Interneti dhe strategjitë e biznesit

2

Autor: Skender Mustafi

Shumë kompani kanë pasur ide të mrekullueshme për t’i implementuar në internet. Për më tepër, ato madje kanë zhvilluar modelet e biznesit për këto ide. Më në fund, për shkak të mungesës së strategjisë ose duke implementuar strategji të gabuar, pas investimit të milionave nga kapitali i tyre, ato kanë dështuar drejt implementimit të modeleve të zhvilluara të biznesit. Pra, mahnitja nuk është pjesë e biznesit dhe zhvillimeve të tij, por strategjia është elementi kyç për biznes të suksesshëm. Pa dyshim Porter (2011) ka të drejtë kur thekson se të pasurit strategji është disiplinë, meqë ajo  kërkon përqendrim të fortë mbi rentabilitetin dhe jo vetëm mbi rritjen. Madje ajo është një mundësi për të definuar propozim të vlerës në mënyrë të veçantë përballë zhvillimeve në treg. Gjithashtu, strategjia, është vullnet për të zhvilluar tregtime të mëdha duke përzgjedhur çfarë të bëhet dhe çfarë jo. Në këtë mënyrë, mjeti bazë për të kuptuar ndikimin e teknologjisë informative mbi kompanitë është modeli i zinxhirit të vlerave. Sepse, siç thekson Medium & Enterprise (2004) çdo aktivitet përfshinë krijimin, përpunimin dhe komunikimin e informacioneve, dhe teknologjia informative ka ndikim të madh mbi zinxhirin e vlerave.

Edhe pse interneti u mundëson kompanive depërtim të lehtë në tregun në internet, ato duhet zhvilluar strategji të cilat sigurojnë depërtim të suksesshëm dhe rritje stabile si në biznesin tradicional – nëse kompanitë janë tradicionale dhe përpilojnë strategji për depërtim në tregun në internet – ashtu edhe në tregun në internet. Për këtë çështje, Porter (2001) vlerëson se zinxhiri i vlerave duhet të jetë shumë i harmonizuar, ku aktivitetet e kompanisë përputhen si një sistem i cili vetë-fuqizohet. Në këtë mënyrë, cilido konkurrent që tenton të imitojë strategjinë duhet zëvendësuar sistemin e tërë ekzistues në vend të kopjimit të një ose disa karakteristikave të produktit ose të kopjimit të një ose dy mënyrave të realizimit të aktiviteteve të caktuara. Në këtë pikëpamje Porter (2001) madje sugjeron “Gjashtë Principet e Pozicionimit Strategjik” (emërimi origjinal në anglisht: “The Six Principles of Strategic Positioning”) të cilat sigurojnë  krijimin dhe ruajtjen e një pozitë të veçantë strategjike.

Një strategji e tillë e definuar mirë kërkon strategji mirë të definuar implementuese e cila në të shumtën e rasteve ka luajtur rol të madh tek kompanitë e ndryshme gjatë depërtimit në tregun në internet. Dot-kom flluska (origjinal në anglisht gjendje e njohur si dot-com bubble) është shembulli më i mirë për cilindo model të biznesit i cili ka ide të mrekullueshme, fillim të suksesshëm, duke arritur një majë të caktuar të suksesit dhe në fund duke arritur tek problemet e pa paramendueshme të cilat kanë shpjer drejt kolapsit, ose së paku drejt ngecjes në zhvillim për një kohë të caktuar (shih figurën 1).

Lakorja e miratimit
Figura 1: Lakorja e miratimit

Figura 1: Lakorja e miratimit (Waser, 2011)

Në fazat e para të implementimit të teknologjisë, sinjalet e tregut mund të jenë të pa sigurta meqë teknologjitë e reja shtynë eksperimentime të papërmbajtura, si nga kompanitë ashtu edhe nga konsumatorët, dhe këto eksperimentime shpesh janë ekonomikisht të pa qëndrueshëm. Prandaj, si pasojë, sjellja e tregut deformohet dhe duhet interpretuar me kujdes (Porter, 2008). Për këtë, strategjia e implementimit duhet bazuar në strukturën e fuqive të kompanisë për të realizuar biznes elektronik e cila analizon në njërën anë kombinimin mes dimensioneve të teknologjisë,  kompanisë, dhe njerëzve, dhe në anën tjetër strategjinë e biznesit, adoptimin e biznesit elektronik dhe menaxhimin e zinxhirit të furnizimit (Ketikidis, 2006). Duke u mbështetur në pozicionimin strategjik në njërën anë,  dhe në informacionet e përmbledhura nga studimi i strukturës së aftësive të kompanisë për të realizuar biznes elektronik në anën tjetër, mund të implementohen dy strategji implementimi: strategjia e implementimit të përnjëhershëm (në anglisht i njohur si all-in-one rollout strategy) dhe strategjia e implementimit hap-pas-hapi (në anglisht i njohur si step-by-step rollout strategy) (Waser, 2011) (shih figurën 2, respektivisht figurën 3).

