Ndikimi i zhvillimit të Internetit dhe përmbajtjes së tij mbi strategjitë e reja të biznesit

0

Autor: Skender Mustafi

Interneti u ofron bizneseve mundësinë për të prezantuar imazhin komercial pa marrë parasysh madhësinë dhe vendndodhjen e tyre. “Në fakt, në Internet, madhësia e veprimit të një organizate luan rol të vogël sepse Interneti është një ambient i hapur”. (Abdulla, 2009)” Kështu, “Interneti nuk paraqet vetë një rrjet global të bashkuar për zë, të dhëna dhe video, por gjithashtu një infrastrukturë të një platforme digjitale rrënjësisht të re përmes së cilës mund të veprojë biznesi global.” (Atkinson, Ezell, Andes, Castro, & Bennett, 2010)

Më tej, Interneti ka ndryshuar shumicën e elementeve të mënyrës tradicionale të të bërit biznes, megjithatë eksperiencat me biznesin në përgjithësi na bëjnë të shohim se eksperienca me biznesin në Internet historikisht nuk është e re, bazuar në faktin se edhe revolucionet e tjera teknologjike gjithashtu kanë kaluar një rrugë të njëjtë të zhvillimit të tyre, duke filluar nga depërtimi me vështirësi, zhvillimi me furi, arritja e fazës së përplasjes, dhe kalimi në fazën e sinergjisë dhe pjekurisë (Pérez, 2002). Në këtë mënyrë, duke konsideruar, në njërën anë, fazat e sipërpërmendura dhe, në anën tjetër, zhvillimin e biznesit elektronik, biznesi elektronik ka arritur fazën e singergjisë dhe pjekurisë e cila karakterizohet me investime në veprime të vendosura mirë nga kompani të pakta por të mëdha (Barnes, 2007). Edhe pse shumë studiues e vlerësojnë biznesin elektronik të jetë në fazën e pjekurisë, ai akoma po zhvillohet pasi që teknologjitë e Internetit dhe zhvillimet e tjera teknologjike evoluojnë çdo ditë duke u dhënë kompanive mundësi të reja dhe më të mëdha dhe duke u ndihmuar atyre që të zhvillojnë aktivitete globale të biznesit (Business Roundtable, 2007).

Ambienti i hapur, Interneti, u ka dhënë mundësinë të gjitha llojeve të organizatave që të tërheqin vëmendjen e konsumatorëve nga e gjithë bota duke ndryshuar mënyrën e realizimit të komunikimit në mes të konsumatorit me konsumatorin, konsumatorit me organizatën, dhe organizatës me organizatën. Interneti, gjithashtu, u hapi mundësinë kompanive të lindin brenda natës, të rriten shpejtë dhe të fillojnë t’i rrezikojnë kompanitë e themeluara dhe të suksesshme tradicionale. Shembull i tillë është kompania multinacionale amerikane Amazon.com, kompania shitëse me të vogël, e cila u rrit më e madhe se e gjithë industria e botimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kërcënoi ekzistencën dhe dominimin e kompanisë së suksesshme 175 vjeçare, Barnes & Noble, në më pak se 5 vite veprim (Sadagopan, 2000). Në këtë mënyrë, vihet vihet re se bizneset e reja relativisht lehtë mund të depërtojnë në tregjet e Internetit dhe të rrezikojnë segmentet e tregjeve të konkurrentëve si në Internet gjithashtu edhe në tregjet tradicionale. Megjithatë, duhet kuptuar se “faktorët e vërtetë kritik (për bizneset) nuk janë ata teknologjikë. Faktorët kritik janë çmimet e ulëta të produkteve dhe marketingu i mirë”  (Anderson,  2010),  në këtë mënyrë  “fitues do të jenë ata të cilët e shohin Internetin si përbërës të, jo shkatërrues të, mënyrës tradicionale të konkurrimit” (M E Porter, 2001).

