Përballë paditurisë së gazetës Express

Skender Mustafi

Autor: Skender Mustafi

Për të mos i marrë kohë vetes sime me këso lloj thash e theme do të përpiqem të jem sa më i pakët në fjalë dhe i prerë në vlerësime, sigurisht duke u përqendruar tek te e vërteta dhe faktet. Me këtë reagim i drejtohem autorit anonim të artikullit “EKSKLUZIVE: JA EMRAT E PROFESORËVE TJERË QË KANË PUBLIKUAR PUNIME NË REVISTA KORRUPTIVE-SHKENCORE” tek GazetaExpress (referenca: http://www.gazetaexpress.com/index.php/artikujt/C6/?cid=1,15,132765) dhe gjithashtu të gjithë mendjelehtëve të cilët me nxitim kanë marrë dhe ripublikuar këtë artikull nëpër portalet e tyre ose edhe kudo tjetër.

Unë nuk i njoh personalisht profesorët e emëruar, gjë që e bën më të lehtë vlerësimin dhe analizën dhe të pa anshëm trajtimin e temës në përgjithësi si dhe i mbyll gojët e shpifësve kinse kam shkruar reagimin me interes.

Mendjelehtët

Mendjelehtësia shpejt shpie në dyshim, dyshimi në përçarje dhe mendjelehtësi edhe më të madhe, dhe ky hapi i fundi sigurisht se nuk shpie askund veç në shkatërrim si në planin personal edhe në atë shoqërorë.

Sot, nëpër emisione të ndryshme shpeshherë si udhëheqësit e tyre ashtu edhe mysafirët e tyre të dijeve i referohen reagimeve të shkruesve dhe lexuesve të rrjetit shoqërorë Facebook dhe shkrimeve të ndryshme në internet për të vlerësuar një gjendje të caktuar. Në disa situata, madje, shkrimet e Facebook-ut merren pothuajse si fakte vendimmarrëse vlerësuese të gjendjes të cilat duhet marrë parasysh si një nga format e hulumtimit të vlerësimit shoqërorë në kuadër të trajtimi të një teme të caktuar. Për të keqësuar gjendjen edhe më shumë lloji i personave të tillë bën reagime ndaj shkrimeve, deklaratave, punimeve e të tjerë, të të tjerëve pa hulumtuar për burimin e vërtetë tek i cili ai material për herë të parë është paraqitur.

Mendjelehtësia nuk ndalon këtu, ajo vazhdon edhe më tej. Personalitetet e ndryshme politike shqiptare si në Kosovë ashtu edhe në vendet tjera më shumë kalojnë kohë duke shkruar në Facebook, thuajse nuk kanë mundësinë e shprehjes së lirë, se sa duke u marrë me çështjet problematike të vendit të tyre.

Pa mos u tërhequr, duhet theksuar se mendjelehtësia nuk ka brirë dhe formë të caktuar për të na dhënë mundësi të e definojmë dhe përkufizojmë atë. Çdo ditë (shumë e më shumë) mund të gjinden lloje të ndryshme të veprimeve mendjelehta nga personalitete të ndryshme shqiptare, veprime këto që në shumë raste kalojnë në veprime të kundërligjshme si përmes formësimit të tyre në kërcënime, fyerje të personaliteteve e gjithashtu duke qenë ato shpifje të kulluara.

Mendjemprehtët

Pa asnjë dyshim duhet vënë në dritë faktin që mendjelehtësia nuk është mendjemprehtësi. E para arrihet e shtyrë nga egoja dhe personaliteti i dobët e morali i varfër, kurs e dyta shtyhet nga karakteri i fortë e puna e vazhdueshme e e mundimshme.

Ajo që mendjelehtët kanë harruar gjatë fluturimit të tyre është fakti se çdo trajtim profesional i një tematike shkencore ose edhe shoqërore kërkon angazhim të madh për një periudhë të caktuar kohore. Në këtë kohë trajtuesit e temave merren me studimin dhe trajtimin e të gjitha fakteve të gjetura për të vlerësuar gjendjen ekzistuese që në fund të kenë mundësinë në të të përfshijnë qëndrimin e tyre profesional. Ata gjithashtu trajtojnë në aspekt profesional edhe burimet nga të cilat marrin të dhënat. Kështu profesionistët e vërtetë para se të merren me deklarata publike fillimisht analizojnë portalet tek të cilat kanë gjetur informacione, ose edhe lexuesit e shkruesit të cilët kanë bërë reagimet nëpër rrjetet shoqërore si Facebook e Twitter dhe më pas merren me deklarata.  Tema e hulumtuar i bën ata ekspert në atë pikë hulumtimi për shkak të theksit konkret në çështjen konkrete.

Nëse një temë e caktuar është trajtuar në aspekt shkencor, atëherë me një angazhim minimal ajo mund të përshtatet për tu formësuar sipas kornizave të institucioneve të ndryshme të cilat merren me publikim. Këto korniza janë të njohura për studiuesit dhe ndryshojnë sipas institucioneve të cilat merren me publikimin e punimeve në lëmi të ndryshme. Vetëm ata, mendjelehtët, të cilët nuk kanë trajtuar as edhe një temë të vetme shkencore në jetët e tyre, janë të cilët mund të vënë hamendjen në plan të parë pa mos njohur kushtet e publikimin qoftë nga njëri ose institucioni tjetër dhe akuzojnë të tjerët për punën e pa/bërë.

