Autor: Mrs. Skender Mustafi
Foto: Bryan Kramer – bryankramer.com
Ajo që mund të vihet re në këtë kohë të zhvillimit të madh teknologjik e sidomos të zhvillimit të teknologjive të sistemeve të informimit është fakti se personaliteti i njeriut është bërë një çështje gjithnjë e më abstrakte duke qenë një mbështjellës i dy realiteteve, atij fizik dhe atij virtual. Njerëzit të cilët me përmasa të mëdha kanë përqafuar realitetin virtuale duke e vënë në rëndësi thuajse të barabartë me atë fizik, në të shumtën e rasteve janë të pa vetëdijshëm për seriozitetin me të cilin duhet t’i qasen këtij realiteti. Bota virtuale nga shumica e bashkëjetuesve virtual nuk merret si një tërësi e cila është ndërtuar në mënyrë serioze dhe mbijeton të gjitha veprimtaritë dhe ndryshimet duke u bazuar në rregulla e ligje të cilat janë funksionale dhe reale (ose shprehur ndryshe virtualo-reale). Fakti se kjo jetë dhe këto veprime janë të pa prekshme (në shikim të parë) nuk lë të nënkuptohet se veprimet në të nuk lënë gjurmë, madje edhe në realitetin fizik.
Secila lëvizje e jona, madje pa shkruar edhe një të vetmen shkronjë, lë gjurmë të rëndësishme të cilat një nga një ndërtojnë profilin tonë virtual e fizik. Secili lajm që lexojmë, secili koment që shkruajmë, secili pëlqim ose mospëlqim që shpërndajmë, secila foto e video që shikojmë janë rrëfyes të identitetit tonë. Të gjitha flasin mbi ne, mbi interesat, karakterin, sjelljen, dëshirat, seriozitetin, dijen tonë e të tjera dhe në fund të gjitha këto informacione ndihmojnë njerëzit profesionistë të grupeve ose/dhe institucioneve të interesave të ndryshme që të ndërtojnë një profil të “vërtetë”. Ky profil, ndërtohet me një qëllim të vetëm, për të kënaqur interesat e tyre. Kuptohet që në këtë rrjetë interesash mund të jemi edhe ne përfitues duke kënaqur interesat tona.
Profili i secilit nga ne në botën virtuale, përfshinë të dhënat faktike duke lënë anash sjelljen personale dhe ndjenjat e thella për çështje të ndryshme të cilat i mungojnë profilit për ta bërë të plotë si të tillë. Sidoqoftë, për studiuesit informacionet e mbledhura janë “të mjaftueshme” për të përpiluar profilin duke u bazuar në fakte të cilat janë dorëzuar nga vetë ne dhe në supozime të tyre të bëra për informacionet dhe sjelljet të cilat mungojnë. Kështu që shpeshherë sjellja me entuziazëm, (duke shkruar komente, duke shpërndarë pëlqime, duke shpërndarë video e foto materiale, etj.) ndaj një grupi të caktuar mund të jetë bazë që profili në njërën anë të vlerësohet si simpatizues i flakët i një grupi të caktuar ose në anën tjetër si ekstremist i lindur nga ai grup. Për më shumë, meqë informacionet janë materiale hyrëse të thata ato mund të interpretohen në shumë mënyra, varësisht nga studiuesi dhe interesi i tij. Informacionet e njëjta mund që në një moment të paraqesin si një profil i cili solidarizohet me një gjendje të caktuar, ose/dhe si një terrorist potencial, ose/dhe si një thirrës në një veprimtari të caktuar.
Përkundër mijëra rasteve, nëpër botë, të përjetimit të pasojave të individëve të cilët kanë realizuar veprimtari të ndaluar virtuale dhe dhjetëra rasteve të shqiptarëve të cilët gjithashtu kanë pësuar nga jeta e pa kontroll në realitetin virtual, shoqëria jonë akoma nuk është në vetëdije se çfarë është duke bërë. Është injorante dhe këmbëngulëse në këtë injorancë duke ç’respektuar çdo normë madje dhe ligj i cili rregullon jetën virtuale.
Qëndrimi im nuk është që ne t’i mbyllim mjetet elektronike në mënyrë që të mbrohemi nga ky realitet. Përkundrazi, unë nxis që njerëzit të jetojnë këtë realitet në kuadër të planit të jetës së tyre, në përmasa të nevojave të tyre. Ajo që unë sugjeroj dhe ajo për të cilën unë po u tërheqë vëmendjen, është mënyra e të jetuarit në të. Secili nga ne duhet kuptuar, qartë, që secili veprim që bëjmë ka pasoja. Edhe nëse nuk është ashtu, ne duhet vepruar duke u mbështetur në moton: “secili akt i bërë lë pasoja”. Pasojat mund të jenë për të tjerët të cilët bazohen tek informacioni ynë ose mund të jenë për ne nga të tjerët të cilët studiojnë profilin tonë. Në internet, mund të gjejmë të dhëna të ndryshme të reagimeve të njerëzve, siç ishte komenti i një konsumatori gjerman për një produkt të një ndërmarrjeje po ashtu gjermane tek shitësi i mirënjohur në internet Amazon, dhe do të befasohemi me pasojat të cilat janë nxitur nga ato reagime, siç ishte hedhja e tij në gjyq dhe akuza për shkatërrim biznesi me një përballje e cila do t’i kushtonte 20’000€ [1].
Fundja, ne nuk duam të jemi preh i manipulimeve të individëve, grupeve, ndërmarrjeve e institucioneve të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, andaj le të jemi të kujdesshëm me jetën tonë virtuale, posaçërisht me “vjelljet” tona nëpër rrjetet sociale.”
Referencat
[1] http://www.zdnet.de/88191675/amazon-haendler-verklagt-kunden-wegen-schlechter-bewertung-auf-70-000-euro/