Për më shumë, përmbajtja e Internetit me rritjen dhe zhvillimin e vetë (shih figurën, si shembull i shpejtësisë së rritjes së përmbajtjes së Internetit), përkrah zhvillimit të teknologjive të Internetit, është një faktor tjetër shtytës, me ndikim të madh në zhvillimet e strategjive të reja biznesit. Zhvillimi i softuerëve të rinj të Internetit dhe rritja e numrit të informacioneve kanë ndikim të madh dhe të drejtpërdrejtë si në mbi bizneset në Internet ashtu edhe mbi ato tradicionale. Kështu që, bizneset ndërkombëtare tentojnë të shfrytëzojnë teknologjitë më të sofistikuara të Internetit që të tërheqin konsumatorët sa më afër dhe t’i mbajnë ata të kënaqur. Për më tepër, zhvillimi i përmbajtjes së Internetit siç është kalimi nga Web 1.0 në Web 2.0 ka ofruar mundësi revolucionare për të bërë biznes në Internet si për kompanitë, ashtu edhe për individët me ide për biznes. Meqë kompanitë i fillojnë dhe i përfundojnë aktivitetet e tyre duke pasur konsumatorin në mëndje (UPS,  2008), ambienti interaktiv, siç është ambienti i bërë i mundshëm nga Web 2.0 dhe i përmbajtur nga teknologjitë e larta të Internetit, rrisin në një nivel të lartë kënaqësinë e konsumatorit. Në këtë mënyrë, ky ndërveprim ka shfaqur hapësirë të re për të zhvilluar mundësi të reja të biznesit për të gjitha kompanitë, dhe/ose edhe për individë me ide progresive siç është shitja e librave të vetë botuar në Internet (Konrath, 2011).

Le të përmbledhim temën. Zhvillimi i suksesshëm i Internetit dhe i përmbajtjes së tij ka pasur – është duke pasur, dhe do të ketë edhe në të ardhmen – ndikim të madh në zhvillimin e strategjive të reja të biznesit. Këto dy elemente, kanë ndryshuar shumë faktorë, siç është kalimi i fuqisë nga bizneset tek konsumatori, paraqitja e rrugëve më të shpejta, më të lira, më të mira dhe më lehtë të kontrollueshme të komunikimit, ashpërsimi i pasojave për sjellje të keqe, bërja e informacionit të arritshëm në çdo kohë, e të tjerë., të cilët shtynë kompanitë që më shpesh të rishqyrtojnë strategjitë e tyre. Përfundimisht, Interneti ka rrënuar muret e konkurrencës lokale dhe muret e çmimeve të larta të depërtimit të bizneseve duke e bërë ambientin e përgjithshëm të biznesit ambient global, më dinamik, më të konkurrueshëm dhe më agresiv për ekzistencën e bizneseve.

 

Referencat
– Abdulla, M. (2009). The Influence of Internet on Modern Business. ArticlesBase.com. Vizituar më 1 Korrik, 2011, në faqen http://www.articlesbase.com/internet-articles/the-influence-of-internet-on-modern-business-829891.html.
– Anderson, A. (2010). The Marketing of A Market Guru. John Wiley and Sons Ltd.
– Atkinson, R. D., Ezell, S. J., Andes, S. M., Castro, D. D., & Bennett, R. (2010). The Internet Economy 25 Years after .com: Transforming Commerce & Life.
– Barnes, S. (2007). E-commerce and v-business: digital enterprise in the twenty-first century. (S. Barnes, Ed.). Butterworth   Heinemann.
– Business Roundtable. (2007). Growing Business Dependence on the Internet — New Risks Require CEO Action. Business. Washington DC.
– Konrath, J. (2011). Guest Post by John Locke. blogspot.com. Vizituar më 3 Korrik, 2011, në faqen http://jakonrath.blogspot.com/2011/03/guest_post_by_john_locke.html.
– Porter, M E. (2001). Strategy and the Internet. Harvard business review, 79(3), 62    78, 164. Vizituar më 1 Korrik, 2011, në faqen http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/11246925.
– Pérez, C. (2002). Technological revolutions and financial capital: the dynamics of bubbles and golden ages. Edward Elgar Publishing.
– Sadagopan, S. (2000). When is Your Company getting Dotcommed? Cell. Vizituar më 3 Korrik, 2011 në faqen http://www.iiitb.ac.in/faculty/ss/ss_writings9901/ET_jan13_2000.pdf.
– UPS. (2008). Business Process Management II: Using Technology to Enable Business Processes. Management Report for Nonunion Organizations (Vol. 18). doi: 10.1002/mare.4080180508.

Komentet nga Facebook:

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *