Modeli i biznesit

0

Autor: Skender Mustafi

Modeli i biznesit është një paraqitje e thjeshtëzuar e situatës ose realitetit kompleks të biznesit të një organizate. Varësisht nga këndvështrimi roli i modelit të biznesit mund të përcaktohet ndryshe, kështu dhe modeli i biznesit mund të definohet ndryshe. Osterwalder dhe Pigneur (2010) theksojnë se modeli i biznesit përshkruan ndërlidhjen e komponentëve të ndryshme të biznesit dhe mënyrën se si ato ndërveprojnë duke i mundësuar organizatës të krijojë, shpërndajë dhe kapë vlerë. Në anën tjetër sipas  Bridgeland dhe Zahavi (2009)  qëllimi parësor i modelit të biznesit është komunikimi i disa gjërave, qëllimi është për gjërat kryesore, rreth biznesit të ndërmarrjes tek njerëzit tjerë si: punëtorët, konsumatorët, partnerët, ose furnizuesit.

Ne thuajse çdo ditë shfrytëzojmë modele të ndryshme për nevojat tona. Të tilla janë hartat e ndryshme, oraret e ndryshme si ato të shkollës, ose të kanaleve të ndryshme televizive, udhëzuesit e ndryshëm për mjetet elektronike, mobiliet e të tjera. Madje edhe më shumë modele hasim gjatë punës sonë në internet, ose gjatë të shikuarit të emisioneve të ndryshme televizive. Ne hasim modele të ndryshme fikse në formë të grafikëve si dhe dinamike në formë të simulimeve të ndryshme. Pra, ne i shfrytëzojmë dhe i shohim modelet e ndryshme thuajse gjatë gjithë kohës pa menduar fare në to.

Le të ilustrojmë me një shembull një lloj të modelit siç është harta për orientim. Harta e Evropës është një model i caktuar i cili përmban vetëm autostradat dhe rrugët kryesore të shteteve. Harta e një shteti është një model më i vogël i cili përmban të dhënat e një vendi të caktuar duke mundësuar orientimin në një shtet të caktuar në një nivel të caktuar duke përmbajtur autostradat dhe rrugët kryesore të qyteteve dhe duke lënë anash shumë nga elementet e realiteti kompleks. Ju ngisni makinën dhe bashkudhëtari juaj interpreton hartën duke u orientuar drejt vendi të synuar. Ndoshta në makinën tuaj keni një mjet elektronik për navigim i cili po ashtu në vete përmban një model të caktuar për orientim që mund të jetë më komplekse dhe më informative se modeli i shtypur në letër si dhe interpretimi i tij të mund të bëhet përmes softuerit të caktuar.

Ngjashëm mund të sqarohen edhe modelet e biznesit. Kështu, modeli i proceseve të një organizate është një lloj i modelit të biznesit. Modeli i një organizate, gjithashtu është një model i biznesit. Në rastin e parë, modeli i caktuar paraqet mënyrën e realizimit të veprimeve të ndryshme përbrenda një procesi të caktuar të organizatës, kurse në rastin e dytë, modeli i biznesit i hartuar për një organizatë të tërë, paraqet mënyrën e realizimit të veprimeve në ndërmarrje, ndërlidhjen e personave me pozitat e caktuara, ndërveprimin e individëve mes vete, ndërveprimin e individëve me teknologjinë e të tjera. Për më tepër, modelet e biznesit, sikur dhe modelet tjera, mund të hartohen në mënyrë tradicionale në paraqitje statike, që interpretohen nga njerëzit përkatës, dhe përmes mjeteve të ndryshme elektronike në paraqitje dinamike, që mund të interpretohen nga softuerët adekuat. Sidoqoftë, në ditët e sodit, modelet e biznesit, gjithnjë e më shumë, hartohen në mënyrë që të mund të interpretohen si nga njerëzit gjithashtu edhe nga softuerët.

Ajo që duhet të kihet parasysh gjatë të kuptuarit, identifikimit, interpretimit si dhe studimit të modeleve të biznesit është se ato mund të trajtohen nga dy aspekte të ndryshme duke paraqitur dy ambiente tërësisht të ndryshme me përmasa të ndryshme studimore. Njëri nga llojet e modeleve të bizneseve është lloji i cili hartohet për të studiuar dhe definuar lidhjet e organizatës me konsumatorët, partnerët, furnizuesit dhe aktorët e ndryshëm të segmentit të caktuar të tregut. Këtë lloj e trajton Osterwalder (2010) në librin e tij. Si dhe lloji tjetër trajton ndërlidhjen e elementeve të ndryshme përbrenda ndërmarrjes siç është modelimi i proceseve të ndërmarrjes, duke i mundësuar ndërmarrjes përcaktimin e synimeve, organizimin e proceseve dhe përcaktimin e rregullave të ndryshme të biznesit.

Për më shumë, lidhur me gjenerimin e modeleve të biznesit të cilat studiojnë krijimin e vlerës, kam realizuar një seri artikujsh të cilat studiojnë strukturën dhe të gjitha komponentët e gjenerimit të modeleve të biznesit sipas strukturës së propozuar nga Osterwalder dhe Pigneur (2010)

Referencat
– Bridgeland M. D., Zahavi R. (2009),Business Modeling: A Practical Guide to Realizing Business Value, Morgan Kaufmann Publishers is an imprint of Elsevier Inc., ISBN: 978-0-12-374151-6
– Osterwalder, A., & Pigneur, Y. (2010). Business Model Generation: A Handbook for Visionaries, Game Changers, and Challengers. (T. Clark, Ed.) (p. 288). John Wiley and Sons Inc., ISBN: 978-0470-87641-1

Komentet nga Facebook:

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakti njeri
Artikulli tjetërGjenerimi i Modelit të Biznesit: Marrëdhëniet
Themelues dhe mirëmbajtës i portalit “Fjalaime.ch”. BSc. i Administrimit të Biznesit dhe MSc. i Sistemeve Informative të Biznesit. Me punë dhe qendrim të përkohshëm në Zvicër, Winterthur. Studimet e mia qoftë akademike, qoftë private pasojnë sferën e ekonomsë me përqëndrim në drejtimet e menaxhimit dhe marketingut dhe teknologjisë informative me përqëndrim në shfrytëzimin e teknologjisë informative për zhvillim të biznesit..

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *