimshëm dhe të moderuar duke minimizuar të menduarit e hapur dhe pa kontroll. Kuptohet se të menduarit në vete është proces i hapur, por që kanalizimi i tij për të arritur qëllime të caktuara është më i mirë se sa lënia në fushë të hapur ku gjasat e arritjes së rezultateve të pa dëshiruara janë shumë të mëdha.
Gjashtë kapelat e të menduarit, janë qasje me të menduar ndaj problematikës. Autori këto qasje i zëvendëson me kapela në mënyrë që gjatë të menduarit personi vendos kapelën e caktuar dhe mendon sipas mënyrës që ajo kapelë (qasje) „urdhëron“/lejon. Pra, gjatë analizës së elementeve të një problematike të caktuar qoftë në grupe ashtu edhe si individ, është e nevojshme që të gjitha kapelat/qasjet të merren parasysh, por që secila kapelë duhet menduar në mënyrë të pavarur nga njëra tjetra dhe të merret seriozisht që gjatë përmbledhjes së të dhënave të gjitha aspektet të jetë të trajtuara në mënyrë të plotë dhe të qartë. Kështu, „kur secili i kupton kapelat, mbledhjet bëhen shumë më produktive sepse në vend të argumentimit të pafund mund të bëhet hulumtim i disiplinuar i temës“[3].
Gjashtë kapelat e të menduarit janë:
– kapela e bardhë
– kapela e kuqe
– kapela e zezë
– kapela e verdhë
– kapela e gjelbër
– kapela e kaltër
Kapela e bardhë
Kapela e bardhë merr parasysh faktet, të dhënat dhe informacionet ekzistuese të cilat kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthorë me problematikën e caktuar. Bartësi i kapelës së bardhë është përgjegjës për mbledhjen dhe shtjellimin e materialeve ekzistuese mbi temën e caktuar, pra materialeve neutrale, pa mos hyrë në diskutime me bartësit e kapelave tjera dhe pa mos shprehur qëndrimin e tij/saj mbi temën. Sugjerimet për bartësin e kësaj kapele janë gjithashtu të ndaluara.
Me rëndësi është që përmes kësaj mënyre të të menduarit të mund të përgjigjen pyetjet:
– Cilat informacione i posedojmë?
– Për cilat informacione kemi nevojë?
– Si të arrijmë deri tek informacionet për të cilat kemi nevojë?
Kuptohet që në këtë rast janë të mundshme pyetje tjera në një temë të caktuar, por që nuk pështjellin ose shkatërrojnë konceptin e kapelës së bardhë. Gjithashtu, shumë me rëndësi është të kuptohet parashtrimi i pyetjes së duhur që doemos është shumë me rëndësi në procesin e të menduarit.
Kapela e kuqe
Bartësi i kapelës nxjerr në pah ndjenjat, emocionet dhe intuitën e vetë gjatë shtjellimit të temës. Duke marrë parasysh se ndjenjat janë pjesë shumë e rëndësishme e të menduarit edhe gjatë veprimeve të jetës së përditshme, duhet patjetër kushtuar kujdes por që në këtë rast si pjesë e një strukture të përgjithshme të të menduarit. Bartësi i kapelës së kuqe mund që gjatë procesit të të menduarit, në fillim ose në fund, të ndryshojë qëndrimet e tija në bazë të ndjenjës momentale që ka mbi çështjen e caktuar. Kjo është në rregull dhe e pranueshme meqë gjatë shtjellimit të çështjes bartësit e kapelave tjera sjellin të dhëna nga të menduarit të tyre të cilat mund të ndikojnë tek bartësi i kësaj kapele. Gjithashtu është e pranueshme që të merr parasysh intuitën e tij që është një brumë i përvojës së tij të mëparshme në situata të ngjashme.
Shumë me rëndës është të kuptohet që ky person nuk ka nevojë të mbroj mendimet, ndjenjat e intuitën e tij. Kjo do të thotë që nuk ka nevojë ose nuk duhet dhënë mund që të vërtetohen qëndrimet e bartësit të kapelës së kuqe.
Pyetja e vetme dhe kryesore që duhet përgjigjur për këtë lloj të të menduarit është: Si ndjehem rreth kësaj çështje për momentin?
Kapela e zezë
Vëmendja, e vërteta, gjykimi, përputhja me faktet janë aspekte kryesore të cilat duhet mbështetur gjatë këtij lloji të të menduarit. Bartësi i kapelës së zezë assesi nuk mund të shprehë mendime, për dallim nga bartësi i kapelës së kuqe, të cilat nuk mund të mbështeten me fakte, që nuk mbështetet nga veprimet reale. Në bazë të këtyre elementeve mund të thuhet që ky lloj i të menduarit është nga më të shfrytëzuarit në këtë strukturë kapelash. Bartësi i kësaj kapele përkujdeset që të menduarit të jetë i argumentueshëm, logjik, larg banalitetit e joreales, të sjell vlera të cilat shpien në zgjidhjen e problematikës së caktuar.
Bartësi i kapelës së zezë duhet përgjigjur pyetjeve si:
– A është e vërtetë apo e pa vërtetë?
– A përputhet me faktet ekzistuese?
– A përputhet me përvojat rreth çështjes?
– A do të funksionojë?
– A është e sigurt?
– Cilat janë problemet dhe rreziqet?
– A mund të realizohet?
Kapela e verdhë
Gjatë të menduarit drejt gjetjes së zgjidhjes së një problematike të caktuar duhet patjetër pasur pozitivitet, optimizëm të plotë. Bartësi i kapelës së verdhë mendon në mënyrë pozitive, ku sjell në pah përparësitë, përfitimet e kursimet që sjell vlerësimi të cilin ai sjell. Sidoqoftë, edhe të menduarit pozitiv duhet të bazohet mbi një fondament real ku argumentet luajnë rol të rëndësishëm. Gjatë këtij lloji të të menduarit i jepet shumë rëndësi të menduarit e veprimeve vargore që mund, ose do të, pasojnë në të ardhmen. Bartësi i kapelës së verdhë mund të sjellë mendime të cilat përcillen me pasoja ose me vlera ku ai njëkohësisht i shtjellon ato. Shembull, ai mund të shprehet: “Nëse realizohet kjo… do të gjenerohen këto… vlera.“
Duke marrë parasysh që bartësi i kapelës së verdhë është bartës i mendimit pozitiv ai duhet vrojtuar çështjen nga këndi i argumentimit të pozitives së tij. Në këtë rast ai duhet përgjigjur pyetjeve:
– Cilat janë të mirat e realizimit?
– Përse mund të realizohet?
– Përse ka përfitime?
– Përse është gjë e mire për ta realizuar?
– Përse duhet të funksionojë?
Kapela e gjelbër
Autori i librit përqendrohet në këtë ngjyrë për këtë lloj të menduarit meqë gjelbërimi nënkupton sjelljen në jetë e diçkaje të re, reale, andaj bartësi i kësaj kapele merr parasysh hulumtimet për të bërë propozime, sugjerime e për të sjellë ide të reja dhe alternativa të reja për veprim. Këtu vije në shprehje të menduarit frytdhënës – të menduarit kreativ.
Kjo mënyrë e të menduarit sjell në pah pesë mënyra të shfrytëzimit si: hulumtimi, propozimi dhe sugjerimet, alternativat, idetë e reja, si dhe provokimet. Në të vërtetë nga aspektet e sapopërmendura mund të shohim që bartësi i kapelës së gjelbër me këtë mënyrë të të menduarit jo vetëm që është përgjegjës për nxitjen e vetes për të sjellë diç të re në mendim, por është përgjegjës për të nxitur dhe madje provokuar që edhe të tjerët të sjellin të reja në mënyrën e vetë të të menduarit në mënyrë që çështja në tërësi të zhvillohet edhe më tej.
Përgjigjet të cilat duhet sjellë bartësi i kësaj kapele janë për pyetjet:
– Çfarë mund të bëjmë rreth kësaj çështje?
– A ka ide të reja?
– A ka ide të ndryshme?
Kapela e kaltër
Bartësi i kapelës së kaltër është mbi të gjithë me mendimin e tij/saj. Të menduarit e kaltër është të menduar mbi të menduarin. Ky lloj i menduarit është sikur qielli që sheh nga sipër[4]. Bartësi i kësaj kapele është përmbledhja e mendimeve të bartësve të kapelave tjera. Ky rol në një mënyrë, edhe pse nuk është, paraqet udhëheqësin e një mbledhjeje i cili ka një sy sipërorë të diskutimit. Dallimi i personit i cili mban këtë kapelë dhe udhëheqësit të mbledhjes është se ky person është bashkmendues dhe jo udhëheqës, vetëm se roli i tij është të mendojë në mënyrë të përgjithshme duke u bazuar në mendimet specifike të pjesëmarrësve tjerë. Pra, bartësi i kapelës së kaltër kontrollon procesin e të menduarit, jo pjesëmarrësit në këtë proces, në mënyrë që të menduarit të mos devijojë dhe të arrihen rezultate të padëshirueshme.
Pikat të cilat mbulon kapela e kuqe janë:
– Deri ku kemi arritur?
– Ku jemi përqendruar?
– Çfarë jemi duke tentuar të bëjmë?
– Cili është hapi i ardhshëm që duhet ndërmarrë?
– Cili është programi rreth të cilit duhet menduar?
– Paraqitja e një përmbledhjeje të të arriturave të mendimeve rreth çështjes.
– Vrojtimi dhe komentimi i vlerave në të menduar të cilat i sjellin pjesëmarrësit tjerë.
Përmbledhje
Edhe një herë, kapelat nuk janë kategori në të menduar. Ato janë mënyra të të menduarit. Kapelat, gjatë një procesi të të menduarit të një ose disa çështjeve serioze, nuk mund të merren si njësi, por duhet marrë si tërësi. Meqë, pretendohet se, mendimet e ndryshme të identifikuara përmes kapelave mbulojnë të gjitha aspektet e të menduarit rreth një çështjeje, atëherë vetëm përmbledhja e të gjitha vlerave të gjeneruara nga të gjitha aspektet mund të merret si rezultat përfundimtar. Rrotullimi i kapelave tek personat pjesëmarrës në diskutim është i lejuar, madje i preferuar, por me kontroll dhe me kujdes të veçantë në mënyrë që të mos vije deri tek ngatërrimi i koncepteve. Bartësit e kapelave duhet shprehur qartë që të mos vije deri tek ngatërrimi i qasjeve. Është mendimi i cili i takon një qasjeje të caktuar dhe jo bartësi i kapelës. Kuptohet që bartësi i kapelës duhet përmbajtur „rregullave“ të kapelës. Shembull, shprehja: “Unë mendoj se gravitacioni është i fortë.“ mund të jetë shprehje e bartësit të kapelës së kuqe, por që shprehja “sipas Njutën gravitacioni është i fortë” është shprehje e bartësit të kapelës së bardhë. Që të dy shprehjet nëse merren në thelb janë mendime, i pari mendim i pjesëmarrësit në diskutim e i dyti i një personi të tretë, por që dallojnë në thelb në bazë të asaj se kush është burimi i tyre. Pra, në mënyrë të qartë duhet shprehur dhe dokumentuar mendimet ashtu që të gjatë fazës së realizimit të përmbledhjes dhe arritjes së rezultateve të mund qartë të identifikohen pjesët.
Për në fund, edhe një person i vetëm mund të realizojë një proces të gjashtë kapelave të të menduarit në mënyrë që vetë vendos dhe ndërron kapelat varësisht nga nevoja. Kjo kornizë e të menduarit nxitë zhvillimin e të menduarit konstruktiv si dhe mundëson mbulimin e të gjitha aspekteve të të menduarit gjatë shtjellimit të çështjes së caktuar.
Referencat
[1] Edward de Bono, „Teach Your Child How to Think: Help them survive and thrive“, McQuaing Group Inc., 1992, Pearson, ISBN: 978-0-141-03307-5
[2] ProCredit Bank Newsletter, së fudni vizituar më 25 Gusht 2014 tek nyja http://www.procreditbank.com.mk/WBStorage/Files/InternalNewsletter_Albaninan_small.pdf
[3] Edvard de Bono, Po aty, F. 78
[4] Po aty, faqe 93