Shpifësit

Shpifësit duhet hedhur në gjyq dhe duhet dënuar. Përderisa shpifësit mendjelehtë nuk hidhen në gjyq, shoqëria jonë do të vazhdojë të zhvlerësohet edhe më tej. Më fatkeqja në këtë rast është se i gjithë ky angazhim mendjelehtë bëhet në emër të vlerave të informimit të drejtë. Persona të tillë jo që nuk e dinë çfarë është drejtësia meqë as edhe një fletushkë të vetme nuk kanë lexuar mbi informimin me drejtësi, por ata as edhe nuk e dinë çfarë është informimi. Persona të tillë, të cilët pa asnjë mëshirë meritojnë dënimin, e dinë vetëm çka është “llajku” (like), interesi, vetëkënaqja, masturbimi mendjelehtësor.

Është tragjike e vërteta që jo vetëm në rastin poshtërues të gazetës Express, ku autori i shkrimit meriton hedhjen në gjyq, por edhe në shumë raste tjera nuk trajtohet problematika për të cilën flitet, por ambienti në të cilën problematika e caktuar shtrihet.

Tek artikulli i publikuar nga GazetaExpress, në asnjë moment autori i artikulli nuk është thelluar në trajtimin e problemit në thelb, pra nëse studimet nga profesorët e emëruar kanë baza shkencore apo jo, nëse ato studime janë paraqitur në listat e publikuesve të njohur të lëmit përkatës, e të tjera. Për më shumë, nëse ne jemi të dyshimtë rreth një institucioni të caktuar kjo nuk nënkupton faktin se institucioni është i dyshimtë, por se ne jemi në dyshim. Kështu që nëse ne shprehim dyshim mbi një institucion të caktuar dhe atë dyshim e shfrytëzojmë për të paraqitur institucionin si të dyshimtë, atëherë ne nuk jemi më shumë se mendjelehtë dhe shpifës, siç është autori tek GazetaExpress. Ky dhe persona të tillë me koeficient të ngjashëm të mendjelehtësisë, jo vetëm që nuk dinë si shkruhet një punim shkencor, por edhe nuk kanë marr kohë të informohen rreth kornizave të caktuara të paradefinueara të institucioneve të njohura ndërkombëtare të cilat merren me publikimin e punimeve shkencore. Në anën tjetër në saje të kësaj paditurie të thellë shkencore merret guximi të hidhet baltë mbi të tjerët. Ky është krim i cili duhet luftuar. Për më shumë, autori nuk është në vetëdije të plotë mbi gjendjen momentale të shpërndarjes së materialeve. Siç duket i ka kaluar në harresë fakti që siç ai bën vjedhjen e plotë ose/edhe të pjesshme të artikujve nga burime të ndryshme interneti, ashtu veprojnë dhe të tjerët me karakterin e ngjashëm si ai.  Nga kjo gjendje kuptohet që nuk është e lehtë të bëhet vlerësimi nëse punimi për herë të parë është botuar tek njëri burim apo tek tjetri, pra nëse një punim shkencor gjendet i publikuar tek burimet e “dyshimta”, siç shprehet GazetaExpress, atëherë ky nuk është fakt i mjaftueshëm për të shpifur mbi autorin meqë ky punim mund të është kopjuar nga ai burim dhe të jetë publikuar për interesa të ndryshme.

E vërteta

Ajo që është shkruar tek GazetaExpress nuk nënkupton faktin që është e pa vërtetë. Por edhe deklaratat e udhëheqësve të emisioneve dhe mysafirëve të tyre të cilët i referohen komenteve në Facebook nuk do të thotë që s’janë mendjelehta. Shumë herë ato nuk  kanë asnjë kuptim përderisa nuk studiohet masa e cila përditëson ato komentet dhe popullon ambientet e caktuara virtuale ku numrin e madh të lexuesve të faqeve të pëlqyera shumë e përbëjnë adoleshentët, nxënësit e shkollave fillore e të mesme. Sidoqoftë, përderisa një fenomen nuk argumentohet si i pavërtetë, meriton dënimin dhe unë apeloj që krime të këtilla fluturake siç është veprimi i autorit të artikullit të kësaj gazete i cili akuzon një listë profesorësh të luftohen dhe të dënohen ligjshëm. Madje edhe shpërndarësit e artikujve të tillë meritojnë të ndëshkohen. Një veprim i ligjshëm ndaj mendjelehtëve ndalon të tjerët nga veprimet e pamatura dhe nxitë informimin e vërtetë dhe korrekt.

Duke u mbështetur në atë që theksova në paragrafin paraprak le të kuptohet se institucionet tona dhe nëpunësit e tyre meritojnë të hulumtohen që të mund të zbulohen dhe publikohen qelbësirat e tyre të fëlliqura. Këto institucion, duke përfshirë dhe universitetet, janë fëlliqur aq shumë sa që është bërë shumë e vështirë të mund të dallohet vlera nga jovlera, e vërteta nga gënjeshtra, e shkenca nga interesi personal. Sidoqoftë, gjendja e përgjithshme e mjerueshme nuk na jep asnjë të drejtë që të merremi me thash e theme e shpifje në kurriz të personave konkret.

Veprimi i caktuar nuk është krim përderisa nuk ka dëshmi të vërtetuara mbi të, kështu që përderisa gjendja është e hapur, ne duhet vazhduar hulumtimin tonë për të gjetur faktet që të mos lejomë veten të fluturojmë me presh… për interesa personale.

Po këto i keni lexuar?