Kapja racionale e maces për bishti

0

Autor: Skender Mustafi

small1Posaçërisht dekadën e fundit, nuk është e rëndësishme dhe e mundimshme të merret vendim për të përcaktuar temën për të cilën duam të flasim, shkruajmë, debatojmë, të tjerrim, apo madje edhe të përçyrremi. Kemi shumë vrima të hapura cilat mund t’i trajtojmë. Problemi më i madh është marrja e vendimit për të shkruar. Këtë pikë nuk e ngriti mbi pikën e frikës, nga censurat, për të shkruar apo jo, por nga ana e konsumimit të idesë të cilën trajtojmë dhe efektit që me të arrimë. Sot, jo që më shumë shkruhet se lexohet, por madje më shumë shkruhet se mendohet.

Shkrimet janë të shumta dhe prekin të gjitha fushat e jetës, nga aspekti “social-demokratik”. Pra nga aspekti shoqëror i udhëhequr nga mendja e popullit. Ato, në tregun virtual të leximit, mund të gjinden në të gjitha ngjyrat, format, madhësitë, kuptimet dhe në nëntëdhjetë përqind të rasteve janë besnike në pikëpamjen e tyre, pra janë “social-demokratike”. Në tregjet më tradicionale dhe më formale, gazetat, televizionet e radio stacionet, shkrimet/emisionet/analizat mund të gjinden në korniza të ndryshme të cilat përfaqësojnë një grup të caktuar “social-demokratik”, qoftë ky grup interesi, partiak, luftarak, i të paditurve ose një grup i disa të tjerëve. Me një artikull të lexuar në një nga këto korniza mund të përfitohet pasqyrimi i realitetit sipas kornizës së caktuar, kështu që nuk ka nevojë të përcillet secili hap, meqë nuk është gjë tjetër vetëm se pamje e kornizës së njëjtë në kohë dhe ndjenja të ndryshme.

Ajo që mungon në këtë pasqyrim është aspekti shkencor i trajtimit të çështjeve. Aspekt ky i cili asnjëherë nuk merr kohë për të trajtuar një çështje të caktuar e që kjo në fund të mos sjellë lëvizje qoftë në fushën e caktuar në veçanti, qoftë në sistemin e përgjithshëm jetësorë në përgjithësi. Ky është aspekt i cili duhet trajtuar me finesë dhe i cili kërkon përgjegjësi të madhe.

Pretendimi se në tregun tonë të leximit plasohen studime, është i kotë, gënjeshtër e fëlliqur, madje edhe në shumë raste mund të llogaritet si mashtrim. Ky, në aspekt ekonomik, mund të njihet edhe si marketing i fëlliqur i cili shfrytëzohet për qëllime të fëlliqura e që arrin qëllimin e vetë. Kjo gjendje në shoqërinë tonë është tregues i cili në mënyrë të qartë shpalosë faktin se vlerat sociale-morale në shoqërinë kanë marrë tatëpjetën.

Shpejtësia e lëvizjes, tatëpjetë, së një shoqërie mund të vlerësohet në bazë të studimit të vlerave të saja si dhe sistemit mbi të cilin grihen dhe zhvillohen këto vlera. Sa më shkencor të jetë ky sistem as më të mëdha janë gjasat që kjo lëvizje të ndërrojë kahje dhe të stabilizohet, në anën tjetër, sa më “social-demokratik” të jetë ky sistem aq më të mëdha janë gjasat që kjo lëvizje të rrisë shpejtësinë dhe jo vetëm të arrij demokracinë, por edhe të tejkalojë atë.

Ky është elementi bazë i cili tek ne është keqkuptuar dhe është marr si matës i të gjitha veprimeve që realizojmë.  Ky është sistemi shkel-e-shko i cili është ngritur plotësisht mbi bazën e ideologjisë demokratike dhe njëkohësisht mbrohet dhe vlerësohet nga kjo bazë. Kjo është pasojë e dhënies së të drejtës secilit jo vetëm për tu shprehur, por edhe për të marrë “vendime shkencore”. Ky është hapi kur dija tentohet të komunikohet, studiohet dhe udhëhiqet nga të paditurit.

Tani jemi në kohën kur analfabetët kanë marrë lapsat në duar për shkruar atë për të cilën në kohë janë shprehur se nuk dinë të e lexojnë. Tani kemi dijetarë lokal të odave të cilët ç’vlerësojnë dijetarët e odave duke ngritur dijetarët e salloneve e edhe më të mëdhenj dhe harrojnë se ata dyfytyrësh në atë ç’vlerësim kanë përfshirë dhe veten e tyre dhe kanë etiketuar atë si burim i gënjeshtrës. Tani jemi në kohën kur i gjithë populli nga aspekti i tij  i njeh gjitha gjërat dhe është në vetëdije për çdo lëvizje e që në fakt ka harruar se ka arritur kulmi e varfërisë morale e edukative. Tani jemi në kohën kur nuk kemi asnjë lëvizje shkencore e më e keqja është se as doracakët e të tjerëve për shfrytëzim të shkencës publike nuk jemi në gjendje të i lexojmë e leje më t’i kuptojmë. Tani jemi në kohë kur i gjithë populli merret me politikë e çështje fetare duke i lënë profesionistët, në ato drejtime, gojëhapur e duke lënë drejtimet e tyre të studiuara me pretendimin se janë zotërues të tyre.

Tani, populli ynë i mençur me gojë të plotë do të thoshte se në mënyrë racionale kemi kapur macen për bishti dhe se tani është koha e fundit që të ngrihemi nga vetja, në një nivel më të lartë, për të vepruar në mënyrë shkencore, për të vlerësuar punën e të tjerëve, për të zhvilluar atë që kemi lënë të pa zhvilluar gjatë gjithë jetës sonë. Pra, tani është koha e fundit që ne të bëjmë diç me vlerë nga jeta jonë e të mos përçyrremi për gjendjen në të cilën gjendemi duke ndenjur në po të njëjtin vend të qelbur në të cilin ishim njëzet vite më parë.

Lexo që të mund të mësosh të dish të punosh, pastaj puno e mos u ndal.

Komentet nga Facebook:

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *