Ndërlidhja dhe varësia mes bizneseve

1

Autor: Skender Mustafi

Në një seri artikujsh kam studiuar dhe trajtuar disa aspekte të rëndësishme të internetit dhe ndërmarrjeve. Ndër elementet më të rëndësishme që janë vënë në pah janë zhvillimi i internetit, zhvillimi i biznesit, ndikimi i biznesit në zhvillimin e internetit, ndikimi i internetit në zhvillimin e biznesit si dhe varësia e biznesit nga interneti. Ky është një artikull i cili mund të ndërlidhet me atë seri artikujsh meqë varësia e bizneseve në këtë rast nuk ka të bëjë jo vetëm me nënshkrimin e kontratave të ndryshme, por edhe me vetë zhvillimet teknologjike, e posaçërisht me zhvillimet e teknologjisë informative.

Bashkëveprimi mes organizatave
Bashkëveprimi mes organizatave (Tubaro, P. , 2010)

Kështu, shumë strategji të reja dhe modele të biznesit janë vazhdimisht në ndikim nga mënyrat e ndryshme të strukturimit, ndërlidhjes dhe koordinimit të aktiviteteve të niveleve të ndryshme nëpër organizata. Këto ndryshime janë duke ndodhur jo vetëm në brendi të organizatave, por edhe në të gjitha aktivitet e tyre që kanë të bëjnë me ndërveprimin e tyre me partnerët, konsumatorët dhe palët tjera të treta, madje ndonjëherë edhe në tërë zinxhirin furnizues (Li, 2007). Kjo është duke shfaqur një ndërveprim mes organizatave i cili po shndërrohet në një sistem i cili nga Barnes (2007) është definuar si “zhvillim i infrastrukturës mes telekomunikimit dhe kompjuterit, i udhëhequr ose/dhe shfrytëzuar nga dy ose më shumë organizata me qëllim të shkëmbimit të informatave për të mbështetur aplikacionet ose proceset e biznesit”. Nga zhvillimet në tregun botërorë mund të vërehet se mundësitë e reja të ndërlidhjes  së automatizuar mes organizatave kanë detyruar kompanitë të ndryshojnë strategjitë e tyre të bashkëveprimit dhe të menaxhimit të rreziqeve për shkak të nivelit të lartë të varësisë mes veti. Përkundër këtij fakti, shfrytëzimi i tregtisë elektronike (njohur edhe si e-komerc) për të përmirësuar efikasitetin e zinxhirit të furnizimit është promovuar me të madhe si tek shitësit me të vogël gjithashtu edhe tek tregtuesit e njohur në përgjithësi (Barnes, 2007).

Mënyra tradicionale e partneritetit mes organizatave është ndryshuar nën ndikim nga teknologjitë e reja të cilat kanë bërë që ndërlidhja të mos ndërpritet në nivelin e nënshkrimit të marrëveshjeve, por të vazhdojë më tej deri në nivelin e ndërtimit të një infrastrukture të përbashkët teknologjike mes partnerëve. Ky lloj i partneriteti, është fjala për partneritetin B2B, shfrytëzon karakteristika të ndryshme të bashkëveprimit përmes realizimit të veprimeve dhe marrëveshjeve të ndryshme siç është përcaktim i standardit të përbashkët për numërimin e produkteve, themelimin e teknologjive të përbashkëta të identifikimit të produkteve ose/dhe shërbimeve, përcaktim të standardeve të përbashkëta të shkëmbimit të të dhënave, ngritja e tregjeve të përbashkëta elektronike, themelimi i qendrave të përbashkëta për sinkronizimin e të dhënave (Barnes, 2007). Për më tepër, mjedisi i kompjuterizimit në re (nga anglishtja cloud computing) shfrytëzohet si mjet i cili mundëson bashkëveprim më efikas në rrjetet e sistemeve ku kanë qasje shumë kompani të profileve të ndryshme. Mënyra e re e realizimit të partneriteteve është më e organizuar, shumë e sofistikuar dhe më e suksesshme në rrjedhën e informacioneve të bizneseve. Për më tepër, kjo mënyrë po i sjell kompanitë më afër njëra tjetrës, që nuk është element i bashkëveprimit tradicional, por në anën tjetër po krijon varësi mes kompanive meqë investimet në projektet e bashkëveprimit janë gjithnjë në rritje e sipër.

Studiuesit ndahen në dy grupe me sugjerime kontroverse por me bazë të vërtetë. Në njërën anë ata sugjerojnë bashkëveprim dhe realizim të investimeve të përbashkëta siç sqaron dhe Julie Meyer (2011) ku thotë: “Fituesit në biznes janë ato kompani të cilat organizojnë modelin e biznesit në industri. Ekonomia e ekosistemeve na ndihmon të kuptojmë se për të fituar sot, ju si posedues të bizneseve duhet t’i kërkoni aleatët tuaj natyrorë dhe t’i bashkoni interesat.”, kurse në anën tjetër ata na përkujtojnë problemet në partneritete të tilla të forta siç bën Acha Nayar Basu (2011) duke krahasuar bashkëveprimin mes kompanive me familjen: “Pyetja e ndërlidhjes së kapitalit mes kompanive të grupit (fjala është për kompanitë në bashkëveprim) nuk shfaqet aq kohë sa paqja mbizotëron në familje. Sapo të shpërthejë grindja mes vëllezërve dhe motrave dhe bizneset specifike u janë përcaktuar anëtarëve të familjes, problemet arrijnë kulmin, veçanërisht në vlerësim dhe rëndësi strategjike. Nga këto dy qëndrime të studiuesve mund të perceptohet qartë se partneriteti modern është mase i domosdoshëm pasi që automatizimi i rrjedhës së informacioneve gjatë aktiviteteve të proceseve në zinxhirin e furnizimit është jetësorë për kompanitë. Ajo që është prekëse në këtë situate, është thellësia e bashkëveprimit. Kjo thellësi përcaktohet nga investimet e bëra nga partnerët në një projekt të përbashkët. Ky është elementi kyç në realizimin e investimeve të bashkëveprimit duke vënë kompanitë në siklet të madh për të studiuar mire projektet, partnerët, gjenden ekonomike dhe nivelin e suksesit në rast të realizimit të një partneriteti. Natyrisht, lloji i partneritetit, intensiteti i investimeve, rëndësia në realizimin urgjent të këtyre investimeve, marrja e barrëve të menaxhimit dhe bashkë-koordinimit ndryshojnë nga industria në industri, nga vendi në vend, si dhe nga struktura e tregjeve elektronike si dhe në shumë raste edhe të atyre tradicionale.

Le të përmbledhim
Interneti ka ndryshuar dukshëm mënyrën dhe intensitetin e partneriteteve në llojin B2B. Për të realizuar bashkëveprim të suksesshëm, në njërën anë partnerët duhet të zhvendosen drejtë bashkëveprimit teknologjik mes tyre, dhe në anën tjetër duhet të zhvillojnë sisteme më të sofistikuara të sigurisë të cilat i përgjigjen nivelit të bashkëveprimit dhe të veprojnë më shumë drejtë gjetjes së partnerëve me më shumë strategji të përbashkëta të biznesit. Pra, sa më shumë elemente të përbashkëta të kenë kompanitë, aq më i forte dhe më i suksesshëm është partneriteti.  Rrjedhimisht, sa më i lartë të jetë bashkëveprimi teknologjik mes partnerëve të biznesit, aq më e lartë është varësia mes tyre. Kështu që, përfundimisht, për shkak të rrezikut të një partneriteti të dështuar, kompanitë duhet të zhvillojnë strategji të cilat garantojnë rreziqe sa më të vogla në bashkëveprime të mëdha.

Referencat
– Barnes, S. (2007). E-commerce and v-business: digital enterprise in the twenty-first century. (S. Barnes, Ed.). Butterworth  Heinemann.
– Basu, A. N. (2011). Inter-company investments: Is it a mockery of corporate governance. New Delhi. Business Roundtable. (2007). Growing Business Dependence on the Internet — New Risks Require CEO Action. Business. Washington DC.
– Li, F. (2007). What is e-business?: how the Internet transforms organizations. Wiley Blackwell.
– Meyer, J. (2011). Is this a new tech bubble? BBC. Marrë më 14 Korrik, 2011, nga http://www.bbc.co.uk/news/business___14087394.

Komentet nga Facebook:

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakBig Brother, Big Danger!
Artikulli tjetërdita e thyer
Themelues dhe mirëmbajtës i portalit “Fjalaime.ch”. BSc. i Administrimit të Biznesit dhe MSc. i Sistemeve Informative të Biznesit. Me punë dhe qendrim të përkohshëm në Zvicër, Winterthur. Studimet e mia qoftë akademike, qoftë private pasojnë sferën e ekonomsë me përqëndrim në drejtimet e menaxhimit dhe marketingut dhe teknologjisë informative me përqëndrim në shfrytëzimin e teknologjisë informative për zhvillim të biznesit..

1 Koment

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *