Privatësia si funksion i marketingut

Privatësia si konsumatorë

Autor: Skender Mustafi
MSc. në Aplikim të Sistemeve Informative në Biznes
BSc. në Administrim Biznesi

Marketingu është i lidhur drejtpërdrejtë me njohjen e konsumatorit. Sa më mirë të njihet konsumatori aq më mirë mund t’i përgjigjet përmes ofertës.

Si mund të njihet konsumatori?

Informacione.

Privatësia! Individualizimi dhe personalizimi janë lloje të marketingut të cilat janë të ngritura mbi informacione. Shumë informacione mbi konsumatorin. Zhvillimi i rrjeteve sociale dhe fuzioni i ndërmarrjeve të ndryshme në një, siç është rasti i Facebook e cila zotëron Instagram dhe WhatsApp, kanë bërë që të krijohen ‘profile të plota’ të konsumatorëve. Për më shumë, Google dhe shërbimet e saja të kërkimit në mënyrë specifike dhe individuale ku sugjerimet nga motori i kërkimit s’kanë të ndalura ka po të njëjtin model biznesi.

‘Gjithçka dihet rreth konsumatorit.’

Mu në këtë pikë, të arritjes së kulmit të mbledhjes së informacioneve, vihet në dyshim privatësia dhe ruajtja e saj. Andaj lindin edhe pyetjet si:

  • Sa ka njohuri interneti rreth meje?
  • Sa ka njohuri ndërmarrja e caktuar rreth meje?
  • Sa jam i mbrojtur në internet?
  • Sa jam i ‘gërryer’ nga ndërmarrjet?
  • Sa më mbrojnë shfletuesit e internetit?
  • Sa më mbron shteti dhe ligjet kombëtare e ndërkombëtare në këtë drejtim?
  • Kush mund të më ndihmojë?
  • Çfarë mund të bëjë?
  • Sa duhet të jem i hapur ndaj internetit?
  • Sa duhet të ofroj informacione dhe sa do të përfitoj përmes personalizimit?

Këto dhe pyetje tjera nuk është lehtë për tu përgjigjur. Nuk do të thotë se s’ka përpjekje nga studiues të ndryshëm, por:

  • Kujt t’i besohet?
  • Sa t’i besohet?

Unë vlerësoj se për të njohur gjendjen personale fillimisht duhet njohur ambientin të cilit i jemi futur. Për këtë qëllim, kohë më parë kam shkruar dhe shkrimin ‘”Big Data” – thika me dy tehe’ i cili flet mbi të dhënat personale dhe efektin pozitiv e negativ të tyre.

Fundja secili duhet vlerësuar gjendjen në nivel personal, bazuar mbi interesat personale.

Privatësia: Si të mbrohem?

Asgjë nuk është e re të flitet rreth privatësisë. Studiues të ndryshëm kanë trajtuar perspektiva të ndryshme të privatësisë. Sidoqoftë, unë do të paraqes disa nga hapat e rëndësishëm për të rritur nivelin e privatësisë dhe nivelin e mbrojtjes personale:

  • Tërheqja në vete – Vlerësoj se problemi kryesorë kur flasim mbi privatësinë jemi vetë ne. Ne ofrojmë shumë informacione. Qoftë kur pranojmë një thirrje telefonike nga ofrues të produkteve ose shërbimeve të ndryshme, qoftë kur kyçemi në internet, duhet pasur kujdes çfarë informacione japim për të tjerët. Madje, edhe kur ofrojmë një mundësi për të fituar një shpërblim ose një shpërblim, duhet pasur këtë kujdes. Edhe në rrjete sociale duhet pasur kujdes. Në celularë, kujdesi duhet të jetë edhe më i madh. Aplikacionet në celularë, qofshin ato për punë apo lojërat e ndryshme, janë të zhvilluar mbi baza personalizimi dhe mbledhjeje të të dhënave personale me finesë të lartë.
  • Shfrytëzimi i lidhjeve të sigurta për internet – kyçja në internet përmes lidhjeve të ndryshme të panjohura është rrezik i përgjithshëm e jo vetëm rrezik i prekjes së privatësisë në pikëpamje marketingu. WiFi falas!? WiFi pa mbrojtje?! WiFi nga ndërmarrje të ndryshme?!! Këto janë kanale nga të cilat mblidhen të dhënat dhe shpesh herë është dëshmuar se janë tejkaluar kufijtë dhe është cenuar privatësia e konsumatorit dhe individit.
  • Shfrytëzimi i shfletuesve – Kur kemi parasysh shfrytëzimin e shfletuesve, parimisht i preferojmë ata të cilët ofrojnë mundësi të shumta dhe shpejtësi shfrytëzimi. Më pak i preferojmë shfletuesit të cilët ofrojnë privatësi, siç është Tor.  Sidoqoftë, tek këta shfletues të cilët i shfrytëzojmë, qoftë Chrome, Safari, Firefox, Edge, e të tjerë, duhet të kontrollojmë të dhënat dhe preferencat. Këto preferenca duhet përshtatur me interesat tona për të na mbrojtur qoftë si konsumatorë qoftë në përgjithësi. E njëjta gjë vlen edhe për preferencat e celularëve dhe shfletuesve të tyre. Shembull i një pakujdesie mund të përfundojë me një çmim shumë të lartë qoftë financiar e qoftë emocional. Në këtë pikë, a e dini që Apple në preferencat e iPhone ka të parazgjedhur që nëse vdisni organet tuaja mund të u dhurohen të tjerëve? Kjo preferencë është e parazgjedhur me regjistrimin tuaj tek Apple! (Fatmirësisht, mund të ndryshohet.) Kjo nuk është lojë e tallje në internet, siç bëjmë, shpesh herë nëpër rrjetet sociale.
  • Shfrytëzimi i shtesave – shfletuesit e njohur të internetit, të cilët tanimë i shfrytëzojmë ofrojnë shtesa mbrojtëse. Këto shtesa mbrojnë privatësinë tonë në mënyrë që ndërmarrjet të mos mund të ‘konsumojnë’ informacionet tona dhe pa dijen tonë. Shtesa të tilla janë: Adblock Plus, Ghostery, e të tjerë.
  • Shfrytëzimi i projekteve të hapura – Fatmirësisht, në internet mund të gjejmë shërbime të shumta përmes projekteve të zhvilluara nga grupe njerëzish e të cilat janë të hapura. Këto shërbime ofrojnë privatësi të plotë, natyrisht me të metën e personalizimit. Projekt i tillë është motori i kërkimit DuckDuckGo.
  • Ndërmarrja e hapave ligjore – Nëse kemi përvojë të hidhur dhe të argumentuar të thyerjes së privatësisë nga ana e ndërmarrjeve, atëherë duhet të ndërmarrim hapa ligjorë për të kthyer privatësinë dhe për të mbrojtur veten dhe të tjerët në të ardhmen.

Privatësia nuk është proces i cili mund të përfundohet me disa hapa të ndërmarrë, por një rrjedhë e cila kërkon kujdes të vazhdueshëm. Rrjedhimisht, në vazhdimësi duhet të jemi të informuar rreth ngjarjeve globale në fushën e privatësisë dhe të ndërmarrim hapat e duhur për të mbrojtur veten qoftë si konsumatorë, qoftë si person privat.

Suksese!

Po këto i keni lexuar?