Autor : Skender Mustafi
Jo gjithmonë, që në ditën e parë, shitja e drejtpërdrejtë është me rëndësi jetësore për biznesin. Madje një ose disa shitje të suksesshme që në ditën e parë nuk përcaktojnë suksesin e përgjithshëm të ndërmarrjes. Padyshim, ky sukses ka ndikimin e vetë pozitiv, por gjendja edhe mëtej ka nevojë për reklamim efikas.
Kur flasim për suksesin duhet ditur që ndërmarrje e suksesshme është ajo për suksesin e së cilës flasin konsumatorët. Ata flasin për vlerat e saja. Andaj, me këtë kuptojmë se që në ditën e parë duhet bërë konsumatorët të vetëdijshëm për ekzistencën e ndërmarrjes, produktit dhe shërbimit të saj. Le të njihen konsumatorët me vlerat të cilat biznesi juaj ofron.
Duke njohur, mirë, biznesin tuaj dhe vlerat të cilat ai gjeneron për konsumatorin, duhet të zhvilloni strategji të suksesshme për komunikim me konsumatorin. Komunikimi duhet të jetë i qartë dhe efektiv, jo agresiv dhe tërheqës, që mëson dhe konverton të interesuarin në konsumator.
Duke e ditur që komunikimi është i rëndësishëm dhe ndërmarrja juaj nuk është e vetmja në treg, atëherë duhet të veproni shpejtë dhe me kujdes. Duhet të përzgjidhni formën ose format dhe mjetet e komunikimit dhe të filloni punën. Nëse njëra nuk ka efektin e duhur për biznesin tuaj, atëherë vije tjetra në radhë, pa mos hequr dorë.
Në vazhdim do të shpalosë pesëmbëdhjetë këshilla për komunikim të suksesshëm me konsumatorin. Këshillat janë radhitur nga më të lirat e duke vazhduar me ato me nevojë për më shumë mjete.
1. Ndërtoni faqe interneti
Faqja e internetit është e domosdoshme, ajo paraqet adresën tuaj globale. Pa faqe interneti, jeni një ndërmarrje në fund të rrugës së lagjes ardhmëria e së cilës është po aq e gjatë sa vetë madhësia e shoqërisë së po asaj lagjeje. Ndërtoni një faqe profesionale interneti me të gjitha elementet e domosdoshme të përmbajtjes së brendshme dhe lidhjeve e paraqitjes së jashtme. Struktura, përmbajtja, lidhjet me rrjetet sociale, përgatitja për motorët e kërkimit, SEO, e të tjerë, duhen të jenë të nivelit të lartë.
2. Jini aktiv nëpër rrjetet sociale dhe ato të biznesit
Konsumatori kërkohet aty ku bashkohen njerëzit. Në ditët e sodit, rrjetet sociale si Facebook, Twitter, Pinterest, Instagram, e ato të biznesit si Linkedin, Xing, Google Mx Business, Solaborate janë trend i sili po sjell suksese. Andaj, trendet e suksesshme duhet përcjellur dhe duhet nxjerrë më e mira nga ato. KUJDES ! Paraqitja në rrjetet sociale duke anashkaluar faqen personale të internetit, është gabim të cilin shumë e kanë paguar shtrenjtë. Sot, secili mund të hap një faqe ndërmarrjeje nëpër rrjetet sociale dhe të shtiret e veprojë si ndërmarrje, andaj të interesuarit për të konsumuar produktin tuaj automatikisht kërkojnë faqen tuaj personale.
Të gjitha profilet nëpër rrjetet sociale duhet të realizohen në nivel profesional dhe me përmbajtje poashtu profesionale. Varësish nga lloji i biznesit, produkti ose shërbimit që ofroni, duhet shtrirë edhe përmbajtjen dhe llojin e komunikimit.
3. Regjistrohuni nëpër regjistra të ndryshëm
Ndërmarrje të ndryshme për shërbime të informimit elektronik kanë ngritur baza informacionesh të cilat me kosto të ulëta ose madje edhe falas ofrojnë mundësinë e regjistrimit të biznesit tuaj. Regjistrohuni nëpër baza të tilla të të dhënave në mënyrë që motorët e kërkimit të u kenë në forma të ndryshme në listën e rezultateve të tyre.
Regjistra të tillë në internet janë: Clooc Business Network, Google Maps, Google Places, Yelp, Koomio, Locafox, Loacl & Search, Suche, faqet e ndryshme të verdha, Unternehmen.ch, e të tjera.
4. U shkruani letra lexuesve dhe konsumatorëve (Newsletter)
Ndërtoni një bazë të të dhënave me lexuesit dhe konsumatorët tuaj të cilët i informoni për çdo risi. U ofroni lirime dhe përfitimet të ndryshme, varësisht strategjisë të cilën shfrytëzoni për komunikim, konvertim dhe tërheqje.
5. Shpërndani dituri përmes një blogu profesional të ndërmarrjes
Shkruani. Produkti ose shërbimi të cilin ofroni shuan një problem të caktuar të konsumatorit, andaj ofroni njohuri rreth problemeve të cilat ju shuani. Le të informohet konsumatori rreth mënyrave përmes së cilave mund të shuaj dëshirën, nevojën e problemin. Zhvilloni përmbajtjen në formë të marketingut inbound. Të gjitha elementet e brendshme dhe të jashtme le të jenë të realizuara me kujdes. Mos harroni, lexuesi i kënaqur me sqarimet dhe qëndrimet tuaja profesionale më shumë u beson juve se shkrimeve tjera andaj gjasat janë shumë të mëdha të bëhet konsumatori juaj.
6. Analizoni të dhënat mbi lëvizjen e konsumatorëve
Realizimi në mënyrë profesionale I elementeve të mësipërme si faqja e internetit, profilet nëpër rrjetet sociale, blogu, e newsletter ofron mundësinë e mbledhjes së të dhënave të rëndësishme për ndërmarrjen. Përmes këtyre të dhënave mund të kuptohen interesat e konsumatorëve si dhe mund të zhvillohen strategji të reja komunikimi. Për më shumë, kur elementet e mësipërmes janë strukturuar mirë, për shembull duke u lidhur me shërbyes profesional si Google Analytics, HubSpot, e të tjerë, mund të zhvillohen oferta të reja të përshtatshme për sjelljen e konsumatorëve.
7. Ndërtoni rrjetë bashkëveprimi dhe reklamimi
Kërkoni ndërmarrje partneriteti me të cilat mund të bashkëveproni ose madje vetëm të ndërroni reklamat. Jini prezent edhe tek faqet e ndërmarrjeve tjera. Kërkoni rrjetet e shkëmbimit ku partnerët shkëmbejnë vlera mes vete dhe konsumatorët janë prezent dhe kanë dijeni për këto shkëmbime. Bashkëpunimet të ngritura mbi rrjete të tilla mund të jenë të llojeve të ndryshme. Ju mund të jepni kuponë lirimi të cilin konsumatorët e përfitojnë gjatë blerjes tek partnerët. Lirim të shtypur tek kuptoni fiskal gjatë blerjes siç ofron McDonalds.
8. Dëshmia fizike le të jetë bindëse
Paraqitja tek konsumatorët përmes objektit të ndërmarrjes, zyrave, reklamave, veshjes, dhe elementeve tjera, duhet të jetë në përputhje me ofertën dhe llojin e konsumatorit. Një ndërmarrje me shërbime mjekësore nuk mund të paraqitet si një ndërmarrje ndërtimesh dhe anasjelltas. Paraqitjes së dobët i dihet efekti, por edhe paraqitja me ‘vlerë të tepruar’ mund të ndikojë në zmbrapsjen e konsumatorit i cili mund të ndjehet të mos jetë i atij niveli. Andaj, paraqitja e ndërmarrjes, duhet të ndikojë në tërheqjen e konsumatorit dhe jo në largimin e tij. Së fundi, paraqitja duhet të jetë e qartë, me zyra ose qendra shitjeje në vende të përshtatshme, logo dhe afishe të kapshme dhe të kuptueshme, e të tjera. Mos harroni të mbani pastërti sepse ajo paraqet pastërtinë tuaj të brendshme dhe kujdesin ndaj konsumatorit.
9. Organizoni mbrëmje informimi
Mbrëmjet të brendshme dhe të jashtme të informimit dhe shkëmbimit të ideve jo vetëm që ngritin nivelin e vetëdijes së pjesëmarrësve, por gjithashtu ndikojnë në realizimin e lidhjeve emocionale. Mbrëmje të tilla duhet të jenë vlerë-dhënëse duke e bërë që pjesëmarrësit të jenë përfitues të drejtpërdrejtë.
10. Sponsorizoni
Sponsorizonimi për të ndihmuar organizimet e ndryshme me vlerë shoqërore ndikojnë jo vetëm një njohjen e ndërmarrjes, por edhe në lidhjen emocionale me të. Përkrahni tentativat e ndryshme sociale përmes ndihmave financiare, mbështetjes profesionale, ofrimit të strukturave elektronike, ofrimit të hapësirave, e të tjerë. Në këtë pikë edhe ato të mësipërmet, kreativiteti nuk ka fund, andaj aktivizoni atë dhe veproni. Veprat e mira jo vetëm që mbahen në mend, por edhe flitet mbi to. Kur flitet mbi veprat e mira, flitet mbi ndërmarrjen dhe vlerat e saja.
11. Shfrytëzoni mjetet, veshjet, vendet, hapësirat për reklamim
Mjetet e udhëtimit, si ato personale (reklamim falas në lëvizje) ashtu edhe ato të huaja e publike, janë reklamues në lëvizje. Kudo që shkohet, reklama bartet me vete. Veshja me një thënie tërheqëse e provokuese, hapësirat e ndryshme, të brendshme e të jashtme, me leje reklamimi mund të shfrytëzohen në mënyrë kreative. Kudo që mund të pllakosni reklamën tuaj, mos hezitoni veproni menjëherë. Çdo porosi kreative ngjallë emocione, andaj ndërtoni lidhje me njerëzit të cilët më vonë ndodhë të bëhen konsumatorët tuaj.
12. Ftoni mediet lokale
Meqë keni hapur një biznes të ri i cili ofron vlera për njerëzit përreth, organizoni një tregtim me mundësi përfitimi ose një manifestim i cili bashkon konsumatorët për të festuar bashkë dhe për të blerë me lirim. Një organizim i tillë, me kushte të përshtatshme dhe atraktive, mund të jetë interesant edhe për mediet lokale. Organizimi interesant ngrit kureshtjen e të tjerëve të cilët rrisin pjesëmarrjen e madje edhe njoftojnë të tjerët, qoftë në mënyrë tradicionale qoftë përmes rrjeteve sociale, rreth pjesëmarrjes së tyre.
13. Dhuroni
Të dërguarit e mostrës në adresë të konsumatorit është vetëm një formë e dhurimit, e madje e nivelit formal. Dhuratat gjithmonë kanë hapur zemrat e njerëzve dhe janë ngulitur në mendjet e tyre. Ofroni dhurata me logon, moton, faqen tuaj të internetit ose mbishkrimin tuaj. Shpërndani porosinë tuaj në mënyrë që jo vetëm tek pranuesit e dhuratës, por edhe tek të tjerët të ngjallet kureshtja për tu njohur vlerat tuaja.
14. Shfrytëzoni format e komunikimit multimedial
Rrjetet sociale dhe kanalet e ndryshme për publikim të porosive janë vetëm mjete të cilat mundësojnë ofrim tek konsumatori. Lidhjen me konsumatorin e bëni përmes përmbajtjes. Një thënie origjinale e kreative, një foto e bukur, tërheqëse e provokuese, video materialet e llojeve të ndryshme, animacionet, prezantimet, e të tjera, ngjallin emocione tek konsumatori. Reagimi emocional qoftë si dëshirë për tu njohur, qoftë si kureshtje për tu kontaktuar, ndikon në krijimin e lidhjeve afatgjata me konsumatorin. Atë që bënë sot Evian, Antena me plakën qesharake, e të tjera, mund të e bëni edhe ju. Shfrytëzoni kreativitetin tuaj për të kënaqur konsumatorët.
15. Përkujdesuni ndaj vizitorëve, lexuesve dhe konsumatorëve
Fillimisht, jepni mundësinë që të interesuarit dhe konsumatorët të kenë mundësinë të ndërveprojnë duke shprehur shqetësimet dhe kënaqësinë e tyre. Konsumatori i kënaqur është reklamuesi më i mirë ndër të gjithë. Reagoni ndaj shqetësimeve dhe kërkesave të konsumatorit me një qasje të personalizuar. Rrini përkrah kërkesave për ndryshime, plotësime, e përmirësime. Marrëdhëniet me konsumatorin nuk mbarojnë pas blerjes, madje ato nuk mbarojnë edhe pasi që konsumatori të ju ketë lënë juve dhe të ketë kaluar tek konkurrenti. E kontaktoni konsumatorin me kujdes, kërkoni shkaqet e sjelljes së pakënaqur, ofroni mundësi për të tejkaluar situatën. Moskujdesi ndaj konsumatorit është moskujdes ndaj biznesit sepse konsumatorët shumë më shumë flasin rreth dëmeve që kanë pësuar nga ana e ndërmarrjeve se sa rreth të mirave që kanë përjetuar.
Shumë suksese !