Implementimi i përnjëhershëm
Figura 2: Implementimi i përnjëhershëm

Depërtimi drejt një modeli të caktuar të biznesit në internet,nga ana e kompanive të themeluara në baza tradicionale, shkatërron modelin e biznesit ekzistues të implementuar me sukses. Pra, dallimi mes këtyre dy strategjive është menaxhim i rreziku meqë hapat e ndryshimit të modelit të biznesit kanë madhësi dhe hendeqe të ndryshme. Wang dhe Hsieh (2006) u mbështetën mbi teorinë e adoptimit simbolik dhe propozuan model kërkimi për të kuptuar shfrytëzimin e zgjeruar dhe shfrytëzimin emergjent në kontekstin e patjetërsueshëm organizativ. Në këtë pikëpamje, në rast se adoptimi simbolik është ulët se adoptimi aktual, gjasat janë më të vogla që të punësuarit të i shfrytëzojnë  maksimalisht resurset e tyre ,siç janë koha dhe përpjekja, për tu përfshirë në sjellje të roleve shtesë në drejtim të implementimit të teknologjisë informative (Karahanna & Agarwal, 2006;  Wang  &  Hsieh,  2006). Për më tepër, Wang & Hsieh (2006) pohojnë që adoptimi simbolik ndikon pozitivisht mbi shfrytëzimin e zgjeruar dhe shfrytëzimin emergjent të teknologjisë informative.

Implementimin hap-pas-hapi
Figura 3: Implementimin hap-pas-hapi

Për në fund, meqë interneti shkatërron modelin e biznesit të zhvilluar paraprakisht, madje edhe modelet e implementuar me sukses, secila kompani duhet zhvilluar strategji të cilat mundësojnë implementimin e suksesshëm e modeleve të biznesit elektronik. Madje, interneti dhe ambienti në të është duke u bërë çdo ditë më tërheqës për zhvillimin e aktiviteteve të biznesit, madje edhe për personat privat, prandaj ka nevojë për strategji të cilat 1)  plotësojnë, në vend të kanibalizojnë, strategjitë ekzistuese të biznesit të kompanisë dhe  2)  krijojnë përparësi konkurruese  – këto përparësi konkurruese duhet buruar nga efektiviteti operativ dhe  pozicionimi strategjik – të cilat konkurrentët nuk mund t’i kopjojnë (Porter 2008). Përfundimisht, implementimi i një strategjie të implementuar është faktori kyç i cili dëshmon suksesin e idesë bazë dhe të tërë punës së realizuar më parë mbi modelin e ri.

Referencat

  • Karahanna, E., & Agarwal, R. (2006). When the Spirit is Willing: Symbolic Adoption and Technology Exploration. Athens.
  • Ketikidis, P. H. (2006). e-technology and manufacturing enterprise competitiveness. Emerald Group Publishing.
  • Medium, A. F., & Enterprise, S. (2004). Electronic Business : Deployment and Strategies. Online.
  • Porter, M E. (2001). Strategy and the Internet. Harvard business review, 79(3), 62    78, 164. Retrieved from http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/11246925.
  • Porter, Michael E. (2008). On competition (2nd ed.). Harvard Business Press.
  • Wang, W., & Hsieh, P.    A. (2006). Beyond Routine: Symbolic Adoption, Extended Use, and Emergent Use of Complex Information Systems in the Mandatory Organizational Context.
  • Waser, S. E. (2011). Change Management in Business Process Engineering Projects. Parallel Computing.

Komentet nga Facebook:

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakEdhe një fjalë mbi Llojanin
Artikulli tjetërTë ushqyerit me hallall
Themelues dhe mirëmbajtës i portalit “Fjalaime.ch”. BSc. i Administrimit të Biznesit dhe MSc. i Sistemeve Informative të Biznesit. Me punë dhe qendrim të përkohshëm në Zvicër, Winterthur. Studimet e mia qoftë akademike, qoftë private pasojnë sferën e ekonomsë me përqëndrim në drejtimet e menaxhimit dhe marketingut dhe teknologjisë informative me përqëndrim në shfrytëzimin e teknologjisë informative për zhvillim të biznesit..

2 Komentet

  1. […] faktit se marketingu tradicional në thelb është vendi nga lulëzon marketingu në internet, përdorimi i teknologjisë informative ka ndikuar në ndryshimin thelbësore të mënyrës së realizimit të aktiviteteve të biznesit, në këtë mënyrë ka mundësuar lindjen e një […]

  2. […] faktit se marketingu tradicional në thelb është vendi nga lulëzon marketingu në internet, përdorimi i teknologjisë informative ka ndikuar në ndryshimin thelbësore të mënyrës së realizimit të aktiviteteve të biznesit, në këtë mënyrë ka mundësuar lindjen e një […]

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *