Ja pse zekati yt shkoi huq

0

Një nga nxënësit i cili merrej me tregti e pyeti një herë Ebu Abbas Nihavend-in rreth dhënies së zekatit.
– Ebu Abbas Nihavedi iu përgjigj: “Jepja atij që të thotë zemra!”

Me tu larguar nga mësuesi, nxënësi takoi në rrugë një lypsar të verbër. Meqë i erdhi keq për gjendjen e tij, nxori nga xhepi një qese me florinj dhe ia dha si zekat. Lypësi i verbër, pasi kontrolloi mirë qesen dhe u bind se ajo është plot e përplot, u largua gjithë gëzim.

Të nesërmen, nxënësi kaloi në të njëjtën rrugë dhe pa se i verbëri i ditës së kaluar fliste me një shok të tij, i cili ishte gjithashtu i verbër. Nga biseda që po bënin dy shokët e verbër, atij i zuri veshi këto fjali:
– “Dje një njeri fisnik më dhuroi një qese plot me florinj. Dhe unë shkova në mejhane dhe piva për qejfin tim….”

Kjo gjë e mërziti nxënësin shumë. Shkoi menjëherë tek Ebu Abbasi. Sapo arriti atje, pa filluar t’ia shpjegonte mësuesit të vet rastin, Ebu Abbasi kërkoi prej tij që t’i dhuronte personit të parë që do të haste në rrugë një shumë parash, të cilën e kish fituar nga shitja e një qylafi.
Nxënësi mori paratë dhe u largua menjëherë për të kryer detyrën që iu dha.  Kështu, shumën e parave ia dhuroi njeriut të parë që takoi në rrugë. Më pas u bë kurioz dhe filloi ta ndjekë atë nga pas. Burri në fjalë hyri në një rrënojë aty afër. Nxori nga rrobat e tij një thëllëzë të ngordhur dhe e la aty.

Teksa burri po largohet prej aty, nxënësi i doli përpara dhe e pyeti:
– “O njeri! Më thuaj çfarë po ndodh, pash hatrin e Zotit! Çfarë është kjo thëllëzë e ngordhur që sapo e hodhe këtu?”

Kur shikoi përball njeriun, që pak më parë i kishte dhuruar shumën e parave, burri tha me zërin që i dridhej nga emocionet:
– “Tash shtatë ditë nuk kam mundur të siguroj kurrfarë ushqimi për fëmijët e mi. Unë dhe gruaja po e duronim urinë, por fëmijët nuk ishin në gjendje të duronin më! Megjithatë, nuk më bëhej të dilja për të lypur. Duke u sjellë andej këndej me gjithë këtë shqetësim, gjeta në rrugë këtë thëllëzën të ngordhur. Në pamundësi për të siguruar ndonjë ushqim tjetër, mendova ta çoja në shtëpi këtë shpend të ngordhur prej ditësh. Ndërkohë, po i lutesha Allahut me gjithë shpirt: “O Zoti im, më ndihmo të dal nga kjo gjendje kaq e vështirë!”. Pastaj, para syve mu shfaqe ti. Unë e falënderova Zotin me gjithë forcën e shpirtit dhe e flaka atë shpend të ngordhur që do të hanim me pahir. Tani do të shkoj në treg dhe do t’i blej familjes diçka për të ngrënë me atë shumë parash që më dhurove ti.”

Shumë i çuditur nga kjo situatë, nxënësi shkoi drejt mësuesit. Kur arriti tek Ebu Abbasi, ky i fundit nuk i dha fare kohë të shpjegohej, por i tha:
– “O biri im! Nga e gjithë kjo histori, unë po kuptoj se gjatë punës tënde ti nuk paske treguar kujdes të veçantë ndaj gjërave të dyshimta ose gjërave haram. Kështu që, edhe pse ti u përpoqe të zgjidhje të varfrin, zekati yt shkoi për konsum vere. Gjërat, ashtu siç fitohen, po ashtu edhe largohen nga dora jonë. Urtësia, e cila bëri të mundur që ajo shumë parash të arrinte te i varfëri i vërtet, qëndron në faktin se ato para ishin të tëra hallall…”

Komentet nga Facebook:

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *