Gjenerimi i Modelit të Biznesit: Propozimi i Vlerës

0

Përgatiti: Skender Mustafi

“Propozimi i vlerës” është pjesa kryesore e cilësdo strukturë të modelit të biznesit, kjo pasi përmes përpilimit të modelit të biznesit kompania ka për qëllim analizën e mundësive për krijimin e vlerës, shpërndarjen e saj tek konsumatorët dhe kapjen e saj (krijimin e profitit). Për më tepër propozimi i vlerës së caktuar është shkaku që konsumatorët përcaktohen për një kompani dhe largohen nga një tjetër. Kjo vlerë përmbush nevojat dhe dëshirat e konsumatorëve, zgjedh problemet e tyre. Pra, propozimi i vlerës është përmbledhje e përfitimeve që kompania i ofron konsumatorëve (Osterwalder & Pigneur, 2010).

Modeli i përcaktimit të zbritjes konkurruese i punuar në MS Visio (481)

Në këtë pikë vështrim propozimi i vlerës krijon përfitime për konsumatorët të cilat mund të jenë inovative, apo edhe të ngjashme me ato të kompanive të tjera konkurruese megjithatë me disa ndryshime të cilat mundësojnë krijimin e përparësive. Madje, vlera të cilën kompania i ofron konsumatorëve mund të jetë kuantitative siç janë përfitime në çmim, përmirësimi i shërbimeve etj. si dhe kualitative siç janë dizajni, përvoja e konsumatorëve, kënaqja e tyre shpirtërore e të tjera. Varësisht nga lloji i biznesit dhe mënyra e segmentimit të konsumatorëve, lloje të ndryshme të vlerave shpërndahen me intensitet të ndryshëm tek segmentet e caktuara të konsumatorëve. Kështu që kompania duhet të studioj segmentet e konsumatorëve në raport me shpërndarjen e vlerës për të vlerësuar vlerën të cilën ata do të presin të u shpërndahet dhe të përcaktoj intensitetin e shpërndarjes së saj.

Për analizën e pozitës së kompanisë në treg, raportin e saj me faktorët e jashtëm të cilët ndikojnë në shpërndarjen e vlerës, nga shumë studiues përdoret struktura e propozuar nga Porter e cila njihet si “pesë forcat” (Porter, 1998)  si dhe modeli i përcaktimit të zbritjes konkurruese të kompanisë. Për më tepër, modeli i përcaktimit të zbritjes konkurruese analizon faktorët e krijimit të vlerë, shfrytëzon të dhënat e arritura nga Pesë Forcat e Porterit për të caktuar sasinë e vlerës e cila duhet shpërndarë dhe për të përcaktuar ndikimin e faktorëve në uljen ose ngritjen e sasisë së vlerës të cilën kompania planifikon të e kapë (fitimin të e arrij). (shih Figurën)

Në përputhje me strukturën e plotë të modelit të biznesit kjo pjesë duhet të hulumtojë disa pika të cilat mund të shprehen përmes pyetjeve të përgjithshme si:

  • Çfarë vlere do të shpërndaj kompania tek konsumatorët?
  • Cilat nevoja dhe/ose të konsumatorëve do të ndihmojë t’i plotësojë?
  • Cilat probleme të konsumatorëve do të ndihmojë t’i zgjidhë?
  • Cilat produkte ose/dhe shërbime do t’i ofrojë konsumatorëve?

Vini re, lista e pyetjeve duhet përshtatur me llojin e biznesit të cilin studioni duke marrë parasysh dhe segmentet që tani më keni përcaktuar për kompaninë e caktuar. Pyetjet specifike mundësojnë njohjen më për së afërmi të gjendjes së kompanisë dhe mundësisë së saj për krijim, shpërndarje dhe kapje të vlerës.

Së fundi, në këtë hap kompania duhet të vendosë nëse do të zhvillojë më tej planin e paraqitur në zhvillimin e modelit të biznesit ose jo. Nëse vlerësohet që vlera e cila do të krijohet nuk përmbush mundësinë për të kapur vlerë (për të krijuar fitime), atëherë projekti duhet anuluar, pasi në fjalë tjera humbja është e sigurt.

Referencat
– Osterwalder, A., & Pigneur, Y. (2010). Business Model Generation: A Handbook for Visionaries, Game Changers, and Challengers. (T. Clark, Ed.) (p. 288). John Wiley and Sons.
– Porter, M. E. (1998). On Competition (Updated an.). Boston: Harvard Busi ‐ ness School Publishing Corporation.

Komentet nga Facebook:

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *