Skender Mustafi
Pavarësisht nëse bëhet fjalë për një ueb faqe personale apo një profesionale, nyjat lidhëse (ang.: links) janë shumë të rëndësishme. Ato kanë ndikim si në sjelljen e vizitorëve të faqes (qofshin ata/ato lexues ose konsumatorë), në funksionimin e duhur të faqes dhe në sjelljen e motorëve të kërkimit ndaj faqes suaj.
Nyjat e thyera ndikojnë në sjelljen psikologjike të vizitorëve të faqes dhe mund të nxisin largimin e tyre nga faqja dhe vlerësimin e saj si jo serioze dhe të parëndësishme. Sidoqoftë, kjo nuk i ndalon vizitorët nga pasimi i synimit bazë, do të thotë gjetja e asaj që janë duke kërkuar. Në këtë rast, nënkuptohet kalimi tek konkurrenca.
Nyjat e thyera ndikojnë edhe sjelljen e motorëve të kërkimit, si Google Search, Bing, etj., ndaj vlerësimit dhe radhitjes nëpër lista të faqes suaj. Motorët serioz të kërkimit kontrollojnë faqet dhe ndër të tjerash vlerësojnë edhe nyjat e thyera, që është edhe një nga parametrat e vlerësimit të faqes.
Çka duhet ditur mbi nyjat lidhëse të faqes?
Nyjat lidhëse të faqes mund të jenë të brendshme dhe të jashtme. Nyjat e brendshme lidhin artikujt ose pjesë të tyre përbrenda faqes suaj të internetit. Në këtë rast nëse merreni me publikimin e artikujve të cilët përshkruajnë produktet ose shërbimet tuaja, flasin mbi ju, ose janë shkencore, atëherë është shumë e rëndësishme që produkte, shërbime, terme e kuptime të rëndësishme të lidhen me shkrimet përkatëse në faqen tuaj. Ky veprim është njëkohësisht marketing i përmbajtjes suaj, nxitje e vizitorëve për të qëndruar më gjatë në faqe, ofrimi sa më i lehtë i informacioneve tek vizitorët, si dhe plotësimi i njërit ndër kriteret e rëndësishme për SEO (nga ang.: Optimizimi për Motorët e Kërkimit) të mirë të faqes.
Nyjat e jashtme, në anën tjetër, janë lidhjet e termeve, artikujve ose përmbajtjeve të faqes suaj me faqe të jashtme të internetit. Këto faqe mund të jenë tuaja ose të të tjerëve. Në këtë rast, sado që e pakuptimtë ose pickuese të jetë situata (duke menduar se u bëhet marketing të tjerëve) aq është e rëndësishme. Përdorimi i referencave gjatë publikimit të shkrimeve dhe lidhja e termeve të rëndësishme me burimet shkencore janë shumë të rëndësishme për të rritur besimi e vizitorëve tek faqja juaj. Asnjëri nga ne nuk jemi i Gjithëdijshëm, andaj dhe shfrytëzimi i dijes së ekspertëve ose shfrytëzimi edhe i mendimit të të tjerëve, tregon seriozitet në punën tonë. Nga ana teknike, është veprim gjithashtu shumë i rëndësishëm për një SEO të mirë të faqes suaj.
Si të ruhet stabiliteti në faqe me nyja të mira lidhëse?
Ruajtja e nyjave nuk do të thotë qëndrimi statik i faqes. Ju mund të ndryshoni dizajnin dhe strukturën e faqes duke u përshtatur gjithnjë me kohën, përmbajtjen tuaj, si dhe me ndryshimin e parapëlqimeve të vizitorëve të faqes suaj. Në këtë rast nënkuptohet ruajtja e nyjave përkundër ndryshimit të përmbajtjes.
Nëse ju keni një faqe të ndërmarrjes suaj ku keni ballinën, faqen e përshkrimit të ndërmarrjes, faqen e historikut, faqen e shërbimeve, faqen e produkteve e faqen e kontaktit, atëherë ruajtja e nyjave të këtyre faqeve është shumë e rëndësishme. Kjo nuk nënkupton ruajtjen e titujve, shembull ‘nyja kompaniaIme.com/na-kontaktoni’ mund të ketë tituj të ndryshëm si “Na kontaktoni”, “Faqja e kontaktit”, etj., por nyja mbetet e njëjtë. Njëjtë është edhe për nën-faqet tjera. Nyjat e jashtme të thyera përbrenda përmbajtjes së nën-faqeve tuaja, duhet zëvendësuar me të reja.
Nëse keni vendosur që patjetër të ndryshoni një nyje, atëherë mos e fshini atë. Ajo nyje mund të jetë e lidhur në faqe të të tjerëve dhe është e radhitur në listën e motorëve të kërkimit, posaçërisht kur ajo është e vjetër. Madje edhe nyjat e pakuptimta që para shumë kohe i keni vendosur me pakujdesi duhet ruajtur. Përmbajtja mund të kalohet në një nyje tjetër, shembull tek “kompaniaIme.com/faqja-e-kontaktit”, ndërsa nyja e vjetër mund të shndërrohet në nyje ridrejtuese (urë lidhëse mes asaj që ishte dhe asaj që është).
Në këtë pikëpamje është e rëndësishme që nyjat të mendohen mirë para se të vendosen. Madje shumë e rëndësishme është për ato faqe të cilat merren me publikimin e përmbajtjeve, teksteve, produkteve e shërbimeve në mënyrë dinamike. Siç edhe u theksua më sipër, titulli duhet dalluar nga nyja dhe që të dy këto elemente duhet përshtatur sipas nevojës.
Shembull i tillë është shkrimi “60+ thënie nga Albert Ajnshtajn (Albert Einstein)”. Ky artikull ka nyjën: https://fjalaime.ch/thenie-nga-albert-ajnshtajn-albert-einstein/
Kjo nyjë është shumë e rëndësishme të qëndrojë në mënyrë lidhëse me ‘botën e jashtme’, si një adresë shtëpie, ndërsa të dekorohet sipas nevojës dhe dëshirës në brendi të faqes. Me dekorim nënkuptohet ndryshimi i titullit si: “Thënie brilante nga Albert Ajnshtajn”, “100 Thënie nga Albert Ajnshtajn”, etj.
Si ruaj nyjat në një faqe dinamike?
Pavarësisht sa dinamike është faqja juaj, ju mund të ruani nyjat tuaja duke ridrejtuar nyjat e brendshme, apo duke kontrolluar dhe zëvendësuar nyjat e jashtme. Nyjat e jashtme dhe të brendshme mund të kontrollohen përmes mjeteve të shumta të ofruara në internet, një ndërto është falas “CLOOC Seo Studio” nga CLOOC GmbH. Nëse jeni duke shfrytëzuar sisteme për udhëheqjen e përmbajtjeve (ang.: CMS) si WordPress, Joomla, etj. atëherë mund të instaloni shtesa përkatëse të cilat mundësojnë kontrollimin e nyjave të thyera (p.sh. ‘Broken Link Checker’ për WordPress, ochSEO|SMO Toolbox për Joomla, etj.) dhe shtesa të cilat mundësojnë ridrejtimin e nyjave të brendshme të zbrazëta (p.sh. ReDJ për Joomla, Redirection për WordPress, etj)