Raporti mes marketingut në internet dhe marketingut direkt

0

Autor: Skender Mustafi

Marketingu në internet nuk paraqet vetëm treg të ri, por gjithashtu zgjeron edhe funksionet tjera të marketingut. Në literaturë shihet se nuk ka pajtim të përgjithshëm mes studiuesve të marketingut rreth asaj se çfarë roli luan marketingu në internet në strukturën e marketingut në përgjithësi. Disa studiues pohojnë se marketingu në internet ofron vetëm instrumente shtesë për funksionet e marketingut në përgjithësi dhe asgjë tjetër. Të tjerët sugjerojnë që të bëhen dallime mes funksioneve të marketingut në internet dhe atij tradicional dhe një grup tjetër autorësh deklarojnë se marketingu në internet është lloj komplet tjetër i marketingut në krahasim me strukturën e marketingut tradicional.

Figura 1: Paraqitja e pozitë së marketingut në internet në strukturën e marketingut nga Kotler. (Mustafi et al. 2011)

Kotleri dhe të tjerët (1999 f.961-998) mbrojnë idenë se marketingu në internet është formë e marketingut direkt. Siç deklarojnë autorët, termi “marketingu direkt” ka ndryshuar kuptimin shumë herë në të kaluarën. Në fillim termi u përdor për të përshkruar shpërndarjen pa ndërmjetës. “Direkt” në atë kohë u përdor në kuptimin e shpërndarjes së drejtpërdrejtë nga prodhuesi tek konsumatori ose nga prodhuesi përmes shitoreve të veta direkt tek konsumatori. Më vonë, marketingu direkt përshkruante shpërndarjen dhe promocionin drejtpërdrejtë tek konsumatori. Kjo bashkon shitjen me letrat dhe katalogët reklamues të cilat iu shpërndanë direkt konsumatorit. Kjo ideologji u zhvillua edhe më tej duke shpjer tek definicioni i tanishëm i marketingut direkt. Ai definohet si një sistem interaktiv i marketingut në të cilin mediat e komunikimit dhe të promovimit përdoren për të arritur reaksione dhe transaksione të matshme me konsumatorin në çdo vend. Kotleri pohon se marketingu direkt përbëhet nga lidhje të drejtpërdrejta me konsumatorë individual të përzgjedhur me kujdes për të marr përgjigje të menjëhershme nga konsumatori dhe për të kultivuar marrëdhënie afatgjate me konsumatorin (Kotler & Armstrong, 2010).

Përmes raportit në mes marketingut në internet dhe marketingut direkt, autorët si Kotleri dhe bashkautorët (2009), gjithashtu sqarojnë raportin mes marketingut në internet dhe atij tradicional. Kështu, struktura e marketingut tradicional (Figura 1) përbëhet nga marketing miksi ku miksi promocional përbëhet nga marketingu direkt (M. Trehan & R. Trehan, 2007) dhe marketingu në internet është pjesë e tij (Kotler & Armstrong, 2010).

Ide e bashkimit të marketingut në internet dhe marketingut direkt në fillim duket i kuptimshëm në fillim pasi që marketingu në internet në të vërtetë është një sistem interaktiv i cili lejon aktivitete të matshme dhe mund të drejtohet direkt tek konsumatori. Për më tepër, konsumatori mund të zgjedhë kohën dhe vendin në të cilën dëshiron të bashkëveprojë me sistemet në internet. Por, definimi krejtësisht i ndryshëm i “vendit”, si funksion i marketingut, është një nga arsyet kyçe e cila e bën që marketingu në internet të mos duket gjithnjë si pjesë/shtesë/lloj i marketingut direkt. Ndërsa Kotleri dhe bashkautorët (1999 f.961-998) e shohin kompjuterin si “vend”, funksion të marketing miksit, autorët e tjerë si Chaffey (2007, f. 369) përshkruaj tregjet e ndryshme në internet si “vend”. Këto pikëpamje të ndryshme mbi vendin si funksion të marketingut hapin probleme tjera të cilat nisin diskutimin mbi rolin e marketingut në internet. Veç kësaj, marketingu në internet dhe tregtia elektronike janë mundësi të paraqitura viteve të fundit në marketing dhe të kuptuarit të funksionalitetit, potencialeve dhe përfitimeve nga ai ishte ndryshe para “bumit të ri ekonomik” dhe ndryshe pas tij.

Referencat
– Mustafi, Skender, Jost, Lionel & Nguyen, Tuan (2011), The Relationship Between Online and Offline Marketing.
– Kotler, P., & Armstrong, G. (2010). Principles of marketing (13rd ed., p. 613). Pearson Education.
– Kotler, P., Armstrong, G., Saunders, J., & Wong, V. (1999). Principles of Marketing (Second Eur.). Prentice Hall Europe.
– Trehan, M., & Trehan, R. (2007). Advertising and Sales Management (p. 348). FK Publications.

Komentet nga Facebook:

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *