Autor:
Skender Mustafi
Jusuf Zimeri
Abstrakt
Shoqëria njerëzore po përballet me një rrjedhë të zhvillimeve të reja mjekësore, të cilat kanë zënë rrënjë në shoqërinë moderne dekadën e kaluar, por që tani kanë marrë hov në zhvillim. Ndër më të diskutuarat dhe më kontradiktoret nga ato është ajo e “nënës barrëmbajtëse” ose “nënës zëvendësuese1”. Është fjala për mbjelljen e vezores së fekonduar të një nënë e cila mban barrën e shtatzënisë në këmbim të të mirave materiale ose si një akt human e vullnetar për të gëzuar të tjerët me fëmijë. Kjo çështje është e diskutueshme në nivel shoqëror, etiko-moral, së drejtës dhe ekonomik. Gjithashtu është vlerësuar dhe klasifikuar edhe sipas parimeve të ndryshme fetare3, 4 dhe 21.
Ky hulumtim merr për bazë kryesisht burimet dytësore të informacioneve, që është literatura dhe hulumtimet e dorës së parë, si dhe publikimet e përvojave të nënave barrëmbajtëse. Nga këto dy lloj faktesh bëhet një analizë shkencore dhe arrihen konkluzione në të pesta perspektivat.
Nga hulumtimi mund të shihet qartë se kemi të bëjmë me një trend të ri në shoqërinë moderne, i cili tanimë ka marr hapat e parë dhe është duke u zhvilluar me hov të madh. Tanimë kanë zënë fill format e para të modeleve të biznesit ku ka filluar formimi i formave të para të ndërlidhjes së konsumatorëve me prodhueset dhe ndërmjetësuesit. Gjithashtu kuptohet se shtresa e pasur dhe së fundi shtresa e mesme shoqërore janë konsumues, ndërsa ajo e varfër është prodhuese.
Së fundmi, nëpërmjet hulumtimit mund të shihen edhe pasojat e para në nivel psikologjik të nënave barrëmbajtëse dhe atë social të grupeve të ndryshme shoqërore. Me fjalë të tjera, zhvillimi i termit të familjes ka kaluar edhe një hap më para. Duhet theksuar gjithashtu se hulumtimi nuk merr parasysh vlerësimet etiko-morale për shkak të përmasave dhe kornizave hulumtuese. Megjithatë është bërë hulumtim dhe vlerësim në bazë të parimeve islame, meqë jurisprudenca islame ndalon rolin e nënës barrëmbajtëse dhe shumicën e llojeve të fekondimeve artificiale.
Hyrje
Ky shkrim është rezultat i hulumtimit të literaturës, rasteve të studimit dhe materialeve që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me aspektet mjekësore, ekonomike, psikologjike, sociale e islame të fekondimit artificial dhe rolit të nënave barrëmbajtëse.
Hulumtimi jo rastësisht trajton katër aspekte dhe Islamin si vlerësues të aktit modern të “prodhimit të fëmijëve”. Që të katër aspektet sa janë të lidhura aq edhe janë të varura mes tyre. Secili nga aspektet ndikon njëri-tjetrin dhe në fund, të gjithë së bashku, ndikojnë në paraqitjen, pranimin dhe përhapjen e rolit të nënave barrëmbajtëse në grupet e veçanta shoqërore, në veçanti, dhe në shoqërinë globale në përgjithësi. Qëllimisht është lënë jashtë trajtimit pikëpamja etiko-morale edhe pse është një ndër elementet bazë për vendimmarrje. Kjo pikëpamje kërkon një hulumtim më vete dhe tejkalon kornizat e këtij studimi.
Sensibilizimi dhe të menduarit serioz rreth këtij trendi dhe pasojat për individët e shoqërinë është më se i domosdoshëm në shoqërinë tonë. Mund të themi se çështja është alarmante në nivel ndërkombëtar (kuptohet nëse ky alarm pranohet në nivel etiko-moral ose refuzohet si i tillë) dhe ka nevojë për trajtim në gjuhën shqipe, pasi edhe vendet e zhvilluara evropiane, që kanë ndikim shumë të madh në jetët tona, kanë filluar të mendojnë në mënyrë serioze për të lejuar zhvillimin e industrisë së mbjelljes së fëmijëve2 dhe me këtë edhe lejimin e paraqitjen e rolit të punëmarrësve si nëna barrëmbajtëse. Vende të tilla të cilat akoma e kanë të ndaluar marrjen e rolit të nënës barrëmbajtëse janë Gjermania, Zvicra, Austria, Franca, e disa vende të tjera evropiane3.
Prodhimi i fëmijëve: pikëpamja biologjike
Në pikëpamjen mjekësore janë të njohura disa forma të mbjelljes së farës së mashkullit te vezorja e femrës. Thuajse të gjitha shtetet e botës kanë ligje përmes të cilave pozicionohen lidhur me këtë ndërhyrje mjekësore. Qëndrimet ndryshojnë nga vendi në vend, edhe atë nga të lejuarit e tërësishëm, në të lejuarit me kushte e deri tek të ndaluarit e tërësishëm të fekondimit artificial. Madje edhe besimet e mëdha botërore kanë marrë qëndrimet e tyre lidhur me këtë çështje3, 4 dhe 21.
Një ndër format speciale të mbjelljes së farës është edhe ajo e “huazimit të nënës”. Kjo formë ka filluar të përhapet pothuajse që një dekadë, por që së fundi ka marrë përmasa të mëdha dhe po arrin fazën e pjekjes së një forme të kulturës së shoqërisë moderne. Kështu që në procesin e “prodhimit të fëmijëve” në mënyrë të drejtpërdrejtë janë të përfshirë një ose dy femra dhe një mashkull. Studiuesja Helena Ragone4 në librin e saj të fundit shtjellon forma të ndryshme të bashkëveprimit mes kërkuesve për t’u bërë prind dhe nënave barrëmbajtëse. Në pikëpamje mjekësore janë dy forma kryesore:
- Kërkesa me farë të mashkullit dhe vezore të femrës, të cilët dëshirojnë të bëhen prindër. Në këtë rast mashkulli, i cili dëshiron të bëhet baba, me farën e vet fekondon vezoren e femrës, e cila dëshiron të bëhet nënë, dhe kjo vezore mbillet te nëna barrëmbajtëse. I gjithë procesi ndodh në një proces artificial mjekësor.
- Kërkesa me farë të mashkullit që dëshiron të bëhet baba. Në këtë rast mashkulli, i cili dëshiron të bëhet baba, fekondon vezoren e femrës barrëmbajtëse, por që nuk dëshiron të bëhet nënë (refuzohet fëmija në pikëpamje psiko-sociale dhe juridike nga nëna shtatzënë e që në këtë proces të kontraktuar njihet si nënë barrëmbajtëse).
Në pikëpamjen biologjike-mjekësore, nëna zëvendësuese, gjenetikisht, nuk ka asgjë të përbashkët me fëmijën që mban, vetëm nëse bëhet fjalë për formën e dytë të fekondimit e që rregullohet në formë juridike dhe vlerësohet me norma etiko-morale e sociale. Në këtë rast një vezore e një femre tjetër, e cila është fekonduar me farën e një mashkulli vendoset në trupin e nënës barrë mbajtëse5 dhe ajo e mban atë që nga ngjizja e deri te lindja. I gjithë procesi i ngjizjes, rritjes, bashkëjetesës mes nënës e fëmijës dhe lindjes rrjedh në mënyrë natyrale, ashtu si te nënat normale.
Fëmijë sipas dëshirës dhe aftësisë për të paguar: Pikëpamja ekonomike
Dekadën e fundit, bazuar në zhvillimet mjekësore dhe ligjore-etike, nuk është e patjetërsueshme lindja e fëmijëve, ne kemi nevojë vetëm për internet dhe mund t’i porosisim si çdo produkt tjetër. I gjithë procesi i porosisë, me të mirat dhe të metat e veta, mund të zhvillohet në internet8. Nga pikëpamja ekonomike, ky akt mjekësor është bërë një biznes i vërtetë mbi të cilin janë duke u ngritur konglomerate ndërkombëtare. Shkak i një zhvillimi të tillë ekonomik ndërkombëtar është sepse tanimë në prodhimin e fëmijëve nuk është e përfshirë vetëm shtresa e pasur shoqërore, por edhe ajo e mesme.
Duke marrë parasysh vende të ndryshme, si Ukraina dhe Rusia, që kanë të lejuar jo vetëm aktin mjekësor, por edhe të gjitha rrjedhat e tjera financiare, kuptohet se kemi të bëjmë me një zhvillim të një biznesi ndërkombëtar. Konsumatorët mund të jenë si nga vendet që e lejojnë rolin e nënës barrëmbajtëse ashtu edhe nga ato që e lejojnë me kushte ose e ndalojnë tërësisht. “Sjellja” e fëmijëve në vendet që ndalojnë një akt të tillë është rregulluar duke shfrytëzuar ‘vrimat’ ligjore kombëtare, siç është adoptimi. Të gjitha këto çështje janë të lidhura drejtpërdrejt me kërkesën dhe ofertën. Në këtë rast kemi të përfshirë pjesëmarrës të ndryshëm në kërkimin dhe ofrimin e produktit dhe shërbimeve.
Fillimisht kemi të bëjmë me produktin, i cili është fëmija. Më pas kemi femrën dhe mashkullin, ose femrën/mashkullin të cilët duan të bëhen prindër, e që janë konsumatorët. Nëna barrëmbajtëse është prodhuesja e produktit7 . Përveç konsumatorëve dhe prodhueses në këtë lloj biznesi janë të përfshirë edhe ndërmjetësues të tjerë, të cilët janë të domosdoshëm ose të kërkuar dhe të pozicionuar sipas përcaktimeve juridike. Si të përfshirë të domosdoshëm janë mjekët, të cilët bëjnë fekondimin artificial të vezores dhe mbjelljen e tij te nëna barrëmbajtëse. Ndërsa duke marrë parasysh strukturën ekonomike të kërkesës (nivelin e investimit) dhe gjendjen e ofertës (gjendjen ekonomike të nënës prodhuese) si kushte të kërkuara paraqiten qëndrimi në ambiente të paracaktuara për jetesë dhe lindje, konsumi sipas kushteve të paracaktuara dhe të kontraktuara si dhe llojet e tjera të sigurimeve. Nga ky zhvillim është hapur gjithashtu edhe fushë biznesi për ndërmarrjet e sigurimeve dhe risigurimeve, që mbulojnë periudhën e paralindjes dhe të lindjes, si dhe bankat që kreditojnë planifikimin familjar dhe mbështesin konsumatorët, pra personat të cilët investojnë të bëhen prindër.
Kombinimet më të përhapura, për sa i përket mbjelljes, shitjes/dhurimit së farës dhe shitjes/dhurimit së vezores, janë:
- Kërkesa me farë të mashkullit dhe vezore të femrës, të cilët dua fëmijë. Këtu kemi të bëjmë me farën nga mashkulli, i cili dëshiron të bëhet baba, me vezoren e femrës, e cila dëshiron të bëhet nënë dhe nënën barrëmbajtëse. Që do të thotë, vezorja e femrës së parë fekondohet me farën e mashkullit dhe mbillet te nëna barrëmbajtëse.
- Kërkesa me farë të mashkullit të tretë në përfshirje të mashkullit, i cili dëshiron të bëhet baba me vezoren e femrës që dëshiron të bëhet nënë. Në këtë rast kemi të bëjmë me farën e personit të tretë, vezoren e femrës, e cila dëshiron të bëhet nënë dhe nënën barrëmbajtëse. Roli i babait të mashkullit konsumator rregullohet në formë juridike pasi përfshirja biologjike në prodhim mungon tërësisht. Do të thotë babai juridik nuk ka lidhje gjenetike me fëmijën.
- Kërkesa me farë të mashkullit që dëshiron të bëhet baba dhe vezore të femrës së tretë. Në këtë rast mashkulli, i cili dëshiron të bëhet baba, me farën e tij fekondon vezoren e një femre të tretë, që mbillet te nëna barrëmbajtëse. Roli i femrës që dëshiron të bëhet nënë rregullohet në formë juridike për shkak të mungesës së lidhjes biologjike me fëmijën.
- Kërkesa me farë të mashkullit të tretë dhe vezoren e femrës së tretë. Në këtë rast mashkulli dhe femra, të cilët dëshirojnë të bëhen prindër, nuk janë të përfshirë në asnjë formë apo mënyrë biologjike me fëmijën. Roli i të dy kërkuesve për t’u bërë prindër rregullohet përmes formave juridike për shkak të mungesës së lidhjes gjenetike me fëmijën.
- Kërkesa me farë të mashkullit të tretë dhe vezoren e femrës që dëshiron të bëhet nënë. Në këtë rast konsumatore është vetëm një femër e cila dëshiron të bëhet nënë dhe fëmija është vetëm i saji. Në pikëpamje juridike fëmija është i pababa dhe të gjitha të drejtat e prindit janë të rezervuara nga nëna. Nënës gjithashtu juridikisht i sigurohet roli i prindit të vetëm.
- Kërkesa me farën e mashkullit që dëshiron të bëhet baba me vezoren e femrës së tretë. Në këtë rast konsumator është vetëm mashkulli i cili dëshiron të bëhet baba dhe fëmija është vetëm i tiji. Në pikëpamje juridike fëmija është i panënë dhe çfarëdo lloji i ndërlidhjes me nënën shitëse/dhuruese të vezores ose nënës barrëmbajtëse është rregulluar/shkëputur juridikisht.
- Kërkesa me farë të mashkullit që dëshiron të bëhet baba me vezoren e nënës barrëmbajtëse. Në këtë rast procesi i fekondimit ndodh në formë artificiale-mjekësore dhe në pikëpamje biologjike fëmija ka nënë dhe baba. Sidoqoftë, mashkulli është kërkuesi dhe konsumatori andaj dhe në formë juridike është prindi i vetëm, që do të thotë se fëmija është i panënë. Në këtë formë të prodhimit të fëmijës, nëna e cila është “dhuruese” e vezores (pikëpamje ekonomike) dhe barrëmbajtëse, mohon fëmijën si qenie biologjie dhe pohon atë vetëm si prodhim ekonomik.
Figura dhe tabela:
Modelet e bizneseve dhe mbajtësit e roleve të përfshirë në prodhimin e fëmijëve.
Situata/1 | Kërkesa kontrakton me një institucion mjekësor, i cili ofron të gjitha shërbimet mjekësore. Institucioni kontrakton nënat barrëmbajtëse dhe i mban ato deri në lindje. E gjithë jeta e tyre gjatë shtatzënisë kalon brenda strukturave të institucionit dhe nën kontrollin institucional. |
Situata/2 | Kërkesa kontrakton një institucion mjekësor, i cili ofron shërbimet e fekondimit, mbjelljes dhe mbikëqyrjes. Institucioni kontrakton nënat barrëmbajtëse. Nënat barrëmbajtëse jetojnë jetën e shtatzënisë në ambientet e dedikuara, që janë pjesë e institucionit ose janë të kontraktuara nga një palë e tretë. |
Situata/3 | Kërkesa kontrakton një institucion mjekësor, i cili ofron shërbimet e fekondimit, mbjelljes dhe kontrollit. Nënat barrëmbajtëse janë të lejuara të jetojnë në shtëpitë e tyre, por i gjithë procesi i kontrollit kryhet nga institucioni kontraktues. |
Situata/4 | Kërkesa kontrakton nënën barrëmbajtëse. Palët marrin shërbimet e fekondimit dhe mbjelljes nga institucione mjekësore. Nëna barrëmbajtëse është e lirë të jetojë në shtëpi dhe të kryejë kontrolle mjekësore sipas vlerësimeve “të lira”. |
Të gjitha kombinimet e trajtuara më sipër kërkojnë strategji të ndryshme biznesi, përfshirje të ndërmjetësve të ndryshëm dhe forma specifike financimi për udhëheqjen e proceseve. Sidoqoftë, të gjitha format e bashkëpunimit mes konsumatorëve, prodhuesve dhe ndërmjetësve rregullohen përmes kontratave specifike. Andaj, ashtu si në llojet e tjera të biznesit, edhe këtu kemi të bëjmë me një proces të mirëfilltë të prodhimit, ofrimit dhe konsumit të shërbimeve që janë të lidhura ngushtë me investimet, shpenzimet dhe shpërndarjen e fitimeve. Gjithashtu, kemi të bëjmë me një zinxhir të mirëfilltë të kombinimit të produktit dhe shërbimeve, ku kërkesa dhe oferta kontraktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthorë. Prandaj, edhe kërkesa e fëmijëve është e njëjtë si e një produkti të zakonshëm “me specifika të caktuara”, ku çmimi ndryshon në varësi të kushteve të kërkesës dhe karakteristikave të ofertës dhe prodhimit të produktit.
Meqë kemi oferta nga vende të ndryshme të botës, që ndryshojnë në nivelin e tyre ekonomik kemi të bëjmë me oferta me çmime të ndryshme të prodhimit (masiv), duke filluar nga 36,000 euro investime nga konsumatori për prodhim të një fëmije në Gjeorgji e deri në mbi 200,000 euro për prodhim të një fëmije në ShBA. Një biznes vërtet i leverdishëm, i cili vetëm në ShBA, në vitin 2020 nga angazhimi i nënave barrëmbajtëse ka prodhuar rreth 2.2 miliardë euro e që sipas Global MarketInsightsInc. pritet që në vitin 2027 të prodhojë rreth 27 miliardë euro8.
Bizneset e këtij lloji, gjithashtu deklarojnë se strukturat politike duhet të rregullojnë ligje që lejojnë teknologjitë si KRISBA (Tochylovski cit. tek Gauriat& Sans7) që mundësojnë përcaktimin e vetive të ndryshme të fëmijëve, ku ndër to është edhe përcaktimi i ngjyrës së syve. Kjo do të kishte ndikim të madh në zhvillimin e biznesit dhe rritjen e prodhimtarisë.
