Autor: Skender Mustafi
Ky është vetëm edhe një artikull tjetër i serisë së artikujve të cilët do të duhej të ndihmonin të kuptuarit e vetes sonë dhe të kuptuarit e mundësive tona drejt hyrjes sa më të shpejtë dhe sa më të lehtë në tregun e punës. Madje qëllimi nuk është që të kemi një hyrje të çfarëdo lloji, por një hyrje në pozitën të cilës i përkasim bazuar në kualifikimet dhe përvojën tonë.
Ky artikull është një udhërrëfyes i thjeshtë i cili sadopak mundëson hapjen e perspektivave që deri tani nuk na janë kujtuar. Ndoshta edhe na kanë rënë ndërmend, por nuk i kemi pasur së paku të organizuara. Për më tepër, nëse bëhet një analizë më e thellë e personalitetit tuaj profesional, mund të identifikoni hapësirat tek të cilat duhet të ndërmerrni aktivitete për përmirësimin e tyre përmes kurseve ose edukimeve të ndryshme.
Sigurisht që ne jemi në vetëdije për kualitetet dhe përvojën tonë, por një shtjellim i detajuar i aftësive tona nuk na bën dëm. Përkundrazi, paraqitja në detaje dhe kategorizimi i njohurive për nevoja të ndryshme është një domosdoshmëri në mënyrë që ato të mund të i shfrytëzojmë në mënyrë optimale, madje përmes identifikimit dhe grumbullimit të tyre mund të vlerësojmë dobësitë që kemi dhe rreziqet që vijnë nga tregu i punës.
Ma dërgo nyjën për shkarkim tek posta:
Për të kuptuar mundësitë që keni për të depërtuar në tregun e lirë të punës ju duhet që të merrni parasysh dy faktorë të rëndësishëm, edhe atë llojin e industrisë për të cilën jeni i interesuar/kualifikuar/keni përvojë dhe rolin që dëshironi të e merrni në atë industri. Në këtë pikëpamje nëse bëhet fjalë për një treg jo edhe të madh ku dominojnë më shumë kompani të mëdha ose të mesme, atëherë industrinë e zëvendëson kompania (shih figurën).
Pasi që të keni identifikuar llojet e industrive ku mund të depërtoni dhe rolet të cilat mund të i merrni përsipër, ose mendoni të keni njohuri dhe aftësi për t’i marrë përsipër atëherë i shtrini ato në një matricë si në figurën sipër.
Në hapin e dytë ju analizoni nevojat që ka roli i caktuar në industrinë e caktuar, shembull Koordinuesi i Projekteve në kompaninë e Telekomunikacionit. Madje mund të jeni edhe më të thellë në përcaktimin e roleve duke i bërë ato më specifike ose duke i marrë nga ofertat e ndryshme për punë të cilat janë aktuale nëpër media të ndryshme elektronike ose të tjera.
Pasi të keni gjetur nevojat që ka një rol i caktuar në një industri ose, nëse përcaktoheni konkretisht, kompani të caktuar, atëherë ju përpiloni një analizë SWOT për atë kombinim specifik rol-industri, ku ju paraqisni njohuritë dhe aftësitë tuaja kyçe për atë rol. Në këtë hap ju më tepër përqendroheni në identifikimin e fuqive, dobësive dhe mundësive tuaja, dhe më pakë në rreziqet sepse ato janë të jashtme dhe nuk mund të ndërmerrni asgjë mbi to.
Pasi të keni realizuar analizat SWOT për të gjitha kombinimet e dëshiruara rol-industri, atëherë bazuar në ato analiza, vlerësoni nevojat e cilave kombinime i plotësoni më së miri dhe për ato aplikoni për punë sepse ato janë pozitat ku ju më së miri përshtateni me njohuritë dhe përvojën momentale.
Për më tepër, nëse juve u pëlqen ndonjë kombinim i caktuar rol-industri, por që dobësitë dhe rreziqet u ulin shanset në një nivel shumë të ulët, atëherë analizoni më në hollësi rreziqet dhe dobësitë në mënyrë që të keni mundësi t’i identifikoni pikat në të cilat duhet që të përmirësoheni, qoftë përmes ndonjë edukimi të mëtejmë ose përmes realizimit të një praktike në një industri me rol të ngjashëm.
Vini Re e gjithë kjo fillimisht duhet të jetë realizuar nga një pikëpamje më globale, sepse gjatë aplikimit për një rol të caktuar në një kompani të caktuar ju patjetër duhet pasur parasysh të dhënat e një analize SWOT për ju dhe atë rol-industri.
Suksese!
Ma dërgo nyjën për shkarkim tek posta: