Një aplikacion për celularë: falas apo me pagesë qoftë edhe 1€?

0

Autor: Skender Mustafi

Programimi i aplikacioneve nuk është punë e cila bëhet nga të gjithë. Madje nuk është punë e cila bëhet nga shumica. Madje nuk është punë e cila bëhet nga shumica e programuesve. Një numër i vogël i njerëzve programojnë programe për celularë edhe atë për një lloj gjuhe programuese. Të pakët janë ata të cilët janë profesionistë për më shumë se një gjuhë programuese dhe realizojnë projektet në kohë dhe me sukses. Le të marrim dhe të programojmë një aplikacion për iPhone.

Fillimisht duhet ditur programuar në Objective-C  dhe duhet njohur Cocoa Touch AP. Pastaj veprimi tjetër është njohja e iOS SDK, udhëheqës për programimin e aplikacioneve për të përmbushur kriteret dhe nevojat e iPhone. Vetë programimi i aplikacionit kërkon investime si në të holla, kohë ashtu edhe në njohuri. Më në fund, ju keni programuar një aplikacion i cili ka synime të caktuara dhe përqendrohet drejt konsumatorëve të rinj sepse ata janë të cilët shfrytëzojnë celularin “ditë-e-natë”.

Para se të hidhet aplikacioni në treg ju duhet analizuar konsumatorët tuaj (madje kjo duhet realizuar që në planin e projektit, megjithatë po i tejkalojmë këto gjëra). Pra, të rinjtë kanë duart përplot celularë, megjithatë nuk kanë para. Ose edhe nëse këta të rinj kanë para, u duhen për gjëra tjera e jo për aplikacione për argëtim ose diç më shumë edukative.

Hmmm, me gjithë atë mundi që është realizuar dhe i gjithë ai mundi që duhet realizuar që aplikacioni të qëndrojë përballë ndryshimeve që Apple i bënë sistemit operativ:

Cili është çmimi më i përshtatshëm që duhet t’i vë aplikacionit????

Dallimi bazë që ju duhet bërë që në fillim është ai mes të dhënit falas dhe të shiturit.

Po e shes…

Nëse ju e shisni, atëherë aplikacioni juaj është nën kushte të caktuara të sjelljes së tregut dhe përballet me pyetje të cilat vetë tregu i shfaqë në listën e suksesit Çfarë nevoja plotëson aplikacioni? Cilët janë konsumatorët? Sa kanë para? Sa është konkurrenca e zhvilluar? A mund të tërheqë vëmendjen e konsumatorëve aplikacioni juaj? E gjithë kjo le të themi për 1€. Dhe e vetmja gjë që Apple lejon që të shihet nga aplikacioni është përshkrimi dhe disa fotëze të cilat ilustrojnë aplikacionin për të cilat duhet të jeni shumë të vetëdijshëm sepse është shansi i vetëm për të tërhequr konsumatorët.

 Le të merremi pak me statistika. Nëse fjalët kyçe shpien 100 000 herë brenda muajit tek aplikacioni që keni programuar, sipas analizave në teorinë e gjasave të marketingut rreth 10% do të hynë të shohin përshkrimin e aplikacionit tuaj dhe rreth 5% nga ata do të blejnë aplikacionin.  Kjo le të nënkuptojë se me një aplikacion normal ju arrini të realizoni një fitim prej rreth 500€ nga 100 000 vizita në shitje prej një vlere 1€ për kopje. Nëse gjatë këtij muaji aplikacioni juaj vlerësohet të jetë “i mirë” atëherë ju do të arrini të pranoni rreth 5-10 sugjerime. Me kaq aplikacioni merr fund dhe muajin që vjen ai mbetet nën hije të rastësisë dhe sugjerimeve përmes marketingut gojor.

Po e jap falas…

Aplikacionet falas për dallim nga ato me pagesë “asnjëherë” nuk janë të fyer. Siç thotë populli: “Gomarit falas nuk i shihen dhëmbët.” Veprimet e realizimit të një aplikacioni falas janë po të njëjta me atë me pagesë, kostot dhe mundi është i njëjtë. Dallimi është se në një aplikacion falas ju mund të ndani hapësirë për reklamim. Kuptohet se ajo hapësirë duhet të plotësojë kushtet e Marketingut në celularë sepse teprimi në shfrytëzim të hapësirës shpie drejt dështimit.

Le të marrim të njëjtën skenar si më sipër ku 100 000 vizitorë përmes fjalëzave gjejnë aplikacionin tuaj. Sjellja e konsumatorëve ndaj produkteve falas është komplet ndryshe. Mbi 50% e konsumatorëve të nxitur nga  kureshtja do të shkarkojnë aplikacionin pa lexuar fare përshkrimin , vetëm duke parë kategorinë, emrin dhe logon. Kjo vije si pasojë edhe e kushteve të sigurisë të krijuara na Apple dhe e indikatorëve tjerë që nuk na interesojnë në këtë artikull. Aplikacionet pa pagesë edhe pse shpesh herë kanë vlerësime negative nga përdoruesit e pa kënaqur, përdoruesit e ri të shtyrë nga kureshtja, përshkrimi dhe shkaku se aplikacioni është falas dhe mund të e largojnë nga mjeti kur të duan, prapë se prapë e shkarkojnë.

Mirë, a është me rëndësi se sa e shkarkojnë aplikacionin? Nëse e shkarkojnë 100 000 nga 100 000 fitimi në shitje është përsëri zero.

E vërtetë. Megjithatë mor harroni shitoren e vogël përbrenda aplikacionit: hapësirën për reklamim e cila është hapësirë e koordinuar automatikisht pa nevojë për të gjetur ju sponsorë. Unë për vete kam realizuar një projekt për çështje shoqërore në gjuhën gjermane dhe në të kam shtuar reklamat nga Google vetëm në formë tekstesh dhe kam arritur të shohë se fitimet nga “përfito-për-klik” ndryshojnë nga 0.05CHF deri në 0.80CHF për klik. Ngjashëm zhvillohet marketingu edhe tek Apple dhe aplikacioni juaj pasi që të jetë shkarkuar dhe të filloj të shfrytëzohet fillon të sjell fitime nga shtypja e reklamave si me qëllim ashtu edhe pa qëllim. Në këtë rast, shtypja e reklamave pa qëllim është gjithashtu e rëndësishme sepse celulari ka ekran të vogël dhe shtypja e reklamave është relativisht e shpeshtë (mua më ndodh, e vajzës sime e cila luan me Barbi i ndodh dhjetëra herë brenda dite).

Efekti tjetër është se shkarkimet e këtij muaji vazhdojnë të sjellin fitime edhe në muajin tjetër sepse reklamat janë akoma në aplikacion dhe aplikacioni është akoma deri diku atraktiv për shfrytëzuesit.

Investimi për aplikacione…

Investimi i kompanive shqiptare, organizatave dhe institucioneve shtetërore është i vobektë, mund të them më i vobektë se fëmijët afrikanë. Tregu dhe mundësia për kopjim dhe shfrytëzim të ideve për realizimin e aplikacioneve në gjuhën shqipe janë shumë të mëdha.

Ju mund të ndërmerrni hapa drejt realizimit të projekteve të tilla pa pasur aspak njohuri ose me njohuri dhe pa pasur “aspak” para dhe pastaj aplikacionin tuaj mund të e ofroni falas apo një me pagesë qoftë edhe 1€.

Komentet nga Facebook:

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakRritja e marketingut në celularë
Artikulli tjetërSulm i drejtpërdrejt mes konkurrentëve
Themelues dhe mirëmbajtës i portalit “Fjalaime.ch”. BSc. i Administrimit të Biznesit dhe MSc. i Sistemeve Informative të Biznesit. Me punë dhe qendrim të përkohshëm në Zvicër, Winterthur. Studimet e mia qoftë akademike, qoftë private pasojnë sferën e ekonomsë me përqëndrim në drejtimet e menaxhimit dhe marketingut dhe teknologjisë informative me përqëndrim në shfrytëzimin e teknologjisë informative për zhvillim të biznesit..

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *