Po tregon Ejup Muadini
Po bëja një ditë të zakontë në këto ditët e vona të jetës së perëndimit. Po ecja nëpër rrugë e nëpër kohë duke i shtypë shputat e këputura e duke i tjerrë fijet e gjata të ndodhive të jetës e të kohëve. Këtë rutinë më prishi një zviceran, ish kolegë pune, me të cilin kisha kaluar një kohë të gjatë të jetës.
Meqë ka kohë që nuk ishim parë pas gjithë asaj jete-punë së bashku morëm ca momente për të bërë një bisedë e të pimë nga një kafe si njerëz të lirë që jemi.
Derisa po pinim kafenë kolegu më bëri një pyetje të cilën gjatë gjithë kësaj kohe ishte përmbajtur të e parashtronte, sjellje kjo që nuk u përkon aq zviceranëve.
Më tha:
– Përse ju shqiptarët keni mbetur kaq mbrapa?
Duke qenë krenarë për prejardhjen time dhe duke ditur që populli ynë është i njohur për bujari e burrëri si dhe duke njohur namin e paraardhësve tonë, ilirëve, mu desh të mblidhem dhe të jap një përgjigje të menduar mirë e qartë.
Thash:
– Ne jemi popull i frytshëm, por duke qenë se kemi qenë nën sundimin osman për 500 vite, kemi mbetur mbrapa dhe nuk kemi mundur të marrim hapin e duhur të zhvillimit.
Sapo mendova që kjo çështje mori fund dhe fola ashtu si flasin njerëzit e ditur edhe nëpër televizione, ai më tha:
– E kuptoj! Sa kohë keni që jeni çliruar nga sundimi osman?
I thash:
– Diç mbi 100 vite.
Më tha:
– Po çfarë keni bërë përgjatë kësaj kohe?
I thash:
– (unë s’dita e s’po di çfarë t’i them)
Pleqtë tanë kësaj punë i thoshin: “Luje macë kryetë e bullit”.
(Kemi harruar të mendojmë rreth zhvillimit duke u marrë me ankesa. Problemi kyç është se edhe ankesat nuk i kemi legjitime dhe asnjëherë nuk ju kemi drejtuar shtetit Turk si pasardhës të Perandorisë Osmane rreth padrejtësive që na janë bërë. Ose ndoshta problemi është se ne nuk e njohim mirë historinë tonë?!)