Fëmija është i imi: Pikëpamja psikologjike
Siç edhe theksuam në pjesën e parë, duke filluar që pas mbjelljes së vezores e deri pas lindjes, jeta e nënës barrëmbajtëse, në pikëpamje biologjie-fiziologjike, është e njëjtë si e asaj normale. I gjithë procesi fillon me një nevojë financiare edhe pse kemi studime që hulumtojnë arsyet dhe gjendjen psikologjike të femrave që marrin rolin e nënave barrëmbajtëse. Në njërin nga këto studime i realizuar nga Elly Teman12 është vënë për bazë vlerësimi psikologjik se nëna “normale” është e prirë që në bazë “natyrore” të lidhet me fëmijën që bart gjatë shtatzënisë dhe e lind atë. Autorja, madje, në bazë të kësaj “natyre” dhe “normaliteti” analizon pikat e sjelljes “njerëzore” që devijojnë te këto nëna që fëmijën e shohin vetëm si produkt dhe të huaj.
Sidoqoftë, në dokumentarët që portretizojnë nënat barrëmbajtëse, shkak i vetëm i marrjes së një roli të tillë paraqitet gjendja e dobët ekonomike dhe leverdia financiare ku me rëndësi të madhe është arritja e të mirave materiale. Në këtë mënyrë, meqë qëllimi është arritja e të mirave financiare, i gjithë procesi shihet si një rrjedhë ekonomike dhe burim financiar. Andaj, sipas shumë nënave barrëmbajtëse që janë shprehur publikisht lidhur me rolin e tyre, emocionet në këtë rast janë të papranueshme ose të panevojshme. Në këtë gjendje dhe me këtë qëndrim, pohimi i nënave barrëmbajtëse është në mënyrë të prerë se fëmija u përket atyre që kanë bërë kërkesën.
Por cila është gjendja e vërtetë psikologjike e nënave barrëmbajtëse?
Hoda e të tjerët10 në studimin e tyre të kualifikuar kanë arritur në përfundimin se të gjitha fazat e shtatzënisë së nënës barrëmbajtëse janë të ndikuara me prekje emocionale që janë përcjellë me komplikime të ndryshme psikologjike. Gjendjen e rëndë psikologjike e përshkruajnë edhe shumë nëna nëpër materiale multimediale. Në studimin të kualifikuar dhe sasior të vitit 2018 të realizuar nga Lamba e të tjerët11 janë intervistuar 50 nëna barrëmbajtëse dhe 69 nëna normale gjatë dhe pas shtatzënisë së tyre. Hulumtimi ka treguar se 37% deri në 38% e nënave barrëmbajtëse janë ndjerë mbi mesataren në gjendje depresioni gjatë dhe pas lindjes. Një hulumtim tjetër që flet për lidhjen emocionale dhe depresioneve pas lindjes së nënave barrëmbajtëse është bërë nga Taebi e të tjerët në vitin 202012. Në këtë hulumtim janë përfshirë 17 nëna barrëmbajtëse të cilat flasin për ndjenjat e tyre emocionale gjatë edhe pas lindjes. Autorët gjithashtu vënë në pah edhe komplikimet shëndetësore të ndërlidhura me ato psikologjike të këtyre nënave.
Ndikim të madh në gjendjen psikologjike të nënave barrëmbajtëse ka edhe vendimmarrja e konsumatorëve dhe reagimi i tyre gjatë dhe pas lindjes së fëmijës. Në rast të ndryshimit të mendimit të konsumatorëve me mosdashje të fëmijës gjatë shtatzënisë së nënave barrëmbajtëse, kjo e fundit është e detyruar ta abortojë atë. Në rast mospajtimi me një vendim të tillë, atëherë u kërkohet kthimi i mjeteve të konsumuara financiare gjë që destabilizon psikikën e nënave barrëmbajtëse. Ndikim gjithashtu në rritjen e gjendjes së depresionit te nënat barrëmbajtëse ka edhe në rast të lënies së fëmijës pas lindjes nga ana prindërve investitorë. Në raste të tilla fëmija dërgohet nëpër shtëpi jetimësh dhe nuk i takon nënës barrëmbajtëse, sepse ajo nuk ka asnjë të drejtë juridike për ta mbajtur atë7.
Së fundi duhet theksuar se të gjitha nënat barrëmbajtëse janë të lidhura në mënyrë emocionale me fëmijën që bartin13. Studimet e ndryshme shpalosin se lidhjet emocionale me fëmijën, ose barrën si të tillë, shfaqen në forma të ndryshme. Nënat barrëmbajtëse vetvetiu ndikohen në nivel emocional me vetë rastin e barrëmbajtjes, por edhe krijojnë lidhje të forta emocionale me fëmijën që bartin. Lidhja emocionale me fëmijën shfaqet në forma të ndryshme edhe atë duke shfaqur rolin e vet si një rol të shenjtë, i cili u mundëson të tjerëve krijimin e një familjeje ose edhe përmes zhvillimit të llojeve të ndryshme të depresioneve. Zhvillimi i depresioneve në raste të tilla është i lidhur ngushtë me pamundësinë e kanalizimit, rregullimit dhe klasifikimit të emocioneve kundrejt fëmijës së lindur dhe ‘të dhënë/shitur’. Padyshim këtu ka ndikim të madh edhe lloji i kontraktimit për barrëmbajtje i cili shpeshherë i pamundëson nënës barrëmbajtëse madje as edhe ta shohë fëmijën.
Shoqëri e dalë nga epruveta: Pikëpamja sociale
Shpjegimi i konceptit ‘familje’ është zhvilluar shumë dhe ka ndryshuar rrënjësisht në dyzet vitet e fundit14. Sot në shoqëritë e ndryshme botërore, përveç strukturave tradicionale të familjeve, posaçërisht me miratimin e ligjeve mbi bashkimet e lira të personave me gjini të njëjtë në formë martese, kemi forma të reja të strukturave familjare. Natyrisht që në pikëpamje të shpjegimit të strukturave familjare duhet dalluar bashkimi nën kurorë, martesa, me familjen. Përkundër të gjitha këtyre ndryshimeve, në strukturimin e familjeve dhe të shpjeguarit të tyre, elementi më i rëndësishëm dhe kryesor, përmes të cilit zë themelet familja, është fëmija.
Dekadën e fundit ligjësimi i rolit të nënës barrëmbajtëse ka mundësuar që të paraqiten forma të reja të strukturave familjare. Ndër to janë edhe strukturat familjare ku fëmija ka një prind të vetëm qoftë ai babai ose nëna, fëmija ka dy persona të gjinisë së njëjtë në rolin e prindit, qofshin ata meshkuj ose femra. Në këtë rast jo vetëm që kemi të bëjmë me struktura të reja familjare, por edhe me forma të reja të zhvillimit të proceseve edukuese të fëmijëve, ku fëmija privohet nga nëna dhe roli i saj, ose nga babai dhe roli i tij. Në këtë mënyrë riformohet institucioni familje dhe rishpjegohet jo vetëm struktura, por edhe vlerat e tij. Duke ditur se në këtë institucion femra ka një vlerë të madhe (Balfourzit. tek Abu-Rabia15) dhe rol të rëndësishëm, përmes këtyre ndryshimeve bëhet rishpjegimi dhe rivlerësimi edhe i rolit të saj. Përveç roleve të deritanishme të nënës, siç është ai biologjik dhe social, i shtohet edhe roli i mbajtjes së fëmijës për të tjerët16.
Roli i mbajtjes së fëmijës17 është i lidhur ngushtë me shpjegimin e natyrës së re të nënës dhe me përcaktimin e koncepteve bio-psikologjike për të mundësuar largimin dhe refuzimin e fëmijës përmes adoptimit psiko-social në nivel personal. Largimi nga fëmija i është mundësuar edhe mashkullit (prind biologjik) i cili është dhurues i farës e që në të vërtetë refuzon rolin e prindit. Këto largime kontribuojnë në zhvillimin e kornizave të reja të zhvillimit psiko-social të fëmijës. Roudesco këtë gjendje, ndër zhvillimet e tjera, e identifikon si problem dhe fushë e cila kërkon edhe më tej hulumtime shkencore.
Në anën tjetër roli social lidhet ngushtë në përgjithësi me meshkujt dhe në veçanti me femrat që dëshirojnë të bëhen prindër. Në këtë rast tejkalohen roli dhe niveli i adaptimit në rolin dhe nivelin e “përvetësimit” të fëmijës. Fëmija, përkundër gjendjes dhe fakteve biologjike është (përvetësim) i prindërve (dëshirues dhe financës së “prodhimit” të tij). Në nivel psikologjik, kjo gjendje lë shumë pyetje të hapura si në zhvillimin biologjik të fëmijës (në rast të paraqitjeve të sëmundjeve gjenetike) ashtu edhe në atë psikologjik (në rast të lindjes së nevojës psikologjike për njohje të nënës biologjike-barrëmbajtëse/dhuruese të vezores dhe babait biologjik farë-dhurues).
Kjo formë e re e konstruktit familjar në mënyrë teknike largon nënën dhe rolin e saj biologjik nga qendra e strukturës familjare dhe në vend të saj e vë riprodhimin mjekësor, rregullimin ligjor dhe procesin ekonomik si një kombinim normal. Në këtë mënyrë kemi të bëjmë me struktura të reja shoqërore dhe forca të reja, të cilat, në mënyrë jo-biologjike, mbajnë elementet e saja të lidhur mes tyre.
Ai krijon çfarë Të dojë: Pikëpamja islame
Sipas konceptit islam në tërësi, qenia Njeri konsiderohet si qenia më e nderuar nga Krijuesi absolut, i Cili në librin e Tij thotë: “Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit” (El Isra:70), e në kornizat e këtij nderi dhe respekti që Krijuesi i dha qenies njeri është edhe ruajtja e linjës së gjakut dhe ruajtja e linjës dhe sigurisë familjare. Kjo ruajtje dhe siguri familjare arrihet vetëm duke siguruar raporte të shëndosha familjare dhe përgjegjësi morale e ligjore për anëtarët e shoqërisë në përgjithësi. Pikërisht për këtë Islami ligjësoi dhe shenjtëroi kontratën e martesës mes mashkullit dhe femrës, si qeliza e parë prej ku fillon formimi i familjes së shëndoshë dhe lidhjet e tyre mes njëri-tjetrit, dhe në anën tjetër ndaloi tradhtinë pikërisht për të mos humbur linjat e gjakut, ndërprerjen e linjave farefisnore, humbjen e nderit dhe humbjen e ndjenjave dhe emocioneve njerëzore18.
Islami në parim këmbëngul në natyrshmërinë e njeriut, e cila në rastin konkret arrihet përmes marrëdhënieve të rëndomta dhe të natyrshme seksuale, kurse të gjitha metodat e tjera i konsideron metoda artificiale. Te dijetarët myslimanë metoda e fekondimit seksual artificial te kafshët njihej që nga shekulli XIV, kur ata bënin fekondimin seksual te kuajt për të ruajtur apo riprodhuar racën e pastër të kuajve arab19.
Në këtë proces në aspektin teorik kishin sinjalizuar edhe filozofët myslimanë, si Ibn Sina (Avicena)20 pastaj Farabiu21, etj., se procesi i fekondimit seksual është i mundur edhe në forma të tjera artificiale. Këtë më së miri e sqaron Ibn Halduni në Mukadimen e tij, duke u bazuar në studimet e Ibn Sinas dhe Farabiut22.
Eksperimentin e fekondimit artificial në bazë teorive të mëparshme e provoi prifti italian Lazarte Espaltri në vitin 1780 te një qen dhe doli i suksesshëm19.
Mirëpo, me përparimin e shkencës së mjekësisë në kohët bashkëkohore, e veçanërisht pas suksesit të lindjes së foshnjës së parë, Luiza Braun, më 25 korrik 1979, e cila u quajt “foshnja e epruvetës”23, kjo çështje mori përmasa të mëdha në shoqërinë njerëzore saqë në vitin 1984, në klubin e fëmijëve të fertilizuar (IVF), ishin rreth 1000 fëmijë, prej tyre 56 binjakë, 8 trinjakë dhe 2 katërnjakë. Mirëpo pas këtij procesi, që gjithnjë e më shumë po merr përmasa botërore, ka edhe reaksione të ndryshme, sepse te fëmijët filluan të paraqiten (shfaqen) edhe probleme gjenetike e etike. Këtë e vuri në spikamë edhe shkencëtari e fiziologu Edvards, i cili ishte pionieri i IVF duke thënë: “Ekziston një nevojë e domosdoshme për të krijuar një kornizë etike dhe morale në këtë fushë”24.
S’do mend se ndaj këtij suksesi shkencor të arritur në kohën bashkëkohore as qendrat dhe akademitë islame nuk mund të qëndronin indiferente pa dhënë shpjegime për pikëpamjet e tyre. Kësaj çështje me shumë seriozitet iu rrek Kolegjiumi i Fetfave në Xhedda, Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam, Departamenti i Fetvasë në Kajro dhe institucione e tjera të rëndësishme në botën shkencore islame.
Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam, në konferencën e saj të tretë të mbajtur në Aman të Jordanisë prej 16-11 tetor të vitit 1986, konferencë që debatoi edhe për fekondimin artificial, pas debatit, shqyrtimit, analizës së fakteve, konsultimit të mendimit të dijetarëve-fukahave, të mjekëve, sociologëve dhe profesionistëve të tjerë të fushave shkencore të ndërlidhura, solli vendimin nr. 16 (4-3)25 në të cilin shpjegohen mundësitë e fekondimit artificial, të cilat u ndanë në shtatë mënyra. Dy prej tyre i quajti metoda të brendshme, kurse pesë të tjera i quajti metoda të jashtme:
- Metoda e parë: Kur spermatozoidi merret nga burri dhe bashkohet me vezoren e një femre që nuk është bashkëshortja e tij legjitime, e pastaj vendoset në mitrën e bashkëshortes së tij.
- Metoda e dytë: Kur spermatozoidi merret nga një burrë që nuk është bashkëshort i gruas dhe bashkohet me vezoren e bashkëshortes, e më pas të mbillen në mitrën e bashkëshortes nga e cila është marrë vezorja.
- Metoda e tretë: Kur spermatozoidi merret nga bashkëshorti dhe bashkohet me vezoren e bashkëshortes të bëhet fekondimi artificial i jashtëm, e pastaj të vendohen në mitrën e një femra tjetër, e cila vullnetarisht ka shpreh dëshirën të jetë shtatzënë.
- Metoda e katërt: Të bëhet fekondimi artificial i jashtëm, duke marrë spermatozoidin nga një mashkull i jashtëm (burrë tjetër) dhe vezorja nga femër tjetër dhe të vendosen në mitrën e bashkëshortes.
- Metoda e pestë: Fekondimi seksual i jashtëm të bëhet mes spermatozoidit të bashkëshortit dhe vezores së bashkëshortes e pastaj të mbillet në mitrën e bashkëshortes tjetër me të cilën është në kurorë (pra në mitrën e ortakes) nëse burri ka dy bashkëshorte. Në këtë rast gjithnjë duhet pasur parasysh miratimi i gruas së parë. Pas fekondimit artificial, femra që mbetet shtatzënë me vezoren e gruas tjetër të burrit të vet, pra të ortakes, konsiderohet nënë e foshnjës prej gjiri, sepse foshnja nga organizmi i saj ka përfituar shumë më shumë se sa fëmija që vetëm e thithë qumështin e ndonjë gruaje. Këtij fëmije ndaj kësaj nëne prej gjiri i ndalohet çdo gjë, ashtu siç i ndalohen ndaj nënës së vërtetë (martesa me të, martesa me bijën e saj, etj.)
- Metoda e gjashtë: Merret spermatozoidi i bashkëshortit dhe vezorja e bashkëshortes, vendosen në epruvetë e pastaj prej epruvetës vendosen apo mbillen në mitrën e bashkëshortes nga e cila është nxjerrë vezorja.
- Metoda e shtatë: Merret spermatozoidi i bashkëshortit dhe mbillet ose futet në mitrën e bashkëshortes së tij përmes fekondimit të brendshëm artificial. Këtë lloj mjekimi sheriati Islam e lejon, paraprakisht kushtëzon që të vërtetohet se a ka nevojë femra për një mjekim të tillë apo jo.
Akademia e Fikhut Islam në vendimin e lartpërmendur ka ndaluar pesë metodat e para me ndalesë të rreptë për shkak se me të gjitha ato metoda bëhet përzierja e prejardhjes dhe humbet familja si institucion i rëndësishëm për qenien njeri dhe për mbarë shoqërinë. Në anën tjetër disa dijetarë kanë lejuar metodën e pestë, sepse realisht ekziston mundësia e ruajtjes së familjes dhe obligimeve që pasojnë pas lindjes, siç janë respekti, trashëgimia, etj. Ndërsa dy format e fundit dijetarët myslimanë i lejuan, por gjithnjë duke i dhënë prioritet natyrshmërisë për krijimin e fëmijëve që janë marrëdhëniet seksuale të natyrshme. Rastet e tjera jashtë natyrshmërisë konsiderohen raste aksidentale dhe trajtohen vetëm në kuadër të standardeve të kurimit të tyre për të realizuar dëshirat e tyre.
Gjatë gjithë këtij procesi të fekondimit artificial, sipas konceptit islam duhet të merren parasysh edhe disa faktorë të tjerë të jashtëm të cilët nuk lidhen drejtpërdrejt me veprimin por që kanë ndikim në dispozitën juridike islame të procesit. Në vazhdim do të përmendim disa prej tyre si:
- Në asnjë mënyrë nuk lejohet zhveshja e trupit të femrës islame në prezencën e personit me të cilin i lejohet martesa (d.m.th. që i lejohet të ketë marrëdhënie seksuale me të).
- Në rast se femra ka nevojë urgjente për t’u shëruar nga ndonjë sëmurje, apo, në raste se ka ndonjë çrregullim të jashtëzakonshëm në organizmin e saj, Sheriati Islam i justifikon situata të tilla, ndërsa femrës që lëngon prej sëmundjeve të tilla ia lejon zhveshjen e trupit të vet para burrit të huaj, natyrisht, me qëllim mjekimi ose shërimi. Në këtë rast, zhveshja e trupit të saj kushtëzohet me masë të caktuar, gjegjësisht, me zhveshjen e asaj pjese të trupit që e imponon nevoja për shërim.
- Meqë Sheriati Islam e lejon zhveshjen me arsye të trupit të femrës në prezencë të personit me të cilin i lejohet martesa, atëherë në këto raste, pra gjatë mjekimit, duhet që mjeku të jetë femër myslimane. Por, nëse nuk ka mjeke myslimane, atëherë fillimisht duhet të kërkohet mjeke jomyslimane, e nëse edhe kjo mungon, atëherë duhet të kërkohet mjeku i sinqertë mysliman. Nëse edhe ky mungon atëherë mundet të kërkohet mjeke jomyslimane, e nëse edhe kjo mungon, atëherë mund të jetë mjek jomysliman, porse me kusht që mjeku dhe pacientja të mos vetmohen. Pra në atë rast prezent duhet të jetë edhe bashkëshorti, por nëse mungon ai, atëherë pacienten duhet ta shoqërojë ndonjë femër tjetër.
- Femrës së martuar, që nuk mundet të ngelet shtatzënë, por që ajo dhe bashkëshorti i saj dëshirojnë që të kenë fëmijë, Sheriati Islam ia lejon mjekimin – fekondimin artificial, mirëpo vetëm sipas atyre metodave të cilat i lejon Sheriati Islam23 dhe 26.
Duke marrë parasysh faktet e shpalosura më sipër kuptohet në mënyrë të qartë që (se) sipas parimeve islame ndalohet roli i nënës barrëmbajtëse dhe të gjitha format e ndërveprimit social dhe të biznesit që lidhen me këtë proces. Në këtë mënyrë i jepet rëndësi dhe përparësi natyrshmërisë së institucionit të familjes dhe rolit të saj në shoqëri.
Përfundim
Shoqëria njerëzore po përballet me një rrjedhë të zhvillimeve të reja sociale, etiko-morale, e ekonomike të përcjella nga shpërndarja gjithnjë e më shumë e rolit të nënave barrëmbajtëse. Ky rol ka ndikuar në paraqitjen e strukturave të reja familjare si dhe rolit të ri të nënave. Roli i nënave barrëmbajtëse përcillet me kritika nga ana e ekspertëve, por edhe me pasoja të rënda psikologjike për vetë femrat që marrin një rol të tillë.
Hulumtimi vë në pah faktin që kohëve të fundit kemi të bëjmë me një trend të ri biznesi, i cili fëmijët i sheh si një lloj prodhimi. Paraqitja e llojeve të ndryshme të sigurimeve dhe formave financiare që kreditojnë planifikimin familjar janë duke ndikuar dukshëm në rritjen e këtij lloji të biznesit i cili pritet që në pesë vitet e ardhshme të prodhojë dhjetë herë më shumë të ardhura financiare. Gjithashtu gjigantët në treg janë duke bërë gjithnjë e më shumë presion për të arritur liri sa më të mëdha ligjore të cilat lejojnë “prodhim e fëmijëve” sipas dëshirës së prindërve. Natyrisht që potenciali për keqpërdorime dhe zhvillim të formave të palejuara biznesi është i lartë.
Zhvillime të tilla kanë ndikuar edhe në paraqitjen e fërkimeve të mendimeve dhe qëndrimeve të kodeve etiko-morale të grupeve të ndryshme shoqërore dhe besimeve fetare. Në këtë pikëpamje, Islami ka theksuar në mënyrë të qartë qëndrimin e bazuar në fakte shkencore islame, ku dukshëm i jep përparësi institutit të familjes dhe rrjedhave të zhvillimeve të pastra të strukturave shoqërore, duke ndaluar në mënyrë të padiskutueshme rolin e nënës barrëmbajtëse.
Referencat
1. Ky togfjalësh është një lloj përshtatje nga gjuhët e tjera si anglishtja dhe gjermanishtja, por që autorët e këtij hulumtimi si më të përshtatshëm në pikëpamje shkencore në gjuhën shqipe pranojnë togfjalëshin “nëna barrëmbajtëse” dhe këtë term shfrytëzojnë përgjatë gjithë këtij punimi.
2. Esser, Anna. (2021). Ist das Verbot der Leihmutterschaft in Deutschland noch haltbar?. Revista Shkencore: Schriften zum Bio-, Gesundheits- und Medizinrecht: 44/2021. doi.org/10.5771/9783748924456
3. Surrogate.com (2021). INTENDED PARENTS: WHAT ARE THE INTERNATIONAL SURROGACY LAWS BY COUNTRY?. https://surrogate.com/intendedparents/surrogacy-laws-and-legal-information/what-are-the-international-surrogacylaws-by-country/information/what-are-the-international-surrogacy-laws-by-country/. Së fundi vizituar më 28. Shtator 2021.
4. Ragone, Helena (2019). Surrogate Motherhood: Conception In The Heart. Sh.b. Routledge, f. 215.
5. Walkowiak, Anne (2021). Leihmutterschaft: Wie sie funktioniert und welche (rechtlichen) Hürden es gibt. GoFeminin.de GmbH. URL: https://www.gofeminin.de/kinderwunsch/ leihmutterschaft-s4024336.html. Së fundi vizituar më 28. Shtator 2021.
6. Eichenberg, Christiane & Küsel, Cornelia (2019). Kinderwunsch und Internet. Psychotherapeut 2019 · 64:134–142. DOI: https://doi.org/10.1007/s00278-019-0333-5
7. Gauriat, Valérie & Sans, Sabine (2020). Leihmutterschaft: ein Kind auf Bestellun – Ausbeutung oder Segen?. EuroNew. URL: https://de.euronews.com/2020/09/25/leihmutterschaft-ein-kind-auf-bestellung-ausbeutung-oder-segen. Së fundi vizituar më 28. Shtator 2021.
8. Cision US Inc. (2021). Surrogacy Market Revenue to Cross USD 33.5B by 2027: Global Market Insights Inc. URL: https://www.prnewswire.com/newsreleases/surrogacy-market-revenue-to-cross-usd-33-5b-by-2027-global-marketinsights-inc-301308588.html. Së fundi vizituar më 28. Shtator 2021.
9. Teman, Elly (2008). The social construction of surrogacy research: An anthropological critique of the psychosocial scholarship on surrogate motherhood. Social Science & Medicine 67 (2008) 1104–1112. DOI: https://doi.org/10.1016/j.socscimed.2008.05.026
10. Ahmari Tehran, Hoda/Tashi, Shohreh/ Mehran, Nahid/Eskandari, Narges & Tehrani, Tahmineh Dadkhah (2014). Emotional experiences in surrogate mothers: A qualitative study. Revista shkencore Iran J Reprod Med. 2014 Jul; 12(7): 471–480. Publikuar tek National Center for Biotechnology Information.
11. Lamba, N/Jadva, V/Kadam, K/Golombok, S (2018). The psychological well-being and prenatal bonding of gestational surrogates. Revista shkencore: Human Reproduction, Volume 33, Issue 4, April 2018, Pages 646–653, https://doi.org/10.1093/humrep/dey048
12. Taebi, Mahboubeh/Alavi, Negin Masoudi/Ahmadi/Seyed Mehdi Ahmadi (2020). The Experiences of Surrogate Mothers: A Qualitative Study. Department of Midwifery and Reproductive Health, Nursing and Midwifery Care Research Center, Isfahan University of Medical Sciences, Isfahan Fertility and Infertility Center, Isfahan, Trauma Nursing Research Center, Kashan University of Medical Sciences, Kashan, Iran.
13. Walsh, Theodora (2017). The pregnant avatar: seeing one-self in c-sections, surrogates, and snograms. Afterimage. 2017;44(5):20-23. URL: https://www. proquest. com/scholarly -journals/pregnant-avatar-seeing-one-self-csections/docview/1901200920/se2?accountid=151164. Së fundi vizituar më 04. Tetor 2021.
14. Imrie, Susan & Golombok, Susan (2020). Impact of New Family Forms on Parenting and Child Development. Annual Review of Developmental Psychology. 2020; 2:295-316: DOI: https://doi.org/10.1146/annurev-devpsych-070220-122704
15. Abu-Rabia, Aref (2013). Infertility and Surrogacy in Islamic Society: SocioCultural, Psychological, Ethical, and ReligiousDilemmas. The Open Psychology Journal, 2013, 6, 54-60.
16. Fraire, Manuela & Roudinesco, Élisabeth (2019). Welches Morgen für die Leihmutterschaft? Feministische Studien. 2019 / 05 Vol. 37; Iss. 1. DOI: 10.1515/fs2019-0009
17. nëna barrëmbajtëse
18. Departamenti për Fetva Jordan, Vendimi nr.5 rreth dispozitës së sheriatit në fekondimin artificial, i nxjerrë më 24. korrik 1984, Aman, Jordan.
19. Nexhar, Jasir Abdulhamid Xhadullah, profesor i së drejtës krahasuese në Fakultetin e sheriatit në Deaakahlije- Egjipt, në veprën: “telkihu es-sinaij min mendhuri el fiklhil islamij, dirase fikhije mukarene (Fekondimi artificial nga optika e së drejtës islame, studim fikhor krahasues), f. 374 – 375 – Studjuesi Isa Emize, el haml irthuhu ve ahkamuhu ve suveruhu el muasire bejne esh-sheria vel kanun (Shtatzënia, trashëgimia, dispozitat dhe mënyrat e shtatzënisë mes sheriatit islam dhe ligjit pozitiv), f. 110.
20. Ibni Sina është: Ebu Alij El Husejn ibn Abdullah ibn Hasan ibn Alij Ibni Sina Eël Belhij, i njohur në perëndim me emrin Avicena. Bota perëndimore qe njohu me llagapin mbreti i mjekëve, kurse në mesjetë njihej me emrin “babai i mjekësisë moderne”. Ka shkrua rreth 20 vepra në lëmi të ndryshme shkencore, por përqendrimi i tij ishte në mjekësi dhe filozofi.
21. Muhamed El Farabi ka lindur vitin 874 në Turkistan kurse ka vdekur në Damask. Ekzistojnë polemiak të shumta rreth identitetit të tij se ishte turk apo persian, por me rëndësi është se ai jetoi dhe u edukua në Bagdad. Ishte filozof i madh, matematicient dhe muzikolog i njohur.Ishte marrë shumë edhe me shkencat e mjekësisë.
22. Abdurrahman ibn Haldun, Mukadime ibni Haldun 1/452, botim El kutub Ilmije, Kajro.
23. Abazi, I/Bislimi, T./Ebibi, F./Zimeri, J. (1996). E drejta familjare në Islam. Mexhlisit Shura të Bashkësisë Islame n R. Maqedonisë. Shkup.
24. Elbar, Muhamed Ali (2016). Et-telkihu es-sinaij ve etfalul enabib. Botuar në revistën ‘El Mexhmeul fikhij’ 2016:2.
25. Resolutions and Recommendations of the cuncil of the Islamic Fiqh Academy 1985 – 2000 (2000): Resolution No. 16 (4 – 3). Islamic Development Bank. First Edition 1421H. Faqe. 28 – 29.
26. E gjithë kjo që u theksua këtu është një përfundim që rrodhi nga debati i Akademisë Motërore të Fikhut Islam në vitin 1986, vendime këto që u sollën me unanimitet me përjashtim të njërit anëtarë të akademisë i cili abstenoi.
Bibliografia
- Abazi, I/Bislimi, T./Ebibi, F./Zimeri, J. (1996). E drejta familjare në Islam. Mexhlisit Shura të Bashkësisë Islame n R. Maqedonisë. Shkup.
- Depenbusch, Marion & Schultze-Mosgau, Askan (2019). Leihmutterschaft. Në: Diedrich, Klaus et. al. (redaktues): Reproduktionsmedizin. Berlin/Heidelberg: Springer.
- Imrie, Susan & Golombok, Susan (2020). Impact of New Family Forms on Parenting and Child Development. Annual Review of Developmental Psychology. 2020;2:295-316: DOI: https://doi.org/10.1146/annurev-devpsych-070220-122704
- Ragone, Helena (2019). Surrogate Motherhood: Conception In The Heart. Sh.b. Routledge. Faqe 215.
- Schramm, Edward & Wermke, Michael (2018). Leihmutterschaft und Familie: Impulse aus Recht, Theologie und Medizin. Botoi: Springer-Verlag GmbH. Redaktor: Edward Schramm dhe Michael Wermke, Rechtswissenschaftliche Fakultät Friedrich-Schiller-Universität Jena, Jena, Gjermani.
- Taebi, Mahboubeh/Alavi, Negin Masoudi/Ahmadi/Seyed Mehdi Ahmadi (2020). The Experiences of Surrogate Mothers: A Qualitative Study. Department of Midwifery and Reproductive Health, Nursing and Midwifery Care Research Center, Isfahan University of Medical Sciences, Isfahan Fertility and Infertility Center, Isfahan, Trauma Nursing Research Center, Kashan University of Medical Sciences, Kashan, Iran.