Një grup dijetarësh ishin xhelozë ndaj imam Shafiut. Menduan një ditë t’i bëjnë një kurth me disa pyetje në lëmin e fikut, madje në prezencë të emirëve dhe kalifit Er-Reshid.
Pyetja e parë:
– Çfarë mendimi ke nëse një njeri ka therur një dele në shtëpi, më pas ka dalë nga shtëpia për një nevojë dhe pasi është kthyer u ka thënë familjarëve: – Hani ju nga delja, kurse për mua është e ndaluar.
– Ai u përgjigj: Ky njeri ka qenë idhujtar, e ka prerë delen në emër të idhujve. Pasi ka dalë nga shtëpia për nevojat e veta, Allahu i Lartësuar e ka udhëzuar në Islam, kështu i është bërë e ndaluar delmja e therur. Më pas familjarët e pranuan Islamin dhe për të gjithë u bë e ndaluar ngrënia e deles.
Pyetja e dytë:
– Dy muslimanë të logjikshëm kanë pirë alkool. Njëri prej tyre merr dënimin, kurse tjetri jo.
– Ai u përgjigj: Njëri prej tyre ka qenë në moshën madhore (dhe është dënuar), kurse tjetri ka qenë fëmijë.
Pyetja e tretë
– Pesë persona kanë bërë marrëdhënie jashtë martesore me një grua. I pari prej tyre vritet, i dyti gurëzohet, i treti dënohet, i katërti merr gjysmën e dënimit dhe i fundit asgjë.
– Ai u përgjigj: I pari ekzekutohet sepse ai e ka bërë hallall marrëdhënien është bërë murted1 dhe vrasja e tij është obligim. I dyti gurëzohet sepse ka qenë i martuar. I treti dënohet sepse ishte beqar. I katërti ishte rob dhe merr gjysmën e dënimit. Kurse i pesti ka qenë i çmendur.
Pyetja e katërt:
– Një njeri ka falur namaz. Kur ka dhënë selam në të djathtë ka shkurorëzuar gruan, kur ka dhënë selam në anën e majtë i prishet namazi dhe kur shikon në qiell i bëhet obligim dhënia 1000 dërhemë.
– Ai u përgjigj: Kur ka dhënë selam në anën e djathtë, ka parë burrin e gruas së vet, e cila është martuar pa prezencën e tij dhe menjëherë e ka shkurorëzuar gruan e vet. Kur ka dhënë selam në anën e majtë në rroba ka parë ndyrësi, kështu që namazi i është prishur. Ndërsa kur shikoi në qiell, pa hënën e re (fillimin e muajit) dhe iu kujtua borxhi që kishte për të kthyer.
Pyetja e pestë:
– Çfarë thua për një imam i cili ishte duke u falur me katër veta në xhami dhe ka hyrë te ata një njeri. Pasi imami jep selam, duhet të vritet imami, ndërkohë që dënohen katër veta dhe rrënohet xhamia deri në themel.
– Ai u përgjigj: Njeriu i cili ka hyrë ka pasur një grua. Ai ka udhëtuar dhe e ka lënë gruan në shtëpinë e vëllait të vet. Imami e ka vrarë vëllanë e këtij dhe ka pretenduar se kjo femër është gruaja e të vrarit dhe imami me këtë grua është martuar. Gjithashtu këta katër persona kanë qenë dëshmitarët e imamit. Kurse xhamia ishte shtëpia e të vrarit, që imami e kishte shndërruar në xhami.
Pyetja e gjashtë:
– Çfarë thua për një njeri i cili ka marrë një gotë me ujë për të pirë. Ka pirë një pjesë hallall, kurse pjesa tjetër e mbetur i është bërë haram.
– Ai u përgjigj: Njeriu në fjalë ka pirë gjysmën e gotës, ndërkohë ka rrjedh gjaku nga hunda në ujin e mbetur. Është përzier uji me gjakun kështu që i është bërë haram uji i mbetur në gotë.
Pas kësaj imam Shafiu u bëri një pyetje grupit të dijetarëve në fjalë.
– Ai pyeti: Ka vdekur një burrë dhe ka lënë trashëgim 600 dërhemë2. Motrës nga kjo pasuri i takon vetëm 1 dërhem. Atëherë si bëhet shpërndarja e trashëgimisë3?
Meqë të pranishmit nuk ishin në gjendje të përgjigjeshin imam shafiu u përgjigj.
– Njeriu ka lënë pas vetes: dy vajza, nënën, gruan, 12-vëllezër dhe një motër. Kështu që dy vajzave u takojnë dy të tretat, pra 400 dërhemë; nënës i takon një e gjashta, pra 100 dërhemë; gruas i takon një e teta, pra 75 dërhemë, 12 vëllezërve u takojnë 24 dërhemë dhe motrës i ka mbetur vetëm një dërhem.
(400+100+75+24+1= 600)
referenca
1. Një njeri që ka qenë musliman, mirëpo më nuk kryen obligimet që kemi ndaj Allahut, nuk fal namaz, nuk agjëron, e mohon Islamin, lufton kundër muslimanëve, që i ndihmon kundërshtarëve të islamit kundër muslimanëve, qoftë edhe me një fjalë, me një fishek apo përkrahje të tyre është murted.
2. Njësi monetare.
3. Behet fjale për shpërndarjen e trashëgimisë sipas së drejtës islame.