Autor: Skender Mustafi
Nëse trajtojmë aktivitetet, të cilat kanë qenë të pa suksesshme, një nga një, atëherë secili nga ata është një dështim në vete. Nëse kemi një synim dhe realizojmë disa aktivitete për të arritur atë dhe të gjitha aktivitetet janë të pa suksesshme, atëherë secili nga ato të trajtuar në një nga një në veten e tyre janë dështime. Nëse këto aktivitete, të realizuar për të arritur të njëjtin synim, trajtohen si zinxhirë aktivitetesh, meqë edhe ashtu janë realizuar, dhe synimi nuk është arritur, atëherë vetëm zinxhiri i aktiviteteve llogaritet dështim kurse aktivitetet shndërrohen në tentime. Pra, “tentova disa herë, por dështova”.
Nga kjo që shohim, për të mos mbetur dështakë ose për të mos e lënë që aktiviteti i fundit të mbetet dështim, atëherë duhet të vazhdojmë të veprojmë derisa të arrijmë sukses. E di që është e vështirë të tentohet dhjetëra herë dhe përsëri të ruhet durimi dhe njëkohësisht qartësia e synimit, por kjo është e vetmja rrugë për të mundur dështimin.
Për të arritur sukses përkundër mundit që duhet bërë pas disa tentimeve, ne na duhet përkrahje shpirtërore përskaj bindjes shpirtërore për sukses. Këtë përkrahje duhet të e kemi nga të dashurit tonë sepse në këtë mënyrë mbahet lartë niveli i vetëbesimit në kohëra krize. Kjo na bën të mendojmë nga vetja jonë dhe në vend që të kritikojmë të tjerët për mënyrën e veprimit të tyre, ne duhet t’i përkrahim dhe tu ndihmojmë të ngjisin lartë moralin e tyre për sukses qoftë me këshilla të drejtpërdrejta, qoftë me këshilla tërthore, madje qoftë edhe me këshilla të fshehta.