Kompjuterizimi në Re (Cloud Computing)

Autor: Skender Mustafi

Termi Cloud Computing (shqiptimi: Kllaud Kompjuting) e që në shqip nënkupton “Kompjuterizimin në Re” na është shfaqur shumë herë, qoftë direkt ose indirekte, gjatë lundrimit tonë në internet. Në literaturën profesionale në anglisht, gjuhë nga e cila rrjedh ky term, studiues të ndryshëm paraqesin definicione të ndryshme të cilët sqarojnë thelbin, detyrat dhe funksionin e kompjuterizimit në re. Në shqip një definicion të pranueshëm, të tkurrur, sjell Komisionari për Mbrojtjen e të Dhënave Personale[1] duke theksuar se Kompjuterizimi në Re “është një bashkim teknologjish të bazuara në internet të cilat mundësojnë menaxhimin dhe ofrimin e shërbimeve të informatikës në largësi”. Me fjalë tjera Kompjuterizimi në Re nënkupton shfrytëzimin si shërbim të burimeve të teknologjisë informative siç janë pajisjet teknologjike dhe softuerët. Ky lloj shërbimi tanimë praktikisht është i njohur për ne. Ne tanimë jemi shfrytëzues të një shërbimi të tillë. Një shërbim i tillë është posta elektronike ofruar nga Google Inc. njohur si GMail, ose shërbimi tjetër i po të njëjtës kompani Google Drive, hapësirë për përpunimin dhe ruajtjen e dokumenteve.

Kompjuterizimi në Re
Kompjuterizimi në Re [2]
Kështu, në një teknologji të këtillë, shfrytëzuesit e shërbimeve, pavarësisht nëse janë individ ose kompani u qasen aplikacioneve të bazuara në re përmes shfletuesve të tyre, ose përmes softuerëve/aplikacioneve të vogla të cilat mundësojnë një veprim të tillë. Në këtë rast shfletuesit dhe aplikacionet e vogla janë vetëm mjete të cilat mundësojnë lidhjen dhe qasjen tek shërbimet. Kështu përderisa qasja realizohet në hapësira lokale, softueri ose përzierja e softuerëve të cilët mundësojnë realizimin e veprimeve si dhe të dhënat e krijuara nga shfrytëzuesit ruhen në serverët në largësi. Nga perspektiva e shfrytëzuesit, organizimi i shërbimit nga ana e kompanisë që ofron atë, “nuk” është barrë dhe brengë e tij.

Shembuj të shërbimeve të ofruara në Re

Ne kemi shembuj të shumtë të cilat ndoshta i kemi hasur në internet dhe nuk jemi interesuar të dimë se i cilit lloj është, e të ndodhë që ky shërbim të është një shërbim i ofruar përmes teknologjisë së kompjuterizimit në re. Pra, kjo është ajo që theksova më sipër: Ne kërkojmë që shërbimi të funksionojë dhe asgjë më shumë. Pra, realizimi, mirëmbajtja dhe përmirësimi i tij janë brengë e kompanisë e cila ofron atë. Një gjë duhet tërhequr dhe ndritur në këtë rast: „neve nuk na intereson“ është një deklaratë prekëse për shfrytëzuesit të cilët marrin lajmin që kompania, shërbimin e së cilës kanë shfrytëzuar, në një ose tjetër mënyrë ka keqpërdorur ose ka humbur të dhënat. Këtë çështje do të trajtojmë tek nën-tema e privatësisë dhe sigurisë së të dhënave.

Pra, ndër shërbimet që ne shfrytëzojmë e ndodh të jenë të bazuara në teknologjinë e kompjuterizimit në re janë shërbimet nga Google, shërbime tek të cilat kemi qasje përmes shfletuesit, antivirusi Avast!, aplikacioni për komunikim shoqërorë Viber, rrjetet shoqërore si Facebook, Twitter, Pinterest, applikacioni për sinkronizimin dhe ruajtjen e të dhënave DropBox e të tjetë.

Referencat

[1]     Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (2012), FJALORTH PËR NJOHJE ME TERMAT E GJUHËS SË INTERNETIT, Së fundi vizituar më 30 Mars, 2013 tek nyja http://www.kmdp.al/web/FJALORTH_P_R_NJOHJE_ME_TERMAT_E_GJUH_S_S_INTERNETIT_107_1.php

[2] Foto është marrë nga New Innovations Guide, http://www.newinnovationsguide.com/Cloud.html

Po këto i keni lexuar?